Behar Gjoka: Lëvdatat në letërsi, lenë në harresë kritikën autonome
Izaura Ndoj
“Në kushtet kur ende nuk kemi
arritur që të shkëpusim penjtë nga letërsia e mëparshme, pra të kemi një mendim
përmbi të, dhe detyrimisht edhe nga mendësia e leximit sociologjik dhe
biografik të shkencës së atëhershme, por edhe sepse nuk ka ngjarë ende një hop
cilësor shkrimtarie letrare, nuk ka gjasa që të lëvrohet edhe një kritikë
letrare e ndryshme, sepse pararoja e mendimit, e ndryshimit dhe e dinamikës së
përhershme, ka pak lidhje me mykun e akademizmit, të djeshëm dhe të sotëm
shqiptar…Këtu paraqitet një pjesë e vogël e trajtimeve, dhe shqyrtimeve letrare
dhe kulturologjike, e artikujve letrare dhe e materialeve të botuara në shtypin
e shkruar dhe duke sjellë pranë lexuesit disa tipa dhe mënyra komunikimi me
trajtesa dhe intervista mbi letërsinë dhe çështje të ndryshme”, - shkruan
studiuesi Behar Gjoka në hyrje të librit “Autonomia e kritikës letrare”. Në një
intervistë për “Koha Jonë”, studiuesi Gjoka rrëfen rrugën e gjatë dhe të vështirë
të letërsisë dhe kritikës gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve, përvojën e një
kritike të varur në ideologji, dy kahet e kritikës letrare, si dhe letërsinë e
promovimit dhe të recencës, por jo të kritikës së mirëfilltë.
“Autonomia e kritikës letrare” është libri që prej disa ditësh ka hapur
një debat në rrethin e shkrimtarëve. Pas tryezës së hapur që u zhvillua në
MTKRS, mendoni se është pritur mirë në rrethin e letrave shqipe?
Me ata që ishin të pranishëm në
paraqitjen e librit diçka u realizua, por ftesat ishin adresuar në të gjitha
institucionet kulturore dhe shkencore, dhe shpresoj që ishte fillimi i një
debati që do të vijojë edhe më tutje në media dhe në Panairin e Librit të
nëntorit. Libri në fakt e ka bërë jetën e vet, fillimtare dhe parake, në median
e shkruar, sepse aty janë përmbledhur shkrime të hedhura në gazeta të ndryshme
qysh nga viti 2007 e deri në fillimin e vitit 2012. Tashmë, konceptuar dhe strukturuar
si një libër, i drejtohet lexuesit të gjerë, si një sugjerim dhe propozim, që
të debatojmë mbi kritikën letrare, e mbi të gjitha të nisim të gjejmë shtegun e
daljes nga tuneli ku kemi hyrë në këta dy dhjetëvjeçarë në marrëdhënie me
letërsinë.
Çfarë simbolizon për ju “Autonomia e kritikës”?
Përvoja e djeshme e një kritike
të varur plotësisht në ideologji dhe në sistemin monist, si dhe shenjat për ta
mbajtur letërsinë, me gjasë studimin e saj, si shqyrtime kritike dhe studimore,
vetëm se në qarqet e mbyllura zyrtare, të institucioneve shkencore dhe kulturore,
aq sa janë të tilla, pra duke ruajtur kështu hipotekën zyrtare, më ka bërë të
ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, për të kërkuar që kritika dhe studimi letrar
të jenë autonom, pra të shkëputur nga ndikesat politike, klanore dhe krahinore,
zyrtare dhe anti-zyrtare, por ajo të jetë e varur vetëm se nga letrarja, siç e
ka emërtuar Jakobson paksa më herët, shenja unike e artit të fjalës. Më në
fund, autonome do të thotë unike, si një meta-tekst që përndrit vlerat dhe
mungimet e pranishme në letrat shqipe.
Një pjesë e librit i kthehet shumë retrospektivës. Ndoshta letërsia e
asaj kohe ka qenë më e plotë, ndërsa sot nuk ka asnjë organ ku analizohet
krijimtaria e letrave shqipe?
Kritika letrare, pa mëdyshje
njëra nga disiplinat e shkencës së letërsisë, nëse do ta pranojmë si të tillë,
ka dy kahe:
A - Leximi dhe vlerësimi i librit
bashkëkohor, të shkruar dhe botuar në gjuhën shqipe, duke përcjellë kështu
dëshmitë e para mbi shenjat e një teksti letrar.
B - Rileximi dhe rivlerësimi i
letërsisë së mëhershme, e cila ishte përzënë nga panteoni i letrave shqipe.
Mendoni për një moment që nuk ishte pjesë e letërsisë shqipe Konica, Fishta,
Skiroi, Koliqi, Kuteli, nuk ishin pjesë e atmosferës letrare Camaj, Pipa, Trebeshina,
Pashku, por edhe periudha e parë e letrave shqipe, librat e Budit, Bogadanit,
Bardhit, ende edhe sot vështrohen si fakt gjuhësor dhe historik dhe vihet në
dyshim prania e vlerave letrare të saj, sepse të gjithë akademikët tanë, e të
gjitha anëve të kufijve, mbështesin idenë se letërsia fillon me De Radën dhe
Naim Frashërin, pra duke fshirë gati tre shekuj të shkrimit të letrave shqipe.
Pra, në marrëdhënie me letërsinë kanë pak rëndësi kufijtë kohor, sepse letërsia
e madhe dhe me vlera, zakonisht aspiron pakohësinë. Ka një të vërtetë të
rrokshme, tashmë mungon infrastruktura e rrahjes së mendimeve mbi letërsinë,
nivelet e saj, mbi qasjet kritike dhe studimore, pra metatekstet që zbulojnë
dhe shenjëzojnë dëshmitë letrare.
Liria e shkrimtarëve pas viteve ‘90 e futi letërsinë shqipe në humnerën
e vlerave jo reale...?
Liria e shprehjes së artit të
fjalës, pra të letërsisë nuk ka gjasa të burgoset në asnjë rrethanë, madje
mungesa e lirisë politike dhe kombëtare, shpesh ka pasur ndikim të
jashtëzakonshëm në shpalimin e vlerave letrare, duke u metaforizuar apo duke u përcjellë
më tepër përmes simbolikës, për çka nuk mendoj se duhet të mungoj liria që të
shkruhet letërsi. Liria e shprehjes nuk solli në letërsi atë që pritej dhe
shpresohej në art dhe letërsi, madje na fakt kemi kaluar nga shkrimi bardhë e
zi, në shkrimin zi dhe bardhë, pra po ai spektër veçse i përmbysur, ose nga
realizmi socialist në realizmin demokratik, duke vonuar shanset që letërsia të
jetë letërsi përtej ndikesave politike dhe ideologjike. Gërshetimi i etikës me
estetikën, dhe sidomos refuzimi i të dytës në emër të së dytës, pothuajse është
shndërruar në një rregull të pashpallur në vështrimin tonë, në shkrimin letrar
dhe po kaq edhe në metatekstet kritike dhe studimore.
Në tryezën për kritikën letrare u theksua se shkruhet dhe botohet jo
pak letërsi shqipe, nuk janë të paktë autorët, por problematike mbetet se sot
nuk ka shkrime nga autorë që duhet të merren me kritikën?
Në fakt, së pari, nuk ka hapësira
se ku të shprehet, sepse pas viteve ‘90 u punua që të fshihej nga faqja e
dheut, e gjithë infrastruktura e saj, organet botuese, roli dhe misioni i saj,
meqenëse kritika letrare e kohës së monizmit kishte shërbyer për të goditur dhe
anatemuar shkrimtarët dhe letërsinë. Që të funksionojë si e tillë, duhet të
ripërtërihet infrastruktura dhe hapësirat e saj, të mendohet si mendje e hapur,
të hyhet realisht në arealin e letrave shqipe, pavarësisht kohës dhe hapësirës,
alternativës dhe ngjyresës së pranishme.
Në letërsinë shqipe qarkullon fenomeni i promovimit, recensës, por jo
kritikës. Ju si studiues, si e shikoni këtë fenomen në rritje?
Promovimet e librave, ku flasim
për trimëritë e autorit, por jo për tekstin, ose të tipit, që në sy flasim mrekullisht,
por pas shpine themi të tjera gjëra, ose me gjasë mendimin që kemi, duhet të
marrin fund. Një orë e më parë duhet të shpëtojmë prej këtyre mërmërimave të
marrëdhënies absurde me letraren. Kemi edhe recesione paraqitëse, ose një lexim
pozitivist, pra miqësor ose klanor të një teksti, madje në shumicën e herëve
duke zbuluar gjeni, por duke i mbyllur të dy sytë në marrëdhënie me tekstin dhe
vlerën që bart ose nuk e ka të përfshirë ai. Jemi të vonuar për të shpëtuar
prej përshtypjes së rrejshme se jemi tokë pjellore në lëmin e letrave, se madje
çdo ditë dhe në të gjitha hapësirat tona linden gjeni, por më mirë vonë se sa
kurrë, duhet ta ndalim turrin, sepse nuk po mundemi të shohim kaq shumë vlera,
së paku në hapësirat e teksteve të paraqitura si letërsi.
Pena e Kadaresë është cilësuar jo kryevepër në të gjitha veprat e tij.
Pse ky vlerësim?
Nuk është vlerësim, është vetëm se
shija personale e leximit, madje e shpallur më herët, posaçërisht në faqet e
studimit “Kadare i Rilexuar”, botuar në vitin 2008 në Tiranë, si një qasje
serioze për të rilexuar vetëm se shenjat estetike, të larguara nga shërbesa
ndaj kohës dhe modelit zyrtar të realizmit socialist. Po kaq e theksuar edhe në
intervistën me titull Rileximi, me intereson vepra, e ndarë nga Kadare, botuar
me 5 korrik të vitit 2009 në gazetën “Albania”, që është e pranishme edhe në
faqet e librit Autonomia e kritikës letrare. Studiuesit biografikë dhe
sociologjikë, hulumtuesit e dosjeve dhe hartuesit e parathënieve, shohin
kryevepra në të gjithë krijimtarinë e tyre, madje duke theksuar qysh në krye të
herës i madhi, dhe mandej nuk e di se si mundet të vijohet një ligjëratë
studimore, pra sipas shijes së leximit dhe rileximit të teksteve të
shkrimtarit, pa mbërritur ta argumentojnë. Studimet serioze nuk merren me
mitin, por me tekstin dhe vetëm me tekstin, sepse mendoj se ka raste që edhe
Shekspiri përgjumet në hapësirat e teksteve, e jo më të tjerët, pra edhe
Kadare, por ky i fundit ka shkruar “Pallatin e ëndrrave” që nuk e ka shkruar
askush tjetër, as në letërsinë botërore.
Si e shikoni zhvillimin e Letërsisë Shqipe në vazhdim?
Duhet edhe shumë kohë për të
ndërprerë udhëtimin e përbashkët të letrares dhe joletrares, të vlerës dhe
mungesës së saj, po kaq duhet jo pak kohë për të shpëtuar akademizmin shqiptar,
universitar apo të QSA se ata dhe vetëm ata paskan hipotekën e vlerësimit dhe
mos vlerësimit të shenjave letrare... Megjithatë letërsia, e lirë dhe pastërtish
letrare, pa ngarkesat jashtë letrare, ndryshe nga mesatarja dhe mediokriteti,
ku notojmë nuk do të jetë kaq e largët dita kur do të trokasë në portat e
letrave shqipe, si një hapësirë lirie dhe magjie estetike.
Comments
Post a Comment