Pandi Laço: 12 netët e surprizave, në “100 vjet muzikë”




Skenaristi dhe prezantuesi i njohur rrëfen për formatin e ri, si dhe zbulon detaje që do të sjellin netët nga muzika lirike tek ajo rok

Ilda Lumani
Spektakli i shumëpërfolur “100 vjet muzikë” do të sjellë në 12 netët e tij emra të mëdhenj të muzikës, që nga ajo lirike e deri tek ato të ndaluarat. Skenaristi i 650 mbrëmjeve muzikore dhe prezantuesi i gjithë spektakleve që mbajnë vulën e “Promotor”, Pandi Laço na tregon sesi është konceptuar këtë herë spektakli dhe arsyet që e bëjnë kaq të rëndësishëm në këtë përvjetor të 100-të të Pavarësisë. Ndërkaq, disa kuriozitete për rolin e Laços si anëtar jurie në edicionin e parë të “X Factor”, apo edhe atë të tekstshkruesit të këngëve do ta mësojmë përmes kësaj bisede mjaft të këndshme. Le ta ndjekim.
Pandi Laço, një emër, pa të cilin nuk kanë kuptim spektaklet e këtyre përmasave, aq më tepër kur bëhet fjalë edhe për historinë që ka në thelb “100 vjet muzikë”. Si ndiheni në këtë sprovë të re televizive?
"100 vjet muzikë" nuk është veçse një dëshmi e vazhdimësisë së projekteve të "Promotor", një ide që thellon nismën tonë të para shumë kohëve për të qëndruar në kulturën tonë, në muzikën shqiptare. Megjithatë, çdo rifillim është një premierë më vete, një sprovë për t’i rezistuar konkurrencës televizive, për të qenë të shikuar, për të depërtuar thjesht tek publiku, për të qenë në trend, gjë që është jo pak e vështirë!
Nëse do të bënit një cv me fjalë të karrierës suaj, sa spektakle përmbledh ajo dhe kë vlerësoni si sukseset tuaja më të mëdha?

Pandi Laço dhe Vesa Luma, dy prej 4 mentoreve të X-Factor Albania
 Me fjalë do të ishte pak e gjatë, po me numra është më lehtë. Rreth 650 mbrëmje televizive, në rolin e gazetar-skenaristit dhe prezantuesit. Nuk mund të them cili ka qenë më i suksesshmi, por më i dashuri - "Histori me zhurmues".
Vjen pas eksperiencës me të rinjtë në “X Factor”. Pasi keni parë veten në rolin komod të anëtarit të jurisë jeni në gjendje të bëni krahasime mes këtyre dy pozicioneve, atij të ulur në panel gjykues dhe drejtimit të spektaklit?
Nuk është aspak komod roli i anëtarit të jurisë. Madje, duhet thënë se je më shumë i gjykuar në këtë pozicion sesa si prezantues. E kupton? Je një gjykatës i gjykuar!
“100 vjet muzikë” e tejkalon jo për shkak të viteve, por edhe të prodhimtarisë muzikore peshën e të tjerë spektakleve të kësaj natyre që keni realizuar deri më tani. Për ju si bashkautor, a ishte e lehtë dhe ku u përmbajtët në selektimin e repertorit që do të vijë në netët e këtij spektakli?
Është i vështirë seleksioni! Duhet filluar nga kërkimi, studimi, hulumtimi. Por, për fat ne kemi pasur konsulentë të jashtëzakonshëm, njohës të shkëlqyer të muzikës. Do të përmendja profesor doktor Eno Koço, muzikantin dhe pedagogun Robert Radoja që kanë qenë një ndihmë shumë e madhe në këtë proces. Kështu dhe ne e patëm më të lehtë për të ndërtuar strukturën e programit.
Për ju personalisht, cilat janë vitet më të arta të muzikës shqiptare? Kush kanë qenë zërat që kanë shoqëruar rininë tuaj dhe ato këngë që mezi prisni t’i riktheni në program?
Për mendimin tim, vite të arta kanë qenë fillimi i viteve ‘60 dhe fillimi i viteve ‘70, periudha e liberalizmit, festivali i studentëve, festivali 11-të. Ndërsa rinia ime është e lidhur me muzikën e ashtuquajtur të ndaluar, këngët e liqenit, këngët e gjimnazit, kënduar me kitarë në shoqëri. Ka shumë emra që më lidhin me histori të tilla, emra arti gati, Noshi, Kol Shehu, Turi, Bikja, Dhurja, Nori...po prej tyre Sandër Gjoka mbetet legjendë.
Si janë konceptuar netët e spektaklit, a do të presim surpriza në të ftuar special, artistë që tashmë janë larguar nga muzika dhe i mungojnë publikut?
Netët janë konceptuar sipas zhanreve apo karakteristikave kryesore, për shembull “Nata e muzikës lirike e patriotike” që koincidon me fillimet e muzikës së krijuar të këtyre 100 vjetëve, “Nata rock”, “Nata e zërave të mëdhenj të muzikës shqiptare” e kështu me radhë 12 net që mos të zbulojmë gjithçka, por t’ia lëmë javëve në vijim. E sigurisht që surprizat e mysafirët nuk do të mungojnë.
Ju si tekstshkrues, ku e keni gjetur frymëzimin në fillimet tuaja? Ka lidhje ky frymëzim me 100 vjet muzikë?

 
Ka qenë një rastësi që ka shënuar një bashkëpunim shumë të frytshëm. Bashkëpunimi ynë me Adi Hilën një nga promotorët e projekteve ka filluar pikërisht nga një këngë. Adi më tregon një ditë një kompozim të tij për grupin "Spirit Voice", më pëlqeu atmosfera e këngës, e cila më solli imazhin e këngës polifonike "Vajza e Valëve". Unë shkrova vargjet e "Lag e ter" këngës që mori çmimin e Kritikës në festivalin "Kënga Magjike". Ky ishte momenti që unë fillova dhe s’iu ndava shkrimit të vargjeve për këngë. Pra, gjë që nuk ndodh shpesh, por fakti është që ky fillim ka lidhje me 100 vjet muzikë, pra me vajzën e valëve.
Sërish në skenë do të jeni vetëm apo keni krijuar mizanskena me bashkëprezantues të tjerë?
Këto programe janë të ndërtuara të tillë - shumë muzikë e pak informacion - është një show tipik muzikor, kështu që besoj se do të jem vetëm me këngëtarët.
Aktualisht, në vend, realizohen spektakle muzikore që kanë si qëllim zbulimin e talenteve, mendoni ky program do të ketë mjaftueshëm risi, sa të mund t’i sfidojë audiencën e re të siguruar nga këta talent–show?
Janë dy show krejt të ndryshëm, secili ka audiencën e vet, klikimet me “YouTube” tregojnë që muzika shqiptare ka një audiencë të pakapshme. Por “X Factor” kap sidomos targtin e të rinjve gjë që është shumë e rëndësishme për tregun televiziv.
Çfarë vlen të shënohet apo të mbahet mend nga 100 vjet muzikë, të cilën ju si staf keni në vëmendje për ta nxjerrë sa më shumë në pah përmes spektaklit?
“100 vjet muzike - 100 vjet identitet kombëtar”, ky është një slogan që ka qenë në qendër të vëmendjes sonë. Duam të dëshmojmë për vlerat tona muzikore, kombëtare, që janë Ballkan, por të pangatërrueshëm me fqinjët tanë dhe kontinentin tonë.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk