"Historia e krishterimit" e Gian Luca Podestà dhe Giovanni Vianvjen ne shqip



Në epokën postmoderne, aq shumë e dëshiruar të jetojë të tashmen duke harruar rrënjët e saj, historia e kishës dhe e krishterimit, dhe e ndikimit që ato kanë pasur në histori, meriton një vend të veçantë. Kjo ka qenë bindja që ka frymëzuar librin "Historia e Krishterimit", shkruar nga Gian Luca Podestà, profesor i Historisë së krishterimit në Università Cattolica i Milanos, autori i pesëmbëdhjetë kapitujve të parë, dhe nga Giovanni Vian, profesor i historisë së kishave të krishtera në Università Ca' Foscari i Venecias, autor i shtatë kapitujve të fundit.
Pasi bëjnë të qartë se nocioni i "historisë së krishterimit" nuk është i njëjtë me atë të "historisë së Kishës", sepse përfshin brenda tij edhe përvoja që janë lëvruar përtej kontekstit të sferave ngushtësisht kishtare, autorët vënë në dukje se vepra ka për qëllim të japë një sintezë.
Vepra e merr fillesën te jeta dhe mësimet e Jezuit, dishepujt e të cilit janë shumë të vetëdijshëm në lidhje me risinë e besimit të tyre dhe që në fillim duke mbajtur qëndrim të hapur ndaj "xhentilëve", domethënë ndaj njerëzve që nuk kishin origjinë hebraike, veshin mënyra jetese dhe sjellje karakteristike të "të krishterëve", duke shënuar në këtë mënyrë fillesën e shkollave të para teologjike dhe duke përcaktuar kanonin e shkrimeve, domethënë tërësinë e teksteve që pasqyrojnë Zbulesën Hyjnore. Më pas përshkruhet përhapja e mesazhit ungjëllizues në pellgun e Mesdheut dhe përtej tij, deri në Indi dhe Etiopi. Një përhapje kjo që karakterizohet nga valë persekutuese dhe qëndrime pranuese, deri kur në shekullin IV perandorët romakë, Konstantin dhe Teodos, fillimisht u njohin të krishterëve lirinë e kultit dhe më pas e shpallin krishterimin fe të Perandorisë.
Me dyndjen islamike (që në harkun kohor ndërmjet shekujve VII dhe VIII modifikoi në mënyrë të thellë peizazhin kishtar) dhe lindjen e Perandorisë së Shenjtë Romake, vepër e Karlit të Madh në vitin 800, trajtesa e veprës përqendrohet kryesisht në perëndimin europian, duke pasur si qëllim të depërtojë edhe më thellë në sferat që paraqisnin më tepër interes për lexuesin të cilit i adresohet vepra. Duke u përpjekur të bëjnë dallimin ndërmjet hierarkisë, klerit e popullit, ndërmjet priftërinjve, murgjve e laikëve dhe ndërmjet burrave e grave, autorët pasqyrojnë strukturat kishtare dhe kulturën fetare mes shekujve IX dhe XI; skizmën përfundimtare me Kishën greke në vitin 1054, konsolidimin e papatit dhe konfliktin me perandorët që u mbyll me konkordatin e Wormsit më 1222; përhapjen e krishterimit në pjesën qendrore dhe lindore të kontinentit. Në shekujt XI dhe XII Mesdheu islamik bëhet sërish zotërim i krishterë, Papa bën thirrje për kryqëzatë, fillon përsëri ungjëllizimi i kontinentit dhe lindja e ngujimeve eremite dhe murgjërore, si dhe e urdhrave endacakë, në mënyrë të veçantë e françeskanëve dhe dominikanëve, më pas themelimi, si iniciativë kishtare, i universiteteve të para, në kuptimin tipik mesjetar, të bashkimit të mësuesve dhe studentëve të një qyteti, të mbledhur sipas një modeli korporativ. Besimi i krishterë në kontinentin europian rrënjoset edhe në saje të konsolidimit të vëllazërive, ndërmjetëse të vërteta midis jetës kishtare dhe sociale.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk