“100 vjet muzikë”, superspektakli dhe magjia në Televizionin Klan
Televizioni Kombëtar Klan suprizon si çdo vit me super-produksione që shënjojnë hapjen e çdo sezoni të ri televiziv. Brenda muajit shtator do të nisë transmetimin një super-spektakël dedikuar muzikës shqiptare në plot 100 vjet. Një formulë spektakli, ku do të prezantohen këngët më të famshme shqiptare, muzika e një shekulli, përfshirë kolonat zanore të filmave, krijime serioze të autorëve më të famshëm shqiptarë, një dhuratë unike për publikun me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit.
Nisma
Prej muajsh në Teatrin gjigant të
Televizionit Klan, kanë nisur punimet për studion e këtij spektakli. S’ka
dyshim se ajo të jetë ndër skenografitë më të mira për spektakle të këtij
lloji, edhe për faktin se pas qëndrojnë emra të njohur në Europë të kësaj
fushe. Është i njohur bashkëpunimi i ngushtë dhe i suksesshëm i TV Kombëtar Klan
me skenografin e famshëm Gaetano Kasteli, mjeshtrin italian të angazhuar tashmë
me super-produksionin “100 vjet muzikë”. Produkti do të jetë një studio moderne
e mbështetur me fjalën e fundit të teknologjisë që do të surprizojë me efektet
speciale për shkak dhe një sipërfaqeje të pazakontë led–wall të papërdorur
ndonjëherë në Shqipëri. Gjithçka është kombinuar me një ndriçim perfekt që do të
ndjehet sa në studio por dhe në ekran edhe për shkak të ofertës së jashtëzakonshme
të TV Klan për transmetim të fjalës së fundit në HD audio dhe video.
Spektakli
Ky program i madh vjen në ekran
me skenar dhe prezantim nga Pandi Laço, i njohur tashmë si skenaristi më i mirë
në Shqipëri, por dhe si prezantues mjaft i dashur për publikun. Drejtor artistik
i këtij programi do të jetë kompozitori i njohur dhe me përvojë në këto
spektakle, Adrian Hila. “100 vjet muzikë”, do të vijë në ekran me regjinë e
regjisorit të shumë spektakleve të mëdha, Bledar Laço. Garanci për suksesin e këtij
programi është dhe fakti se këngët do të interpretohen nga artistët me të
suksesshëm shqiptarë në formatin live. Producentët kanë menduar për një gërshetim
brezash, nga më të rinjtë që përbëjnë trendin e muzikës së sotme, deri tek ata
që janë ikona të muzikës shqiptare. Gjithçka starton në fund të muajit shtator,
dhe spektakli do të vijë në ekran për teleshikuesin shqiptar çdo të shtunë në
mbrëmje. Edhe këtë sezon, Televizioni Kombëtar Klan premton si gjithnjë, surpriza
të jashtëzakonshme të denja për ekrane të mëdha.
Comments
Post a Comment