Beha Gjoka: Tabloja e letrave shqipe, premtuese
Intervistë me
shkrimtarin dhe studiuesin, Behar Gjoka
Nga Albert Vataj
Kakohë që më ngucatë
vullnesa me ndërmarr një yshtje kumtuese dhe sakaq me dëshmu nëpërmjet një
bashkëbisedimi me krijuesin dhe studiuesin, Behar Gjoka se ku ishte, asht, dhe
për ku asht nis letërsia shqipe. I ndjekur turravrap nga përgjegjësia
promovuese, e një universi të paanë dhe një rilievi çapraz, ftova në një bisedë
për “Koha Jonë”, atë që pa shumë modesti personale, më ka kand me librat dhe
guximin e tij, si tekstshkryes ashtu edhe vullnetmirë. I veshun me petkat e një
modestie solemne, si në qasjet e tij krijuese, dhe në atë kumtuese, Gjoka mëton
misionarin e njeriut të sakrificës. Si në krijimtari, ashtu edhe në studime,
dallojmë qartazi qëmtuesin symprehtë e kunguesin buzëhollë. Duke preferuar më
shumë ishullin e tij të mrekullive, se sa xhunglën mediatike, ai zë rendin e
shumë prej atyre që i njohim pak, i çmojmë jo sa duhet, dhe mbartim mbi veten
dhe kohën pendesën e të nesërmes. Asaj kohëardhje që do të zbulojë para nesh se
kush ishin ata. Për Behar Gjokën dhe shumëkënd tjetër të mrum në këtë maxhë,
krijimi asht panteoni i gjenialiteteve, i vendosun në përditshmërinë rutinore.
S’duhet domosdo kohë e potershme e tëhutje historike e shoqnore për me ju përkushtu
një tekstshkrimi që merr përsipër çudibërjen dhe të drejtën për me ardh tek në
si një kryevepër. Mjafton përkushtimi, dhe vullnesa dritëbardhë që një tekst të
shkruhet, masmirit, për vete, për lexuesin dhe për brezat, që tash e marrin si
një testament. Këtë, bashkëbiseduesi ynë e di fort mirë dhe e ysht fort urtësisht
drejt shtigjeve ku i gjegjet brendia.
Nëse
do të kishim vetëm një alternativë të përftimit kumtues profesional të Behar
Gjokës, kush do të ishte; shkrimtar, studiues apo kritik?
Po të nisemi nga
librat e botuar, janë nëntë tekste studimore dhe katër libra, me prozë, ku
libri i parë i përket vëllimit me tregime, ndërsa tre tekste e tjerë janë të
llojit të romanit, puna ngatërrohet disi. Me kritikën letrare, kam lidhje të
hershme, ndonëse për hir të së vërtetës pak e kam lëvruar, mbase edhe për shkak
të mungesës së hapësirës me u shpreh, pra të një reviste apo gazete të
specifikuar në këtë lami, sepse në vitin shkollor 1986-1987, kam mbaruar specializmin
për kritikën letrare, pranë Fakultetit Histori-Filologji. Megjithatë, njeriu i
letrave, para së gjithash është i lidhur me leximin, madje edhe si e vetmja
dritare për të mos humbur ritmin e lëvrimit letrar. Me libra të botuar jam më
shumë studiues se sa shkrimtar.
A
mendoni se në të tashmen kemi të bëjmë më mungesë të kritikës së artit,
institucioneve kritike, qofshin këto dhe media, apo besoni se kjo armë
mbrojtëse e vlerave është kthyer në një shtrat ku flirton mediokriteti?
Në të tashmen i dimë
të gjitha... Flasim paksa më seriozisht, gati-gati nuk e kemi sensin e
kritikës, pra të pranimit të mungesës, e mbi të gjitha të rrekjes për ta
pëmirësuar situatën. Në një klimë ku i dimë të gjitha, ku gjithkushi rezervon
të drejtën për të dhënë mendim për gjithçka, mungon pothuajse plotësisht
analiza, e mbi të gjitha mungojnë argumentat e mungesës apo pranisë së vlerave.
Atmosfera e mungestares së madhe, pra të shqyrtimeve kritike, ka bërë që kriza
të shtrihet në të gjithë hapësirat, në art dhe letërsi, në median vizive dhe të
shkruar. Në art dhe letërsi, kritika mungon, simbas bindjes time, sepse mungon
edhe letërsia, por në këtë rast argumentet shkojnë madje deri tek niveli i
shkollës së lartë shqiptare, që e ka për detyrim të përgadisë ekspertët e fushës.
Asnjëri prej universiteteve shqiptare, të artit dhe të filologjisë, nuk ka as
formalisht një lëndë tillë, aq më tepër që mësimdhënia e këtyre kohëve, u ka
rënë për hise çupërlinave, një term i Mehmet Krajës, që kanë marrë gati të
gjithë titujt e mundshëm, vetëmse librat e mirëfilltë studimorë apo kritikë, të
tyre ende nuk po duken në horizont. Pra, në lidhje me këtë moment mungesa e
sotme, do të pasohet nga një mungesë edhe më e madhe nesër. Nga ana tjetër, në
lidhje me librin, gjithnjë e më shumë po bie në sy roli që kanë marrë përsipër
botuesit, të cilët përveç moderimit normal, pra të nivelit të paraqitjes së një
libri, tashmë gjithnjë e më shumë, po hyjnë në livadhin e kritikës dhe të
studimeve letrare, duke e kundruar kështu librin vetëm si një mall që shitet.
Atëhermë, të thuash se po flirton me mediokritetin është zbukurim, nuk ka
hapësirë veprimi, prandaj më tepër po noton në paprani të shenjave letrare.
Si
dhe sa ndikon mediatizimi në promovimin e një teksti apo autori?
Mediatizimi, është
termi i gjetur, për të prekur një plagë që sa vjen dhe po zë hapësirën
kryesore, të pranisë së librit. Sa vjen dhe po rritet numri i autorëve që i
përkasin politikës, madje majave të saj, të cilët kanë të drejtë të shkruajnë
çfarë të duan, porse duke qenë të mediatizuar, kryesisht për nivelet
jashtëlibrore, tashmë po hyjnë me furi në radhën e shkruesve të librave, veçse
duke na zbritur prej së larthi, pra me një fiktivitet të rrokshëm në
marrëdhënie me vlerën, sespe paraqiten edhe si kulme qysh në ditën e parë të
daljes nga shtypi të librave. Mjerisht, media e shkruar dhe vizive, po promovon
gjithçka dhe shumëçka, vlerën dhe mungesën, e mbase edhe për shkak të gjykimit
mesatar, sidomos të opinionistëve të medias, një term ky i Milan Kunderës, të
gazetarëve dhe analistëve të shumëçkaje. Shqetësimi tjetër, paksa më i rëndë se
sa i pari, është se në median shqiptare, pra vizive dhe të shkruar, në qendër
është autori, me famë apo pa famë, politkanë ose gazetarë, duke u lënë fare në
harresë teksti, që na ka sjellë tek gjendja, që kemi shumë gjeni, por fare pak
vlera artistike, që realisht dhe estetikisht e kapërcejnë gardhin e letrave
shqipe. Ekuilibri i përmbysur, ku dytësorja është kryesore, pra autori i
pranishëm dhe teksti pothuajse i munguar, është një tregues i tërthorët dhe
konkret i nivelit të mësimdhënies, ku dihet se doktorë-profesorat tanë, dje dhe
sot, e kanë orientuar leximin dhe vlerësimin e artit nga autori, nga fama, pra
vetëm e vetëm nga dysëtorja...
Botimeve
të deritashme shqipe, mendoni se shfaqin anemi dhe problematika, apo e shihni
atë premtues dhe përçues të një tipari përfaqësues të letrave shqipshkruese?
Nëse me botime të
deritanishme kuptohet ajo çfarë është botuar pas viteve ’90 të shekullit të
kaluar, dallojmë tre prirje kryesore:
-Zbulimi i veprës
letrare të Camajt, Pipës, Xhaferrit, Trebeshinës, Pashkut etj. , si dhe
rikthimi i veprës letrare të Fishtës, Konicës, Skiroit, Kutelit, Koliqit etj. ,
si një tregues i rikthimit të pashmangshëm, të vlerave letrare të munguara në
panteonin e letrave shqipe.
- Rishkrimi i
teksteve, madje edhe duke shënuar përmbysje të formës dhe të përmbajtjes, në
tekste kryesore të Kadaresë, Agollit, Qoses, Arapit, që qysh nga vitet 44 të
shekullit të kaluar, janë përcjellur si korifej të letrave shqipe.
- Përpëlitja për të
shkruar ndryshe, nga një grupim i madhë autorësh, në Shqipëri dhe në trojet
etnike, por që deri më tani më tepër ka kultivuar një letërsi çmimesh se sa
vlerash të mirëfillta letrare, gjithsesi pa mbërritur që të shkëpusë penjtë nga
letërsia e shërbesës së mëhershme.
Nëse do të kishim
parasysh këtë pamje, tabloja e letrave shqipe, nuk duket dhe aq keq, por nëse
varim shpresat tek grupimi i mbramë, pra çmimndarësit dhe çmimfituesit, gjasat
janë që do të duhen edhe shumë tekste për të rrokur ndryshimin, e kaq
shumëpritur, në mënyrë që dilet nga anemia, që askush nuk e di se si mbahet në
këmbë kjo ngrehina e shpallur si letrare.
A
ka ndikuar dhe a ka gjasa të ndikojë në formësimin e mentaliteti shoqëror
shqiptar, një rrymë letrare, një autor
apo një brez krijuesish. Nëse ka ndodhur dhe qaset të kthehet në realitet, a
mund të të na e rrëfeni?
Historia e kulturës
shqiptare, po ashtu edhe të asaj të letrave shqipe, është më tepër histori e
individualiteteve, pra e personaliteteve që kanë nxitur ecjen e tyre, ndonëse
përgjithësisht ka patur një mungesë koherence të evolucionit letrar,
krahasimisht me atë botëror. Megjithatë, në historinë e letërsisë, ka patur dy
moment që kanë një vend të përveçëm:
Së
pari: “Shekulli i ndritshëm” ose pjesa e parë e shekullit të XX, kur kemi
një rrekje serioze për të ecur në njëkohëshmëri me letraren e përbotshme, çka
vjen edhe si larmi shkrimi, me poezinë Fishtës, Poradecit, Asllanit, Migjenit,
Nolit etj. Nga ana tjetër, kemi shkrimin e prozës moderne prej Konicës, Koliqit,
Kutelit etj. , e cila eci në hullinë e shkrimit modern.
Së dyti: Pas këtij harku kohor skena letrare sundohet nga
realizmi socialist, që i shtriu metastazat e veta në gati gjysmën e globit, që
e futi letërsinë shqipe, sidomos të Shqipërisë në kthetrat e shërbesës
ideologjike, por që në fakt e pasuroi letërsinë shqipe, sidomos me lavrimin e
romanit. Mjafton të sjellësh në mend tekstet romanore të Kadaresë, Agollit,
Qoses, etj. , por njëkohësisht me të u zhvillua edhe letërsia e ndryshme prej
saj, ku spikaten emra të tillë si Martin Camaj, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Anton
Pashku, Bilal Xhaferri etj.
Sa
përfaqësuese e shihni letërsinë shqipe, përfshi atë të deridjeshme dhe këtë të
tashetutjeshmen me atë botërore. Nëse kundroni se diku, dikush ka guxuar të
ngrej krye, cilit do t’i lëshoni në duar këtë trofe?
Në fakt letërsia
shqipe, edhe tani është si një ishull që komunikon më shumë me veten, pra
gjendet si e rrethekuar në gardhin e vetë. Arsyet e moskomunikimit janë sa të
“gjuhës së vogël”, ku jo rastësisht e vendos në thonjëza, po aq të nivelit,
sepse përgjithësisht kemi një vonesë faze, krahasuar me ligjërimin letrar të
përbotshëm, afër dhe larg. Megjithatë ka momente, të përveçme të komunikimit të
letërsisë shqipe, siç është letërsia e hershme shqipe, me Buzukun, Budin,
Matrëngën, Bardhin, Bogdanin, që e vendosin letërsinë shqipe në rrathët e
Kundërreformacionit, një procesi që vijontë të sendërtonte përmasat e rilindjes
europiane. Po, ashtu, ka mjaft gjasa, që për një lojë si të maces me miun, të
Kadaresë me diktaturën, tekstet e tij, kryesisht romanet kanë zgjuar kërshërinë
tek lexuesi i përbotshëm. Mendoj se përvoja shkrimore e Camajt dhe Pipës,
veçmas për shkak të largimit prej Shqipërisë së monizmit, e ushtruar në
Perëndimit, në fakt po ta kundrosh paksa ma vëmendshëm, ka shërbyer si një enë
e komunikimit të letrave shqipe me perëndimin. Pra, ka momente kur jemi të
pranishëm, por ka edhe raste që nuk njihen shumë siç ka ngjarë me mbetjen e
Kutelit, vetëm si një margaritar i fjalës shqipe, kur bart edhe kumte të
universit letrar, çka do të zbulohej nëse do të përkthehej në përmasat
përfaqësuese të prozëshkrimit.
Pse
letërsia e huaj është më e kërkuar nëpër librari dhe më e kudogjendur në
bibliotekat personale.
Mendoni
se tekstshkrimi shqip ende nuk e ka gjetur gjuhën e duhur të komunikimit me
lexuesin?
Prirja deri në
adhurim ndaj letërsisë së huaj, që në fillim të viteve ’90 të shekullit të
kaluar shpalohej edhe si një uri shpirtërore dhe intelektuale, ngjet për
shumëçka, ku do të veçoja praninë e vlerës, po ashtu edhe shkrimin e larmisë
letrare, në shtjellat e modernitetit dhe pasmodenrnitetit, si dhe të hapjes së
qenies shqiptare me botën, me të huajën, si një nevojë shpirtërore, së paku për
ta marrë trenin e fundit. Mendoj se lëvrimi letrar i gjuhës shqipe, ndonëse ka
shërbyer si ambasadori më i mirë i prezantimit tonë, sërish do të duhet të
lirohet nga detyrimet jashtëletrare, të tipit të një angazhmi ideologjik, të
shkrimit të unifikuar si një skemë që nuk thotë shumë, e sidomos të një
zvarritje të shkrimit nëpër skutat e mëhallave dhe katundeve të humbur. Jeta, lëviz
me shpjetësinë e dritës, andaj edhe në shkrimin letrar ka nevojë për një
ritmikë tjetër, mbase ka gjasa për një temporitmikë tjetër të brendshme të
letrares dhe librores në përgjithësi.
Një
krijues dhe konsumues i letërsisë shqipe për t’u gërmushur antivlerave që kanë
zaptuar të tashmen e kumtimit, i ka cilësuar ata krijues dhe botues “si
kriminel ekonologj”, a pranoni këtë notë pesimizmi dhe rrethanat e kaosit ku
ndodhet lexuesi?
Do të thoja
ekziston, por askush nuk e ka matur nivelin e pranisë së saj, me forma
testimesh dhe analizash, sepse të konstatosh është vetëmse fillim për ta parë
ndryshe botën e letrave. Liria e shprehjes, pra edhe e asaj letrare, është një
e drejtë e dyfishtë, njerëzore dhe kushtetuese, por në këtë hapësirë të lirisë,
vihet re një shtesë e madhe e shkrimit, të lloje-llojeve tipe librash,
historikë, kujtimesh, refleksionesh, letrar dhe jo të tillë, që meqenëse
shkruhen nga individë të spikatur të skenës politike ose mediatike, pra duke
marrë kështu borxh famën, vihen në garën e determiminit të skenës së librit,
një betejë e fituar prej tyre, së paku në rrafshin mediatik, por jo si
konfirmim i vlerës që vjen prej leximit dhe shqyrtimit të tyre.
A
mendoni se duhet te jetë një bord botimesh, apo apo një tip kolegjiumi, i cili
të marrë përsipër të disiplinojë tekstshkruesit, përkthyesit dhe botuesit, në
një farë mënyre të bëjë ligjin në këtë gjungël botimesh?
Në fakt është një
mishmash i vërtetë, por trajtimi i çështjes duhet bërë me kujdes, sepse një
kontroll me borde, kolegjume apo me forma të tjera na shpie tek censura e
djeshme, por edhe mungesa e çdo lloji kontrolli ka sjellë këtë amulli, ku
shkrimi i librave, pavarësisht nëse ka apo jo vlerë, kundrohet si një strehëz
ku mundet të strehohet kushdo, pavarësisht moshës dhe tipologjisë shkrimore.
Shpresoj, që të marrë fund, mbase edhe si një aspekt i shpërdorimit të lirisë,
që mund të shkruhet gjithçka, ashtu siç shpresoj që të ketë marrë fund
shpërdorimi i skllavërisë si nënshtrim, në të cilën notuam për disa mote në
diktaturë. Tani, në shtëpitë botuese, në median e shkruar dhe vizive,
përgjithësisht ka fare pak ndërmjetës, ekspertë të librit, si recensues,
redaktor, korektor, jo se emrat nuk shkruhen nëpër libra, porse në shumicën e
tyre janë fiktive dhe që realisht nuk ndikojnë tek procesi i përgaditjes dhe
përcjelljes së librit.
A
jeni me parimin e mundësisë, si shteg promovimi të vlerave, kur e sotmja na
përball me shumësi mundësish dhe mjerim vlerash?
Në fakt jemi në një
moment reflektimi, kur edhe pse të rrethuar nga anitvlerat dhe vlerat, skemat
dhe sprovat e ligjërimit letrar, të promovimit dhe pamundësisë së paraqitjes së
librave, që dikur ka gjasa të na nxjerrë në shtegun e lëvrimit letrar, më
pertej angazhimit, shërbesës dhe ankthit të shkrimtarëve për tu bërë të famshëm,
brenda një ditënate, tashmë ia kanë mësy edhe politikanët, për ta sunduar
perëndeshën e artit të fjalës, por le të shpresojmë se është kalimtare… Kemi
gjeni, por pak tekste letrare.
Mendoni
se gegnishtja është e përjashtuar, dhe njiherash me të ata që kumtuan vetëm në
këtë dialekt u kryqëzuan nga anatema e socrealizmit dje dhe shihen vëngër nga
rreptësia e standardit sot?
Mendoj se do të
ishte shumë më mirë, po të kundrohej dhe trajtohej me termin gjithëpërfshirës,
Shqipja si sistem, sepse në fakt përcaktimi i këtillë përfshin gjithçka të saj,
ku bën pjesë gegnishtja, arbërishtja dhe gjuha e njësuar, si dhe çdo dëshmi e
saj, në diakroni dhe sinkroni. Kam mendimin se gegnishtja, pandarazi me të edhe
arbërishtja, qysh me Kongresin e drejtshkrimit të vitit 1972, kanë zbritur nga
froni, ku ishin në të gjithë periudhat e ligjërimit të tyre, të folur apo të
shkruar, si dy variante të konsoliduara, qysh me librat: Meshari i Buzukut për
gegnishten dhe E mbasme e kërshtene të Matrëngës për arbërishten. Pra, me drejtshkrimin
e atij moment, ata duhet të kishin pushuar së ekzistuari. Por, me sa duket
letërsia, pra falë Camajt, Pipës, Pashkut, e ndonjë tjetri, gegnishtja e ka
vijuar ekzistencën e vetë edhe si shkrim letrar. Po ashtu, në saje të Voreo
Ujkos, F. Altimarit,. M. Mandalas etj. , ka vijuar bulëzimin e thekur, me
shkrimin letrar edhe arbërishtja. Pra, sërish kemi një mozaik letrar dhe
gjuhësor, që përtej rregulloreve të natyrës gjuhësore dhe jashtëgjuhësore, të
periudhës së realizmit socialist, megjithatë ka mbërritur të mbijetojë.
Letërsi
shqipe, mendoni se i ka shpëtuar kthetrave të socrealizmit. Apo ende shfaqen
tiparet e saj karakteristike?
Mendoj se pa i bërë
një analizë të hollsishme pranisë së realizmit socialist, në poret e lavrimit
të letrave shqipe, madje për një kohë të gjatë në letërsinë dhe artin tonë, nuk
kemi shanse të shpëtojmë prej tij. Në harkun e 20 viteve, pra të shembjes së
diktaturës, në lamitë e kulturës, kanë ngjarë ndryshime më të vogla, sepse vetë
artit i fjalës ka tjetër shtysë dhe inerci. Së paku, deri më tani, ka ngjarë
një ndryshim i vogël, nga pasqyrimi bardhë e zi, tipikisht i realizmit
socialist, kemi ardhur në një spektër të përmbysur, zi dhe bardhë, që të fanit
një situatë të një realizmi demokratik, një kahje që po përgadit dhe do të
sjellë ndryshimin e madhë, shkëputjen përfundimtare nga letërsia e shërbesës
dhe angazhimit ideologjik, dhe dalja tashmë vetëmse në fushën e lavrimit
estetik.
Comments
Post a Comment