Tatëpjeta e artit dhe Shekspiri i pagdhëndur
Shkëputur nga ‘Decay of lying’
Vivian (duke lexuar): “Arti fillon me një zbukurim abstrakt, me një punë të qashtër imagjinative, që bëhet e kënaqshme duke u marrë me atë që është e pavërtetë dhe jo-ekzistente. Ky është edhe hapi i parë. Më pas, Jeta tërhiqet kaq shumë me këtë çudi të re, saqë kërkon vetvetiu të pranohet në këtë qark, që rrezaton aq shumë sharm. Arti e merr jetën si pjesë të materias të tij të ashpër, e rikrijon dhe e rimodelon atë në forma të reja, është krejt indiferent ndaj fakteve, shpikjeve, imagjinatave, ëndrrave, dhe mban ndërmjet vetes dhe realitetit barrierën e padepërtueshme të stilit të bukur, apo të trajtimit zbukurues dhe të përsosur. Hapi tjetër është kur Jeta merr anën e epërme dhe e drejton Artin drejt humbëtirës. Ky është rrënimi i vërtetë, dhe prej kësaj ne po vuajmë sot.“Marrim rastin e dramës angleze. Në fillim në duart e priftërinjve, arti dramatik ishte abstrakt, dekorativ dhe mitologjik. Më pas, ai vendosi Jetën në shërbim të tij dhe duke përdorur disa forma të jashtme të jetës, krijoi një racë krejtësisht të re njerëzore, pikëllimi i së cilës ishte shumë më i dhimbshëm sesa vetë pikëllimi që kish ndjerë ndonjëherë njeriu. Ndërsa, gëzimi, ishte shumë më i thellë edhe sesa gëzimi i të dashuruarve, që kishin brenda zemërimin e Titanëve dhe qetësinë e Zotave, që mbartnin mëkate monstruoze, por edhe të mrekullueshme, virtyte sa monstruoze aq edhe të mrekullueshme. Arti dramatik iu dha atyre një gjuhë të ndryshme nga ajo e përdorimit të zakonshëm, një të tillë gjuhë plot muzikë rezonante dhe ritme të ëmbla, të krijuara posaçërisht për një kadencë sublime, apo të përkëdhelura me aq delikatesë, nga një ritëm ëndërrues dhe zbukuruar me fjalë të mrekullueshme dhe pasuruar me deklamime plot krenari. Ajo mban fëmijët e saj veshur me petka të çuditshme dhe iu jep atyre maska dhe, sipas kërkesave të saj, bota antike na ngrihet prej varrit të mermertë. Një Çezar i ri endet përmes rrugëve të Romës së ringritur dhe zbukuruar me pendët e purpurta dhe duke luajtur me flaut drejton një Kleopatër tjetër, e cila kalon e qetë lumin e Antinout. Miti i vjetër, legjenda dhe ëndrra morën kështu formën dhe përmbajtjen. Historia është rishkruar tërësisht dhe zor të gjendet një dramaturg, që nuk do të kuptonte se qëllimi i Artit nuk është thjesht e vërteta, por vetë bukuria në kompleksitetin e saj. Në këtë gjë, ata edhe kishin plotësisht të drejtë. Arti, në vetvete, është pa asnjë dyshim një formë e ekzagjerimit dhe përzgjedhja, që është shpirti i vërtetë i artit, nuk është asgjë më shumë se sa një mënyrë e intensifikuar e mbi-theksimit. ”Por Jeta shpejt e prish këtë perfeksion të formës. Madje, edhe tek Shekspiri, ne mund të shohim fillimin e fundit të këtij fenomeni. Kjo tregohet me anë të thyerjes graduale, që ai i ka bërë vargut të bardhë në dramat e fundit dhe me përparësinë që i është dhënë prozës, apo mbi-rëndësinë që i ka dhënë karakterizimit. Pasazhet tek Shekspiri - dhe ato janë shumë - ku gjuha është e pagdhëndur, vulgare, e ekzagjeruar, e çartur, madje edhe e pahijshmne, të gjitha për hir të Jetës, thërrasin për një jehonë të Zërit të saj dhe mospranim të futjes së stilit të bukur, pa të cilin jeta do ta kish të vështirë të gjente të shprehurin. Shekspiri nuk është domosdoshmërisht një artist i përsosur. Ai është shumë i mirë për të depërtuar direkt në jetë, dhe për të marrë që andej shprehje natyrale të jetës. Ai harron që në momentin kur Arti kufizon mjedisin e tij imagjinues, ai kufizon çdo gjë. Gëte ka thënë diku: “In der Beschrankung zeigt sich erst der Meister (Mjeshtëria njihet kur ka kufizime)
“Kur punon brenda limiteve mjeshtri e zbulon veten” dhe limiti, kusht kryesor për çdo lloj arti, është stili. Megjithatë, nuk kemi nevojë të merremi më gjatë me realizmin e Shekspirit. “Shtrëngata” është perfeksioni më i madh i palinodave. Ajo çka dëshironim të vinim në dukje ishte se puna e mrekullueshme e artistëve të kohës së Elisabetës dhe atyre jakobinë, përmbante brenda vetes farat e shpërbërjes së saj, dhe që nëse përshkroi fuqinë e tij duke përdorur jetën si materie të ashpër, ai përshkroi edhe gjithë dobësinë e tij duke përdorur jetën si një metodë artistike.
Dhe, si rezultat i paevitueshëm i këtij zëvendësimi apo imitacioni, në kërkim të një mjedisi më kreativ, ky kufizim i kësaj forme imagjitative na ka dhënë sot melodramat moderne angleze.
Karakteret në këto drama flasin në skenë, ekzaktësisht ashtu si ato mund flasin në jetë; ato nuk kanë as inspirim dhe as aspirata; ato janë marrë direkt nga jeta e vërtetë dhe kanë riprodhuar vulgaritetin deri në detajet më të imta. Ato kanë paraqitur ecjen, mënyrën, kostumin dhe aksentin e njerëzve të vërtetë; ato duhet të kalojnë kështu të pavërejtura në kompartimentin e klasit të tretë në një tren. Dhe ah, sa të mërzitshme që mbeten këto drama! Ato nuk zëvendësojnë asgjë kur prodhohen, madje edhe atë përshtypje të realitetit, të cilin ato vetë e kanë si qëllim dhe që përbën të vetmen arsye për të ekzistuar. Ndërsa si një metodë realizmi, duhet thënë se kjo është komplet një dështim.
“Ajo që është e vërtetë për dramën dhe romanin nuk është më pak e vërtetë rreth këtyre arteve, të cilat ne i quajmë arte dekorative. Gjithë historia e këtyre arteve në Evropë është një regjistër i luftës në mes Orientalizmit me Refuzimin e sinqertë të imitimit, dashurinë e tij për marrëveshjen artistike dhe pakënaqësinë për përfaqësimin aktual të ndonjë objekti të Natyrës dhe shpirtit tonë të vërtetë imitativ. Kudo që paardhësit kanë qenë dominantë, ashtu si në Bizant, Siçili apo në Spanjë, me anë të kontaktit real, apo në pjesën e mbetur të Evropës, falë ndikimit të Kryqëzatave, ne patëm një punë imagjitative dhe të mrekullueshme në të cilën gjërat e dukshme të jetës janë shndërruar në marrëveshje artistike dhe në gjëra për të cilat Jeta nuk ka qenë e shpikur dhe modeluar për kënaqësinë e saj. Por, edhe pse jemi kthyer te Jeta dhe Natyra, puna jonë është bërë gjithmonë e më shumë vulgare, e zakonshme dhe aspak interesante. E kështu ndodh që tapiceritë moderne, me efektet e tyre në ajër, me perspektivën e shtjelluar me aq finesë dhe shpërhapjen e gjerë që i bëjnë qiellit të paanë, besimin, që na japin dhe realizmin punues… nuk mund të kenë kurrë atë bukuri, që e imagjinojmë të gjithë. Xhamat piktorikë të Gjermanisë, na duken si absolutisht të neveritshëm. Në Angli, ne kemi filluar të shtrojmë qilima, por vetëm për arsyen e thjeshtë se jemi rikthyer në metodën dhe shpirtin e Lindjes. Rrugicat dhe qilimat tanë të njëzet viteve të shkuara, me të vërtetat e tyre tunduese dhe solemne, nderimi i tyre i kotë për natyrën, riprodhimet e tyre të ndohta të objekteve që janë aq të dukshme, janë bërë madje edhe deri tek Filistinët, një burim i pamëshirshëm talljeje.
Një mysliman i kulturuar njëherë e një kohë, na ka bërë një vërejtje: “Ju kristianët jeni kaq të zënë në keqinterpretimin e Urdhëresës së Katërt, sa që nuk e keni menduar se mund të kishit kohë të bënit një aplikim artistik për të dytin.” Ai kishte shumë të drejtë sepse e gjithë e vërteta e problemit është kjo: “Shkolla e mirë për të mësuar art nuk është JETA, por ARTI”.
Dhe tani po ju lexoj një pasazh, që më duket se i zgjidh këto çështje plotësisht. “Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ne skemi më nevojë të themi asgjë rreth poetëve, qoftë edhe për pohimin e pafat të Z. Wordsworth, ata kanë qenë në të vërtetë plot besim për misionin e tyre të lartë dhe janë të njohur në mënyrë universale për të qënurit absolutisht të pabesueshëm.
Por, në punët e Herodotit, i cili po të shikohej nga përpjekjet aspak të sinqerta dhe të cekëta të pseudo-modernëve për të verifikuar historinë e tij, nuk ishte çudi që mund të quhej prej tyre edhe si “Babai i gënjeshtrave”; në fjalimet e botuara të Ciceronit dhe në biografitë e Suetoniusit në gjërat më të mira të Tacitit; në “Historinë Natyrore” të Plinit; në “Periplus” të Hanos; në të gjitha kronikat e hershme; në Jetën e vërtetë të Shenjtëve; në Froissart dhe tek Sër Thomas Malory; në udhëtimet e Marko Polos; në Olaus Magnus dhe Aldrovandus dhe Konrad Lycosthenes me librin e tij të mrekullueshëm “Predigiorum et Ostentorum Chronicon”; në autobiografinë e Benvenuto Çelinit; në kujtimet e Kasanovës; në “Historinë e Murtajës” së Defos; në “Jetën e Honson” të Boswell-it; në syrgjynet e Napoleonit dhe në punët e të dashurit tonë Carlyle Revolucioni francez i të cilit, është një nga romanet historike më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë, fakte që ose janë mbajtur në pozitat e tyre të ndërvarura, ose janë dëbuar në hapësirën e gjerë të monotonisë. Tani çdo gjë ka ndryshuar. Faktet e vërteta nuk gjenden vetëm në pikëmbështetjen e historisë, por ato kanë uzurpuar dhe sferën e Trillit dhe kanë invaduar deri edhe mbretërinë e Romantizmit. Prekja e tyre e frikshme është kudo. Ata kanë vulgarizuar njerëzimin. Komercializmi i ashpër i Amerikës, shpirti materialist dhe indiferenca e saj për anën poetike të gjërave dhe mungesa e imagjinatës dhe idealeve të larta të paarritshme, janë plotësisht për shkak se vendi ka adoptuar si imazh për heroin e tyre kombëtar, një njeri, që sipas dëshmisë së tij, e kishte të pamundur të tregonte një gënjeshtër, dhe, nuk është shumë për të thënë. Kështu, mund të thuhet se historia e Xhorxh Uashingtonit dhe pema e tij e qershisë ka bërë dëmin më të madh në hapësirën më të shkurtër kohore, sesa çdo tregim tjetër moral në gjithë historinë e letërsisë.
Cyril: Djali im i dashur!
Vivian: Unë të siguroj se ky është pikërisht rasti, dhe pjesa më zbavitëse është ajo që historia e pemës së qershisë është krejtësisht një mit. Sidoqoftë, ju nuk duhet të mendoni se unë jam aq i dëshpëruar rreth të ardhmes artistike, qoftë në Amerikë, apo në vendin tonë. Dëgjoni këtë:
“ Ne nuk kemi asnjë lloj dyshimi se disa ndryshime do të ndodhin më parë së të mbyllet ky shekull. Të lodhur nga monotonia, për të përmirësuar bashkëbisedimin e atyre që nuk kanë as humorin e duhur për të ekzagjeruar dhe as inteligjencën për të qënë romantikë të lodhur nga njeriu inteligjent, përfytyrimet e shkuara të të cilit janë gjithmonë të bazuara mbi kujtesën, qëndrimet e të cilit janë gjithmonë të varura nga mundësitë, dhe që në çdo kohë është i besueshëm për tu mbështetur nga Filistinët e gjorë që ndodh të jenë të pranishëm, Shoqëria herët apo vonë duhet ti kthehet udhëheqësit të saj të humbur, mashtruesit të kulturuar dhe tërheqës.
...
Kush ishte ai që i pari, pa kaluar njëherë jashtë caqeve të egra, do ti thoshte edhe njeriut të habitur të shpellave ne Perëndimin e Diellit se sa keq kishte tërhequr Megatheriumin nga errësira e purpurtë e shpellës së tij, apo si kishte gjakosur Mamuthin me një të shtënë të vetme të hobes dhe sesi solli me vete dhëmbin e tij të praruar. Për këtë, ne nuk mund të tregojmë sot dhe këtë madje nuk e bën as edhe ndonjë nga antropologët tanë modernë, nuk do kish kurajo të na tregonte, me gjithë shkencën aq shumë të vlerësuar. Cilido që të ketë qënë emri apo raca e tij, ai pa dyshim ka qenë, themeluesi i vërtetë i marrëdhënieve shoqërore. Për qëllimin e mashtruesit është e thjeshtë, kryesorë është sesi duhet të krijohet sharmi, kënaqësia dhe të dhënit kënaqësi. Ai është baza e vërtetë e shoqërisë së qytetëruar, dhe pa të një festë-mbrëmje qoftë edhe në vilat më të mëdha do të ishte e mërzitshme si një leksion në Shoqërinë Mbretërore, apo një debat tek Autorët e Inkorporuar, apo si në ndonjë nga komeditë absurde të Z. Burnand.
...
“As ai nuk do të jetë i mirëpritur nga shoqëria. Arti, si një thyerje nga shtëpitë-burg të Realizmit, do të rendë ta nderojë dhe do të puthë buzët e tij të bukura false, duke njohur faktin se vetëm ai është në posedim të një sekreti të madh të gjithë manifestimeve të saj. Ai është sekreti që e Vërteta është e gjitha dhe absolutisht një çështje e stilit; ndërsa Jeta-e varfër dhe e mundshme është jeta njerëzore pa interes - e lodhur prej të përsëriturit të vetes për nevojat e Z.Herbert Spencer, kurse historianët shkencorë dhe hartuesit e statistikave në përgjithësi, duhet që ta ndjekin bindshëm dhe do të përpiqen të riprodhojnë me një mënyrë të thjeshtë dhe amatoreske disa nga mrekullitë, për të cilat ai flet.
Comments
Post a Comment