Prosodia në poezín e Albert Vatajt


Letërsia Bashkëkohore shqiptare-Poezia
Gjithmonë jemi mësuar që kolegët ti shikojmë në krijime sikur janë jashtëtokësorë. Vetëm se harrojmë që kur shkruajnë, ata janë vërtetë jashtëtokësorë, por tashmë pjesë e asaj që quhet Republikë e Letrave. Në një ravgim të tillë, Albert Vataj, që prej kohësh shkruan në vetminë e tij, duke përdorur gegnishten gotike, shpreh emocionin e thellë dhe tharmin e tij të veçantë...Pa e zgjatur dhe duke e lënë kritikën, që të merret më shumë me krijimtarinë e tij, po botojmë një analizë për krijimtarinë dhe pjesë nga poezia e tij...

Nik Leshai
Prosodia ose siç njihet ndryshe, shkrimja në nji e tingullit, ritmit dhe rimës, ne vëllimin poetik të Albert Vatës, “Përqafun me klithmën”, udhëheqet prej nji përdorimi mjeshtrór të gjuhës shqipe – koinime fjalësh të reja, ringjallje fjalësh te harrueme, gjânsi dhe thellësi leksike, dhe nji struktúr solide sintaksore. Ky testament i kompetencës gjuhsore të autorit i përfton poezís së tij nji tingull të théll që rezonon me senset e lexuesit dhe komplementon idét e shprehuna në poezít e tíj. Ky vëllim poetik asht gjithashtu nji lajm i mír për lexuesin shqiptár i cili tue mos gjét fjál shqipe, e mbúsh fjalorín e tij me fjál të hueja.
Tingulli asht shum i rândsishëm në poezín e Albertit sepse poezia e tij asht e ngarkueme emocionalisht, kompakte, dhe projekton nji intensitet të rráll imazhesh e ndjenjash për lexuesin shqiptár.
Nëpërmjet nji preokupimi për shoqnín dhe moralin e sáj që të kujton Migjenin, dhe nji ndjenje stifluese që të kujtójn absurditetin dhe mungesën e shpresës ne veprat e Kafkës, Alberti âsht nji prej atyne pak shkrimtârëve e poetëve shqiptár që e prezantójn lexuesin tón me zhgenjimin dhe pasigurín postmoderne. Por, po nëpërmjet poezís, Alberti ngrihet mbi idén masive të postmodernitetit të tipit, ‘anything goes’.

Piskama ngërthen fundekrye qiellin,
Thellë n’mue nji tërbim m’ka përfund
...
Ky shkëlqim turfullitës çjerr sy
E dritimet muros ndër kafka.

Ashtu si përsonazhet e Migjenit, protagonisti i poezive të Albertit e ndjén trysnín e nji shoqnie që po rrëshqet në shteg të gabuem. Ashtu si njeriu-insekt i Kafkës ky protagonist rënkon nën absurditetin e njeriut të kthyem në nji monstër gratifikimi. Por në ndryshim thalbësor prej të dy shkrimtärëve moderníst, Alberti përdor armën ma të fórt të shkrimtarit e poetit postmodernist, cinizmin. Cinizmi në këtë vëllim poetik prezantohet nëpërmjet nji protagonist të pa-emën, i cili jo rráll, tue fól në emën të të gjithëve, shprehet paradoksialisht,

kam shkue larg për të mbet aty
aty ku njihem si kurrkush, kurrkund ...
gjoksin kam ndigjue tek s’po mundet as me gjimue ...
e sotmja asht minuti i të mundëshmes së rrejshme ...
ti ike për të mbetur nji dhëmbje.

Nëpermjet ideve universale por që tingellójn lokale dhe të kuptueshme për lexuesin, dhe nëpërmjet shkrimjes së gjuhtárit me poetin, vëllimi poetik i Albert Vatajt mbúsh nji hapsín e cila sot-per-sot vazhdon me qén pothuejse e zbrazët. Ai báhet nji úr lidhëse ndërmjet të tashmes urbane me të cilën përballohet qytatari i metropoleve të Shqipnís Etnike dhe emigrantit shqiptár në prendim, me trashëgimín tón mijëravjeçare. Në kët mënyr, autóri skálít nji vëpër autentike me nji identitét të veçánt, dhe me nji thellësi kohore e linguistike e cila dialogon rrjedhëshëm dhe natyrëshem me lexuesin.

Përqafun me klithmën

Qyteti ku u mëkova me përvujtninë
(Etyd për Shkodrën)
Fytyra t’ndrydhuna shpalohen
Rruginave që kundërmojnë lagështi e myshk
Dielli përthyhet maleve që prejkahjetë e fillërojnë,
Kumbanjelave e minareve
Zashëm derdhen nadjave.
Rozafati,
Kaluem asht kaheremot
Mbi kurrizin e lakuem të legjendës.
Drini e Buena degzohen,
Në nyjen që marrin frymë vriket e bujtësve
Tuj rrugtue masanej amëlsisht,
Përmes zoritjes s’peshkatarëve,
e hijeranit Tarabosh.
Tamli rigon ndër vjolishte,
E gazmendi piklon prej gjinit tan mitik,
Në terratinë që shakadan skamja.
Ndër kujtime lulebore qi harlisen oborreve,
Shtaton ashiknia e zotnillëku.
Vajznia perpushet ndër zjarme dashnish,
Dashtunish qi din veç ata me i nez.
Mortesh palohen t’tana mramjet e qytetit tem,
E diejt, qivureve shkokrrohen.
Qielli rrin nalt kesaj nahi,
Njaq nalt, sa shpirtnat e k’saj robn.
N’sofër buka shtrohet e amël,
Anipse pa t’njom diku-diku.
Kangtë e lulet jesin gjallë,
N’kët zapti vaji e kuje.
S’ka mort me e xan, s’ka shpirt me e dhan.
Vark jam ni në syt e tyne prej Buene.
E kam shkue larg për me met aty.
Aty ku njihem si kurrkush, kurrkun.
Iki dhe kthehem deng me mall,
Tuj metun askurrkun ma shejtnisht se njaty.

Turrevrapi i nërkryem përnga hiçi
Nkrahnuer m’ka dhimt shikimi jot i përvujtun.
Zvarr jam hek pamundsive t’mija.
Anipse, me gjimue nuk kam mujt.
S’pariherë kam pranu sfidën e arsyes.
Mishin plumb t’ran n’vedi e kam ndi.
Zotin ishte vonë me e pranu.
Po rri me njikyt kismet,
Tuj shtërngu grushtin deri ndhimb.
E gjoksin kam nigju tek s’po mundet as me gjimu.
Ani, gajlen po ja di veç vedit.
E njasaj pëshpërime t’molisun të shpresës,
Qi shqipton tan poterë,
Jeta asht, turrevrapi i nërkryem përnga hiçi.

Mëkati s’asht ma vullnesë pendimi
Ka beh nër ne fundekrei,
Cangël zdirgjet me mrazin e nji rrufeje.
Mishi ka marr trajtat e sendeve.
Kundroj teksa rrxohen e kacarriten
E nër t’përjargtat puthje,
Lot papra, si mokër e unshme, përtypin.
Nër tehe buzësh
Nji shtërzi e fundme, përposht u vërtiket
Dhimbja e poshtnimi, u bulon në kurm.
Mëkati s’asht ma vullnesë pendimi.
E sotmja asht dakiku i të mundshmes s’rrejshme.
Dashuria asht nji llogari.
Shpirti, smunet me kën diçka tjetër,
vetëm strehë kotësish
e brigjeshkëmbor orgazmash,
ku kacafytet e vdiruna vetëdije, për me dishmu,
kurrgja tjetër, veç fundin e pram t’njeriut.
Prapsepra, poetët, s’reshtin s’vargzumi dashnisë.
Kangë e kuja deng me shend i endin.
Dashnisë, njiksaj  pëlhure t’qendisun nga përfytyrimi.

Më syt e shpirtit
Mushtin e buzve tuja kam pi,
Edita, krejt jam shujt.
Si kjo kashore naltsi, qi sysh m’asht shterr.
Krahnori jot tallazon n’mue,
Bardhësinë e tamëlt t’tana breroreve,
Shejtnimin, kam mrrit tërbimeve t’gjakut.
S’ka lule aromën tande,
Bukurinë, kurrnji pasion, s’ka mujt me e përjetu.
E megjithatë,
Toksore ke metun,
Në duhinë e pamatë të përjetimit.
Ky asht mallkim
Zoti i zotnimit tan, n’shpirtin tem.
Amen.

Klithëse
Piskama ngërthen fundekrye qiellin.
Thellë n’mue, nji tërbim m’ka përfund.
Kurmin, e tashmja kapardis n’altar.
Joshja, sundim e zotnim asht gjithkah.
Perversi ladron përnën kumbimin e kambanave,
në prehnin ligshtisë përmjerr.

Kreni e poshtnim, asht luksi.
Nër zgafëlla, struket tutet mjerimi.
Vedin, përtyp skamja e mizerja.
Kurrnji taban s’ka me mujt,
Me majt mbi supe këtë shtatore herezie.
Anipse, hijerand lshohet gjithkah.

Çjerr sy, ky shkëlqim turfullitës.
Dritimet muros nër kafka.
Fundërrinat kanë kryengritë potershëm gjesekund.
ngase jeta përçapet mos me u ep.
Poshtnimet, laraviten e kumtojnë,
Pamje t’shkalafitun ngjyrash.

E tashmja, asht e gjithmonshmja,
E tan çmendunive, që gëlojnë nër ne.
Që tuj u haparda si bekim,
Nji demon, munen me pranu për Zot
E perversin, si t’epërmin moral.
Amin

Zoti përmbi tançka
Trishtimi asht hije që na ndjek
Përnën këmbët tona struken zenithet
Përmbi, asht e kahershmja dëshirë e zotnimit
Zoti përmbi tançka.

Ngarendja e mpakjes
Ngarkuar me barrën e rand të shirave
Mushkat e vjeshtës,
Zvargen.
Njiherazi me grinë e kahjetshme, zhagiten,
E teposhten deri në zgavrën e mosbzamjes,
Në zgrip,
Ku trajtat e fundit treten.
Luginave varrohen mjegullat,
Bashkë me kavalerinë e hapave, kuturojnë,
Tuj ngucat prej s’fundimeje, pikllim.
Sandejmi tafti i ambël i kënetës,
Mylmen pëshpërimën e mjelmave,
ligjërimin i erërave, asht kungim.
Nji kangë e zemërhelmtë,
Darkon në bujtinën e muzgut
Tuj deng me andje rrëmeti, fundekrye, gjithseçka.
Qerpikët në zjarmin e perëndimit ngjyn qielli,
E nga buzët shkrepëtima puthjesh jargaviten,
Aty lëmohen pasione buzësh.
Ti ike për të mbetur nji dhëmbje,
Kruspull, kujtimeve që u ngjizën në sparinprag,
kur jetët ladrojnë hareshëm qiejve të shtatë.
Kapitem tuj ndrit e fikem.

Gjunjëzoreve
Piu sytë që pikoi hana
ky shelg shterrun vajesh.
Nji dehje e florinjtë
i kapërtheu prehnin këtij gjithkahkundrimi.
Qiejt thyejnë krahët e zogjve
e pendëve përkundën netët.
Furkat i bamë vetëtimat
e turravrap endëm fillin e dritës.
Kërkuem mishin në epjen muruese
të shkokrronim pasionet,
e sosëm gjunjëzoreve.
Zoti asht arsye fillfundeve tona t’pështira
Kujteskaltër në terr mbetet, gjithseqysh.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk