Persiatje e dëshirimeve idilike për bukurinë e femrës dhe lules




Nga Albert Vataj

Magjepsëse si ëndja e një perjetimi.
Depërtuese si shpërthimi i një ylli të mbarsur më ëndje dëshirimesh të epshme.
Dehëse, si ngulmi i një ngasje idilike pasionesh. E bukur, magjepsëse deri në dhimbje. Delikate dhe përplot ngulm joshës.
Asnjë spektakël i natyrës, asnjë përkujdesje forcash të epërme, kurrnji energji transformimesh, nuk mëton një shfaqje kaq të shkëlqyr dhe adhuruese, se sa bukuria e femrës dhe lules.
Lulet dhe femra, një kërshëri e ushqyr me kaq ëmbëlsim e bukuri, një adhurim i dengur prej kaq pasionesh shkulmuese, një lojë kaq ngasëse dhe një betejë e kacafytjesh titanike, një puhizë që tretet me asgjënë e josh gjithsinë.
Me një numër të kufizuar notash; tela të tendosur si vërshime të potërshme gjaku, kur zemra flakërin në dëshirën e zjarrit;
gishta që ngasin me erën, t'u bien këtyre telave, të ladrojnë me këto taste siç bën flladi me fijet e barit dhe profilet e kurmeve;
mëkojnë atë melodi,
gërmëzojnë drojshëm fjalë që bien si fruta të pjekur prej buzëve që dridhen;
pëshpërisin dhe hukasin në vesh, si grimca joshëse që gurgullojnë nëpër gjokse të kreshpëruara e turravrapen nëpër cohën e hollë të lëkurës që skuqet e trucen në harbimin e një kafshe me uri prehistorike.
Është çasti i një përjetimi, i shprehjes më të pafajshme të një mëkatimi, është lindja e një ylli që shkëlqen si vesa në petalen e një luleje, si loti nën qerpik.
Janë në ëndjen tonë të harbuar këto bukuri, si nevoja me e epërme e manifestimit të admirimit dhe mirënjohjes së përkorë që ne i detyrohemi jetës.
Dashurohemi marrëzisht dhe gjithçka e përsosur lëvrin nën shpërthimit ndritës të këtij përjetimi.
Një çast sa një shkelje syri, është gjithësia që na përpin në epshin e kësaj bukurie, ngasëse dhe vrasëse, këtij hiri joshës dhe trandës, këtij kumtimi dëshirues dhe zemërthyes.
Jeto si një rreze dielli e jepi gjithçka që zemra jote dëshiron kësaj luleje, ledhatoje me çdo pikë djerse dhe loti gonxhen e mëngjeseve dhe petalen e mbrëmjes.



Jeto me të bukurën e dëshirimeve dhe jeton me hiret e adhurimeve.
#DHE...
Kurrë në ëndjen tënde nuk do të mungojë bukuria e asaj lule që ujtis sytë e tu dhe të hov një energji përtëritëse që gufon së brendshmi.
Kurrë nuk do të shuhet ajo aromë që deh ëndjen tënde, e s'do të vyshket asnjë herë ajo petale, lule do të çel gjithnjë dëshirimi yt në epjen tokësore të kurmit.
Ti je një lule, e dashur, dhe lulja është një dëshirim i bukurisë së përgjithmonshme.
Unë jam një çast përjetimi tokësor, një shkrepëtimë yjësie që rrëzohet nga thellësia e territ të universit e bulon në gishtat e mi si një prekje që zbret në petalet e kurmit tënd si një gjurmë drite. Shkëlqe në sytë e ëdshëm të një zemre ti bukuri që vejn në jetë me lulen, hyjnizohesh me femrën dhe meriton përjetësinë prej adhurimit.
Aftësia për ta perceptuar dhe promovuar të bukurën si vlerë e përkorë e të drejtës tonë për tu ndjerë qoftë dhe një moment të vetëm Zot tokësor, është manifestimi i një zemre të mbushur me një dëshirë të pafundme për të parë tek gjithçka të bukurën dhe për ta trajtuar atë si një prekje të hyjshme që zbret prej duarsh të porozta dhe na ledhaton me aroma dehëse.
Jo domosdoshmërish duhet të kesh shumë para për t'ia arritur kësaj, jo me çdo kusht duhet të kesh shumë pushtet për ta ndjerë deri në thërmijën më të vogël shpërthimin e këtij shkëlqimi. Sikurse nuk ka gjas që ky privilegj t'i ofrohet njerëzve që llokoçiten në baltën e poshtërsive dhe të ndytit.
Duhet të jesh i pastër si drita që të mund ta shohësh dhe perceptosh diellin në çdo fijëz ngjyrëshumë,
Duhet të dish të jesh delikat dhe i brishtë që të mund ta ndjesh kolovitjen e një petaleje lule në krahët e erës.
Duhet të ndihesh energji së brendshmi që të mund ta përshkosh kurmin e epshit me prekjet që kur ladrojnë nëpër mish të bulojnë vesë e të mëkojnë yje.
Duhet të ndihesh njeri, ai njeri që ka bojkotuar veten e shpellave dhe ka rrokur purtekun e një krijese që farfurin me erën kur vërshon.
Duhet me domosdo të mos ndihesh kafshë teksa ushqehesh me frutin e ndaluar, të cilin e meritove me një dëbim nga Kopshti i Edenit.
Amin

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk