Politika, Golgota e fateve të shqiptarëve
Nga Albert Vataj
I yshtur prej një dyndjeje mllefi dhe zemërimi nga gjithçka
ngjet në të sotmen “rrah e krah” shqipfolëse, ndal të shohë politikën si Golgotë.
Ajo ka uzurpuar gjithçka shqiptare, ndryshe nga sa ka mundur të tentojë dhe të
arrijë në vendet e tjera, qofshin këta edhe në pozita gjeografike, historike
dhe politike me vendin tonë. Kjo është për fatin tonë të keq, një gabim
gjenetik që beh papritur, duke të rrëmbyer gjithçka, për ta bërë atë një rrugë
drejt Golgotës.
Dozat e theksuara të politizimit, pa droje mund t’i kundrosh
si një kërcënim të patëdytë në fatet e Shqipërisë dhe dertet e shqiptarëve. Çoroditje,
kohëvrasje, nervabrejtje, shpresëhumbje, turitje kolektive, Kudo dhe në çdo gjë
është politika. Kurdo dhe për çdo gjë, askush nuk ka forcë vendimmarrjeje,
vetëm ajo. Në jetën familjare e gjithsekund tjetër, për çdo gjë dhe në çdo gjë,
ajo që promovon jo vetëm praninë e saj, por edhe sundimin, është politika. Në
një shoqëri kaq të mbarsur politikisht, duhet domosdo të kërkosh për të gjetur
shkaktarin, zanafillën e Golgotës popullore, të cilën do ta kesh të lehtë ta
pikasësh sapo të shkelësh butonin e televizorit, në një të përlarë shtypit të
përditshëm, në një sajdisje për kafe e në kryeherën e tançkasë tjetër. Ama
politike është tamam si një nënë e mirë që nuk i largohet foshnjës së saj për
asnjë çast. Lum e në lum si ne për këtë amë.
E ndërsa mendon se e gjithë jeta jote është politikë, fare
pak ka gjasa të ngjasë të kërkosh një kurs të ri për trajektoren e jetës tënde,
jashtë unazës së saj. Dhe kur ajo është një kryqëzuese fatesh! Kjo është
fatale. Është e tillë, por nuk vlerësohet si e tillë. Në të kryqëzohen fate
shenjtorësh dhe fate batakçinjsh, fate njerëzish të urtë e maskarenjsh, fate hallexhinjsh
e mashtruesish, fate të mjerësh e të babëziturish, fate të përdalash e nënash të
devotshme. Atje kryqëzohen të gjithë në emër të adhurimit, të vetmes mëvetësi që
e bëjmë ajër, ujë, bukë e veshë e mathë.
Në të kryqëzohet e gjithë shoqëria shqiptare. Kryqëzuesit
janë politikanë, janë Pons Pilat që nuk kanë dert të lajnë duart kurrqysh në
tançka josh absurdin e politikbërjes. Ata thjesht vendosin për fatet tona dhe
vetëm kaq. Ata vendosin dhe gjithseqysh t’u bjerë të tjerëve, kjo për ata s’ka
dert. Mjafton që tançka që duan të bëjnë, duhet të bëhet. Se kush e paguan, kjo
është një llogari që kurrë politika shqiptare nuk e ka bërë. Nuk do të na vinte
në ndihmesë asnjë emër për t’i vënë targën këtij gjykimi, pasi tek sekush dhe
prej sekujt të kësaj armate vjen lajtmotivi, politikë allashqiptar. Megjithëse
teoricienë dhe filozofë nuk kanë qenë familjarë me përcaktimin frazeologjik të
politikës në tërësinë e saj, si mjet pushteti, duke e cilësuar në përqindje të
konsiderueshme negativisht, kanë lënë hapësira shprese dhe interpretimi.
Megjithëse i kanë hequr tërë moralin, asaj i kanë mbartur një lloj morali në
morinë mbytëse të amoralitetit ku ajo gëlon.
Ata janë kudo ku përmbyset. Ajo ndërsehet porsi një bishë e
tërbuar në këtë jetë në zgrip. Janë interesat personale politike, të cilat duke
u mbarsur pa karar me politizim ekstrem, e kthejnë çdo manovër në një vrastar
fatesh, në një fushë të minuar në të cilën pretendojmë të hedhim binarët e
integrimit evropian. Pakkush mund të besojë se orvatjet e dështuara për një
marrëveshje politike shtytin për një afat të papërcaktuar joshjen e faktorit ndërkombëtar
për interesat e vendit tonë. Nëse një kryepartiak skërmit dhëmbët në një
tavolinë bashkëpunimi, një kafshim i athtë ka zatëtun fatet tona të integrimit
rrah e krah nga flitet shqip.
Shembulli më fatal i gjithë këtij zeheri të kumtuar është
ajo që quhet marrëveshja për zgjedhjet vendore, e cila po i bën karshillëk edhe
ditëve të para të fushatës zgjedhore kampeve. Përvoja e negociatave të
mundimshme për ndryshimet në Kushtetutë, Kodin Zgjedhor dëshmojnë katërcipërisht
fatalitetin që kaplon vendin nga agravimi i skajshëm i krizës, që u sundua më
shumë se nga politizimi ekstrem, nga polarizimi i diktuar i interesave
personale. Ajo që dhimbshëm të vë ballas asaj që perceptohet rrallë nga shqisat
e një elektorati të tendosur politikisht, të një populli me personalitet të nëpërkëmbur
nga politika, është fyerja. Pakkush ndjehej komod në rolin e protagonistit të
një atmosferë sarkastike, ku luhej tragjikomedia e kompromisit. Talljet
jargavitëse që rrjedhin nga përpjekjet pafundësisht të gjata, për gjoja
standarde, siluronin më shumë atë që përpëlitej jashtë atyre sallave hijerënda,
sesa vetë gatuesit e kësaj çorbe. Pavarësisht se pas deklaratave stampë për
garantim të standardeve, zgjedhje të lira dhe të ndershme, respektim i
vullnetit të votëbesuesit, fshihej kriza personale, ajo që pati faturën e saj
ishte kriza politike, kriza institucionale, kriza e shtetit të ligjit. Të
gjitha në këtë ndeshje demash pësuan një krisje të pariparueshme. Kjo,
pavarësisht se pakkush u kujtua të mylmente deklaratat e mbarsura politike, por
jo ta orendiste si kryeproblemin, kryefjalën e gjitha atyre qasjeve të dyshuara
politike për kompromis. Shteti ra, institucionet u dorëzuan, Kushtetuta u nëpërkëmb,
institucioni i Presidentit, edhe pse ishte ai që i vuri kapakun gjithë kësaj
maskarade politike. Po a e vuri kush ujin në zjarr të mësonte se nuk ka gjasa t’i
ndodh diçka më përçudme një shteti në një shoqëri demokratike.
Politika mbetet një Golgotë e fateve të shqiptarëve. Ajo ka
qenë, është dhe do të jetë. Kjo s’është profeci, kjo s’është yshtje për të
cenuar shenjtërinë e Golgotës, sikurse nuk mbetet e tejkëqyrur shumë larg nga
përcaktimi që qaset të vulosë të sotmen shqiptare.
Comments
Post a Comment