Sekretet e Ernest Heminguej-it
Gjashtë dekada më vonë dosjet e librarisë dhe muzeut “Xhon
F. Kenedi” në Boston, që mbajnë mijëra letra dhe dokumente të Ernest
Heminguej-it, janë hapur. Prej më shumë se dy javësh i janë nënshtruar procesit
të restaurimit. Specialistët kanë vetëm një synim: “t’i shpëtojnë nga
degradimi”.
E gjitha kjo ndodh gjashtë dekada pas largimit nga jeta të
shkrimtarit të njohur. Ky proces restaurimi, ka nxjerrë në pah edhe të pathëna
të Heminguej-it. Mes atyre që i kanë shkruar letra janë edhe figura të njohura
të Hollivudit si Ingrid Bergman dhe Marlene Dietrich, shkrimtari F. Scott
Fitzgerald dhe Gertude Stein, por edhe botuesi i tij, Max Perkins.
Në njërën nga letrat e gjetura e të restauruara është edhe
ajo e aktores Ingrid Bergman, e cila në vitin 1950 i ka shkruar Heminguej-it
nga Roma e Italisë. “Do të kujtoj njerëz si ju dhe do ta harroj pjesën tjetër
të botës”, kishte shkruar aktorja në letrën drejtuar shkrimtarit. Restaurimi i
letrave po bëhet në një laborator në New England. Myku, kakërdhitë e minjve dhe
lagështia janë paraqitur gjithmonë si problem për Bibliotekën dhe Muzeun JFK në
Boston, e cila kishte tentuar të ruante nga dëmtimi letrat të cilat po
prisheshin. Të nxjerra nga kutitë ku janë ruajtur, aty kanë qenë mijëra letra
të cilat janë dërguar për në Qendrën e Konservimit të Dokumenteve, baza e së
cilës ndodhet në verilindje të Andover. Qendra është një organizatë
jofitimprurëse, e cila ka marrë në dorë edhe procesin e gjetjes së letrave të
tjera që mund të jenë në bibliotekë. Kjo qendër ka restauruar edhe letra të
Abraham Lincoln dhe të George Washington.
Walter Newman, drejtor i qendrës, ka thënë se qëllimi i
këtij projekti është mbi të gjitha ndalja e degradimit të letrave të
shkrimtarit. Ekspertët e qendrës kanë kërkuar 18 muaj kohë që krejt puna e
përzgjedhjes së letrave të përfundojë. Drejtuesja e këtij grupi të ekspertëve,
Claire Grund, ka thënë se ekipi po mundohet që fillimisht të bëjë një
përzgjedhje të letrave. Deri më tani në procesin e restaurimit kanë hyrë më
shumë se gjysma e 7 mijë e 500 letrave. Ndonëse jo të gjitha paraqesin të
njëjtën shkallë dëmtimi, është përllogaritur që kostoja mund të shkojë deri në
5 mijë dollarë secila. Sipas ekspertëve, përfundimi i procesit të restaurimit
mund të kërkojë deri në tre vjet punë dhe pritet të kushtojë në total rreth 300
mijë dollarë.
Është hapur edhe një fondacion për të mundësuar sigurimin e
mjeteve, i cili menaxhohet nga biblioteka dhe muzeu JFK. Si kanë mbërritur
letrat e tij në këtë muze? Edhe pse Presidenti Kennedy dhe shkrimtari nuk ishin
takuar asnjëherë, ai kishte shprehur vlerësimin e tij për Heminguej-in dhe
veprat. Në vitin 1961 ata e ftuan të ishte pjesë e përurimit të bibliotekës,
por shkrimtari ishte shumë sëmurë dhe nuk mundte të udhëtonte. Pas vetëvrasjes
së tij më 1961, shumë vepra, dorëshkrime, letra dhe objekte të tjera të
shkrimtarit mbetën në shtëpinë e tij Finca Vigia në Kubë, të cilën e kishte
braktisur gjatë revolucionit të Fidel Kastros. Ishte pikërisht Presidenti
amerikan, që i kishte mundësuar Mary, gruas së katërt të Heminguej-it një
udhëtim drejt Kubës për të marrë dokumentet e shkrimtarit dhe pasurinë e tij.
Ajo takoi Fidel Kastron, i cili e lejoi që ajo të merrte
koleksionin e tij, në këmbim të dhurimit të vilës. Mary i ngarkoi ato në një
anije që udhëtoi nga Havana për në Tampa. Letërkëmbimet janë dorëzuar në Boston
rreth 40 vjet më parë, si një dhuratë e vejushës së Heminguej-it për librarinë
presidenciale. Njëkohësisht, dokumente gjenden edhe në shtëpinë e tij muze në
Kubë, ku rreth tre vite më parë, thuhej se studiuesit kubanë dhe të huaj do të
kishin mundësi të eksploronin mes dokumenteve të panjohura të shkrimtarit, të
cilat ishin restauruar dhe digjitalizuar.
Mes dokumenteve gjenden edhe dorëshkrime të tilla si epilogu
i romanit “Për kë bien kambanat”, si edhe një kopje e skenarit të filmit “Plaku
dhe deti”, bazuar mbi librin e tij të njohur. Të tjera dokumente interesante
kanë të bëjnë me faktin se sipas studiuesve konfirmojnë hipotezat e hedhura mbi
praninë e nëndetëseve gjermane që furnizoheshin me naftë në brigjet e Kubës
gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vëllimi i parë që përmban letrat e Heminguej-it,
që përfshin korrespondencën nga viti 1907-1922, është botuar nga Universiteti i
Kembrixhit në vjeshtë të vitit 2011.
“Ernest Heminguej ishte një letërshkrues i rregullt dhe
projekti i publikimit të tyre përfshin rreth 16 vëllime të cilat do të
përmbajnë rreth 6 mijë letra të siguruara nga 250 burime të ndryshme”, ka thënë
Spanier, profesor anglishteje dhe drejtuesi i projektit për botimin e letrave
të shkrimtarit. “Në kontrast me përpikërinë e tij prej mjeshtri që vihet re në
veprat e shkrimtarit, letrat e Heminguej-it janë spontane, jo formale dhe të
mbushura plot përshkrime. Ai ishte një vëzhgues shumë i mprehtë i epokës ku
jetoi, ndaj edhe letrat e tij, ashtu si librat, janë një rrëfim për shekullin e
XX”.
Comments
Post a Comment