Nobeli i relativizuem



Ardian Ndreca
Kur bahet fjalë për dhanjen e Nobelit në letërsi çështja bahet disi subjektive, pse shumëkujt mund të mos i pëlqejë José Cela, Dario Fo apo Elfriede Jelinek, megjithatë kriteret dhe primjet politike të jurisë janë ato që janë dhe asht e drejta e tyne me ia dhanë atë çmim. Në historinë e letrave botnore ka pasë edhe shumë prej atyne që nuk e kanë marrë çmimin Nobel edhe pse e kanë meritue dhe kanë qenë kandidatë të vlefshëm, nji prej tyne për shembull asht poeti hermetik Giuseppe Ungaretti, apo shkrimtar anglez Graham Greene, për të cilin flitej se tue qenë se kishte pasë marrëdhanje dashunore me gruen e nji prej antarëve të komisionit, hakmarrja ma e fortë ndaj tij shprehej në mos dhanjen e atij çmimi. Sigurisht këto janë thashetheme, pse arsyet duhet të kenë qenë ma banale që në listën e Nobelit sot të gjejmë Dario Fo dhe jo Graham Greene!

Poeti hermetik Giuseppe Ungaretti
 
Shkrimtar anglez Graham Greene


Shkrimtari dhe filozofi francez Jan Paul Sartre
Kemi edhe nji rast kur çmimi Nobel asht refuzue kategorikisht, bahet fjalë për shkrimtarin dhe filozofin francez Paul Sartre, i cili në vitin 1964 i shkruente qysh përpara sekretarit të Akademisë tue i kërkue me e ia heqë emnin prej listet. Emni nuk i hiqet, procedura vijon dhe atëherë Sartre në nji intervistë dhanë Le Nouvel Observateur thotë ato fjalët e famshme që unë i përmbledhi kështu: po ta pranoja Nobelin, edhe nëse në Stokholm do të kisha mbajtë nji fjalim prej xhagajdurit, që do të kishte qenë diçka absurde, sistemi do të më kishte përfshi në vetvete: “Funksioni i shkrimtarit asht me ba që askush të mos e injorojë botën e askush të mos e quejë veten të pafajshëm”.

Çështja e Nobelit bahet ma e prekshme kur ai jepet për arsyena tjera. Për shembull Obamës i kanë dhanë çmimin Nobel në fillimin e mandatit të tij presidencial, në nji kohë që meritat e tija për paqen në botë ende nuk i njihte pothuejse kurrkush, po të përjashtojmë jurinë e Nobelit. Ndoshta ma mirë që ia kanë dhanë në 2009 pse sot do të kishte qenë me të vërtetë mjaft e vështirë me ia dhanë atë çmim për çfarëdolloj arsyeje.
Këtë vit Nobelin për paqen e fitoi për çudi Bashkimi Europian, edhe pse kishte kandidatë tjerë, njerëz që për demokracinë e për paqen kanë vue në rrezik jetën e tyne. Akademisë së Nobelit nuk i pëlqeu t’ia jepte atë çmim ndokujt që mban gjallë me njimijë vështirsina frymën e demokracisë në Federatën Ruse apo dikund tjetër, dhe zgjodhi me ia dhanë si inkurajim BE-së.
Shumëkush shtrembnoi buzët sapo ky lajm u përhap, pse me sa tregojnë bathët Europa e superburokratëve Barroso, van Rompuy, Draghi ka dështue përpara krizës që fillimisht qe Amerika që na e zbarkoi në kontinentin e vjetër.
A meritojnë vallë çmimin Nobel për paqen këta burokratë që nuk janë në gjendje me i sigurue nji paqë sociale Europës? I vetmi inkurajim për qytetarët europian do t’ishte që Barroso me shokë të shkonin sa ma parë në pension me gjuejt peshk a me shetitë nipat, por jo me u marrë me të ardhmen e miliona spanjollëve, portugezëve apo grekëve që janë në prag të nji konflikti të mbrendshëm pa precedentë.
The Sun sillte fjalët e lordit Lamont, që e cilësonte dhanjen e çmimit Nobel Europës, në nji kohë që rrugët e Athinës mbushen me njerëz që veshin uniforma naziste, si diçka të palogjikshme dhe absurde: “Asht vendimi ma qesharak qysh se komisioni i Çmimit Nobel i dha çmimin e paqes Barack Obamës, kur ky s’kishte as dy minuta që ishte ba president”.
Të njejtën muzikë luejtën ato ditë edhe gazetat tjera si Daily Mail, Telegraph etj.
Jemi në nji udhëkryq si kontinent, si qytetnim, si sistem, prandaj ata që përfaqsojnë ritmin dekadent të ekonomisë dhe politikës së sotme nuk mund të vlerësohen me çmime. Do të tingllonte po aq paradoksale si me i dhanë Sali Berishës sot çmimin “Dalai Lama” si njeri i dialogut, apo Fatos Nanos lauren honoris causa për merita intelektuale për referatet që ka ba në kohën kur punonte në Institutin e Studimeve marksiste!
Kemi nevojë për frymë të re, edhe në qarqet e burokratëve të BE-së, pse me Barroso-n e van Rompuy nuk shkohet ma larg se në Greqi!

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk