Pashko Gjeçi, ikja e një përkthyesi “të harruar”
Pashko Gjeçi, përkthyesi shqiptar i Dantes, u kujtua edhe njëherë
për publikun vetëm pak muaj më parë, kur iu akordua Çmimi i madh për përkthimin
nga KULT. Por Pashko kishte vite, që ishte futur në një izolim të thellë prej
një amnezie masive...dhe nuk mund t’i gëzohej më asgjëje...
Pak vite më parë, në një përpjekje për të intervistuar
Pashko Gjeçin, kuptova se çfarë ishte vështirësia e qenies në përballjen me
realitetin e jetës. Përkthyesi i njohur i Dantes, Pashko Gjeçi, nuk mbante mënd
më asgjë. Në hapësirën tonë të bisedimit vinin pak çaste ishullore dhe ato pastaj
largoheshin tutje. Pyetjet ishin gjithfarësh, ndërsa përgjigjet e tij, që vinin
si nga një kohë tjetër kur ishin në rregull, dukeshin shpesh ambigue. Ishin
vitet e fundit të Pashko Gjeçit. Ai u nda nga jeta dy ditë më parë në një moshë
që po i afrohej nga pak shekullit. Nuk ka shumë gjëra për Pashkon?!
Lindi në qytetin e Shkodrës, në lagjen Arra e Madhe. Në
vitin 1937, fitoi një bursë studimi për në universitetin "La
Sapienza", një vend që do t’i hapte horizont të pafundëm punës së tij së mëtejme.
Njëherazi dhe kaluarit të tij. Bursa do ishte shumë e vogël, ndërsa ai mezi
përballonte nevojat e jetës. Studioi në Fakultetin e Filozofisë dhe bashkë me të,
në këtë shkollë, media ka shkruar se ishte edhe Kol Ashta, Lazër Radi dhe Luigj
Liarja. E vetmja gjë e njohur, që e lidhte me të gjithë, ishte një përballje e
tij me At Fishtën. Kishte botuar një ese që kur ishte në bankat e Liceut të
Shkodrës për Gjergj Fishtën. Kur u botua shkrimi, ia çoi vetë Gjergjit në
studion e tij. Gjergj Fishta pyeti françeskanët e tjerë: "Kush është ky që paska shkruar edhe për mua?". I riu
Gjeçi, nuk pitëtinte por rrinte larg, me sikletin e gjithë peshës së emrit të
njeriut që kishte përballë. Poeti Fishta tha: "Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?". Ishte
vërtetë ajo grimcë modeste, që kishte shkruar për të. Në 1943, Pashko Gjeçi,
mbaroi studimet dhe u kthye në Shqipëri. Punoi si mësues i letërsisë dhe i
latinishtes në gjimnazin e Shkodrës. Kurse më 1947, u arrestua dhe u dënua me 5
vjet burgim, që i kaloi në Durrës dhe në kënetën e Maliqit. Pastaj, u rikthye
në qytetin e Shkodrës, ku i duhej të jetonte duke punuar në punë të rëndomta
krahu. Për fatin e tij, pas 2-3 vjetësh, shkoi dhe filloi punë në një nga
shkollat 7-vjeçare të zonës. Dhe, fati më i madh ishte se ky njeri i ndrojtur,
iu rikthye përkthimit. Kur e mbaroi kryeveprën e Dantes, kujton: "4 vargjet e fundit, i kam përkthyer
në një ditë të shtune, rreth orës 4 të mëngjesit, kur i mbarova, m'u duk se u
hap dera dhe nga dhoma ime doli Dantja e më la vetëm".
Në Fushë-Krujë punoi shumë gjatë për përkthimin e PURGATORIT
dhe të PARAJSËS. Ndërsa, kur Noli hoqi përfundimisht dorë nga Dante, me rastin
e 700-vjetorit të poetit të madh, iu drejtuan sërish Pashko Gjeçit. Kështu që
në vitin 1960 u botua kantiku i pare, ajo pjesë e parë e komedisë FERRI. Me radhë
do t’i vinte koha Odisesë dhe pak kohë më vonë dhe “Faustit”...Kush i ka lexuar
të gjithë këto vepra e di se çfarë torture është të penetrosh në mes të atyre
vargjeve pafund, aq të vështira duke u përpjekur për të ruajtur kadencën dhe
cilësinë. Dhe, ai ia arriti asaj. Mirënjohja ndaj tij për shumë vjet ka qenë
heshtja dhe një shtëpi e thjeshtë, ku vazhdoi deri kur u nda nga jeta, pak orë
më parë.
Comments
Post a Comment