Besnikëria e shqiptarëve si virtyt vjen përmes romanit “Guri i gjarprit” të Jason Goodwin

Stambolli, një qytet që gumëzhin nga moria e gjuhëve, nga thashethemet, intrigat dhe misteret, ka ditë që duket sikur këtë verë të vitit 1839 ka rënë në heshtje. Qyteti më i madh në botë, qyteti që mbajti katër emra: Bizant, ...

Stambolli, një qytet që gumëzhin nga moria e gjuhëve, nga thashethemet, intrigat dhe misteret, ka ditë që duket sikur këtë verë të vitit 1839 ka rënë në heshtje. Qyteti më i madh në botë, qyteti që mbajti katër emra: Bizant, Konstandinopol, Stamboll dhe nofkën Roma e Dytë, në të vërtetë nuk është në heshtje, por është në një përgjim që shfaqet sa në oborrin perandorak, ashtu dhe në komunitetin grek të qytetit.
Në pallatin e tij të ri në Beshiktash po përgjojnë 54-vjeçarin, sulltanin Mahmudi II, që po kalon ditët e tij të fundit në Bosfor. Sulltani që dymbëdhjetë vjet më parë, në 1826-n, kish shfarosur repartin zulmëmadh e famëkeq të jeniçerëve, tashmë me mëlçi të shkatërruar nga alkooli i tepërt i verës së përditshme, po jepte shpirt.
Oborri i stepur ka mbajtur frymën dhe në ankth pret fundin e një dinasti që do t’i lëshojë vendin princit trashëgimtar. Ndonëse princi Abdyl Mexhit tani nuk ka më nevojë të vrasë vëllezërit e tij për vendin e kreut të perandorisë dhe kalifatit, siç kish ngjarë gjatë pesë shekujve rresht, oborri është i tmerruar sepse pret ç’do të ndodhë me ta më pas. Deri edhe vetë Valideja, nëna e sulltanit, nuk është e sigurt për të ardhmen e saj. Bashkë me oborrin perandorak, gjithë Stambolli pret në ankth, sepse vdekja natyrore e një sulltani është një ngjarje që rrallë ndodh. Tre paraardhësit e tij vdekja i ka pranuar t’i vrasë përmes varjes te Pema e Jeniçerëve.
Por janë dhe grekët që përgjojnë. Ruajnë dhe përgjojnë; ruajnë disa relikte shumë të vyera. Ato janë shpirti dhe zemra e besimit të krishterë. Grekët janë të shtrirë me banim në tërë Stambollin. Posaçërisht, në një lagje zotërojnë. Është lagjja “Fanar”. Në këtë lagje, për qindra vjet kishte qenë selia e Patriarkatit Ortodoks, shpirti i Stambollit grek. Në një qytet ku gëlonin raca e besime të shumta, Patriarkana ishte ura që i lidhte me historinë dhe me shekujt para pushtimit osman, kohë kur Konstandinopoli ishte zemra e botës së krishterë. Ishte kjo lagje një fytyrë e Stambollit, qytetit sa i sulltanëve, aq dhe i patriarkëve ortodoksë, kaleidoskopi shumëformësh i Orientit magjepsës, krenaria e pesëmbëdhjetë shekujve. Nga kjo lagje përgjohej një arkeolog francez, i cili kish tronditur me ardhjen në Stamboll dhe synimet e tij të fshehta, komunitetin grek. Vdekjen e parakohshme të sulltanit e paraprijnë katër vrasje tragjike. Pse ndodhin dhe kush i kryen këto? Ju lexues i nderuar do t’i mësoni nga vëllimi i dytë triller i Jason Goodwin, “Guri i Gjarprit”, përshtatur prej origjinalit në shqip nga përkthyesi Fari Laçka.
Rrëfimi dhe trilli në roman në ngjashmëri me të vërtetën historike
Romani është triller, vazhdim i “Pema e Jeniçerëve”, në epiqendër të të cilit është përsëri Jashimi, por shtjella e romanit ka një kuadër historik, rrjedhë e aftësisë së autorit Jason Goodwin, një historian, para se të shndërrohej në një shkrimtar. Ngjarjet tërheqëse që shoqërojnë zhvillimin e romanit kryhen brenda shpjegimeve historike të bollshme që autori i vë në shërbim të përmbajtjes. Kështu njihemi, si me gjendjen brenda Portës së Lartë, ashtu dhe me mjedisin shoqëror e politik të kohës së Mahmudit II; me reformat e nisura, të orientuara nga kultura perëndimore, gjë që u vërejt edhe tek adoptimi prej Mahmudit II të kostumit europian; me Stambollin ekonomik të pragut të dekreteve të Tanzimatit. Turqia është më e hapur me botën; ka pesë vjet që funksionojnë postat. Perandoria Otomane, ndonëse ende e fuqishme, po shfaq aneminë e saj, po fillon të sëmuret; Greqia i ka ikur nga kthetrat e robërisë dhe Europa ka mbushur Stambollin me anije, marinarë e tregtarë, madje dhe me koleksionistë në kërkim të monedhave të çmuara të dinastëve të Moresë. Ajo përgatitet për t’i marrë Stambollit koncesionet ekonomike, arin dhe reliket që ndodhen në Romën e Dytë, siç paraardhësit kryqtarë europianë ia kishin marrë më 1204-n, kur e pushtuan atë. Europa përgjonte grahmat e fundit të sulltanit.
Hetira, Greqia e pavarur dhe Megaliidea
Janë në të 330 faqet e librit, të pranishëm. Organizata politike greke, Hetira, tashmë ka vënë maskën e një shoqate kulturore; Greqia beson se ende Stambolli mund të rimarrë emrin Konstandinopol dhe të jetë zemra e Greqisë së re; Megaliidea si platformë i shërben këtij qëllimi. Pas betejave me turqit; pas betejave me ushtrinë shqiptare të Ismailit, të birit të Mehmet Ali Pashës të Egjiptit; pas luftës civile, grekët ende vorbullojnë në kaos.
“Njëmbëdhjetë vjet më parë – shkruan Jason Goodwin, – në 1828, një flotë anglo-franceze kishte shpartalluar osmanët në Navarino dhe kishte diktuar kushtet e pavarësisë së Greqisë për t’i dhënë fund një lufte civile që zvarritej prej vitesh”. Sipas personazheve të Goodwin, grekët nuk do të ishin kurrë të aftë të fitonin pavarësinë po qe se fuqitë e mëdha nuk do ta kërkonin atë. “Ata – thotë doktor Milingeni – nuk ishin kurrë të bashkuar. Njëqind veta, njëqind mendje!”. Athina, zemra e Greqisë, po shndërrohet nga fshat në një kryeqytet, ndërsa Stambolli vazhdon të mbetet truri grek. Në lagjen “Fanar”, Hetira dhe fanariotët, fisnikët Ispilantë dhe pasanikët Mavrogordiato e Kostandinidhis, ndërsa përgjojnë lëvizjet e arkeologut francez, Lëfevri, mbajnë nën vëzhgim një koleksionist anglez monedhash, një librashitës bukinist armen, një fajdexhi çifut dhe një shqiptar, i cili kujdeset për një rrjet ujësjellësi. “Fanari”, lagjja që i jep perandorisë vezirë, përkthyes, bankierë e priftërinj, ka vend edhe për turqit. Atje e ka shtëpinë Jashimi, të cilin grekët nuk do të stepen t’ia rrezikojnë jetën.
“Ata (grekët) – shkruan Goodwin – komplotojnë për asgjë, dhe kur them ‘luftonin’, dua të them se nuk ishin të bashkuar. Shumicën e kohës ata kacafyteshin me njëri-tjetrin. Mëkat i madh. Bajroni donte që ata të ishin si grekët klasikë, plot me virtyte të Platonit; por nuk janë ashtu. Asnjë prej tyre. Janë njerëz të mirë, por si fëmijët. Një grek mund të qeshë, të qajë, të harrojë dhe të vrasë mikun e tij më të mirë dhe të gjitha këto i bën për një ditë”.
Stambolli me reliket konstandinopoliane
Stambolli i 1839-s nuk gumëzhin vetëm nga intrigat e vrasjet, por dhe nga misteret e pasurive 1500-vjeçare që janë grumbulluar aty. I duhen bërë të njohura lexuesit të artikullit sepse pikërisht me to lidhet titulli i romanit. Ato, reliket, janë të pranishme nga fillimi deri në fund. Duhet përmendur se në triller merr vlerë dhe formë një objekt i cili e pagëzon romanin.
“Guri i Gjarprit”, prej të cilit romani merr emrin, është një shtyllë rreth të cilit përdridhen artistikisht tre gjarpërinj prej bronzi, mbi kokët e të cilëve qëndronte një kupë më se e madhe, pothuaj si kazan. Nuk është i trilluar! I vendosur edhe sot e kësaj dite ndërmjet obeliskut të famshëm dhe Kolonës po aq të famshme të Trajanit. Ajo ndodhet në Atmejdan, në Oborrin e Katërt të Sarajeve dhe është vepër e artistëve të lashtësisë, një skulpturë që përkujton dhe i kushtohet fitores greke mbi persët në shekullin V para erës së re. Perandori Kostandin, kur në vitin 375 e bëri Bizantin kryeqytet të Perandorisë Romake, i vuri emrin e tij dhe u kujdes ta veshë atë me petkat më të shkëlqyera. Edhe ata që e pasuan bënë të njëjtën gjë. Perandori kolonën e solli nga Athina, për ta vendosur në hipodromin e qytetit. Për fat të keq kolona ka humbur tre kokat e gjarpërinjve së bashku me kupën. Në roman duket sikur humbja e relikeve dhe orvatja për gjetjen e tyre përbën thelbin e trillerit, por jo!
Kolona e tre gjarpërinjve hijeshon në hipodromin e ish- Konstandinopolit krahas një objekti edhe më të zëshëm, që herë pas here shfaqet në roman: një obelisk, pothuaj 4000-vjeçar, i marrë nga Egjipti, njëlloj si ai i Romës, por që i përket periudhës së sundimit të faraonit Tutmosis III. Obelisku i granitit 60 metrosh, me ngjyrë rozë, u vendos në Konstandinopol nga Perandori Teodosi I në vitin 390. Një të tillë të tretë që i përkiste kohës së faraonit Ramsesi II, Mehmet Aliu shqiptar ia kish dhuruar Napoleonit për ta vendosur në Paris në sheshin “Conkorde”, atje ku ndodhet sot dhe gjithë ditën dhe që pak e dinë se është dhuratë e një shqiptari. Bashkë me “Gurin e Gjarprit” dhe obeliskun, për 700 vjet në hipodrom kishin qëndruar krah për krah edhe katër kuajt e Delfit, vepër e skulptorit Lisipos, deri kur venedikasit i grabitën më 1204-n e që sot hijeshojnë lartësinë e Pallatit të Doxhëve.
Kryeqytetit të Perandorisë Otomane nuk mund t’i mungojë në roman guri i diamantit të Qytetit të Shenjtë të Krishterimit Ortodoks, kisha madhështore, Katedralja e Shën Sofisë, ndërtuar nga Justiniani 200 vjet pas Kostandinit të Madh. Në kapitullin e fundit të romanit, brendia dhe nënbrendia e saj janë në qendër të vëmendjes. Autori ka kujdesin të përshkruajë “…portat e saj monumentale prej bronzi, derdhur 2 mijë vjet më parë në rërat e Tarsusit; kolonat e bardha të gdhendura në mermer që shkëlqejnë në dritën e diellit; dritaret e timpanit, të zeza, të vogla dhe të brishta; zbukurimet prej hekuri dhe harkun madhështor sipër tyre, elegant si krah zogu, por mjaft i fortë për të mbajtur peshën e kubesë së madhe… Minaret e hijshme që ngriheshin mbi qemerët e kubesë, okra e kuqe e timpanit të madh, me dritare për të lejuar dritën brenda dhe mbulesat prej plumbi të kubesë. Në majë të saj, ishte një gjysmë hëne e argjend në një shufër të hollë, aty ku për njëmijë vjet kishte qëndruar kryqi, deri në ditët e fundit të majit të vitit 1453”.
Panteoni në Romë, një nderim për fuqinë e Romës dhe besimin e romakëve te betoni; rrënojat e Partenonit në Athinë; ndërtimi gjigant dhe enigmatik i piramidave, mund të habisin këdo, por – siç përshkruhet në roman – Shën Sofia ishte rast më vete: simboli i fundit dhe më madhështori i botës së lashtë. “…Dhe që atëherë bota ishte përpjekur të matej me të”, shkuan Goodwin. Këto krijesa mrekulli të njeriut, befas humbin shkëlqimin dhe zbehen kur përmes romanit mëson se në katedralen e Shën Sofisë ndodhen kupa dhe pjata e Darkës së Fundit; gozhdët që mbërthyen Krishtin në kryq. Janë grekët ortodoksë ata që kanë misionin e kujdestarisë dhe shqiptarët ata, që pas pushtimit turk, iu është dhënë besimi i mbrojtjes së tyre me çdo kusht e sakrificë.
Jashimi detektiv, kuzhinier dhe eunuk tërheqës për gratë
Jashimi është larguar nga oborri perandorak. Ka kohë e nge, në mungesë të kënaqësive seksuale që dhuna e rendit shoqëror ia mohoi, t’u kushtohet kënaqësive që të jep ushqimi përmes gatimit. Përsosja e këtij arti e shtyn te një librashitës bukinist, ku pa ndërmjet vjetërsirave dhe bleu dy libra. Një Inkunabula në gjuhën latinisht që Jashimi nuk e njihte, “De Aedificio et Antiquitae Constantinopoli”, të botuar në Romë në vitin 1560 dhe vëllimin e parë të librit Arti i Kuzhinës Franceze në shekullin XIX, shkruar nga Marie Antonie Karem, një shef ky i famshëm kuzhine. Nga ky fill, për Jashimin fillojnë telashet. Ndihet i kërcënuar! Jashimi, nga momenti kur mbetet i dyshuari kryesor në “vdekjen” e një arkeologu francez, ndërmerr plot guxim lëvizjet për të zbuluar vrasësit e vërtetë. Në këto veprime tek ai spikat talenti për të ndërthurur forcën mendore me atë fizike.
Kush ka lexuar “Varreza e Pragës” të Umberto Eco-s, zbulon tek arti i Jason Goodwin, të njëjtën linjë e pasion mbi artin e të gatuarit, por nuk kanë ngjashmëri. Ndërsa recetat e gatimit të Eco-s u përkasin shijeve mesdhetare, ato të Goodwin te “Guri i Gjarprit” janë pjesë e përditshme e botës të Lindjes së Mesme. Erëzat e bollshme, perimet e veçanta, erërat e mishit dhe peshkut të gatuar, enden në shumë faqe të romanit dhe bëhen pjesë e atmosferës që rrethon lexuesin. Nuk mungon në faqet e saj dhe përkujdesja për shijet e shqiptarëve ndaj mishit të pjekur të qengjit.
Jashimi, kjo figurë qendrore dhe e fuqishme e romanit, lëviz si detektiv mjeshtërisht, për të zbuluar vrasjet e sofistikuara. Jashimi jeton e vepron në vetminë e oshënarit dhe eunukut, larg botës femërore, larg miqve. I vetmi besnik, mik i tij, vazhdon të mbetet polaku Stanislav Palevski, ambasadori pranë Portës së Lartë i një shteti që e ka gllabëruar Rusia. Emocional është ndërrimi i gjendjeve fiziko-psikologjike, çka e ndez atmosferën në nëntokën e Stambollit, vendi ku autori vendos fatet, ku brenda saj ndodhet rrjeti i lashtë i ujësjellësit të Konstandinopolit dhe i rojeve besnike shqiptare. Errësira dhe ndriçimi i zbehtë i një feneri, që shton edhe më tepër atmosferën groteske, shndërrohen në vendin ku vepron së fundmi Jashimi. Hijet e ëndërr-dëshirave lëvizin lirisht, deri në çastin kur autori, kësaj humbëtire kanalesh nëntokësore, i shton një kërkimtare thesaresh, një grua të bukur, francezen Ameli.
Një nga tre të mirat që i vijnë njeriut, sipas Aristotelit, ato të trupit, Jashimit i mungojnë. Autori ia ka hequr me synim që t’i japë mundësi “ligjore” protagonistit të futet në harem, të takojë sulltan Validenë, ndaj Jashimi mjaftohet me të mirat e shpirtit. Nuk do të mungojë në këtë roman edhe femra që bie në dashuri me Jashimin. Edhe këtë franceze të bukur, ndonëse ka marrë prej saj një puthje plot pasion dhe epsh, Jashimi nuk mund të bëjë gjë tjetër përpos se ta zhgënjejë. Gra të tjera të zhgënjyera do të hasë lexuesi përmes faqeve. S’ka faj! Mungesa e epshit është pengesë në rregullimin e sjelljeve dashurore. Ai nuk jep të tilla. Gratë vetëm se i respekton.
Shqiptarët si intrigë qendrore e ndërtimit të romanit
Metropolit gjigant, kryeqytet dhe kryeport, Stambollit, nuk mund t’i mungonin në roman shqiptarët. I lashë për në fund të këtij shkrimi enkas, sepse atyre u duhet kushtuar vëmendje e qëllimtë, për rolin që u jepet në romanin triller, për vlerën që u vishet, çka mund ta bëjë këdo të ndihet mirë me këtë identitet. Ndërsa te “Pema e Jeniçerëve”, autori i vë shqiptarët në qendër të komplotit të të pakënaqurve nga humbja e pushtetit ushtarak, te “Guri i Gjarprit” vijnë e qëndrojnë deri në fund të romanit si njerëz besnikë, të zgjedhur mes dhjetëra kombeve të tjera të perandorisë, mes të gjitha racave të Mesdheut si më të besuarit, për të ruajtur reliket më të vyera të 1500 vjetëve të fundit. Nëse gjatë paraqitjes së librit “Pema e Jeniçerëve”, ndonjë u shfaq skeptik ndaj vlerës që mbartte emri jeniçer dhe lidhjet e shqiptarëve me këtë emër, te “Guri i Gjarprit” jam i bindur se do t’i shohë ata me besim.

Shqiptarët shfaqen me emra, veprime dhe vlerësime në dhjetëra raste gjatë romanit të Goodwin. Enveri, Leka, Suela, Shpëtimi dhe Xani janë personazhe shqiptare që përmenden dhe veprojnë, ndërsa një tjetër shqiptar thirret me funksionin e tij, inspektor. Ata në Stamboll janë të pranishëm kudo “…një grup shqiptarësh – shkruan mes rreshtave autori – që ecnin serbes dhe të krekosur, me pisqollat në brez…”; ata dalin si suljotë besnikë në roje të lord Bajronit në Misolong, por mbi gjithçka, dalin si të përbetuarit e ruajtjes së objekteve të çmuara të historisë së krishterimit. Këtë e kryejnë duke pasur në zotërim gjithë rrjetin e ujësjellësit të Stambollit, nga akueduktët sipërfaqësorë deri në kapilaret e stërmëdha nëntokësorë. Se çfarë janë reliket që ruajnë dhe kush ua ka besuar ato, do t’i shtoni si dije duke e lexuar këtë roman të mrekullueshëm. Lexim të këndshëm! 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk