Ardita Statovci, “Femra e bukur është margaritar. Femra e bukur dhe e mençur është thesar”
“Femra e bukur është
margaritar. Femra e bukur dhe e mençur është thesar”, u tha në koncertin
solistik, fjalë të cilat iu dedikuan pianistes Ardiana Statovci, sa për të
treguar madhështinë e performancës së saj të hënën mbrëma. Pianistja kosovare,
e cila jeton prej vitesh në Salzburg, për herë të fundit kishte përformuar në
Kosovë në nëntor të vitit të kaluar duke iu përgjigjur një ftese të “Fondacioni
për nënat dhe foshnjat e shëndosha” për një koncert bamirësie. Një vit më vonë
ajo u kthye sërish në Prishtinë. Ardita Statovci, pianistja nga Kosova, e cila
pasi fitoi një mori çmimesh e bursash ndërkombëtare, dhe zuri një vend të
rëndësishëm në muzikën serioze botërore, të hënën mbrëma në sallën ku ajo si
fëmijë kishte luajtur tingujt e parë të karrierës së saj tashmë shumë të
suksesshme, iu rikthye publikut kosovar i cili e ka dashur dhe e ka përkrahur
që nga fillimi, me një përformancë njëorëshe, që përmbante vepra të përformuara
për herë të parë para publikut kosovar.
Programi filloi me “ Varri i Couperin” nga Maurice Ravel për
të vazhduar më pas veprën e kompizitorit Akil Koci "Për Arditën".
Pastaj radhën e kishte një vepër që u prit mjaft mirë nga publiku, vepër po
ashtu shqiptare "Kambanat arbëreshe" të Rafet Rudit, të cilën ajo e
kishte interpretuar edhe disa herë tjera. “Alleluia” e Franz Liszt dhe
kryevepra e literaturës botërore “Variacione dhe fugë me temë nga Handel” të
kompozitorit Johannes Brahms, vepër kjo që zgjat rreth gjysmë ore. Kompozitori
kosovar Rafet Rudi, vepra e të cilit u interpretua në koncert, për përformancën
e Ardita Statovcit, u shpreh: “Përformanca ishte mjaft e suksesshme dhe është
për t’u lavdëruar sidomos kultura e saj në intepretim, gjithashtu për çdo
lavdatë është edhe sajimi i programit nga ana e saj, program që flet për
kulturën e saj” . “Do të lavdëroja atë edhe për afirmimin që ajo u bën
gjithmonë veprave të kompozitorëve tjerë, gjë që nuk ndodh tek interpretët e
tjerë dhe sa i përket veprës ‘Kambanat arbëreshe’, ishte hera e parë për mua që
e dëgjoj Arditën duke performuar atë dhe mund të them që ishte interpretim i
jashtëzakonshëm” , shtoi ai për Zëri, duke komenutar edhe interpretimin e
veprës së tij nga ana e pianistes së shquar. Performanca e Statovcit u mundësua
nga Ambasada e Austrisë, vendit ku jeton dhe zhvillon aktivitetin e saj
Statovci, e cila i kishte bërë një ftesë asaj për koncertin që erdhi si një urë
lidhëse mes dy vendeve, Kosovës dhe Austrisë.
Qëndrim Muçolli “Zeri”
Comments
Post a Comment