Fredriko Garsia Lorka, pararendësi ngadhnyes i kohës
Nga Albert Vataj
Behim në ndërmendjen për poetin e dramaturgun
e madh, si në një kremte. 117-vite më parë më 5 qershor lindi në Fuente Vaqueros, një Fshat në Granda të
Spanjë Fredriko Garsia Lorka. Ai u shua
tragjikisht dhe iku si një martir i lirisë, më 19 Gusht 1936. Një vdekje me
shumë të panjohura dhe plot hamendësime, në një farë mënyre ishte sintezë e
vetë të gjallëve të Lorkas. Ai mbamendet si poet, shkrimtar, dramaturg,
gjithashtu në jetëshkrimin e tij shënohet edhe veprimtaria si drejtor teatri.
Fredriko Garsia Lorka është i njohur ndërkombëtarisht për pjesëmarrjen e tij në
luftën civile spanjolle ku udhëhoqi forcat anti-fashiste për të penguar forcat
Gjeneralit Francisco Franco.
Vetëm pas vdekjes së Frankos, për García
Lorcan mund të diskutohen hapur në Spanjë. Kjo për shkak jo vetëm të censurës
politike, por edhe të ngurrimit të familjes e cila dispononte dhe nuk lejonte
publikimin e krijimeve të tij, një pjesë e cila ishte e papërfunduar. Ky ishte
fati i një revolucionari, i një vullneti me tharm lirie, i një poeti dhe
dramaturgu.
Libri i parë i poezive Garcia Lorkas u botua
në vitin 1921, ku janë të përfshira krijimet që zanafillojnë qysh në vitin
1918, të zgjedhura me ndihmën e vëllait të tij Francisco që njihej me nofkën
“Paquito” Ky rrugëtim fillimor shtrihej në një tematikë të larmishme, por që
vlen të citohet interesimin dhe lëvrimi fetar që Lorka i bëri gufimit poetik.
Për t’u pasuruar dhe hyjnizuar prej një zjarri krijues te poezitë për dashurinë
dhe natyrën.
Kështu nisi kushtrimi i tij krijues. Ai i
pararendi kohës. Jetoi dhe u kacafyt ngadhnjyeshëm me të. U ndez dhe u shua si
një flakë Prometeu në ato të pakta vite jetë, të cilat i mbushi përplot jetë
dhe veprim. Erdhi dhe iku, për të mbetur përgjithnjë depërtues me kungimin e
tij poetik dhe andës krijuese të një shëmbëllimi përshkënditës të një shpirti
flakatar. U ngul si një përmendore në historinë dhe memuarin e Granadës dhe
Spanjës. Në të gjithë rrugën që përshkoi, mbeti ai. Nuk u pajtua kurrsesi me
atë që i sëmbonte shpirtin dhe i lëndonte plagët. Përkundrazi, u përlesh,
luftoi dhe u flijua. Pena në dorën e tij, ishte më shumë se një vetëtimë,
kungimi i së cilës, shkënditi fuqishëm netët e dyzimeve të strukun në kthinat e
trazuara të shpirtit. Krejt zemëratat e kohës së tij, kulmet e asaj zemre të
tallazuar ndjenjash dhe pasionesh të stuhishme, janë mishërimi i
përgjithmonshëm që la në shpirtrat e brezave, gjithherë me një hov revolte në
brendi. Fredriko Garsia Lorka, si poet dhe dramaturg, por përmbikrejt asaj që
bëri ai, përfshi dhe luftën, poezia mbetet akti më sublim i këtij kumtuesi. Ai
ishte dhe do të mbetet përgjithmonë në memuarin e gjeneratave një poet. Edhe në
dramë, ai ishte mëse i tillë. Poezia ka bashkërendur me të krah për krah, duke
iu bërë fill drite që përshkon këtë yrysh të mraztë, rol të cilin ai e veshi,
jo se deshi, por se koha në të cilën fati e hodhi, ishte një gjithëpamje e
përfshirë nga flakët. Ai nuk preferoi të ngrohej kur Granada digjej. Ai nuk
mund të mënjanohej kur vendlindja e tij, lëngonte, gjaku i revolucionit vadiste
pemën shtatlartë të krenarisë, në kreshtën e së cilës, ai ishte dega që ngaste
rrufetë dhe përleshej. Ai la gjurmë te thella në ndërgjegjen e kokës, mëtoi si
pakkush tjetër gjithçkishte për atë që aspironte. Nuk heshti derisa u nda nga
jeta. Edhe vetë vdekja e tij ishte më shumë se e tillë, sepse vetë jeta dhe
shpirtëzimi, me të cilin ai ushqeu kohën në zgrip, mbartën përmasat e
pavdekësisë.
Kryevepra e tij ishte ai vete, Federico, pohon
Luis Bunuel.
Benedetto Croce thoshte se njeriu i sotem
është me tepër pjellë e një ubi, sesa e një epoke, se emri i Granadës është i
lidhur përgjithmonë me jetën dhe me veprën e poetit Federico Garsia Lorka,
thotë Antonio Gallego Morell.
Duke u zhytur më thellë në zgafellat e
mëtimeve për Fredriko Garsia Lorka, ndeshim në shtresime të çmuara dhe të
befta. Qysh në fillimet e karrierës së tij, Federico Garsia Lorka pranoi të
bëhej hero, simbol kombëtar. Poet besnik ndaj truallit të tij deri në pasojën e
skajshme, ai mori pamjen e një Don Kishoti të ri, të kthyer nga aventurat, që
kishte në damarë një gjak mizor, një ëndje të thellë, shpesh prej kalorësi, me
një vdekje që niset përditë në udhëtime dasme. Klasik, por alogjik, shton Alain
Bosquet, tradicional, por fantastik. Ai është gjenia e një vendi, e përqëndruar
në një qenie të vetme - mospërfillëse, ekstremist, kontradiktor.
Që në moshën 30-vjeçare, Lorka u bë legjendë,
ashtu si Servantesi në sytë e fshatarëve të Mances, një mishërim i kalorësit me
fytyrë të vrerosur. I çmisheruar nga kjo legjendë, ishte e natyrshme që ai të
zhdukej, kur nisi lufta vëllavrasëse: do të ishte fyerje për Spanjën që po
sakrifikohej, të mos bënte theror poetin e saj të madh.
Garsia Lorka u bë martir i luftës dhe hyri ne
radhën e fatlumëve si gjeniu unik i brezit të tij që ishte brez gjenish. Libri
"Poeti në New York" shprehet si një kumt syrealist, por ai është më
kozmopolit, po kështu, edhe përmbledhja "Romancero" nuk i përket
letërsisë regjionaliste apo ekzotike, shton për të Francisco Umbral.
Ndërmendje për poetin
Përmendorja me e bukur për Lorken jane dy
qiparisa në dyert e Granades. Ata i kishte mbjellë poeti dhe vellai i tij,
Huerta de San Vincente, shtepia e mbuluar me lulevile ku banonte familja e tyre
dhe kishte përballë Sierra Nevaden. Sot, këta drurë kanë një pamje vangogeske,
pohon Jean-Francois Fogel, pa lidhje me mjedisin mizor: Një arë e vogël me
misër, e rrethuar nga ndërtesa e lagjes së jashtme.
Garsia Lorka shquhet për një imagjinatë
mitike. Ian Gibson, është i mendimit se kjo gjë shpjegon suksesin e tij në një
bote të humanizuar. Ai na kujton lidhjen e dikurshme midis njeriut dhe natyrës.
Poezia e tij ishte dhe është dramatike dhe
teatri i tij është gjithëpërfshirës në tragjiken ku rrokullisen jo vetëm fate
individesh por dhe popujsh. Ai, me parmendën e shpirtit ka mjellë në historikun
e letrave, atë fjalë të mbushur me mendim, muzikalitet dhe kërcim. Sepse ai
është një dëshmi autentike i vendlindjes. Nuk mund të ishte ndryshe.
Po të kishte një zgjidhje, poezia do të mbetej
në dashuritë prej të cilës do të ishte e pamundur të ndaheshe. Sinteza që bën
më popullore dhe ultramodernen, krijon një simbioze të pazakontë. Kritika nuk
njeh ndonjë rast tjetër të ngjashëm me të. Përzierja e muzikores dhe e poetikës,
e antikes dhe e modernes, kurrë ndonjëherë nuk qe bërë kështu te një person i
vetëm. Arti i Lorkës mbetet gjithnjë "ligjërim", refuzim aktiv i
ndarjes midis qenieve, dëshirë për të komunikuar. Te kjo dëshirë, ai shihte
burimin e çdo arti, arsyen e shprehjen lirike.
Veprat e tij poetike kryesore jane:
"Kënge" 1921; "Romanca cigane" 1928; "Poeme e kanto
kondos" 1931; "Vajtim për Injacio Sances Mehijas" 1935;
"Poeti ne Nju - Jork" 1940.
Gjithë krijimtaria e tij është ndërgjegjia dhe
vetëdija e kohës dhe aspirata e krejt brezit. Ai ishte një sy vëzhgues dhe
zemër reaguese. Ndjenja dhe pasioni, dashuria dhe liria, natyra dhe vendlindja,
ishin idealet dhe tharmi që ngjizi atë vepër, të cilën e shpalojmë më shumë se
si një regëtimë shpirti, si një dëshmi e kohë, të cilës ai i përkiste dhe për
të cilën u desh të mos kursente asgjë, edhe atë që kishte më të shtrenjtë,
jetën.
Comments
Post a Comment