Hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit si “mollë sherri”




Nga Albert VATAJ

Dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe regjimi i Enver Hoxhës kanë risjellë në skenën politike shqiptare konfrontime dhe përplasje. Sërish kjo ka shërbyer si “mollë sherri” dhe një dinamikë e re e gjallërimit të betejës mes palëve politike. Jashtë kësaj vorbulle është përfshirë dhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Ai është përplasur me historianin dhe politikanin Paskal Milo. Ky i fundit e ka akuzuar atë si shërbëtor të regjimit dhe Enver Hoxhës, deklaratë kjo që vjen pas asaj të bërë në Pezë që në thelb përmbledh një vlerësim për diktatorin e fundit komunist. Gjithashtu në Kuvend Kryeministrit i kanë treguar teserën e tij të anëtarit PPSH-së. Sakaq Shqipëria e gjen vetën nën retë e zeza të debateve mbi komunizmin dhe veprimtarinë famëkeqe të Sigurimit të Shtetit.
 Rikthehet sërish në konturimin e gjenerimit të politikbërjes shqiptare hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Yshtjen për t’u bërë katalizator i një klime jostabile politike, dosjet e Sigurimit e diktoi një rezolutë që duhet të mbahej nga Kuvendi i Shqipërisë në lidhje me qëndrimin ndaj komunizmit. Nëse shtetet e tjera të lindjes e konsiderojnë kapitull të mbyllur këtë transparencën e pastërtisë së figurës së politikanit, ndryshe ngjet në Tiranën zyrtare. Gjithnjë është gjurmuar dhe kapur një arsye që rikthimi tek e kaluara komuniste të shërbejë si koperturë, për përfitim kohe dhe devijim nga problematika urgjente me të cilën përballet realiteti politikë shqiptarë. Anipse kjo gjen një arsye të koherëncës për faktin se duke nxjerr dosjet përpiqet t’i bëhet me dije apo të tentohet të vihen nën fre pretendimet e eksponentëve të ndryshëm të rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, të cilët tash që po gatitet gjella elektorale vihen re qasjet e tyre për tu bërë pjesë e politikës. Natyrisht veç atyre që tashmë janë një faktor në politike.
Ende nuk është bërë ashiqare e njohur për miletin, se pse dështuan nismat e tjera për hapjen e dosjeve, sikurse ka pak gjasa që edhe kjo ndërmarrje të ketë një fat tjetër, veç atij që kishin pararendësit, dështimin. Duhet të pyesim se çfarë u bë më ligjin për pastërtinë e figurës së politikanit. Kujt iu ofrua pensioni politik në këmbim të veprimtarisë së tij në shërbim të komizmit. Realisht asnjërës palë nuk i intereson një qëndrim korrekt dhe përfundimtar për sa i përket imunitetit anti-spiunë që duhet t’i injektohet klasë politikës shqiptare. Mungesa e vullnetit të mirë, si në të gjithë gamën e ligjbërjes apo shtetformimit është një tregues. Edhe kjo nuk kishte se si të ishte pjesë e përjashtimit nga kjo logjikë e mbrapshtë. Implikimi në Sigurimin e Shtetit duke mos bërë përjashtim kahesh dhe përfaqësuesish politik, mbahet si kryearsyeja se pse kësaj maskarade nuk i ofrohet një vlerë përfundimtare. Në të përgjithshmen e logjikimit, mbi bazën e së cilës është dhe vijon të dirigjojë shtetin shqiptarë mbetet ai që mund të konsiderohet si konstatim dhe preferohet të trajtohet si paragjykim. Konkretisht politika shqiptare është pjesë e asaj doktrine se nëse nuk ke qenë i përfshirë dhe nuk kë shërbyer në Sigurimin e Shtetit, nuk ka shanse të bësh karrierë në politikë. Në këto kushte si mund të mos jesh skeptik se do t’i jepet fund një herë e përgjithmonë hapjes së dosjeve, vënien para përgjegjësisë morale, politike dhe ligjore të të përfshirëve në të dhe shkëputjen nga kthetrat e komunizmit.
Ka shumë të ngjarë që shtetbërjet e popullpërfaqësitë  të kenë si tepër politikanë të përfshirë nga zelli dhe patriotizmi për t’i shërber regjimimit më antihumane që ka përcjellë civilizimi.
Individë të ndryshëm, që janë ose jo të kërcënuar nga kjo domosdoshmëri dhe që fatalisht janë prezent, natyrisht që nuk kanë pritur momentin e fundit të përballen me të vërtetën e hidhur të përgjegjësisë për shërbimin që i kanë kryer diktaturës komuniste. Dhe koha ka qenë në kahun e tyre. Nuk ka frenuar politika selektive e sundimit as të majtët e as të djathtët të ekzekutojnë, të zhdukin apo së paku të manipulojnë dosjet e tyre. Gjithsesi mbetet përsëri për të shpresuar se jo të gjithë dëshmitë e regjimit të Hoxhës të jenë zhdukur. Duhet të jemi të ndërgjeshëm se pak mundësi ekzistojnë që të mos jetë e vërtetë, se një pjesë e konsiderueshme e atyre dosjeve janë ekzekutuar. Si e majta, disi më e anatemuar nga kjo përgjegjësi politike, ashtu dhe e djathta, jo më pak aktive në shërbimin që eksponentë të saj i kanë ofruar regjimit të Enver Hoxhës, të dyja sa kanë mundur kanë bërë që të jenë duarlarë. Këto Ponc Pilat të shtetit, Parlamenti e tollovi-partive mendojnë se do të mbeten të tillë deri në fund, duke pagëzuar engjullizimin e tyre. Nëse ata dosjet i kanë ekzekutuar, ndërgjegjja e tyre dhe vullneti janë tashmë binarët prej të cilave nuk mund të dalë treni i filozofisë dhe vullnetit politik që përfaqësojnë.  
Ajo që përbën “Thembrën e Akilit” të këtij riciklimi, mendoj se nuk është dhe aq përllogaritja e vlerave përfundimtare dhe divorci me të kaluarën e errët të komunizmit, se sa trajtimi si mekanizëm politik që njëra palë përpiqet ta konvertojë në armë për ta mësyrë palën tjetër. E thënë telegrafisht, ky mbetet një mjet i luftës politike, e kurrsesi një filozofi e re me të cilën duhet të mishërohet politika. Nëse Gjinushi akuzon se pushtetëmbajtësit i kanë zhdukur dosjet, gjë të cilën e kishin bërë edhe ata vetë më parë, dëshmon se edhe kësaj here shkëputja nga brigjet e të djeshmes komuniste do të jetë shumë e vështirë për anijen e politikës shqiptare.
Ata e përdorin si fushëbetëjë politike, jo si një shkëputje pa kthim nga komunizmi, motiv që orientoi shumë shtete të Lindjes për të vendosur pozitat e të tashmes pa anatemime të së djeshmes komuniste. Edhe kjo sajesë ka gjasa të ketë një fund pa lavdi. Koha për politikënt shqiptare shfaqet gjithnjë e më shpesh si element shumë i rëndësishëm. Kjo ngase vetë politika vuan nga të qenit aktive, efektive, e përgjegjshme dhe e vendosur për t’i shkuar gjërave deri në fund. E kujt konkretisht i intereson përfitimi në kohë që do të zaptojë çështja e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
E para- Opozita si katalizator i këtij reaksioni duke u gjendur përballë një vendosmërie kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve brenda këtij viti dhe duke u gjendur pothuaj e papërgatitur për një përballje elektoralë, e motivuar politikisht zgjon ethe të së kaluarës duke i kthyer në kapacitete që gjenerojnë zallamahi politike dhe terren kohor.
E dyta- E majta duke e parë veten para të pamundur për të ecur ende në frenimin e ndezjes së motorëve elektoralë, e konsideron çeljen e problemit komunizëm dhe dosje si një territor shumë të favorshëm për të yshtur drejt një përcaktimi kohor të ditës së përballjes elektorale për pushtetin vendor.
Pra e gjithë ajo që duhet të kuptohet rreth kësaj trajtese disi bjerrakohëse ka gjasa të ketë një lidhje kryekëput me zgjedhjet dhe akomodimin e plotë që e majta kërkon të realizojë për të mos rënë në grackën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare ku ajo pësoi një humbje fatale. E bindur se respektimi i afateve kushtetuese për zhvillimin e zgjedhjeve do të jetë një vrastare politike, ajo po të pamundurën, po e kundron si të justifikueshëm çdo mjet që i shërben qëllimeve të saja politike. Por nuk e gjen veten jashtë këtyre etheve paraelektorale dhe hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit komunist edhe e djathta. Mbi të rëndojnë shumë akuza, besueshmëria e të cilave pak rëndësi ka në këtë rast nëse ka bazë të vërtetë ose jo. Gjithsej ajo mbetet e shënjuar, sikurse nuk mund të fshij me asgjë atë përgjegjësi që mund të ketë në një rast të të qenit pjesë e anatemimit politik që rrjedhon nga shërbimi që mund të jetë ofruar prej tyre për Sigurimin e Shtetit.
Hapjen e dosjeve nuk e konsideroj si kataklizmi politike, por koha që preferohet t’i ofrohet kësaj më duket jo më pak e rrezikshme. Sikurse shërimi nga kjo plagë që rizgjohet sa herë që politika tentodoset, është domosdoshmëri. Tani kur i gjithë spektri politik duhet të dëshmojë vullnetin e mirë dhe gadishmërinë për të ofruar zgjidhje të standardeve duhet edhe kësaj zallamahie politike t’i gjendet një zgjidhje. Mend kemi, anipse Fishta na kujton se “pamporrin e shkarpave preferuam”. O borra. Vendi ka ngelur zë zgrip. Politika bjeri t’i biem, s’mund të jetë një produkt i punës dhe shërbimit që politika dhe politikanë i bëjnë atyre që o ofruan vullnetin për t’i përfaqësuar dhe mbojtur. Tendenca e politikës shqiptare për të përdorur mekanizma stopues është një fenomen që hedh dritë mbi mungesën e një përgjegjësie politike, patologjike kjo. Këta nuk janë rregulla loje. Dhe nuk përbën ndonjë të papritur asgjë që ka lidhje papërgjegjësinë dhe mungesën e sensit dhe etikës politike. Pas grushtave, shqelmave, banaliteteve, “trimërive” dhe kthimit të foltores së Parlamentit në një vrimë haleje ku politika mërmjerr, duhet të gjendet pakçka për të mos vrarë përfundimisht shpresat se ky vend mund të bëhet, se në këtë vend nuk do të drejtojnë ata që mbollën ferr e tani kërkojnë të bëjnë profetin. Tamtamet e politikës shqiptare si për hapjen e e mbylljen e dosjeve, për mocion besimit e mosbesimi për Kryeministrin, për hidh e prit, janë tashmë logjika e cicmicit. Veç varfëri, amoralitet, mungesë vullneti, kolaps politik, debate shterp, bilbilenj e tollovitje, nuk di se ç’di tjetër ajo pjesë e politikës që për të bërë oponencë nuk përjashton çdo mjet.
(Arkive)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk