Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër
Ky ishte qyteti që Migjeni e donte me një “dashuri
tragjike”… Shkodra ishte parajsa dhe ferri I tij. “Shkodra dashnorja e qiellit
të kaltër… e liqenit ëndërrtar në të cilin, në mëngjese të kullueta lan hijen e
vet. Kështu do të shkruajë për të kur ta sodiste që larg: “Këtu në këtë largësi
ndjej damarët e saj që rrahin, e rrahin… edhe sikur mjeku që tharpton ftyrën
kur shef se pacienti I tij ka ethe, q’ashtu edhe unë pezmatohem n’idhnim, tue
pa se pulsi I dashnores seme nuk rreh siç duhet.”
Shkodra ishte qendër e madhe dhe plot jetë. Një nga
qytetet më të lashta në krejt gadishullin, bashkëkohëse e Romës antike. Shkodra
me gjithë furtunat që I kishtin kaluar përsipër e ruante peshën dhe hijen e
saj. Hijen e pushtetit të dikurshëm të padronëve të saj, derës së famshme të
Bushatllinjve, shpatëndëshkuese e krejt sulltanëve në Gadishullin e Ballkanit,
madje më larg, gjer në Hungari e në Kretë, hijen e fesë katolike, kuvendet e
kishat e së cilës nuk ishin më pak të fuqishme, dhe së fundi hijen e maleve, atë
hije të rëndë tragjike që me mijëra kanale e udhë misterioze zbriste nga Malësia
e Madhe, nga Bjeshkët e Nemuna, nga krejt Rrafshi verior I Shqipërisë, për të plotësuar,
për të zëvendësuar apo për të korrigjuar diçka në statusin shpirtëror të këtij
qyteti. Por nuk ishin vetëm këto. Përveç kështjellës dhe kishave, përveç
kullave, kambanoreve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, bibloteka,
arkiva mesjetae, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë
vendin. Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfar
problemesh, gra të bukura dhe histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku
shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga
ato që pjell qytetërimi etj, etj
Comments
Post a Comment