Zenoni i Citionit zgjeroi doktrinën dhe e mbrojti nga kundërshtimet skeptike të platonikëve

Zenoni i Citionit (Zenoni i Ri)       
Zenoni - i thirrur gjithashtu Zenoni i Ri (Greq: Ζήνων Κιτιεύς, Zēnōn ho Kitieŭs), për ta dalluar nga Zenon Plaku ose Zenoni i Elesë (rreth 490-430 para Jezu Krishtit), nxënës i Parmenidit dhe filozof i shkollës eleate - u lind rreth vitit 335 para Jezu Krishtit në Cition (i quajtur ndryshe Citium), në ishullin e Qipros. Ai jetoi në Athinë duke filluar nga viti 312 deri në vitin 311 para Jezu Krishtit, duke studiuar, mes të tjerash, filozofinë e cinikëve dhe të platonikëve; aty themeloi rreth vitit 300 para Jezu Krishtit shkollën e vet, të quajtur "Portika", nga stoa poikile, portiku i pikturuar i Agorës nën të cilin mblidhte nxënësit e tij. Aty dha mësim pothuaj për dvzet vjet, deri kur vdiq, rreth vitit 264 para Jezu Krishtit. Ashtu si perfaqësuesit e tjerë të mëvonshëm të shkollës së tij, ai i dha fund vetë jetës. Ne zotërojmë veçse copëza nga shkrimet e shumta të Zenonit. Shkolla vazhdoi deri në mesin e shekullit III të erës sonë; tradicionalisht kjo kohë ndahet në "Portiku i vjetër", "i Mesëm" dhe "i Vonshëm". Përfaqësuesit më të rëndësishëm të Portikut të Vjetër kanë qenë, pas Zenonit, Kleanthi i Asosit (331-232 para Jezu Krishtit), që u bë i famshëm me Himnin e Zeusit dhe Krisipi i Solit që, në shtatëqind vepra sistemoi teoritë e stoikëve. Ai zgjeroi doktrinën dhe e mbrojti nga kundërshtimet skeptike të platonikëve. Krisipi është cilësuar shpesh si "themeluesi i dytë i Portikut"; punimet e tij në teorinë e gjuhësisë dhe në logjikë kanë një rëndësi të veçantë. Etapa e Portikut të Mesëm shquhet kryesisht nga Panetiusi i Rodit (rreth 180-110 para Jezu Krishtit) dhe nxënësi i tij, Posidonius i Apamesë në Siri (rreth viteve 135-51 para Jezu Krishtit). Marrëdhëniet e Panetiusit me elitën drejtuese të Romës, benë që të përshtatej stoicizmi në qytet, duke e bërë Panetiusin nismëtar të stoicizmit romak. Nxënësi i tij Posidoniusi, themeloi më pas shkollën e tij, ku shkoi, mes të tjerëve edhe njeriu i ardhshëm politik dhe "filozofi"romak Ciceron, i cili e përshtati më pas doktrinën stoike tek etika dhe teologjia e tij. Sa u takon tre përfaqësuesve më të shquar të Portikut të Vonshëm, ata ndodhen në Romë.

Në Antikitetin klasik, shkolla më e lulëzuar e filozofisë ishte ajo e "Portikut", themeluar nga Zenoni, i cili sigurisht, nuk qe mendimtari më konsekuent i Antikitetit, por doktrina e tij erdhi në një çast të përshtatshëm. Kur hapi shkollën e tij rreth vitit 300 para Jezu Krishtit në Athinë, qyteti i Pallasit kishte shumë kohë që nuk ishte më aq i gjallëruar dhe krenar, si kishte qenë një shekull më parë, në epokën e Sokratit. Perëndimi i Athinës, veç të tjerash, përputhet me perendimin e mbarë botës greke; dy dhjetëvjeçarë pas vdekjes së Aleksandrit, perandoria e tij po shkatërrohej mes ngërçeve të luftërave të përgjakshme, të brendshme dhe të jashtme. Familjet e pasura të Greqisë i dërgonin fëmijët e tyre në Athinë për të ndjekur mësimet e një mësuesi të filozofisë, nuk prisnin aspak që djemtë e rinj ta kalonin aty jetën duke grumbulluar njohuri enciklopedike: ata vetëm dëshironin që të rinjtë të përvetësonin parime dhe mësime të qarta, që do t'u jepnin mundësi të ecnin pa shumë zhgënjime në një botë pak të sigurt dhe tërësisht të paparashikueshme.

Mirëpo pikërisht këtë lloj mësimi donte të përhapte Zenoni i ashpër i Citonit. Ai huazoi nga aristotelianët armaturën themelore të diturise dhe të arsyetimit logjik, ndërsa nga cinikët bindjen se mungesa e çdo kërkese u jep filozofëve pavarësinë. Skepticizmi, që zotëronte klimën e kohës - deri në atë pikë sa u fut edhe në filozofinë e Epikurit - i përgjigjej një bindjeje tjetër të tij: asnjë filozofi nuk mund të ngrihej mbi një spekulim të vetëm konceptual; "në shpirt nuk ekziston asgjë që nuk ka qenë më përpara te shqisat".
Sensualizmi i stoikëve - domethënë bindja se çdo njohje paraprihet në fillim nga përvoja ndjesore - ishte dobësuar shumë në raport me atë të epikurianëve.

Në qoftë se për Epikurin (dhe në terma frojdiste) "parimi i kënaqësisë" është ai që rregullon rrokjen e ndjeshme të botës, në shkollën e Portikut flitet për një emocion të vetvetishëm, për një entuziazëm për këtë apo atë dukuri, domethënë për një parim pak a shumë të përcaktuar, sepse atë që "rrok" një njeri nuk vjen nga ndonjë karakteristikë ndjesore dhe trupore, të cilën e ka që nga lindja, por nga një fuqi e jashtme, mbi të cilën nuk mund të ndikojë dhe së cilës i është dorëzuar. Me anën e kësaj, kundërshtia e vjetër midis botës së shqisave dhe një fuqie të një rendi tjetër, hynte nga porta e shërbimit në Weltanschauung e Portikut, që e mbante veten për "monist" dhe pretendonte të vepronte vetëm nga përvoja ndjesore. Ky dualizëm i fshehur zbulohet gjithashtu në kozmologjinë stoike: bota, para së gjithash, është krijuar në mënvre materiale, njëtrajtësisht. Por në vend të lëvizjes së përjetshme të atomeve që rikombinohen në format përherë të reja të përmendura nga Demokriti i Abderës dhe Epikuri, stokët vendosen konceptin e "hilozoizmit", sipas të cilit çdo materie është e gjallëruar që në fillim nga shpirti hyjnor i botës! Nga fakti që stoikët, për të shpëtuar njëtrajtshmërinë e doktrinës se tyre, përkrahnin, të paktën në teori, një monizëm të materies, duhej që shpirti jetësor i materies të ishte po ashtu, në njëfarë mënyre, material; për këtë bënë një materie jashtëzakonisht të hollë, një lloj frymë të ajrit.

Dualizmi i fshehur kishte për stoikët një përparesi të rëndësishme. Nga njëra anë, ata mund të ngrinin një teori të hapur të njohjes sensualiste dhe empirike, të përvojës dhe të analizës shkencore të botës. Krisipi i Solit (rreth viteve 281-205 para Jezu Krishtit), pasardhësi më i rëndësishëm i Zenonit në drejtimin e shkollës, arriti në këtë përfundim, sidomos me ndihmën e huazimeve të shumta nga Epikuri. Nga njëra anë, etika e tyre nuk vepronte aspak nga nevojat materiale të trupit, por nga detyrimi për t'u ngritur pikërisht mbi këto nevoja, madje për t'i zhdukur. Për stoikët e Virtytit, që dëshiron me ngulm shpirtin hvjnor të botës, kjo vjen nga një mirësi e pafundme. Dhe arrihet nëpermjet guximit, heqjes dorë, thjeshtësisë dhe paanësisë.

Ky Virtyt është një qëllim në vetvete: ai nuk do të shpërblehet nga një jetë më e gëzuar pas vdekjes. I vetmi ngushëllim që i jepet atij që jeton dhe vdes duke respektuar filozofinë stoike, do të jetë krenaria që u çlirua nga frika, e cila buron nga materialiteti i njeriut, duke u hedhur vetë, me vullnetin e tij të lirë, tek e pashmangshmja. Modeli i një qëndrimi të tillë qe vetë Zenoni. Duke u ndjerë përherë dhe më i dobët nga mosha, me dëshirë, ai e la veten të vdiste nga uria. Morali stoik i heqjes dorë gjeti jehonë te konceptimi romak i ekzistencës, që mbante vulën e etikës ushtarake e që përbënte madhështinë politike të Romës. Në këtë mënyrë filozofia e Portikut u bë më e përhapura midis elitave të Republikës, pastaj të Perandorise Romake. Ciceroni,shkrimtari dhe burri i madh i shtetit të fundit të Republikës, ishte përkrahës i doktrinës stoike. Seneka i Ri (4 para Jezu Krishtit-65 pas Jezu Krishtit), i dënuar nga perandori Neron (nxënësi i tij i vjetër), parapëlqente t'i kushtohej vdekjes; në shumë shkrime, shpesh patetikë dhe përherë plot me moral të lartë, ndihmoi që më përpara për përhapjen e doktrinës së Portikut. Në fund, Mark Aureli, "filozofi mbi fronin perandorak", që ishte perandor nga viti 161 deri në 180 pas Jezu Krishtit, i duronte lodhjet dhe shqetësimet e pushtetit më shumë me anën e mësimeve të filozofisë stoike sesa duke ndjekur prirjet e tij për spekulime intelektuale. Ai qe perandori i vetëm i kulturuar i historisë botërore. Koncepti stoik i detyrës - domethënë të bësh atë për të cilën ka ngarkuar secilin fati - pati një ndikim të madh deri te morali i Emanuel Kantit (1724-1804) dhe të pasuesve të tij. Në vetëdijen popullore, "stoicizmi" u bë një virtyt ushtarak: të mos e lëshosh kurrë veten t'i kthesh shpinën detyrës dhe të durosh çdo vuajtje duke shtrënguar dhëmbët.

JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E ZENONIT I CITIONIT( ZENONI I RI )
* Zenoni i Citionit ishte bir tregtari, i lindur në Kitia të Qipros, në vitin 315 shkoi në Athinë, dhe meqë përjetoi mbytjen e anijes, nuk u kthye më nga ky qytet. Zenoni vdiq duke bërë vetëvrasje.
* Nga veprat e shumta të Zenonit (midis të cilave më të rëndësishme ishin ato që flisnin mbi shtetin, mbi natyrën njerëzore, instinktin, mirësitë dhe mbi pasionet) janë ruajtur vetëm fragmente. Në filozofinë e tij stoike -të cilën e ndan në logjikë, fizikë dhe në etikë - është i dukshëm botëkuptimi unik dhe koherent, Në të - pos mësimit origjinal mbi njeriun ideal, të mençurin, të cilin nga qetësia e patrazuar nuk mund ta hedhin kurrfarë pasionesh, tronditjesh dhe veshtirësish -ka elemente qenësisht të përpunuara të shkollës kinike - si dhe disa teza heraklitiane (sidomos në mësimin mbi natyrën).
* Zenoni i C. përkufizoi afektet si "lëvizje kundërnatyrore e shpirtit ose si synira të tepruar". Arsyeja duhet të jetë mbi pasionet, mirëpo kjo gjë nuk arrihet ashtu që një afekt ta përballojmë me tjetrin, ngase kështu do të arrihet vetem qetësimi i shkurtër. Zenoni është i bindur se arsyeja mund t'i vërë kufijtë e afekteve, të cilat janë "sëmundje të shpirtit". Ekzistojnë katër lloje pasionesh: pikëllimi dhe kënaqësia (që janë të lidhura me të tanishmen) dhe frika dhe lakmia (që janë të lidhura me të ardhshmen). Sipas Zenonit, mëshira gjithashtu është sëmundje e shpirtit.
* Zenoni i C. theksonte: I mençuri, ndryshe nga budallai, nuk ndien kënaqësi, por gëzim, ai ka vullnet të fuqishëm, të cilin e drejton plotësisht arsyeja, kështu që te ky arrijnë rastësisht vetëm "hijet e pasioneve".
* Zenoni i C. konsideronte se është absurde të ndërtosh tempujt, shtëpitë për hyjnitë, sepse madhështia hyjnore nuk mund të përfshihet në veprat njerëzore.Në këtë drejtim përqeshi edhe përfytyrimet mbi vendet mbitokësore dhe nëntokësore, për shpërblimin dhe dënimin, si dhe teoritë mbi pavdekësinë individuale.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk