Robert Budina: Filmi në vorbullën pamundësive
Izaura Ndoj
Ngjarja zhvillohet në Selanik, ku
Saimiri dhe vëllai i tij i vogël, Vini, i emigruar së fundmi nga Shqipëria,
përpiqen të integrohen në vendin fqinj, secili në mënyrën e vet, me sakrificat,
por edhe arritjet e secilit. Kjo është historia e dy qenieve që përpiqen të
gjejnë vetveten në një vend të huaj, brenda vëllazërisë, në një histori
dashurie të verbër dhe pa rrugëdalje. Në një intervistë për “Koha Jonë”,
regjisori dhe skenaristi i filmit “Agon” rrëfen punën 6-vjeçare për të
realizuar këtë film, kastin e aktorëve dhe bashkëpunimin mes tyre, si dhe vështirësitë
dhe sfidat që ka pasur ky film. Filmi “Agon” është xhiruar në Shqipëri dhe në
Selanik të Greqisë, me një përzierje aktorësh grekë e shqiptarë, ku rolet
kryesore u janë besuar një kasti aktorësh të rinj dhe me një trupë teknike
shqiptaro-greko-rumune. Në rolin e Saimirit interpreton Marvin Tafaj, i cili
është angazhuar në disa role në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Guljem
Kotori, i cili interpreton Vinin, mësohet të jetë përzgjedhur nga një kast i
gjerë prej 5000 kandidaturash. Të tjerë aktorë që interpretojnë në film, janë
Xhevdet Jashari, në rolin e Kenos, aktorja Eglantina Cenomeri në rolin e
Majlindës, Isabella Kogevina, Laert Vasili, Nikolla Llambro, Hajrie Rondo etj.
Kostumet kanë firmën e Ermir Gramos, i cili numëron në karrierën e tij filmat
“Falja e gjakut” dhe Amnistia”, skenografia Bianca Nikolareizi, kompozitor Aldo
Shllaku. Filmi është një bashkëprodhim i ERAFILM, Shqipëri, Inkas Film Greqi,
Elefant Film Rumani, Arizona Film Francë, me mbështetjen financiare të Qendrës
Kombëtare Kinematografike Shqiptare, Greke dhe Rumune, të Eurimages etj. Përpara
se të vijë për publikun shqiptar, “Agon” do të shfaqet për atë amerikan.
Premiera e tij do të jetë në Çikago, ku është përzgjedhur si konkurrent në
seksionin zyrtar për regjisorët e rinj.
Emigracioni, është tema që do të shoqërojë filmin “Agon” në rrugën që
sapo ka nisur. Ku e morët spunton për të trajtuar këtë temë kaq delikate?
Spunton e mora nga realiteti
shqiptar, i cili nuk të ofron shumë mundësi për auto-vërtetim. Në këtë film
arrita të nxirrja problemin që ka shoqëria jonë, e cila zhvillimi e gjen te
rruga e pisët dhe ne jemi të gjithë bashkëpunëtorë në këtë realitet të hidhur.
Filmi nis me historinë e dy vëllezërve ku njëri përpiqet të ndërtojë një jetë të
ndershme dhe vëllai i vogël, i cili nuk e duron dot rrugën e gjatë të
sakrificës për të ecur në mënyrë të ndershme por do t’i bjerë shkurt. Kjo
histori nuk është thjeshtë emigracion, por depërton përtej saj. Emigracioni është
një shkas, por fakti është ky; Njerëzit që kanë një traditë në familje nuk mund
të konvertohen në kriminel.
Ashtu si këto personazhe filmi, theksuat se pjesë e kësaj historie jeni
edhe ju ashtu si çdo shqiptar?
Pa diskutim që dhe unë me
familjen time jemi pjesë e këtij realiteti. Është një realitet shumë kompleks,
futet dhe pamundësia, padia ime në atë kohë. Është një realitet kompleks që nuk
të ofron që ti t’i gjesh gjërat në mënyrë të pastër. Sot nuk është e lehtë të
mbijetosh në mënyrë të ndershme. Në këtë vorbull të vështirë gjithmonë ka
njerëz që e humbin shpresën dhe kalojnë në krahun e sfidës me jetën për t’u
hakmarrë ndaj realitetit. Por, familja shqiptare ka vlera shumë të madhe dhe ky
është dhe thelbi që do të përcjellë ky film. Të gjithë personazhet e këtij
filmi janë pozitiv, por jeta i ka vendosur në rrethana negative.
Cili është mesazhi i filmit “Agon”, duke parë përtej asaj perdes së
agonisë?
Me anë të këtij filmi kam dashur
të tregoj vlerat e vërteta që ne kemi. Dhe kjo gjë arrihet vetëm në përplasje të
madhe, nuk zbulohen duke u shitur nëpër botë për ato që nuk jemi.
Pse zgjodhët pikërisht Greqinë për të xhiruar filmin?
Zgjodha Greqinë, pasi para 3-4
vitesh ajo ishte shumë ndezur duke pasur parasysh paragjykimet e tyre për ne
dhe paragjykimet tona për atë shoqëri.
Sa e vështirë ka qenë për kastin e aktorëve për të mishëruar rolet që
ti ke ngritur në këtë film. Pse besove tek këto aktorë të rinj dhe jo tek një
brez ndoshta më i pjekur për sa i përket karrierës?
Arsyeja e parë është se filmi më
kërkonte aktorë të rinj. Për këtë moshë isha i detyruar të bëja kast, dhe shumë
rastësisht jam i lumtur që linja ku unë kisha shkruar vajti e u ngjit tek këta
personazhe. Përveç kino-provave ishte marrëdhënia që unë krijova me këta
talente që pretojnë të ardhme. Ishte një kimi, e cila që në momentin e parë
funksionoi.
Përveç premierës në dhjetor të këtij viti, filmi do të konkurrojë dhe në
Festivalin Ndërkombëtar të Çikagos. Cilat janë pritshmëritë e këtij filmi në
SHBA?
Të them të drejtën, në momentin që
do të gjej distributorë, është çmimi më i madh. Nëse ne marrim çmim, por nuk
gjejmë distributor kjo nuk është asnjë arritje. Në momentin që do të gjej
mbështetjen për një projekt të ardhshëm, do të jetë një arritje e madhe për
mua. Çmimi është për “glamur”, ne nuk jemi pjesë e atyre realiteteve, sigurisht
që çmimi është i rëndësishëm, pasi i shtyn kritikët e filmit për të parë me një
sy tjetër.
Publiku shqiptar është shumë i rëndësishëm, por ai botëror është një
sfidë për ju?
“Agon” është përzgjedhur në
Festivalin Ndërkombëtar të Çikagos në SHBA, në garën zyrtare, në seksionin e
regjisorëve të rinj. Festivali zhvillohet në datat 11-25 tetor, ndërsa premiera
botërore e filmit do të bëhet në datat 18, 19, 22 tetor në Çikago, përgjatë
zhvillimit të festivalit. “Agon” do të konkurrojë për “Hygon e Artë”, së bashku
me një përzgjedhje prej 14 filmash të tjerë. Kjo është hera e parë që një film
shqiptar merr pjesë në garën zyrtare të këtij festivali, duke hapur një dritare
drejt kinemasë shqiptare. Por, ajo që duhet të theksoj është se publiku
shqiptar percepton pak ndryshe nga publiku i huaj, jo se nuk është i
kualifikuar thjeshtë e njeh realitetin më mirë se publiku i huaj. Të arrish të
pushtosh zemrën e publikut shqiptar është shumë e vështirë.
Si e shikoni sot, zhvillimin e kinemasë në Shqipëri?
E shikoj shumë të pamundur në
mekanizmin që ofron shteti, po të jashtëzakonshëm nga njerëzit që duan të bëjnë
kinema. Ne po përpiqemi të financojmë disa artistë të rinj, të cilët nuk presin
t’i financojë dikush, por hidhen dhe bëjnë ato që kanë pasion. Kinemaja sot,
është në vendnumëro pavarësisht disa iniciativave pozitive.
Comments
Post a Comment