Migjeni, britma kushtruese që gjëmon në të tashmen e të gjitha kohrave
Nga Albert Vataj
Migjeni ishte dhe mbeti britma kushtruese që gjëmon në të
tashmen e të gjitha kohrave. Anipse kanë kalu 100 vjet nga lindja e tij, e 73
vjet nga rrugëtimi në përjetësi, zani që plazmoi në eter si një bubullimë kumbon
tash e përgjithmonë, kur prej qiellit asht arratis e kaltra e venin e saj e ka
xan e bruzta, e thella errësirë e gërmushjes së lëngimit. Jo të gjithë
munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjirin e
visareve, e me u përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit,
nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e
Zotit, atij etern e atij tokësor. Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë
shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës si Migjeni, si vargu i
tij, e shkulmi I tij I zashëm I brendisë. Megjithë se regjimet nuk reshtën së
anatemuari kryeveprën e tij, zanin buçitës të revoltës së tij, ai asht si atmot
e tash, po kaq i magjishëm me vargun e tij të farkëtuar në shpirtin e mraztë e
trupin delikat, në zemrën e Vezuvtë e shëndetin e stërkequn. Migjeni ishte dhe
mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet
më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të
ngritur krye, për me kërku nër ne një grusht për me i ra malit që s’bzan. Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30.
Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që përdori i’a nënshtroi një
këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut
në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e
Migjenit. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun
as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet
me e shkel çdo këmbë.
Historia, e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e
sëmbueme prej pushtetesh, dogmash e demagogjishë, ka dëshmu se kush duhet me
met, edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rrittet përplot hir dhe
madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Ajo, vitet deng me vërshim, e kanda
jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së
saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban
masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me
rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dash me sfidu
garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në
vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e
tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish. Koha asht gjykatësja ma
e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura
përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur
balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tutje si
byk dhe i braktis përfundimisht në harresë. Kanda dhe vlera, amshti i
përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por
kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas 100 vitesh. Asht ai emër, ai
za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të
kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën njerëzore. Po atë
forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa
herë që qiejt kërkojnë fluturimin e saj, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa
her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her
koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje.
E qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të
zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e
shumëçkasë tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes
së asokohëshme e të tashmes, domosdo.
Comments
Post a Comment