Kritiku letrar amerikan, Harold Bloom: Nobeli, çmim për idiotë!



Harold Bloom, kritik letrar amerikan, rrëfen për erudicionin e tij, për autorët që i do dhe për ata që i urren si dhe për Nobelin, për të cilin thotë se është çmim për idiotë.
“Një vit më parë jam rrëzuar dhe i kam thyer të gjitha vertebrat e shpinës. Doktorët më patën quajtur të vdekur, ama ja ku jam”. Sytë e çeltë - të ndryshueshëm të Harold Bloomit janë dëng me trishtim të përzier me turp derisa mundohet ta justifikojë atë bastun, tashmë të pandashëm, me të cilin mbahet për t’i duruar barrën e viteve dhe angaritë e një fiziku që s’do t’ia dijë në ndjekjen e ritmeve ende frenetike të mendjes së tij të jashtëzakonshme.
“Ajo që sot më dhemb më së shumti është se s’mund të udhëtoj më”, shpjegon autori i kanunit perëndimor, “Ankthi i ndikimit” dhe i 30 librave të tjerë që e kanë revolucionarizuar historinë e kritikës letrare botërore.
“Kam çuar një jetë të hallakatur, duke pirë, duke tymosur cigare dhe duke lënë anash ushtrimet fizike”.
Enciklopeditë e përshkruajnë si “kritiku amerikan me më influencë”. “Pishtari i kulturës perëndimore” që në epokën e internetit merr mundimin të shkruajë me penë stilografike “ngase – shpjegon ai – një dridhje e moçme në duar më pengon ta përdor tastierën.
Mirëpo, mendja ime është më e zgjuar se kurrë, falë gjeneve. Prindërit e mi ishin hebrenj shumë të varfër gjysmanalfabet, me prejardhje nga shtetet e Evropës Lindore. Megjithatë kam pasur të parëlindur studiues të Talmudit: një disiplinë që kërkon një kujtesë të hatashme”.
M. H. Abrams, studiuesi i njohur i romantizmit, mentor i tij, e përcaktoi: “Studenti më i talentuar që kam pasur ndonjëherë” dhe “i vetmi i zoti ta lexojë një libër me të njëjtën shpejtësi si atëherë kur e shfleton. Kultura e tij është enciklopedike”.
“Kam preferuar gjuhën origjinale në vend të përkthimeve. Lexoj në greqisht dhe hebraisht – antike dhe moderne – latinisht, yiddish, anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, portugalisht dhe italisht…”, thotë Bloom.
Italia, për të, mbetet njëri nga djepat letrarë më të gjallë. “Jo vetëm Dante, Petrarca e Bocaccio – shpjegon - po edhe Manzoni, njëri nga romancierët më të mëdhenj në botë. Pirandello, më inovativ se Çehovi e Beceketti. Campana, që mund të bëhej Whitmani italian po të mos kishte vdekur aq i ri. Pastaj shumë i madhi Leopardi, një poet në nivelin e Keatsit, Shelleyt dhe Wordworthit, të cilin e kam futur në librin tim të ri ‘Living Labyrinth. Literature and influence’”.

Po të kthehej mbrapa, Bloom s’do ta përpilonte më listën famëkeqe.
“E urrej dhe s’ka arsye të jetë. Efekti i saj i vetëm ka qenë se e ka rritur numrin e njerëzve të pagdhendur që e lexojnë listën por jo librin. Ashtu siç, nga ana tjetër, bëjnë përherë kritikët letrarë”. Bloom është bërë një ikonë letrare. “Më mbysin me telefonata dhe email-e. Më konsiderojnë farin e tyre, më lusin të zbres përsëri në fushë. Po unë jam i lodhur. I kam harxhuar të gjitha betejat e mia e atë që duhej ta thosha e kam thënë: nëse një punim nuk përmban shkëlqim estetik, forcë njohëse dhe origjinalitet autentik, nuk ia vlen ta lexosh. Letërsia është një epifani individuale dhe s’duhet të ketë asnjë valencë shpërblese socio-politike. Ky afrim estetik te letërsia më ka shndërruar në një paria (njeri i kastës së ulët) në të dy anët e Atlantikut. U kam shpallur luftë tezave feministe, marksiste e post-strukturaliste që prej vitesh kacafyten nëpër universitete, jo vetëm në Amerikë... Autorët e mi të preferuar mbeten Dante, Shakespeare, Servantesi, Faulkneri, Homeri, Prousti dhe Wildi, sepse zgjerojnë vetëdijen tonë pa e deformuar. Dhe prekin individin, pa mëtime për ta ndryshuar botën”.
Kryqëzatat e tij anti-Nobel janë bukur të njohura.
“Ia kanë dhënë çdo idioti të kategorisë së pestë – qahet – Doris Lessing-ut që ka shkruar një libër të vetëm, dyzet vite më parë, Le Clecio-s që është i palexueshëm, Dario Fo-së, që është thjesht qesharak. Nobelët e merituar? Harold Pinter, një zë autentik, edhe pse dishepull i Beckett-it”.
Ndër bashkëkohorët urren J. K. Rowling-un, Stephen King-un dhe Adrienne Rich-in, ndërsa e do Cormac McCarthy-n (Meridian gjaku, është një libër i jashtëzakonshëm), Philip Roth-in, Thomas Pynchon-in dhe Don DeLillo-n.
Tepër i ashpër? “Kritika letrare s’mund të jetë impersonale. Për dallim nga T. S. Elioti, mendoj se duhet të jetë personale, e pasionuar dhe e thellë. Po të socializohesh me autorët që i recensionon është gabim. Më mirë t’i njohësh nga veprat e tyre. Nëse nuk flasim ne keq për të vdekurit, kush do ta bëjë?”.
Mes adhuruesve, Bloom përmend edhe Papa Wojtyla-n.
“Miqtë e përbashkët më patën thënë se i kishte lexuar dhe çmuar të gjithë librat e mi dhe se do të më takonte po të shkoja në Romë. Pata refuzuar”. Shkaku nuk ishte i natyrës personale. “Krishterimi është sinonim i antisemitizmit, siç e dëshmojnë të gjitha tekstet çelës të Testamentit të Ri, duke u nisur nga Ungjilli i Gjonit”.
Raporti i tij me Zotin? “Nuk mund ta kuptoj një Zot të fuqishëm dhe të gjithëdijshëm që ta ketë lejuar Aushvitzin dhe skizofreninë”, thotë Bloom, djali i parë i të cilit është i prekur nga një formë e rëndë skizofrenie që nga lindja.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk