Dante Aligeri, poeti që kumtoi amshimin
Nga Albert Vataj
Shekujt janë qartazi përcaktes, të drejtë, rreptësisht të
drejtë, sikundër dhe të pamëshirshëm deri në hakërrinë e harresës. Hedhin tej në
të shkuarën dhe e mbulojnë me tis dhe mjegull anateme çdo gjë që vjetrohet,
gjithseçka që koha e përjashton nga shtati i saj si një çiban lëndues. Përkundër,
është ajo që ruan si ama foshnjën, si diçka të patëdytë, të çmuar tançka ndryn
në vetvete rininë e përjetshme. Gjithseçka që ka veshur mantelin e përjetësisë
dhe predikon jetën e pasosun. E kurrçka tjetër që rrok këtë shenjtëri nuk asht
veç kryeveprave si “Komedia Hyjnore”. E kur citojmë këtë rrokakohohë të pamatë,
natyrshëm që nënkuptojmë atë vullnesë eterne që e përjetësoi në vargje këtë titan
të letërsisë botërore. Kur përmendim “Komedia Hyjnori”, gjithherë qasemi të
rrokim hapsinën e pamatë të atij shpirti kumtues dhe atij vullneti shpërthyes.
Dante Alighieri lindi në Firencë, midis 14 majit dhe 13
qershorit 1265 - vdiq në Ravena më 14 shtator 1321), plot 690 vjet nga tash,
kur vepra e tij mbetet një triumf, një emblemë e visareve të letërsisë së
përbotshme. Dante ishte poet, shkrimtar, arkitekt dhe politikan gjithashtu.
Konsidrohet si poeti më i madh i Italisë. E kjo nuk është vetëm një
konsideratë, një kumtesë, një qëmtim retorik dhe statistikor. Eshtë një e
tashme e çdo kohe, me të drejtën për të përqafur këtë në brezni.
Rrugëtimi tokësor i një ylli
Shpesh, tana heret më bëhet që jeta dhe fati nuk janë
shumë dashamirës, shumë miklues për jetën dhe fundin e korifejve të mendimit
dhe të shëmbëllimit. Kështu edhe Dante, edhe jeta e tij, si e shumë poetëve,
filozofëve, artistëve; të mëdhenj, të kohëve të deritashme, patën një Golgotë
të mundimshme. Jeta dhe vdekja ishte për ta një borxh dhe e trajtuan vetëm si
të tillë. Dante pati një jetë shumë të mundimshme, vdiq në ekzil larg nga
qyteti i tij i lindjes. Ai jetoi në prag
të Rilindjes Evropiane, e cila lindi titanë të vërtetë për nga forca e mendimit
dhe e pasionit, për karakterin dhe diturinë e shumanshme për gjithëkohësinë që
i mëkuan veprave të tyre. “Perëndimi i Mesjetës feudale dhe afrimi i epokës së
sotme”, u shënua nga një figurë vigane nga një dimension i pamatë ettik,
estetik, historik dhe artistik. Ky është përnjimend Dante Aligeri, më i madhi
poet i Italisë, një nga figurat më gjeniale të letërsisë botërore, poet i
fundit i Mesjetës dhe njëkohësisht poeti i parë i Kohës së Re. Konsiderohet si
babai i gjuhës italiane. Biografët janë të mendimit se jo vetëm letrarët dhe
njerëzit e kulturuar, por dhe njerëzit e thjeshtë lexonin dhe mësonin
përmendësh pjesë nga Komedia Hyjnore.
Si personalitet krijues, me ndjenja të zhvilluara
atdhetare, Dantja udhëhiqej nga besimi se poezia duhet t’i shërbente popullit,
të ishte pasqyrim i ngjarjeve politike dhe në funksion të ndërtimit të një
shoqërie më të përparuar. Sipas Dantes, njeriu duhej të çlirohej nga kufizimet
fetare dhe të synonte drejt shprehjes së lirë të mendimeve dhe të ndjenjave të
tij, si dhe drejt zgjimit të vetëdijës qytetare e politike. Vetëm kështu do të
mund të zotëronte humanizëm dhe demokratizim në marrëdhëniet më njerëzit e
tjerë. Pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore e politike të Firencës i siguroi
Dantes karrierë të shpejtë e të ndritshme, por ndoshta edhe goditjen më të
madhe e më të dhimbshme të jetës së tij.
Universi i krjimtarisë
Tankush e ka përçuar në erudicionin e formimit të vet
këtë emër, ka gjetur shtegun përnga përfundimi se Dante është poeti më i madh
italian i të gjitha kohërave. Ai ishte gjithashtu, një shkrimtar i shquar në
prozë, mendimtar aktiv politik, filozof moralist e teoricien letrar, gjithashtu
dhe arkitekt. Si vazhdues i trubadurëve provansalë, që i këndonin “beatriçes
dhe rihanas” (vashës) e dashurisë kalorsiake dhe i ndikuar nga krijuesit e
shkollës poetike të “stilit të ri të ëmbël”, e veçanërisht nga bolonjezi Guido
Guiniçeli. Dantja krijoi një lirikë delikate dhe depërtuese, përplot me realizëm
e nerv vërshimi, të thellë e të çiltër, ku dashuria tokësore e qiellore
shkrihen e behën një. Më 1294 ose ’95 shkruan në gjuhën popullore veprën “Jeta
e re” (Vita nuova), historinë e dashurisë së tij me Beatriçen, të parin tregim
autobiografik në histroinë e letërsisë së Evropës Perëndimore. “Rimat” janë një
përmbledhje sonetash, baladash e këngësh, që i kushtohen Beatriçes dhe mikut të
tij Guido Kavalkanti. Janë shkruar në gjuhën popullore sipas “stilit të ri të
ëmbël”.
Ati i gjuhës italiane
Në vitet 1306-1308, duke luftuar për krijimin e një gjuhe
të përbashkët për popullin italian, shkroi traktatin “Mbi gjuhën popullore”, të
parin traktat gjuhësor në Evropë. Në të ai flet për prejardhjen e gjuhëve,
sidomos romane, dhe ndalet në 14 dialektet e gjuhës italiane. Ai synon krijimin
e një gjuhe që të jetë po aq e përsosur sa latinishtja, që të matet pa frikë me
frëngjishten dhe gjuhën provansale. Vepra mbeti e përkryer plotësisht. Këto
vepra të tjera janë mjaft të rëndësishme, po ajo që i dha atij lavdinë e
përjetshme, e hodhi në prehrin e amshimit, është kryevepra me titull: “Komedia
Hyjnore” (La divina Commedia). Ajo ishte dhe mbeti “Iliada” romane e Rilindjes.
Kolana e librave të përbotshëm, nuk do të ishte e përplotësuar pa “Komedinë
Hyjnore”, një nga vërshimet më të potershme të kohës dhe një nga miklimet më të
adhuruara, për hapat e mëvonshëm të pasionit për shpirtin dhe sentimentet,
etikën dhe estetikën, besimin dhe hovin drejt qiejve të paanë të lirisë,
fshikujve ndaj sistemit të anitvlerave dhe amborzin për plagën e kahershme të
përkushtimit.
“Komedia Hyjnore”
Struktura e saj mbështetet në numrin tre në raport me
numrin një: ka tre kantika (Ferri, Purgatori dhe Parajsa), të ndara secila në
33 këngë. Vargjet janë të ndarë gjithashtu në (strofa me tre vargje). Sipas
Dantes, vepra e tij nuk ishte e stilit të lartë, por të mesëm, për shkak të
zhvillimit të aksionit (sepse këtu veprimi fillon i trishtuar dhe mbaron i
gëzuar) dhe gjuhë te folur italishte jo stilit të lartë). "Hyjnore"
ajo u quajt vetëm më vonë nga pasardhësit për vlerat e saj të larta poetike dhe
të përmbajtjes. Udhëheqësi i tij nëpër Ferr është Virgjili, i cili e shoqëron
atë edhe në Purgator. Pastaj atë e shoqëron Beatriçja, bashkë me të cilën ai
ngjitet në sferat e planetëve dhe të yjeve të Parajsës, ku takohet me shpirtrat
e bekuar që zbresin për ta përshëndetur.Duke dalë nga pylli i errët i mëkateve,
poeti takon Virgjilin, i cili bëhet udhërrëfyesi i tij nëpër Ferr. Ata futen në
portat e Ferrit ne vitit 1300. Sëbashku kalojnë nëntë rrathët e Ferrit dhe
sosin në qendër të tokës.Tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen në Ferr:
mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi. Sipas Dantes, Ferri është vendi i
ndëshkimit të çdo dhune, e cila mund të ushtrohet ndaj Krijuesit, të afërmëve
dhe vetëvetes. Në këtë botë të dhimbjes së përjetshme shohim figura historike
të të gjitha kohërave, të të gjitha fushave: Në letrën më lart Dante shkruan:
" ... mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë simë) është që
të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për
në gjendjen e bekuar".Në Komedi u mishërua puna e madhe, e gjatë dhe
këmbëngulëse që kishte bërë Dante. Ai arriti të krijojë një kryevepër me vlera
artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohësit.
“Jo më pak se
dija, dyshimi më pëlqen”
Kjo vepër monumentale është shkruar në një periudhë
tetëvjeçare (1313-1321). Dantja e titulloi veprën Komedi, sipas poetikës së
moçme, duke dashur të përcaktojë gjininë e veprës: Komedia është një vepër që
përfaqëson një rrëfim me përfundim fatlum, e kundërta e tragjedisë. Në realitet
dhe Komedia e Dantes përfundon fatmirësisht, meqenëse protagonisti e takon
Zotin, pra sos udhën e vet në fillimi i jetës së pasosun përkrah krijuesit. Më
vonë, me sugjerimin e Xhovani Bokaçios, kësaj vepre iu shtua atributi hyjnor,
që të lartësohej më fuqishëm madhështia dhe bukuria e saj. Te “Komedia Hyjnore”
Dantja shfreu të gjitha pasionet e tij, sulmoi ashpër armiqtë, u sul kundër
tiranive dhe korrupsionit të selisë papnore, kundër veseve njerëzore, u tregoi
bashkëkohësve të vet se si duhej ndrequr njerëzimi. Vepra paraqet një alegori
epike trekëngëshe të shpirtit njerëzor dhe një përmendore, në të cilën me
fantazinë e tij të mrekullueshme. Si arkitekt gjenial ai ngriti ndërtesën e
mbretërisë së botës së përtejme. Me fjalë të tjera është një përshkrim i
udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tre mbretëritë e përjetshme: Ferrit,
Purgatorit dhe Parajsës. Gjatë këtij udhëtimi përfytyror, që zgjati vetëm 24
orë, Dantja provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes.
Shtegëtimet nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, dhimbje, pendime,
dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të
gjitha shtresave.
Përjetësia e një kumti
Tash kur kanë mbetur pas 690 nga vdekja e këtij
dimensioni krijues të pamatë, bota e mendimit dhe e kumtimit të së tashmes ka
rrethaur me brerorë shenjtërimi emrin dhe veprën e tij. Tash kur kanë kaluar
kaq vite nga brakisja e të gjallët e tij munet me xanun vend si gjumtyrë e
thyeme nga shtatorja e një statuje, ajo që i madhi Bogaço shkroi për Danten:
“Emni i tij sa më shumë do të lëmohet nga koha, aq më i qartë e më i ndritshëm
ka për t’u ba”. Kurrqysh ma bukur nuk i përkojnë se më këtë sentencë emri,
vepra dhe koha që limoi Danten, duke e kthyer atë në një shkrepëtim zjarmtare
rrufeje për tan ata shpirtra që velen në çastet e fundit të jetës, e të tjerëve
që vetë jeta i përball orë e çast me cakun e mbram.
Comments
Post a Comment