Shën Valentini, dita kur dashuria triumfoi mbi paganizmin
Nga Albert Vataj
14 Shkurti është tashmë një traditë e
jetësimit festiv. Eshtë kjo ditë, kjo festë që ka udhëtuar gjatë me njerëzimin,
kjo kremte e hyjshme e cila ka ndezur dëshirime, ka zgjuar vullnete pozitive
dhe përflakur pasione. Puthje, lule, dhurata e duar që shtrëngojnë
njëra-tjetrën, janë peizazhi që mbush ngado pamjen që të magjeps. Pas një
harrese dhe anateme që qëndroi se kërcënim mbi ateizmin, kjo festë është një
përkujtim, një mirënjohje që brezat i falin jo vetëm martirizimit të një
prifti, por forcës që jeton dhe motivon jetësoren tonë, dashurinë.
Simboli i të dashuruarve prej vitesh edhe në
Shqipëri është kthyer në një festë që pak a shumë u takon të gjithëve. Njerëz
të moshave të ndryshme i sheh në këtë ditë të nxitojnë dyqaneve për të blerë
një dhuratë për të dashurit e zemrës, mundësisht të veçantë. Mjafton edhe një
lule për të shprehur atë që njerëzit kanë në zemër.
Valentini, prifti që sfidoi perandorin
Një ndër perandorët e Romës Antike, Klaudi II
bëri një tentativë të dështuar për të kthyer prapa rrotën e historisë. Në vitin
260 në Romë doli një dekret perandorak që urdhëronte që gjithë popullata të
braktiste besimin kristaian që po përhapej gjithnjë e më shumë dhe të rikthehej
në ritet pagane të periudhës para Krishtit. Perandori thirri një nga
priftërinjtë më në zë të asaj kohe, Valentinin, peshkop i Ternit, mik i të
rinjve, duke u munduar ta bindte që të konvertohej në paganizëm dhe të
udhëhiqte fushatën e tij për të rikthyer popullin romak pranë perëndive të
vjetra pagane. Peshkopi Valentin, me dinjitet, refuzoi ofertën e Perandorit. Jo
vetëm kaq. Ai u mundua të bindte Klaudin II të konvertohej në kristianizëm.
Refuzimi i kushtoi shtrenjtë peshkopit Valentin, i cili u mbyt nën breshërinë e
gurëve dhe pastaj u ekzekutua publikisht duke i prerë kokën. Ishte 14 shkurti i
vitit 270.
Dashuria e fundit e Valentinit
Legjenda thotë se ndërsa ishte në burg, në
pritje të ekzekutimit, prifti u dashurua me Asterius, vajzën e verbër të
gardianit. Me besimin e tij, Valentini i riktheu dritën e syve vajzës që
dashuronte dhe në fund i la një copë letër ku shkruhej "Nga Valentini
juaj". Autori vdiq, por fraza mbeti e ngulitur në shekuj dhe shërbeu si
model gjuhësor për të mbyllur letrat e të dashuruarve në gjithë botën e
krishterë.
Lotaria që u shndërrua në festë
Festimet e Shën Valentinit i kanë rrënjët në
përpjekjet e kishës katolike për të ndryshuar ritet pagane të kohës. Rreth
shekullit V pas Krishtit kishte ende shumë persona që festonin një nga Zotat e
quajtur Lupercus. Sipas traditës pagane, ai dhuronte fertilitet. Njerëzit që
adhuronin këtë perëndi shkruanin emrin në një copë letër dhe e depozitonin
brenda një vazoje, brenda së cilës përziheshin. Ishte si një lloj lotarie. Një
djalosh i zgjedhur rastësisht nxirrte "fituesit" të cilët, sipas
besimit, do të kishin një vit të mbarë në jetën intime dhe plot pjellori. Ishte
një traditë që në Romën antike zhvillohej që nga shekulli IV para Krishtit dhe
kishte rrënjë të thella te romakët, megjithëse ata po përqafonin gjithnjë e më
shumë besimin kristian. Klerikët e ndodhur përpara një problemi të tillë gjetën
një zgjidhje tjetër. Të nxisnin festimin e një tjetër feste me rrënjë në
krishterim dhe më interesante për njerëzit. Dikush u kujtua për priftin
Valentin, të martirizuar rreth dy shekuj më parë në emër të dashurisë.
"Festa e të dashuruarve"-thanë priftërinjtë e Romës dhe kështu i vunë
emrin e Valentinit, të cilin e shpallën shenjtor. Kështu, e pëlqyer nga
njerëzit dhe e bekuar nga Kisha Katolike, festa e re u përhap me shpejtësi në
vendet me besim kristian, duke predikuar dashurinë për njerëzit, për familjarët
dhe në mënyrë të veçantë për njeriun e zemrës.
Çfarë hanin përpara një takimi dashurie
Simboli i artit të dashurisë, Kazanova, kishte
shumë besim në efektin afrodiziak te aragostat e detit. Përpara një takimi të
rëndësishëm dashurie, Kazanova konsumonte deri në 50 copë. Paolina Bonaparti e
konsumonte mën-gjesin në vaskën e banjos. Çdo mëngjes një shërbëtor i fuqishëm
e ngrinte në krahë, nudo, dhe e çonte në vaskë duke i sjellë tabakatë me
aragosta dhe shampanjë. Ushqime të domosdoshme për flirtet e shumta të ditës.
Kleopatra preferonte arrat ose bajamet me mjaltë. Thuhet se meshkujt nuk e
përballonin dot nëse ushqehej me një sasi të konsiderueshme të këtij ushqimi.
Edhe Atila besonte në fuqinë stimuluese të mjaltit, duke konsumuar sasi të
konsiderueshme. Thuhet se në ditën që u martua hëngri një sasi aq madhe saqë
nuk e ndjeu as atakun kardiak që në kushte të tjera mund t'i merrte jetën.
Personazhe të tjerë si Madamë dë Berri, Markezi de Sadë, Luigji XIV dhe
Napoleoni kishin një besim të patundur në fuqinë çudibërëse të tartufit. Në atë
kohë nisi moda e gjuetisë së kërpudhës së rrallë që kryesisht gjendet nën tokë.
Ndërsa Madamë Pompadur ishte shumë me më pak pretendime. Për të ushtrua
pushtetin mbi meshkujt ajo i lyente rrobat me vanilje. Në veprat e tij
Shekspiri këshillonte bimët aromatike, menten dhe rozmarinën si stimolantë për
njerëzit e moshës së dytë.
Comments
Post a Comment