Lamtumirë Fran Babaj, artisti dhe sindikalisti i përkushtuar..!
Nga Dylejman Karaj*
Dje u nda nga jeta parakohe, në moshën 50-vjeçare si
rrjedhojë e një ataku kardiak të papritur, miku dhe shoku ynë, babai i dashur
dhe i dhembshur, bashkëshorti dhe familjari i mirë Fran Babaj, Presidenti i
Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Gazetarëve dhe Sportistëve të Shqipërisë.
Pikëllimi dhe dhimbja e thellë i pushtoi të gjithë, teksa ishin mbledhur për
t'i dhënë lamtumirën e fundit, bashkëpunëtorit tonë të ngushtë dhe të
përkushtuar, artistit dhe sindikalistit idealist.
Humbja është e rëndë për cilindo. Por, natyrisht më shumë se
të gjithë e ndien familja e tij, bashkëshortja, dy vajzat e dashura dhe djali
ende i vogël dhe i njomë. Dhimbje dhe trishtim ndiejnë të afërmit dhe miqtë e
tij të shumtë nga e gjithë Shqipëria, që kishin ardhur për t'i dhënë lamtumirën
dhe për t'i bërë nderet dhe respektet e fundit. Dhimbje ndiejnë edhe
demokratët, sepse Fran Babaj ishte deri në ditën e fundit, aktivisti dhe
anëtari më i përkushtuar i Partisë Demokratike, nismëtari dhe ndër themeluesit
e saj në zonën e Kamzës.
Pikërisht për këto kontribute të pamohueshme, zoti Fran
Babaj mori mandatin e parë në zgjedhjet lokale të verës së vitit 1992, duke u
zgjedhur në mënyrë demokratike si Kryetari i parë i Komunës së Zall-Herrit të
rrethit të Tiranës, si kandidaturë e Partisë Demokratike.
Ndërsa që prej vitit 2000 dhe deri në ditën e fundit të
jetës së tij, Fran Babaj ishte Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artistëve,
Gazetarëve dhe Sportistëve të Shqipërisë, sindikatë e cila vepron në kuadër të
BSPSH-së. Fran Babaj ishte njeriu idealist dhe kërkonte më të mirën e mundshme
nga puna, shoqëria dhe vetja e tij. Shoqëria humbi parakohe, artistin e
palodhur dhe çdo ditë të frymëzuar, sindikalistin e përkushtuar dhe plot
energji. Kemi humbur një zë të fuqishëm në mbrojtjen e kauzës sindikale të
artit dhe gazetarisë. Miku ynë i mirë Fran Babaj ishte i çiltër, i
drejtpërdrejtë dhe i hapur me të gjithë, por dhe i dashur dhe i ndjeshëm me
këdo. Ai kishte shpirtin e ndihmës dhe të humanizmit. Fran Babaj ishte i mirë
më të gjithë. Fran Babaj dhe hijeshia e tij e përditshme do të na mungojë të
gjithëve sot e përgjithmonë.
Prandaj dhe u mblodhën së toku të gjithë miqtë e të afërmit
për të ndarë me familjen e tij të dashur, dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta
parakohe dhe krejt pa pritur…..por dhe me mirënjohjen për punët e mira dhe
gjurmët pozitive që la në këtë jetë Fran Babaj.
Lamtumirë miku ynë i dashur Fran..!
U prefsh në paqe dhe qetësi..!
*Sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Pavarur të
Artistëve, Gazetarëve dhe Sportistëve të Shqipërisë.
Comments
Post a Comment