Rudolf Marku: Ngjashmëritë e të kundërtave…



Rudolf Marku E hënë, 24 Shkurt 2014

Për shumë kohë edhe në botën anglo-saksone është besuar nga shumëkush se Waugh dhe Orwell e përjashtojnë njëri-tjetrin. Tani besohet se Waugh dhe Orwell janë dy shkrimtarë me të njëjtën fytyrë dhe koha jonë ka nevojë më shumë se kurrë për të dy.

1.
George Orwell dhe Evelyn Waugh janë ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë angleze të shekullit të njëzetë. Të dy të lindur në vitin 1903, në një shtresë pak a shumë të rehatshme të shoqërisë së obsesionuar klasore të Anglisë. Rrallë mund të gjesh shkrimtarë më të ndryshëm nga njëri-tjetri sesa G. Orwell dhe E. Waugh. Në jetën dhe në fatin e tyre letrar dhe njerëzor. Në bindjet e tyre politike dhe në temperament. Waugh arrin që të ngjitet në shkallët më të larta të shoqërisë angleze, ndërsa Orwell zgjedh shpeshherë që të jetojë si një njeri barbon, tramp, si një protestë ndaj shoqërisë konvencionale dhe hipokrite. Waugh, për nga bindjet politike është shkrimtar i djathtë, mik i ngushtë me të birin e Winston Churchill, Randolph, dhe më vonë njëri ndër shkrimtarët dhe intelektualët e brezit të famshëm të inteligjencës angleze që u konvertuan në katolicizëm gjatë viteve ‘30-’40 (T.S Eliot, G.K. Chesterton, Graham Green, Ronald Knox, Hilaire Belloc). George Orwell, në të kundërt, është një shkrimtar ateist, me bindje socialiste, i majtë, i akuzuar madje prej shokëve të vet, fanatikëve të Luftës së Spanjës si trockist. Waugh u bë i famshëm që në moshën 23-vjeçare, në një kohë kur Orwell përpiqej të siguronte bukën e gojës duke punuar nëpër restorante dhe klube banale të Parisit dhe të Londrës, duke fshehur me kujdes nga njerëzit përreth dëshirën e vet për t’u bërë shkrimtar. Le të paraqesim, duke u mbështetur në librat biografikë të tyre, një skenë nga jeta e përditshme e shkrimtarëve, për të parë se sa të ndryshëm janë: Në një natë të qetë me qiell të pastër, pa re, Duka i Marlborought jep pritje për miqtë e shquar në njërën nga vilat e Londrës. Mes mysafirëve të shoqërisë së lartë ja ku vjen dhe shkrimtari Evelyn Waugh, 27- vjeçar, i cili ka botuar dy libra, “Decline and Fall” dhe “Vile Bodies”, si dhe një studim eseistik rreth jetës dhe veprës së Rossetti-t (“Rossetti: His life and work”). Sidomos romani “Vile Bodies” (në shqip: Trupa të shëmtuar, sipas një reference nga Testament i Ri, i Shën Markut. Më kanë thënë se në shqip është botuar me titullin “Trupa të poshtër”!!!). Futet në sallon dhe të gjithë e ndjekin me sy. Në pritje marrin pjesë gjashtë ambasadorë dhe rreth 40 fisnikë të familjeve më të njohura angleze. Merr pjesë dhe miku i tij i afërt, Randolph Churchill, djali i Churchill-it të famshëm, i cili i dehur ia hedh në fytyrë pijen e koktejit një zonje që quhet Wanda. Është dhe poetesha e famshme Edith Sitwell që i bën lajka shkrimtarit 27-vjeçar. Vetë Evelyn Waugh gjen një qoshe të fshehtë dhe shënon hollësisht gjithçka që sheh, luksin, bisedat, rrobat e burrave dhe margaritarët që mbajnë zonjat, dialogjet vanitoze, ftesën tjetër për drekë në ditën e nesërme, në Ritz (përshkrimi është marrë nga libri autobiografik i Evelyn Waugh). Dhe po atë mbrëmje të qershorit të vitit 1930, një djalosh i së njëjtës moshë, por me paraqitje krejt të ndryshme, Eric Blair (i cili vite më vonë do zgjedhë emrin letrar George Orwell) është duke punuar i vetëm në një dhomë të pistë dhe të rrëmujshme në lagjen e të varfërve të qytetit Leeds, një qytet industrial në veri të Anglisë. Është mysafir i padëshiruar në shtëpinë e kunatit, burrit të së motrës, i cili e sheh mysafirin si një dështak pa asnjë qindarkë në xhep, i papunë dhe pa asnjë të ardhme. Dhe ky është opinioni i të gjithë atyre që e njohin nga afër. Ai kutërbon dhe vishet si një endacak i pastrehë. Megjithatë, ai në ditarin e vet sqaron se në të vërtetë nuk është endacak, halabak, por ka vendosur vetë që të jetojë mes halabakëve, të pastrehëve, që të jetojë pa u larë dhe pa u kujdesur për veten, për të njohur në lëkuren e vet varfërinë dhe mjerimin, vetëm e vetëm që të mund të çlirohet nga paragjykimet klasore. Shënon në ditarin e vet ai që do njihet disa vite më vonë si shkrimtari anglez George Orwell “kur jeton në një dhomë me halabakët dhe të mjerët e uritur dhe kur pi çaj nga e njëjta kanaçe e ndryshkur dhe që bie erë urine, atëherë ti ndjen se ke provuar më të keqen, dhe kësisoj nuk trembesh se ke për t’u gjendur në një situatë më të vështirë se kjo”…(të dhënat janë marrë nga libri autobiografik i George Orwell). Në kohën kur Evelyn Waugh është pranuar dhe përshëndetur si një shkrimtar i talentuar, Orwell ka nisur të shkruajë një libër për restorantet dhe klubet e Parisit. Jo një libër guidë turistike. Libri i Orwell-it është një libër që përshkruan hollësisht përvojën e hidhur të vetë shkrimtarit të ardhshëm gjatë dy viteve në Paris, duke punuar në kuzhinat e ndyra, të pista,duke larë pjatat e darkave të klientëve të pasur, ose duke punuar si portier dyersh hotelesh. Libri që do titullohet më vonë “Down and Out in Paris and London”, është në fakt libri i parë që botohet nën emrin George Orwell (1934).
Evelyn Waugh studion në Oxford, ndërsa Georg Orwell-it i jepet e drejta të studiojë në Eton College, në njërën nga shkollat më të njohura në botë. Të dy pësojnë zhgënjimin më të madh nga sistemi i edukimit. Pas njohjes me tradhtinë e së shoqes, që ishte dhe dashuria e tij e parë, Evelyn Waugh shkruan dhe njërin ndër pasazhet më të hidhura në letërsinë bashkëkohore (romani “A Handful of Dust” -sipas vargut të njohur të TS Eliot): Një grua e martuar sapo është ndarë me të dashurin e vet, i cili quhet John dhe i cili do të marrë avionin për në një vend të largët. Gruaja është e trishtuar nga ndarja. Dashnorët kanë një apartament në Londër ku gruaja jeton herë pas here me të dashurin, duke lënë të shoqin dhe djalin, i cili quhet dhe ky, po ashtu si dhe dashnori i saj, John (John Andrew), në shtëpinë bashkëshortore në Hetton, një vend disa kilometra larg Londrës. Pas largimit të të dashurit, vendos të shkojë në një Party, prapë në Londër. Befas dikush kërkon ta takojë urgjentisht. Sheh një mikun e familjes, i cili ka një pamje tepër të zymtë: “Më thuaj, Jack, si është puna? Ka ndodhur gjësend? Tregomë menjëherë, ndjehem e trembur. Mos ka ndodhur ndonjë aksident?”- ‘’Kam frikë se po. Ka ndodhur një aksident tepër serioz…”, – përgjigjet miku i familjes. “John?’’ – pyet gjithë ankth gruaja… “Po,- është përgjigja. “Ka vdekur? – pyet ajo. Ai tund kokën në shenjë pohimi. Ajo fundoset në një divan përkundrejt murit, përsosmërisht e qetë, me duart e mbështjella në prehër, si një çupëlinë e edukuar dhe e rritur mirë, të cilën e prezantojnë në një dhomë të mbushur me të rritur. Ajo thotë: “Tregomë, çfarë ka ndodhur? Dhe në radhë të parë, nga e more vesh ti vetë?”- “Isha në Hetton gjatë weekend-it”, -sqaron burri. “Hetton?”- “Po a nuk e di se John sot kishte ditën për të dalë në gjueti?” Për një çast ajo rrudhë ballin, duke mos folur përnjëherë. “Ka vdekur John?… John Andrew?…Kurse unë…Ah, Zot, faleminderit!” Dhe pastaj ajo shkrehet në lot…
Në kohën kur Evelyn Waugh shkruan këto rreshta të tmerrshëm, Orwell është i pamartuar, dhe të jep përshtypjen se kurrë nuk do martohet. Waugh pas pak konvertohet në katolicizëm. Reagimi i rretheve intelektuale është i jashtëzakonshëm. Me naivitetin më të madh, ai naivitet që është burim sarkazme dhe humori të pashoq për Evelyn Waugh, shumë gazeta shkruajnë: “…nuk arrijmë që ta kuptojmë se si një shkrimtar thellësisht i talentuar dhe shkrimtari më modern i kohës mund të konvertohet në katolicizëm!..’’. Vetë shkrimtari ngul këmbë se “që nga dita e konvertimit në katolicizëm, e gjithë jeta ime është një ngazëllim i pafundmë i një udhëtimi eksplorativ në ato hapësira të cilat më bëjnë të lirë…”. Dhe shton: “Jeta është thjeshtë një kaos pa një kod moral, dhe Krishtërimi është ai kod moral mbi të cilin qytetërimi perëndimor mbështetet. Vetë katolicizmi është dhe forma më e përsosur dhe më e pastër e krishterimit”.
Në të kundërt, Orwell është ateist. Pas një martese të shpejtë, ai me të shoqen vendosen në një vend të humbur. Gruaja përgatit drekën dhe dëgjon gjithë kohës rrahjet e tasteve të makinës së shkrimit teksa Orwell shkruan librin “Road to Wigan Pier”. Ndodh pastaj ajo që quhet Lufta Civile e Spanjës. Është një luftë që shërben si Parathënia e Luftës së Dytë Botërore. Ushtria e Frankos merr ndihma të konsiderueshme nga Hitleri dhe Musolini, ndërsa republikanët mbështeten fuqimisht nga Stalini. Për Orwell-in nuk ka asnjë dilemë se cilin krah do mbështesë. Në vend të muajit të mjaltit, Orwell vendos të shkojë në Spanjë. Nuk ka para për biletë. Partia Komuniste Britanike i siguron biletën, ca para udhëtimi dhe letra rekomandimesh. Sapo arrin në Spanjë, shkon në Barcelonë ku i bashkohet Partisë së Punëtorëve të Unifikimit Marksist (POUM). Shumë nga anëtarët e partisë janë të rinj analfabetë dhe pa asnjë përvojë ushtarake. Orwell-it, i cili ironikisht ka dijeni ushtarake nga Corriculum i Eton College, i jepet një vend i parëndësishëm drejtuesi. Lufton trimërisht, duke vrarë kundërshtarë. Në Barcelonë, ai vë re se të vrarët e krahut të tij nuk qenë të vrarë domosdoshmërisht në frontin e luftës. Në shumë procesione funerale, Orwell vë re se të vrarët janë vrarë pas shpine, ose ekzekutuar nga shokët e tyre si jo të denjë për doktrinën staliniste. Komunistët përpiqen të marrin frenat e Qeverisë Republikane. Shumë nga shokët e Orwell-it janë zhdukur a janë nëpër burgje. Pasaporta britanike nuk i garanton jetën. Ashtu siç nuk ua ka garantuar jetën të vrarëve. E megjithatë, me trimërinë dhe ndershmërinë e jashtëzakonshme që ka, kthehet në Front. Aty dhe plagoset për vdekje. Një plumb ia përshkon fytin, gati duke ia prekur arterien carotike, gjë që do t’i kishte shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nuk mund të flasë. Madje pas kësaj, zëri i tij do të jetë krejt i ndryshëm. E mjekojnë në fushën e betejës, dhe pastaj e hedhin në një ambulancë të mbushur plot me të vdekur e të plagosur. Përfundon në një spital të qytetit të vogël Lerida, pranë Barcelonës. E shoqja nxiton t’i bashkohet. Në spital e konsiderojnë të paaftë për luftë. Sapo e merr veten, këmbëngul që të shkojë në front. Komunistët kanë filluar masakrat në masë kundër POUM, partisë marksiste ku aderon Orwell. E quajnë të paligjshme, revizioniste, fashiste, kolaboracioniste. Anëtarët e saj i arrestojnë dhe i ekzekutojnë pa gjyq. Spitali ku kishte qenë i shtruar Orwell bastiset nga gjashtë policë komunistë. Në Barcelonë Orwell ecën i kujdesshëm që të mos e arrestojnë ata me të cilët ka luftuar. Shkon në Hotelin “Continental”, ku e shoqja e pret. Ajo, me ta parë, nxiton t’i hidhet në qafë me një afeksion teatral; duke i pëshpëritë në vesh: “Duhet të zhdukemi nga këtu!” Sytë e saj të frikësuar thonë gjithçka. Orwell ka kohë që të paralajmërojë dy oficerë francezë, të kërkuar dhe ata nga policia komuniste. Dy ditë më vonë dhoma e hotelit ku ka qëndruar e shoqja kthehet me kokë poshtë nga komunistët, të cilët janë të interesuar për Orwell-in. Marrin ditarët e tij, të gjithë dorëshkrimet dhe librat. E shoqja arrin të fshehë pasaportën. Bashkohen në Konsullatën Britanike në Barcelonë. Me çmendurinë e vet për të ndihmuar deri në fund të tjerët, del nga Konsullata për të ndihmuar një shokun e vet, Georges Kopp, në burgun e Barcelonës. Kopp i kërkon që të shkojë në Ministrinë e Luftës, që të mund t’i marrë ca shkresa zyrtare. Orwell shkon atje, dhe atje e njohin. Vrapon mes plumbash që t’i shpëtojë arrestimit. Konsullata britanike i pajis me bileta për në Francë, dhe pas qindra peripecish, duke u shtirë si turistë anglezë, Orwell dhe e shoqja arrijnë në Paris.
2.
Po në atë kohë kur Orwell lufton kundër Frankos, Hitlerit dhe Musolinit, Evelyn Waugh interviston Musolinin në Etiopi. Waugh nuk ka as dhe simpatinë më të vogël për fashizmin, por Musolini i duket një njeri interesant, tërheqës, energjik dhe elokuent. Me fillimin e luftës, kërkon me këmbëngulje që të regjistrohet në front. E refuzojnë për shkak të miopisë së avancuar dhe për shkak të shëndetit. I kërkon mikut të vet, djalit të kryeministrit Churchill, që të ndërhyjë e ta dërgojnë në front. Shenjtori George Orwell për herë të parë bëhet xheloz: “Si nuk ndodh kurrë që një shkrimtar i majtë të bëjë atë që bën shkrimtari i shquar Evelyn Waugh?”, -i shkruan një miku të vet. Ka parasysh se dy shkrimtarë të njohur, W.H.Auden dhe Christopher Isherwood, ikin nga Anglia vetëm e vetëm nga frika e luftës. Të dy janë shkrimtarë me ndikime të thella marksiste. Waugh caktohet me trupat britanikë në Kroaci. Njihet nga afër me marshallin Tito, takimin me të cilin e paraqet me një humor të shkëlqyer. Tito është për Waugh “Aunty Tito”- një lloj halle e dhjamur. Partizanët jugosllavë janë patetikë, provincialë, mashtrues, barbarë dhe pretenciozë. Merr pjesë në një lloj festimi partizanësh “një lloj përzierjeje këngësh në gjuhën ruse, serbo-kroate dhe në një gjuhë tjetër që besohet se është anglisht…Ata që këndojnë janë të gjithë të dehur. Vijnë pastaj vallet ose ato çfarë supozohet të jenë valle…Pastaj një skeç ku një partizan i plagosur vret 100 gjermanë, dhe një grua me pamje shtrige flet për emancipimin e gruas…derisa një lloj komandanti më afrohet e më thotë: Ju keni Luftën, ne kemi Artin e madh!” Me atë vëzhgimin e mprehtë, Waugh e kupton se pas pretendimit liberal të Titos fshihet kërcënimi barbar i një njeriu të etur për pushtet. Është i pari që vëren krimet që komunistët jugosllavë kryejnë kundër kishës katolike dhe klerit në përgjithësi, duke rrafshuar në mënyrën më të panevojshme kisha dhe katedrale dhe duke burgosur priftërinj. Shkruan një raport të hollësishëm për Foreign Office, raport që ka mbetur i fshehur për 60 vite me radhë në arkivat sekrete, ngase politikes së jashtme britanike nuk i interesonte asnjë keqkuptim me marshallin Tito.
3.
George Orwell është autori i librave të famshëm dhe të njohur botërisht “Animal Farm” dhe “1984”, libra që kanë kontribuar në rrëzimin e regjimeve komuniste dhe totalitare. Dhe të mendosh se janë libra të shkruar nga një shkrimtar që ka vënë jetën e vet në rrezik për mbrojtjen e socializmit dhe të marksizmit. Libra që e kanë kaluar, secili veçmas, tirazhin e 18 milionë kopjeve vetëm në botimin në gjuhën anglisht. Orwell nuk pushoi deri në fundin e jetës duke marrë në mbrojtje autorët e rrezikuar, sidomos ata që ishin të kundërt me pikëpamjet e tij. Orwell është i pari që mbron romancierin Waugh nga sulmet e D. S. Savage. Dhe në historinë e letërsisë angleze ka mbetur e famshme mbrojtja që i ka bërë G. Orwell-it shkrimtari Woodhouse-një shkrimtar që adhurohej nga Waugh-kur ai akuzohej në Parlamentin anglez për kolaboracion me gjermanët; Waugh është autori i romaneve “The Brideshead revisited”, “A handful of dust”, “Vile Bodies” dhe “Scoop”, romane që pranohen si kryevepra të letërsisë moderne. Gjatë jetës u takuan vetëm një herë, kur Waugh shkon dhe e sheh Orwell-in në shtratin e vdekjes, në fundin e vitit 1949. Vetë Evelyn Waugh do jetojë dhe 16 vite të tjera pas vdekjes së George Orwell. Të dy shkrimtarë me pikëpamje politike, fetare, sociale dhe me shije letrare diametralisht të kundërt. Por të bashkuar në krijimtarinë e tyre me anë të talentit të madh, me ndershmërinë e tyre të jashtëzakonshme, me vetëdijen e rrezikut të zhdukjes së vlerave shpirtërore në një botë të obsesionuar nga pasuria, financa, materia; të bashkuar kundër totalitarizmit dhe padrejtësisë, në mbrojtje të qenies njerëzore dhe vlerave shpirtërore; të bashkuar në mbrojtjen e traditave të mëdha të qytetërimit njerëzor dhe qëllimeve të mëdha të këtij qytetërimi; të bashkuar në Komunitetin e lartë të Artit letrar, ku zilia, pikëpamjet politike, mëritë janë të përjashtuara. Për shumë kohë edhe në botën anglo-saksone është besuar nga shumëkush se Waugh dhe Orwell e përjashtojnë njëri-tjetrin. Tani besohet se Waugh dhe Orwell janë dy shkrimtarë me të njëjtën fytyrë dhe koha jonë ka nevojë më shumë se kurrë për të dy. Për shkrimtarët si George Orwell dhe për shkrimtarët si Evelyn Waugh. Për të na kujtuar se Arti i Madh është Arti i bashkimit të vlerave më të larta njerëzore në një botë ku shpesh këto vlera përbalten në një spektakël me duartrokitje të bujshme.

(Mapo.al) 

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk