Vinçens Prenushi, Martir i Demokracisë, shërbestar i kishës dhe Shkodrës


Vinçens Prennushi lindi në Shkodër më 4 shtator 1885 në një familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve[2]. Eseist, publicist, poet, folklorist e përkthyes, ka përkthyer romane nga Wisman, Sinkieviç, Weber dhe Pelico.
Prindët e tij ishin Gjon e Drande Prennushi. Është pagëzuar me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohtun të Troshanit, ku, ju kushtue Urdhnit Françeskan (OFM) me 1900[3]. Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M. duke marrë dhe emrin Át Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”[2]. Ky botim pati një jehonë të gjerë në vend, por sidomos në emigracionin shqiptar. Me të ardhun në Atdhe përjetoi një nga ngjarjet ma të randa të qytetit të vet të lindjës, së Shkodres së rrëthueme nga malazezët dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913, ku preku me dorë “lugën e urisë” së cilës, pak ditë mbas fitimit të Lirisë dhe bashkimit të qytetit me Shqipninë e Pavarun, do t’ishte pikërisht Ky At Vinçenc, që me 14 Mars 1914, kur në Kështjellën “Rozafat” u ngrit me brohoritjen e mbarë Popullit të Shkodres, i Lumnueshmi Flamur Kombëtar, do të ishte Ai frati i zgjedhun që do të mbante fjalimin e rastit aty[3]. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe[2]. Më 1918 botoi "Fjala e Zotit" si he "Grueja shqyptare" e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane[2]. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E tradhtuemja”, një përshtatje e goditur nga T. A. Rolando. Në vitin 1921, në moshën 36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”. Poezi të bukura, të ëmbla e delikate. Ai ishte pendë letrare dhe shkencore ndër fletoret ma në za të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”[4] por, ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashkëpunëtorët e grupit ma me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuen edhe fletorën e tyne “Ora e Maleve”, ku, At Vinçenci, ashtë ndër penat ma me vlerë të demokracisë që posa kishte lindë në Shqipëni[3]. Më 1924 boton broshurën "Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë", At Vinçenci jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Përëndimor[4]. Botoi përkthimin e bukur “Fabiola” apo “Kisha nën dhe e mbi dhe” e Kardinalit Visseman. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante. Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin “Quo Vadis” (Ku po shkon?) të E. Sienkievicz-it. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s “Burgjet e mia”. Në vitin 1940, u emërua Argjipeshkëv i Durrësit. Me 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emënon ipeshkëv i Sapës, detyrë që e mban deri në vitin 1940, kur emënohet Argjipeshkën Metropolitan i Dioçezit të Durrësit, duke pasë nën administrim kryeqytetin Tirana. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkoder me 26 Maji 1946 dhe arestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodres, Imz. Prennushi ngarkohet me detyren e Primatit Katolik të Shqipnisë. Nuk duhet lanë pa theksue se mbas vitit 1940, kur ashtë edhe administrator i Tiranës, ai kishte përkrah Imz. Luigj Bumçin, Don Shtjefën Kurtin, At Pjetër Meshkallën, At Anton Harapin, At Mati Prennushin, Don Lazër Shantojën, të cilët kanë lanë mbresa të pashlyeshme në jetën e kryeqytetasve. Gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, në vitin 1945 ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht ky jo vetëm e kreu me ndërë detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike dhe, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo-komunist jugosllav e rus, të vitit 1944. Gjithnji, duke ndjekur mësimet e Fishtës, me fjalë të tjera, duke i pranuar modelet popullore, ai bëri që nëpër shkrimet e tij të rrjedhë gjuha e ambël e qytetit të tij të lindjes. Me një stil të hijshëm ai arriti të krijojë një aradhë shkrimtarësh që e imituan. Prennushi mblodhi kangët e vallet e “Dasmës Shkodrane” dhe pikërisht këtu ai tregoi më mirë se askund tjetër kumbimin e ambël të fjalës shkodrane. Në fakt, trajtat janë me të vërtetë shkodrane, por, përmbajtja është mbarëkombëtare. Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi. Tubimi i 6-mujorshit të pavarësisë, i festuar nga shkodranët në Kalà, ku Át Vinçenc Prennushi mbajti fjalimin e tij. Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin. Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947). Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve….”refuzon kërkesen e tyre”….
Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.” Më 19 mars shkurt 1949 vdes nga torturat më çnjerzore në burgun e Durrësit. Shpallet "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993 në Durrës.
(Marrënga Wikipedia)

Kuq e zi (28 nanduer)

Fishkllon veri, ushton duhija,
Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
Por kjo stinë për ne â me orë,
Qysh se i lule me rrit desht:
Rriti lulen kuq e zi,
Qi â ma e bukra e ksajë Shqypni.

Ngjyra e sajë, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqypnis;
Lule â kjo, lule lirike,
Qi ne nderën n'vend na e çon,
T'falem, lule kuq e zi,
Si ty s'rritë mâ kjo Shqypni.

Kuq si gjaku, si përhera
N'dej t'Shqyptarve idhtë pat vlue,
Zi si futa, qi pat mlue
Njat anmik qi me e njoft s'desht.
T'falem, lule kuq e zi,
S't'ka kush, jo, posë ksajë Shqypni.

Ty t'bajnë burra nder lamije,
Vashvet parzmat jau stolise;
Je nderue nder kome e fise,
Si dhanti e t'Naltit Zot.
Shejtë â lulja kuq e zi
E â ma e çmueshmja e ksajë Shqypni.

N'çdo kremtim, n'gzime komtare
Mbledhë Shqyptari çetë mas çete,
Gjallnim s'ka, nuk nep shej jete,
Kur ket lule ngjet s'e shef.
Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
Qi â ma e hiejshmja e ksajë Shqypni.

Rueje, pra, Shqypni fatlume,
Ket dhantin e t'Përgjithmonit,
Afer lterit, afer fronit,
Nder dir gzimit e n'mjerim,
Rueje lulen kuq e zi
Qi s'ka shoqen n'ket Shqypni.


Poezia popullore e Goethes
Nga Vincenc Prenushi
Gjindet kush thotë për Goethen se kje nji realist, por në historinë e letratyrës ka mjaft asish qi ket ma të madhin poet të Gjermanisë ta mbajn për idealist. Si t'i lakohet nji sy veprave të tija poetike ka me na u dashtë me thanë, se të dy palët kanë arsye. Gjithsecila poezi asht nji imitacjon i natyrës e në ndryshime të mëndyrës së imitacjonit na gjejmë edhe hullit e artit qysh nga natyralizmi e deri në fantastikë. Natyrën mandej, si e mendon dhe e thotë vetë Goethe, e ndan prej artit nji humnerë e pamasë, të cilën nji gjeni nuk mundet me e shkapercye pa mjete të jashtme. Me të vu dorë artisti në nji send marrë prej natyrës, ai send nuk i perket ma asaj. Por në ketë studim të vogël nuk kem për qellim me rrmue veprën e poetit, por duem të kqyrim vetëm si e kryen veprën e vet. Nder vepra të pavdekshme të këtij poeti aq të mirë na vem n'oroe se sa i gjallë asht nder të paraqituna të sendeve, me të vojtë mendja se puna po ndodhë njatëherë, se po i shef me sy zhvillimet e punve, e gjithçkafen në ma të ploten lidhni në natyrë, me nji të prirun kah e vërteta. Mirë, por na e dim se shi gjithë këto veti janë edhe të poezisë popullore. Me kaq nuk duem me thanë se Goethe ta ketë marrë e nxjerrë artin prej poezis popullore, por tuj kenë se poezija popullore e poezija e Goethe janë të dyja poezi të vërteta, krijojnë të dyja mas ligjve të ndryshme. Në veprën "Kunt und Altertum - Arti dhe lashtësia" (1826) lexohen këto fjalë: "Në vetvedi nuk ka veçse nji poezi të vetme: poezija e thjeshtë, qi nuk asht mall as i popullit, as i bujarëve, as i mbretit, as i katundarit. Kush e din vedin për njeri të vërtetë, mundet me u ushtrue në te, kjo i çilë vedit shteg në mes të nji popullit të thjeshtë, sado qi ndoshta krejt i pagdhenun; por kjo ban edhe për popuj të gjytetnuem deri në shkallen ma të nalten. Herder pat caktue ndryshimin ndermjet poezisë popullore e poezisë mbas artit e tharmi i mësimit të tij, se poezia krijue mbas artit do të kthejë në thjeshtësinë e në natyrët e poezis popullore, ka me qindrue fjalë me vend për të gjitha kohët, as herë që poezija mbas artit t'i jet shmangë udhës së drejtë e të ketë bjerrë karakterin e poezis së vertetë. Poezija popullore e poezija mbas artit nuk janë dy rrymë të ndryshme, pse si thamë, kemi veç nji poezi e poeti qi ka gjall para sysh gjendjen e punëve qi don me paraqitë si dhe zotësin e nevojshme me i paraqitë, ai asht nji poet i vërtetë, në daç të shkruej në mëndyren popullore, a në daç t'ia drejtojë fjalën e vet nji çetës sado të gjytetnueme. Ndryshimin e kemi veç në këta, se poezija popullore i ndjekë ligjët pa u kujtue, merr uha prej natyrës e jo prej ides, trajton mbas ndiesivet e jo mbas kujtimit e len të zotnojë elementi muzikuer. Njaj qi pak a shum, njef çka ka shkrue Goethe, ka me dishmue se ky u majtë n'anen e poezis popullore. Goethe, si lirik, nuk ka hartue kurr mbas nji theorije të caktueme, as mbas rregullave të artit, si mund t'ia parashtronte kuptimi e njoftimi i teknikës. Goethe vetë dishmon se nuk ishin pershtypjet e krijueme parandej, qi i nepshin shkas për poezi e se shkrou çka i vinte aty-për-aty si mbas instiktit e gati si n'anderr. Poezija rrjedhen e kishte prej natyrës e Goethe ishte vetem nji mjet, nëpër të cillin ajo shprehej: Un, thotë Goethe për vedi, në "Poezia dhe e vërteta" - "Dichtung und Ëahrheit", kishem mbrrijt me hetue se talenti poetik në mue do të merrej krejt si natyrë, aq ma tepër mbasi per objekt të dukshëm të poezisë seme më nepej me pasë natyrën. Perdorimi i ksajë dhantie poetike mujtte me marrë shkas apor edhe me kenë caktue prej rasash, por ma me gzim e ma i plotë si pa dashtë e mund të tham kundra vullndesës: "N'për ara e pyllë tu'udhtue, Nji kangë tuj vishkullue, Kshtu bajshem për gjith ditë". Se Goethe ndoqi si pa kujtue ligjët ma të naltat e artit, këtë na e dishmon edhe theoritiku e estetiku i madh Schiler, i cilli tuj i shkrue Henrikut Meyer, i thotë: "Mjesa na të tjerët shkojm tuj mbledhë me mund e vehena me shqyrtue gjithaç për me mujtë me qitë gja në treg, për te mjaf-ton qi të shkundë lehtë nji landë e me nji herë i bin të pjekuna frytet e bukura". E asht punë qi të përmallon kur ven njeriu oroe se me çfarë bindjeje Schilleri shtjen në punë nder vepra të veta mjetet që përdorte Goethe, për me diftue se sa fort dinte të çmote artin e madhnueshëm të mikut të vet. Goethe, kujtue për ket punë, i falet nderës, gëzueshëm pse desht t'i parashtronte andrrat e veta. Brumi i poezis goethiane, krejt si brumi i poezis popullore, nuk asht gja e xjerrun prej ideve, por prej natyrës e prej së vërtetës. Në kohë kur shkruajti "drandofilles së livadheve" e ma vonë edhe ndër vjet tjera, kur gjithçkafen e zotnonte ndjesija kombtare, ai merr e shtin në punë brumin populluer si në "Pranverë e parakohëshme", "Kangë vaji e bariut", "Kanga e dhuratës", "Ngushëllim në lotë" ashtu edhe ndër shum kangë e balada tjera. Por edhe për kah trajta Goethe, në lirikën e vet ndjekë njato veti qi ka poezija popullore aq e fuqishme me prekë në zemrën e gjithkuej. E thjeshtë, krejt e pa ojna, pa pathos e fare natyrisht flet poezija popullore e jo mi ndiesi, por të paraqet vedin. Nuk kallxon vetë, por len dramatikisht të flasin vehtjet e ndryshme të vetat. Nëpër nji shëmbëlltyrë nxjerrë prej natyrës, poezija popullore na ban aq për vedi, sa na nuk dimë me ia nda ma sýnin. Kjo nuk i shprehë ndiesit, por shkon tuj i çekë porsa, na len të marrim me mend ma fort se të ndiejm, tuj i dhanë kështu shkase të forta fantazis e tuj e nxitë të bashkëveprojë me te. E këtij qellimi poezija popullore i a del ma së mirit nëpër nji zhvillim mendimesh krye hove-hove, në nji vijim qi s'ka gjithmonë lidhuni logjike, tuj lanë që ndigjuesi vetë t'i plotësojë mungesat që mundet me vu n'oroe. Kjo hijeshi e strukun e plot mshehtësi e poezisë popullore dhe e poezis goethiane shijohet vetëm kur t'a percjellë bashkveprimi i ndigjuesit. Balada "A e njeh ti atdheun" asht nji ankim gjith mshehtësi, shprehë prej nji vajze, së cillës i çohet peshë në zemër malli për atdhe: nuk diftohet gjâ mi gjendjen e kësaj, por poeti na ven para vetem kto fjalë: "Çka të bane ty o fëmi i shkretë, ç'ka të bane?". Por a nuk të prekë, a nuk të permallon, a nuk të trandë kjo trajtë? Poeti nëpër pershkrimin e Atdheut të dishruem, çon peshë fantazin tonë; ai prekë në dishir e në mall të vetin për Atdhe e prekë edhe zemren e ndigjuesit, qi e kupton dhe e ndjekë, shtron në aq pak rreshta nji grimë histori, nji shekull plot mallni e lumni, rrenimet e tija, ashtu edhe krijimet e amshume, ato të pashlyeshmet e artit të Italisë. Si mund të paraqitet ma me thjeshtësi dashnija qi e pa interesueme, ajo qi s'kerkon gja për vedi, si në shëmbëlltyrën e vjollcës, qi perkulet e bjen e panjoftun: "E diqa pra - do të des i mend N'për te, n'për te, nën kambët e saja". Sa i ndieshem asht mandej në Goethe, në lirikën e tij, elementi muzikuer! Kush mundet me i deklamue poezit e tija për pa shijue njëherazi edhe melodit e tyne? E prandej vetë poeti u thotë miqve të artit të vet: "Pa lexue, gjithmonë tuj këndue/ E ç'do thanie t'jet për ty. E prej kndej mund të kuptohet edhe pse Goethe pat ma për zemer nji Zelter. 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk