Woodrow Wilson, pa të Shqipëria çfarë do të kish qenë
Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e
Bashkuara tri javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit
1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për
ndarjen e Shqipërisë t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në
historinë shqiptare. Vizioni i presidentit Wilson për botën, roli i
shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të
rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas
Luftës së Parë Botërore, në vitet 1919-1920, dhe vendimit të Woodrow Wilsonit
për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se
sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e
Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrujt kur
presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që, sipas
historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij prej 14 pikash, sipas të cilit kufijtë nuk
mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha.
Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën
e popujve më të vegjël në Europë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në
politikën e Fuqive të Mëdha. Pra, ishte një politikë vizionare përsa i takon
botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar
dhe shqiptarët përfituan nga kjo.Në dhjetor të vitit 1918 presidenti Wilson u
nis për në Europë ku kaloi pjesën më të
madhe të gjashtë muajve të ardhshëm, i përfshirë në negociatat e Konferencës së
Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet
për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga
Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty. Shqipëria,
nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin
nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të
Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.
Fuqitë europiane donin të vazhdonin diplomacinë
tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në
diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e
ashtuquajtura Tittoni-Venizelos, e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin
rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë. ”Disa nga Fuqitë e Mëdha
kishin rënë dakord fshehtas, pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të
Bashkuara, që ta ndanin Shqipërinë dhe presidenti Wilson kur e mori vesh një
gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, drejtor
Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-Presidenti kaloi
vitet pas largimit nga posti. Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i
kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve, por edhe dobësia e qeverisjes së
vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave presidenti Wilson
kishte prirjen të bënte disa lëshime. Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të
mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos
Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese. Më 9 dhjetor 1919 Franca dhe Anglia – pa
praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë
mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth
Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se presidenti Wilson u befasua
që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori
nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye
plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e
Shqipërisë. Më 6 mars, presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa
dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim
dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së
Paqes. Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të
luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe. Shtetet e Bashkuara nuk
e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në
vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por
historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin
amerikan.
Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e
skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare, sidomos
asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj, si Faik Konica e sidomos Fan
Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por
Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të
tjerë të njohur, si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Pano thotë se shqiptarët
ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë
dhe tërësisë së saj territoriale. Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika
në vitin 1920, gazeta ‘Dielli’ vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë
Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në
një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare
e Lidhjes së Kombeve.
Trashëgimia e Woodrow Wilsonit është e ndërlikuar. Disa
bëjnë përgjegjëse platformën e tij për shumë nga problemet moderne të
Ballkanit, sidomos ato që kanë lidhje me konfliktet e viteve 1990. Por, siç
thonë historianët, po të mos kishte ndërhyrë Woodrow Wilson, kishte shumë gjasa
që Shqipëria të ishte më e vogël sesa është sot. Ky rol i Shteteve të Bashkuara
nuk është harruar nga shqiptarët, ndërsa ata festojnë 100-vjetorin e
pavarësisë.
Keida Kostreci/VOA
Comments
Post a Comment