Dimitris Dimitriadis: Psikanaliza letrare e një vendi që vdes dhe konteksti shqiptar
Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”.
“Vdes si një Vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit të saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore. Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne ku me një vërtetësi rrëqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Greqia e Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, e fanatizmit ideologjik dhe fetar, e mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, ajo e shterpësisë krijuese dhe shpirtërore. Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve të Majit ‘68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë, gjallonin ende si fantazma të pakallura.‘Mesjeta Shqiptare’ e Dimitriadis
“Vdes si një Vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor europian. Krahas veprës së tij teatrale, Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe konsiderohet si përkthyesi më i mirë i autorëve të tillë si: Maurice Blanchot, Georges Bataille, Jean Genet, Jean Paul Sartre, Marguerite Duras, William Shakespeare, Samuel Beckett, William Tennessee, Witold Gombrowicz, etj. Fama e Dimitriadis në skenën e teatrit evropian i detyrohet kryesisht zbulimit të tij prej Patrice Chéreau, një nga regjisorët më të talentuar evropianë të 40-të viteve të fundit. Pak kohë pas ngjarjeve të Majit të ’68-ës, vepra e parë e Dimitriadis “Çmimi i revoltës në tregun e zi” (Le prix de la révolte au marché noir), u ngjit në skenën e Theatre de la Commune d’Aubervilliers në Paris në regjinë e Chéreau dhe admirimin e spektatorëve të tillë, si Jean Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir. Por, suksesi më i madh i Dimitriadis erdhi me ngjitjen e veprës së tij të përkthyer në shumë gjuhë “Vdes si një Vend” në skenën famshme të Teatrit “Odeon” të Parisit në vitin 2010, si dhe nderimin e tij si “Autori Bashkëkohor i Vitit” në Paris.
Mungesa e kohës dhe e vendit i jep tekstit një frymëmarrje universale dhe diakronike, çka e bën këtë vepër të jetë aktuale qoftë edhe 36 vite pas shkrimit të saj. Siç thotë dhe autori në intervistën e tij dhënë për gazetën franceze “Le Monde” pas suksesit të veprës së tij në vitin 2010 në Francë: “Në Greqi jetojmë këtu e shumë kohë nën dritën e një ylli të vdekur. Ajo që unë ndjeva 35 vite më parë, sot tingëllon më se aktuale. Libri im është parabola e një vendi që vdes, mbasi refuzon të pranojë tranzicionin e tij, është armiqësor përsa i përket identiteteve të tjera – një vend i cili është rehatuar për 1000 vite, i cili nuk pranon të njohë atë çka e cilëson si “armik” dhe që është i paaftë të kuptojë se perspektiva e shpëtimit të tij vjen prej pranimit të “tjetrit”. Greqia karakterizohet nga një ngurtësi statike dhe nga një mentalitet i pandryshueshëm: ne ngërthehemi pas zakoneve të vjetra psikologjike dhe shoqërore, ushqehemi nga një traditë e vdekur, të cilën as që përpiqemi ta ndryshojmë. Kriza nuk mund të kapërcehet pa thellimin e vetëdijes sonë historike, e cila nënkupton vetëdijesimin se “e vjetra” ka vdekur dhe diçka e re duhet të lindë. Sikurse poeti T.S. Eliott thotë: “In my end is my beggining” – por duhet ta thuash atëherë kur fillon mbarimi”.
Sjellja e veprës “Vdes si një Vend” në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar. “Vdes si një Vend” është dhe parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’98-ës nuk i përkasin një filmi bardhë e zi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për t’u ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”. Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës”, në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta Shqiptare”: bunkerizimi i truve të njerëzve, karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq të popullit” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parullës “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë, politikanë të krimbur deri në veshë, kanonizim i fjalës “plumb qorr”, viktima anësore, jetë për dhjam qeni, “Shqipëria e kontradiktës, e luftës, e errësirës, mashtrimit, ahengut dhe biznesit”.
Gjuha e librit është një gjuhë midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, i ngjan një lumi të rrëmbyer që mbledh gjithçka që ndesh gjatë rrjedhës së tij dhe në grykëderdhje drejt katharsis vjell gjithë vrerin e tij. Njeriu-vend i Dimitriadis zbret në Hadin e skutave më të errëta të psikikës njerëzore dhe na sjell një rrëfim nga ferri i të gjallëve. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”. Nëse një vend është pre e grykësisë së politikanëve të saj makbethianë, nëse flijon trupat e arsyes, të vetënjohjes, të lirisë, artin e të jetuarit, të të krijuarit, të njohjes dhe pranimit të tjetrit për të ndërtuar kështjella paranojake, ai është i destinuar “të jetojë nën dritën e një ylli të vdekur”.
(Autorja është përkthyese në shqip e librit “Vdes si një Vend”. Marrë nga Mapo.al)
Comments
Post a Comment