Charles Dickens, dhuratat e tij për botën moderne
200-vjetori i lindjes së të madhit të letrave britanike dhe botërore, Charles Dickens, është duke u afruar dhe me këtë rast, jo vetëm në vendin e tij të origjinës, por dhe në vende të tjera priten festime nga më të ndryshmet.Charles Dickens është një nga shkrimtarët më të shquar të shekullit të 19, por ndikimi që ai pati i kalon kufijtë e letërsisë. Shumë nga frazat, personazhet dhe idetë e tij janë përfshirë dhe bërë pjesë edhe e kulturës moderne. Ja cilat janë disa nga trashëgimitë e këtij njeriu të madh, që vlerësohen dhe janë aktuale edhe në ditët e sotme...
Krishtlindjet e bardha
Kritikët modernë letrarë e kanë përshkruar shpesh Dickens si
“njeriu që shpiku Krishtlindjet”. Sigurisht nuk është fjala për ritet fetare,
por për kulturën e gjerë që ka marrë ky fenomen, për gjithë atë tërësi ndjesish
dhe shpirt festiv që karakterizon këtë festë. Në fillim të shekullit të 19,
Krishtlindjet ishin thjesht një ritual, që mezi përmendej dhe kujtohej nga disa
pak njerëz në Britaninë e Madhe. Si shembull i kësaj mund të marrim edhe rastin
e Carlton Club, që drejtonte Partinë Konservatore në atë kohë. Ky klub nuk e
kishte problem që të caktonte pikërisht në këtë ditë mbledhjet e tij të radhës,
sikur të mos bëhej fjalë për një ditë feste të shumëpritur dhe të shënuar.
Ndërkohë që Princ Alberti merr meritat për rigjallërimin e kësaj tradite dhe
për përfshirjen e pemës së Krishtlindjeve në ritualin masiv, janë të shumtë ata
që mendojnë dhe besojnë se përshkrimet popullore të Dickens-it për këtë
periudhë festive u shndërruan në një “reklamë” jashtëzakonisht të madhe të
festës jo vetëm për atë brez, por edhe për brezat e tjerë. Në biografinë e tij
të Dickens-it, Peter Ackroyd shkruan: “Në këndvështrimin që e konsideron
Dickens-in si krijuesin e Krishtlindjeve moderne, është me interes që të
theksohet se vetë shkrimtari kishte një ndjeshmëri shumë të madhe për këtë
periudhë dhe kjo e bëri që ta përshkruante atmosferën me shumë dashuri e t’ua
fuste këtë dashuri dhe të tjerëve. Ai kishte një këndvështrim shumë romantik
për këtë festë dhe vigjiljen e saj që tashmë është përcjellë në të gjithë
botën, jo vetëm në Britaninë e Madhe.
Varfëria dikensiane
Një nga gjërat që ka qenë gjithmonë në vëmendjen e
Dickens-it dhe në zemrën e tij kanë qenë shtresat e ulëta. Ai ka qenë ndër
shkrimtarët e parë që dha një tablo të jetës mizerabël të të varfërve të
Londrës viktoriane. Dhe kjo ishte një zonë në të cilën ai kishte kaluar
personalisht përvoja. I ati i tij kishte shumë pak aftësi në menaxhimin
financiar dhe si pasojë dështoi duke futur veten dhe familjen në një lloj burgu
për borxhlinjtë për gjashtë muaj me radhë. Vetë Dickens-i i ri ka punuar në
dyqanin e një kushëriri ku lante shishet e vjetra vetëm për një shilingë në
javë, që nuk dilte as për bukë goje. Pasi u bë i famshëm, Dickens ndihmoi në
paraqitjen e situatës ekstremisht të rëndë të të varfërve të Lodrës, duke
përshkruar edhe gjithë burokracinë dhe indiferencën që karakterizonte shtresat
e pasura në pushtet për t’u kujdesur dhe zgjidhur problemet e të varfërve dhe
të më të dobëtëve. Në letërsinë botërore ekziston edhe termi “dikensian” për të
përshkruar pikërisht varfërinë më ekstreme dhe të pashpresë, pra nivelin më të
ulët të skamjes. Ky është një term që përdoret edhe sot e kësaj dite për të
përshkruar situata me të vërtetë ekstreme dhe të patolerueshme të varfërisë
njerëzore. Në shumë fjalime për varfërinë gjendet një term i tillë që për nga
forca që përcjell ia kalon edhe vetë fjalës “tmerr” dhe “skamje ekstreme”.
Personazhet e komedisë moderne
Leximet që Dikensi u bënte veprave të veta para njerëzve
thuhet se ishin plot humor dhe vetë interpretimi i tij ishte shumë i këndshëm.
Ai kishte një theks të caktuar dhe një mimikë që shpesh bënte më shumë për të
qeshur se vetë përmbajtja e asaj që thuhej. Ai arrinte që të portretizonte të
gjithë personazhet në një mënyrë shumë virtuoze dhe kjo i dilte me shumë
vërtetësi dhe natyralizëm. Sipas shumë analistëve dhe kritikëve si dhe
studiuesve të Dikensit ai kishte një potencial të jashtëzakonshëm humori dhe
ekspresioni. Kjo pavarësisht se nga një shumicë njerëzish ai është konsideruar
dhe konsiderohet gjithmonë si një shkrimtar ekstremisht serioz. Në fakt Dikens
ishte një njeri që e donte dhe e prodhonte humorin, edhe pse herë pas here bëhet
falë për satirë dhe humor të zi. Ai thoshte shpesh se humori është shprehje e
inteligjencës njerëzore dhe sa më inteligjent të ishte një njeri, aq më i hollë
do të ishte edhe humori i tij. Ai madje nga disa konsiderohet si komediani më i
mirë që ka prodhuar ndonjëherë letërsia britanike. Një pjesë e madhe e komedisë
së sotme është kushtëzuar tërësisht nga mënyra se si shkruante Dickens-i për
faktet, nga këndvështrimi komik dhe qesharak me të cilat shihte ndonjëherë edhe
fakte që ishin ndoshta dramatike, apo serioze.
Kinemaja
Është një nga shkrimtarët klasikë dhe modernë, veprat e të
cilit janë bërë filma, pjesë teatrale në mënyrë të vazhdueshme dhe gjithmonë me
sukses shumë të madh. Një regjisor shumë i madh rus me emrin Sergei Eisenstein,
ka deklaruar se aspektet e rëndësishme të kinemasë janë krijuar nga ndikimi i
Dickens-it dhe veprës së tij. Sipas tij Dickens arriti që të shpikë, mes të
tjerash, të ashtuquajturin “montazhi paralel” ku dy rrëfime, ose dy linja të
narrativës ecin paralelisht me njëra-tjetrën. “Ideja që Dickens-i “shpiku”
kinemanë është shumë e rëndësishme, edhe pse mund të duket e çuditshme në fakt.
Thelbi qëndron se ai ishte bazë e një zhvillimi dhe një ndikimi në këtë zhanër.
Kjo duket qartë nga numri i madh i dramatizimeve të filmave të tij dhe
ekranizimeve. Sipas statistikave, vetëm në epokën e filmave pa zë ka rreth 100
versione të veprave të Dickens-it të krijuara dhe të realizuara në celuloid.
Dhe janë adoptime të cilat vazhdojnë që të kryhen edhe sot e gjithë ditën,
madje tashmë edhe në 3D. Kjo ka të bëjë kryesisht me mënyrën vizuale me të
cilën ka shkaktuar Dickens-i, duke sjellë peizazhe dhe përshkrime të
jashtëzakonshme të vendeve dhe të personazheve që janë të gjalla dhe lehtësisht
të ekranizueshme.
Këndvështrimi për ligjin
“Bleak House” ngjarjet e të cilit zhvillohen në një gjykatë
para reformave ligjore në vitin 1870 është një sulm i hapur dhe i egër ndaj
sistemit gjyqësor dhe juridik të asaj kohe. Përshkrimi që i bën gjykatësve
është shumë i drejtë dhe i ashpër. Sipas kritikëve letrarë, janë shumë të
dobishëm për studentët e ligjeve që të lexojnë të paktën dy libra të Dickens-it
“Bleak House” dhe “Pickwick Papers”. Duke lexuar këtë libër, edhe një jurist me
përvojë do të habitet me saktësinë e përshkrimeve apo të informacioneve që
jepen në të. Mënyra me të cilën ai foli për ligjin dhe njerëzit e tij është me
vlerë edhe për juristët e sotëm në Britaninë e Madhe dhe më gjerë.
Personazhet e goditur
Zhvillimi i personazheve në veprën e Dickens-it është
përshëndetur shpesh si një nga arritjet e tij më të mëdha. Fjalori i
personazheve të letërsisë angleze liston 989 emra personazhesh vetëm të
Dickens-it përfshi të gjithë personazhet e “Pickwick Papers” e kështu me radhë.
Në shumë vepra emrat e personazheve kanë një konotacion simbolik të fortë. Në
disa raste kanë edhe referencë biblike dhe kjo është bërë gjithmonë me një
qëllim dhe arsye të qartë nga autori. Më pas një teknikë e tillë është përdorur
me shumë sukses edhe nga shkrimtarë të tjerë të mëdhenj si James Joyce,
Fitzgerald apo Martin Amis. Një pjesë e madhe e personazheve të tij janë kaq të
goditur sa emrat e tyre të përvetshëm janë shndërruar në emra të përgjithshëm.
Për shembull, Uriah Hip, tek “David Koperfild” një njeri i pështirë dhe
intrigant përdoret rëndom për të portretizuar edhe sot e kësaj dite njerëz të
sërës dhe sjelljes së tij.
Comments
Post a Comment