Azem Shkreli, pena dhe parmenda e vjershërimit shqip
Nga Albert Vataj
Mos u bëj poet nëse s'mund të lindësh/me
secilin varg, të lindësh me secilën fjalë./Ngrehu mbi veten në do t'rrokësh
frerët e erërave,/të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat e gjakut
tënd./N'se dashurohesh, dashurohu n'flakë e n'valë,/jo ne sy të kaltër, se
bëhesh det i çmendur pendimi./Mos u bëj poet nëse s'mund të vdesësh/për secilën
varg, të vdesësh për secilën fjalë./ Këto nuk janë psalme të librave të
shenjtë, as teksteve apokrif, por "Katër këshilla vetes" që i
papërsëritshmi Azem Shkreli bënte asokohjen e vitit 1969, kur ai vetë "E
di një fjal prej Guri". Kush është ai që i ka shkrepëtirë në ëndjen për të
gjetur shtegun e e hyrjes në botën magjiplotë të poezisë, që si njeh këto
vargje, këtë regëtimë të hovshme shpirti, që kanë udhëtuar nëpër vite për të
patur gjithnjë diçka për të thënë, "për të mos mësuar se si hesht e
pathëna".
Goditja e shpirtit të tij të ndjeshëm, e ka
fërgëllyer dhe shkundur poetin nëpër ëndje dhe përkundur dëshirimeve, nëpër
qiej e ka flakëruar, para se ta zbresë "me kangë t'gurgullimtë ndër
buzë...", e ta përmend atje ku "...lugjet me hije njomen, e
drujt' n'çdo vend/ rriten e lëshojnë
freski...".
Azem Shkreli anipse nuk i'u gjegj poterës dhe
bujës mediatike, nuk u përfshi në shumë listime emrash të vjershërimit shqip,
me gjas ishte dhe mbëti kumbimi më i
zashëm që ka mujt me u flakëru në eterin shqiptar. Ishte një kushtrim jehues
brezash, si një kandje e pashoqe përjetimi të fjalës si energji jetëdhënëse e
asaj ç'ka shpirtin e mundon.
Në vetvete ai ishte çlire prej panevojës për
të kumtuar dishepullin e ndokujt, veç solemnitetit idilik dhe epikës kreshnike
që i'a kishte injektuar në vena vendlindja. Si një feksje shkundullitëse behu
ai në poezinë shqipe, për të qenë pena dhe parmenda e vjershërimit, vlaga e
thellë në tokën e varrueme vrragësh të kahershme, britma e thekshme në plisin e
mbjellur varresh, varresh që i shumon duhma e gjakut dhe era e lirisë. Ceku aty
ndër gjithkënd që prej asokohjes së epur ligësht djerrinash që i rreshkte hija
e luftës së mbetur pezull, shpirti i dlirë e gjaku i shkulmuar në flakë. Do të
vinte si një amanet në ato troje, ku do të thellonte parmendën si një bujk
bujar për të mbjellë tokën e këndimit të shpirtit. E nuk ndal, për të mbetur
një "poet idesh dhe gjykimesh të thella" siç kumton Agim Vinca.
Ndërsa për kritikun Ali Aliu, Shkreli ishte "mjeshtër i vargut dhe i
fjalës poetike". Për Robert Elsie "Azemi është poet i mendimit",
ndërsa për Ali Podrimjen, Shkreli "njihet si fanatik i vargut,
i latimit të tij, i ritmit, i muzikalitetit tekstor,
i ironisë që shpesh na shfaqet në sarkazmë. Me pak mundohet të thotë
shumë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, të cilët dinë përse shkruhet dhe
artin e kuptojnë punë mjeshtërore".
"Azem Shkreli jetonte shpejt, dhe shkruante ngadalë", kështu e
ndërmend një mik i tij, i cili kujton ç'ka poeti i kish mëtuar një here se:
"Poezia, aq sa don mjeshtëri për ta shkruar, po aq mjeshtëri don për ta
lexuar, do kondicion, durim".
Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij krijues ai
hovet tue lëshu shtat kumtimi dhe mëtimi bjeshkëve dhe krojeve, ku fërgëllejnë
kallinjtë, e plisat zgjojnë ëndrrën e tokës, ku blegërimat i këndojnë ninulla
yjesh bashtinave, ku gurët kanë një fjalë me thanë, gjaku ka një amanet, e
liria ".. krahnorin po ma shtyn si dem...". Ai erdhi kur fjala e
shpirtit kishte nevojë për një ëmë me e përkund, një dashuri me e flakëru ndër ëndrra dhe
dëshirime, dhe vdekja tue lyp amshimi me e përtëri jetën. Këtë fara hedh në lavrën
e lëruar të poezisë shqipe, Azem Shkreli.
Azem Shkreli datëlindi 77 vite më parë më 10
shkurt 1938 në Shkrel-Rugovë të Pejës. Në vendlindje do të merrte mësimet e
para, ndërsa në Prishtinë ai do të kryente shkollën e mesme për të vazhduar
fakultetin Filozofik, degën Gjuhë Letërsi Shqipe. Ndër shumë vjet ai ka dhënë
një kontribut si kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, gjithëpoaq ka
drejtuar Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe njihet si themelues dhe drejtor i
"Kosova Filmit". U shua në pranverën e vitit 1997, për të mbetur i
pashlyer në kujtesën e të gjithëve që e njohën, dhe i gjithmonshëm në panteonin
e letrave shqipe, si poet, prozator dhe dramaturg.
Azem Shkreli si fenomen i tekstshkrimit shqip
shënon kthesën e themeltë në mëtimit poetik. Ndoshta letërsia shqipe nuk shënon
në atëkohje ndonjë hendek ndjellakeq cilësor, por ajo që vjen me Shkrelin,
kishte sosh, që e panë tek ai një urë komunikimi dhe përbashkimi me shpërthimin
shqipshkrues të viteve '30. Krijimtaria e tij në poezi rreket të çlirojë gulçin
e kaplimit lirik prej të vetvetishmes personale, duke e eksploduar si një diell
përtëritës, për të gjithë ata që rroken prej nevojës së vjershërimit si
dëshirim. Dashuria amtare e buluar në gemat e pranverave të Rugovës e mbush me
ëndje e shkulme jete, krejtkah gurron shpirti i tij krijues. Kësisoj u end ky
yll, e flakëroi në qiell si rrugëtim drejt lajmit të premtuar. Krijoi për të
mos mbetur një relike por gjëndje, emocion. Kjo vringëllimë e pagjasë këngësh
shpirti, u shkund si balsam në dhimbje, asohere kur kapërcyelli i historisë e
zhagitja e hijeve të së keqes, kërcitnin dhëmbët e mosbesimit, shpresëhumbjes.
Me fjalë e me varg, me penë e me parmendë, ai nuk u ep për gjithëçmos.
Rrugëtimin e përnjimëndtë nis më 1960 me
"Bulzat", për të vazhduar me "Engjujt e rrugëve", 1963;
"E di një fjalë prej guri", 1969; "Lotët e maleve", 1974;
"Nga bibla e heshtjes", një vit më vonë, më 1975. Më 1977 Rilindja në
Prishtinë, nxjerr në dritë "Vjersha" të Azem Shkrelit, për tu pasuar
nga "Pagëzimi i fjalës" më 1981; "Poezi" del nga "Naim
Frashëri", Tiranë,1984; "Kënga e hutinit" 1986; "Nata e
papagajve" 1990; "Muri përfundi shqipeve", 1993), "Shtatë
nga ata" 1993, "Lirikë me shi", 1994; "Zoti nuk është
shqiptar" 1997, "Zogj dhe
gurë", po atë vit. "Rrënjë të gurta" vjen më 2001 si një botim i
dytë i rishikuar. Vijnë njëri pas tjetrit këto zëra e jehona e tyre në kushtrim
i kthen. Kolanën e e tij krijuese e vazhdon "Karvani i bardhë, "Sytë
e Evës", "Muri përfundi shqipeve" botuar në Cyrih, 1993;
"Karvani i bardhë (i riu) 1997. Për të shku tek dramat:
"Fosilet", 1968 e "Varri i qyqes", 1983. Gjithë ky zell e
kjo kushtrimore krijuese, beh e regëtim atëditë e sot për të shuar etjen që e
zhurit nëpër kroje e bunare andjeje estetike, shpirti shqiptar.
Një ndër shtresime më të qenësishme, aty ku
çmos gatoi ky shkulm i epshëm është padyshim poezia. Jetësoi në vargjë gjithçka
të tijën. Në poezi, më së shumti në të, gufoi gjithë bota e brendshme, ndjenjat
më sublime, frymëzimi hyjnor që e ktheu në magji vjershërimin e tij. Që prej te
Matrënga e Budi, Bardhi e Bogdani, atëkohjen e këndej, kjo dritë kumtimi nuk ka
reshtur së mëkuari dritën dhe hovet, këndimin shqip e kungimin e lirisë e
pasionit. Ai, Azem Shkreli, e përjetësoim emrin dhe veprën duke u bërë mëkuesi
i zjarrit. Një Promete që do të çonte nga një gjenerat në tjetrën këtë pishtar
për dritë dhe ngrohtësi në çdo votër, në çdo zemër. Është në radhën e etërve që
skalitën me shpirt e pasion faqet e tyre të historisë, që te Naimi, Çajupi,
Mjeda, Asdreni, e Shiroka... për të cytur më tej me kolosët Fishta, Konica,
Noli, Migjeni, e deri në tashmen e hambareve të shpirtit që e dengin pambarim.
Ardhja e Azem Shkrelit në poezinë shqipe,
përpos që përputhej me bëhjen e talenti të fuqishëm, kungon sakaq një tjetërçka
në këtë zeje të shpirtit. Në formën shprehëse, shënonte ndryshesë të ngutshme
të fjalës dhe muzikalitetit, tempit dhe shkulmit zjarmëtar të gjakut dhe
limfës. Shpalon saora një përvojë, një nevojë për tjetërqysh, një vetevete që
dilte nga magja e gjenive për të promovuar modernitetin. Feksi së brendshmi një
shpirt të shpenguar prej normës. Ishte për të sjellë një zë që kumton një
skizëm nga rregulli dhe akademizmat hijerëndë. Frymëmarrja e zorshme e poezisë
dhe myku i trashë i mureve të së kahershmes që gulçonte nën peshën e nevojës
për çlirim, rrëmbëjnë ngulmin e tij. Krejt kjo përpjekje ngadhnjimi do të
kthente këtë penë në një spartan. Sprova e solemnitetit të fitores do ta
kurorëzonte në katet e naltësimit deri te "Zogj dhe gurë", botuar më
1997.
Epilog
Nga arena e garrametshme e teksteve që
rrëmojnë në mua ndjenja të hovshme, prej gjithë sëmbimeve, zgjedh dhe e mbaj
dhimbjen që më dhëmb më shumë, të të mundshmen e përballjes, nënshtrimin prej
një pasioni që m’gëlon s’brendshmi. Ajo shklet aty ku më përpush ky hap, prek,
prek aty ku kjo përcikje me pizatë, puth, puth në buzët që cyten prej zjarmisë
së dëshirës dhe rrënohen në honin i pendimit. E mbaj duke e dëshiruar dhe
kumtoj ndër ju si një nxitim për ta lëshuar veten në këto përqafje. Është
poezia e Azem Shkrelit, ajo, ajo që më mbërthen pas një detyrese për ta
rijetuar, për ta risjellë si një ngasje në diçka që përjashton gjithçkanë e
boshit që na përpin. Kjo poezi është limfë që mend nis të lëviz, të pipëtijë së
gjalli në cungun e varruar prej rrufeve të panevojës së modernitetit për të
ndjerë jetën në çdo gjë tonën që na rrëthvjen. Azem Shkreli dhe poezia e tij,
janë akti më solemn i krijimit të epërm që prehet në ëndjen e një kushtimi
vjershëtor. Kjo qasje e kërshërisë së Azem Shkrelit, gjithqysh e gjen shkasin e
cek tue rrëmu si asnjë tjetër parmend në koren e padurimit për t’u dhënë mish e
shpirtë. Ai duke u strukur mes emrave dhe librave të pafund, e gjen rrugën dhe
qaset për të mbetur tash e gjithherë një zë, pëshpërimë, psherëtimë, kushtrim,
dhimbje, plagë, vdekje, vdekje që na e kthen poetin, në çdo fjalë, në çdo varg.
Comments
Post a Comment