NJË KULTURË - DY REALITETE RËNDËSIA E LETËRSISË KOSOVARE PËR SHQIPËRINË
Nga
Robert Elsie
Nuk
ka dyshim se shqiptaret kudo në Ballkan flasin gjuhën e tyre të përbashkët dhe,
si rezultat, kanë kulturën e përbashkët, ndryshimet krahinore të së cilës veçse
e begatojnë atë. Megjithatë, tani mund të shtrohet teza e ekzistencës, jo e
një, por e dy letërsive shqiptare, ose të paktën e një letërsie me dy
realitete.
Gjysmëshekulli i
fundit, periudha më e rëndësishme
e historisë së
zhvillimit të Shqipërisë, ka qenë periudha e ndarjes. Flirti politik midis partisë
komuniste jugosllave dhe partisë komuniste shqiptare përfundoi në një tërmet qe
tundi gjithë shtëpinë Shqipëri duke e ndarë në copa. Kështu u krijua drama e
saj e madhe, aktet e së cilës luheshin njëkohësisht.
Me
çlirimin e Shqipërisë nga diktatura, me shpërthimin e luftës në ish-Jugosllavi,
një lufte e cila bëhet afër, shumë afër Kosovës, me rritjen e nacionalizmit dhe
acarimin e marrëdhënieve midis
vendeve të Ballkanit,
ideali i ribashkimit të popullit
shqiptar merr një rëndësi të veçantë. Nga ideali i
përhershëm u bë sërish shpresë konkrete. Realizimi i bashkimit politik tani për
tani duket një çështje tepër delikate dhe plot rreziqe. Mundësia e bashkimit
duhet trajtuar me qetësi, kujdes dhe me një shikim afatgjatë.
Mirëpo
ekziston një fushë tjetër bashkimi, ndoshta po aq e rëndësishme, në mos më
tepër, që, ndërkohë, mund
të realizohet mjaft
shpejt dhe pa
rreziqe. Është bashkimi
kulturor i shqiptarëve.
Bashkimi
kulturor në ansjë mënyrë nuk duhet të sjellë me vete nivelizimin e gjërave, as
dhe uniformitetin. Përkundrazi,
kultura shqiptare, le
të ketë dhe
ajo sa më
shumë ndryshueshmëri, sa më shumë kundërshtime. Nivelizimi, kjo ambicie
partiake, ëndrra delirante e shokut
Enver, gjendej shpesh
në Shqipëri. Shkrimtari
Anton Pashku e
përshkroi bukur në romanin 'Oh' nga ku po e citojmë:
"Do
të ketë vetëm nji shtypshkronjë, e cila do të botojë vetëm nji abetare, vetëm
nji libër leximi, vetëm nji libër të historisë, vetëm nji libër të filozofisë,
vetëm nji tregim... vetëm nji dramë, vetëm
nji sonet... vetëm
nji gazetë të përditshme... do të
ketë vetëm nji radiotelevizion, i cili do të emitojë
vetëm nji kangë... vetëm nji lajm, vetëm nji informatë... vetëm nji vështrim,
vetëm nji kritikë letrare..."
Nëse
do duhen diversitete sa më shumë, ç'do të ishte atëhere bashkimi kulturor? Për
mua ai duhet të jetë zbulim, një zbulim i vërtetë. Shqiptarët të Republikes së
Shqipërisë, të cilet jetuan për një kohë të gjatë, jo në Evropë por, si të
thuash, në një shkretëtirë të një planeti tjetër, tani po prekin botën e madhe
jashtë. Ndërkohë ata vlen të përvetësojnë arritjet e kulturës së shkruar në
Kosovë.
Ç'ka
Kosova për t'i ofruar dheut amë? Me siguri mendimet ndryshojnë. Në fushën e
letërsisë, sipas meje, ka mjaft elemente që e pasurojnë mozaikun magjepës
kulturor e Shqipërisë.
Në një kohë, kur
intelektualet e Shqipërisë rrinin
urtë, detyrimisht shumë urtë, ashtu
të
urtësuar, mbrënda mureve të Spitalit Psikiatrik me emrin Republika Popullore
Socialiste e Shqipërisë,
intelektualet dhe shkrimtarët
e Kosovës zbuluan
botën, shkruan dhe
shprehen mendimet dhe ndjenjat e tyre në mënyrë pak a shumë të lirë.
Bile kjo vetëkuptueshmëri e lirisë së fjalës në Kosovë përbën për mua ndihmesën
kryesore. Por kultura kosovare nuk është vetëm kaq.
Ajo
na sjell gjithashtu mendime, guxim dhe eksperimente të shumëllojshme.
Nuk
ka dyshim se gjatë njëzet viteve të fundit, librat me interesante të poezisë
dhe të dramës shqiptare u botuan, jo në Tiranë, por në Prishtinë. Kritika
letrare shqiptare e mirëfilltë, do të thosha, u botua ekskluzivisht në Kosovë.
Edhe në fushën e prozës letrare u bënë eksperimente të shumta, disa prej tyre,
jo të gjitha, me një sukses të dukshëm, veçanërisht në adaptimin e rrymave
kryesore të kulturës bashkëkohore evropiane dhe botërore në letërsinë shqipe.
Mund
të jetë e kundërshtueshme, por, gjithmonë sipas meje, letërsia e Kosovës përbën
urën
e Shqipërisë që lidh rrugën e kultures bashkëkohore të Evropës atë urë
shqiptare me vlerat e kultures tradicionale shqiptare, të cilat u humbën, u
shkatërruan gjatë viteve të diktaturës komuniste.
Populli
i Shqipërisë ka për të mësuar shumë nga Kosova dhe kultura e saj. Gjithashtu
edhe
populli i Kosovës ka aq shumë për të mësuar nga dheu amë. Arritjet në prozen e
gjatë dhe në poezinë e re janë të padiskutueshme. Shpresoj se ky zbulim i
ndërsjelltë do të përfundojë në një pasurim të mëtejshëm dhe jo në një
nivelizim të kontraktuar.
Duke
theksuar rëndësinë e letërsisë së Kosovës për Shqipërinë, unë e kam të qartë se
jo
çdo
gjë do të arrijë të sigurojë pëlqimin e lexuesit. Përdorimi i gjuhës herë-herë
mund të duket i rëndë në Shqipëri, lexuesi i të cilës është mësuar ta shijojë
fjalën. Disa nga figurat, stilistikisht, do t'i duken të dyshimta. Çdo lexues
ka të drejtë të krijojë mendimin e vetë: ose do të pranojë ose do te refuzojë,
por ajo që është kryesorja edhe të bindet dhe një herë se fjala shqipe ka
mundësi të pafundme.
Comments
Post a Comment