Egon Schiele penelata e garrametshme e ekspresionizmit
Nga Albert Vataj
Sot 125 vite më parë datëlindi Egon Schiele
(12 Qershor 1890 – 31 Tetor 1918) piktor austriak, figurë shumë e spikatur e
fillimit të shekullit 20. Puna e tij shquhet për intensitet dhe tension.
Shformimet e trupave dhe linjat theksuese që përshkojnë pikturën e Schiele
shënojnë fillimet e Ekspresionizmit. Piktura e tij e veçon atë nga armata e
yjësive që shkrepëtitën në qiellin e famës. Bashkë me Gustav Klimt ata hodhën
themelet e një trajtimi ndryshe të pikturës si element shprehës estetik.
Ai ishte vetëm 28 vjeç kur vendosi të ndalte
kumtin e çartun të mëtimit të gjendjeve dhe gjërave, hireve dhe përhedhjeve të
epshta të mishit. Megjithë jetën e shkurtër ai la një galeri të begatë punësh
dhe një formë ndryshe të shëtitimit të penelatës, akuarelit e grafikës në
kuadratin e një shpërthimi të potershëm ndjenjash delikate të një shpirti të
trazuar.
Seksualiteti i dominuar në pikturat e Egon
Schiele është një manifestim jo dhe aq i botës së brendshme të dengur prej
gropash të errëta ku emocionet e forta, epshi e spazmat e trandnin atë kurm
dorzan një mendje të lidhur pazgjidhshmërisht me seksin, me mishin, me nevojën
përnga harbimet intime si formë çlirimi prej sëmbimeve të brendshme dhe
përndjekjes së të shkuarës.
Gjithqysh Egon Schiele mbetet penelata më e
garrametshme e ekspresionizmit dhe epshi më i çartun i një force jetësimi në
kurm e në penel.
Ndoshta është ndër të paktët që dëshmon me një
imponim përshkues nevojën e njeriut për të mbërritur tek gjithçka duke kaluar
gjithçka përnga seksi. Për te seksi është jo vetëm një subjekt por edhe një
afri komunikimi ndjesor. Pa të duket se Egon Schiele është i kapitulluar.
Krevati është gjithnjë një masë e pamatshme, e bardhë apo fluide. Mishi, trupi,
loja e seksit është gjithça dhe ai i'a beson asaj që mundet ta thotë po kaq
fuqishëm sa dhe e ndjen, penelit.
"Nënë me dy fëmijë". 1915 Një
gjëndje e ngarkuar trishtimi dhe një tension që e bormarduar nga e florinjta
rreket ta himnizojë dramacitetin, i cili shquhet në portretin e shterruar të
nënës. Një portret që duket se është vendosur si element dominues i angështisë
që të mbërthen teksa qasesh të kapësh fillin e një idili amësor që shkalafitet
pre një drite që shpërthen e shpërbëhet në tonet e forta të ngjyrës. Nuk janë,
natyrisht mumje, por gjëdnja ku ai e ka murosur tensionin duket se kjo trandje
bashkëudhën në çdo shtangie para kësaj tabloje.
Comments
Post a Comment