Perëndim në varrezat e Rrmajit, Shkodër



Nga Albert Vataj

Sapo tisi i hollë i muzgut nis me e mbështjell shtatin e qytetit e rruginave fillon për me u lëshu batica mbramësore, nji yshtje vullnese më kah me drejtim verilindor të Shkodrës, për me sos' në varrezat katolike. Ky cak mëto me ken njiherash një vizitë te varri i tim eti, ndoj fjal me than asaj heshtje qi rrin n'mes nesh. Gjithnjë më ka magjepsur ajo pamje që të shfaqet sapo kalon pragun dhe hyn në territorin e kishës, ku prehen në përjetësi jetët e pasosuna të krejt atyne që ky truall i vullnesës hyjnore i ka pranuar në gjirin e vet, si një shëlbim për rrugëtimin e tyre të pasosun. Azgja, veç hapave tonë që preknin puhizshëm tabanin e kësaj toke pushimi të pasosun, nuk kishte gjas' me e prish heshtjen që t'rrethonte gjithkah.
Kryqe, kryqe, shtatore shenjtorësh që shenjtërojnë amshimin e këtyre shpirtrave, ndiqnin hapat dhe kureshtinë tonë që zvarrej ngadal për nga e djathta e kapelës së kishës. Kurrkund tjetër nuk mundesh me ndje dimensionin e pafundësisë që të përshkon, përveçse këtu. Atë paqe dëshiruese, kurrkush nuk mundet me ta kungu përplot me besim, se në këtë vend, ku piktakohen jetët dhe shpirtrat, ku ndahen të gjallët me përjetësinë. Më poetike e vizatoi këtë behje mirënjohjeje në Rrmaj, perëndimi, ardhja e të cilit nisi me ra mbi kryqe e shtatore si një mëndafsh i kuq, i cili ngulmon me struk' përkadalë në gjirin e vet, natën dhe këtë qytet të vdekurish që gjallon mallnueshëm në kënd të Shkodrës. Duke lënë pas dritën e zbehtë të qirinjve, që ndrinin tuj dridh' si purtek, mbi varrin e tim eti, e tuj marrë me vete një gjendje të amullt kujtimesh dhe kumti, kapërcyem pragun në Rrmaj për t'u kthy në rrëmetin mbramsor të jetës së qytetit të Shkodrës.
(Pjesë nga nji reportazh për Shkodën)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk