Anton Çehov, Dashuria e ndaluar me Lidia-n
Biografët kanë ende dyshime nëse kjo histori dashurie, që
thuhet se zgjati dhjetë vjet, është e vërtetë. Vet Lidia Avilova e ka rrëfyer
në autobiografi. E martuar dhe me fëmijë ajo nuk u divorcua kurrë, por vdiq
duke përqafuar varrin e Çehovit
Lidia Alekseevna Avilova ka jetuar mes viteve 1864 dhe 1943.
Për të nuk do të flitej ende nëse nuk do të ishte përfshirë në një histori
sentimentale, të mbështjellë me mister. Lidia lindi në Tula, një qytet i njohur
për kallashnikovët dhe vodkën, një vend që ndodhet pranë Jasnaja Poljana, aty
ku Tosltoi kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij dhe ku shkroi kryeveprat.
Lidia Avilova vdiq në Moskë duke përqafuar varrin e Anton Çehovit. Nga ajo kanë
mbetur qindra dëshmi, por në veçanti “Autobiografia”. Ky botim, mban si nëntitull:
“Çehovi në jetën time”. Studiuesit e letrave të saj, mendojnë se në fazën
parapërgatitore të kësaj autobiografike, Lidia mund t’i ketë vënë edhe titullin
“Historia e dashurisë e jetës sime”, gjë që do ta kthente në një rrëfim, që do
të zbulonte të vërteta. Për më tepër, mjafton të hapësh veprën dhe të lexosh
frazën e fillimit: “Historia e dashurisë që nuk e mësoi askush, por që zgjati
plot dhjetë vjet…”. Po në këtë fletë Lidia flet edhe për njohjet e miqësinë e
saj me Tolstoin, Gorkin, Buninin. A ka pasur dashuri mes tyre? E nëse kjo nuk
mund të thuhet ekzaktësisht, ka të dhëna që tregojnë se mes Lidias- dhe
Antonit, ndjenjat vunë në lëvizje trupat dhe e kundërta. Por që të dy tentonin
të mbanin gjithçka të fshehtë e në heshtje, ndryshe nga sa mund të ndodhte në
një situatë tjetër, kur gjërat mund të bëheshin të qarta. Ne po mjaftohemi të
mbledhim disa detaje të një histori dashurie të komplikuar të shpirtit rus, që
duket se është krejtësisht i ndryshëm me atë perëndimor(edhe pse ndokujt i
duket identik). “Autobiografia” që Lidia la të shkruar edhe sot ngjall debate
mes kritikëve, sepse disa prej tyre mendojnë se rrëfimet janë të vërteta,
ndërsa të tjerë i konsiderojnë ngjarjet e treguara një trillim të mirëfilltë.
Duke iu referuar dëshmisë që vet Lidia ka lënë, ajo e ka njohur Çehovin në
vitin 1889. Thuhet se ajo ishte një shkrimtare e re, që kërkonte këshillën e
Çehovit, tashmë i afirmuar. Mes dorëshkrimeve të kësaj zonje, të ruajtur në
Arkivin Qendror të Lidhjes së Shkrimtarëve, gjenden letra “për Antonin” që nga
viti 1892. Letrat mbajnë shënime të shkrimtarit të njohur, lexohen sugjerime
mbi tekstin, vëzhgime, ka fraza të fshira, por edhe nënvizime. Madje, nga
analiza e gjithë këtyre detajeve mund të thuhet se Çehovi mendonte se ajo ishte
shumë sentimentale. Djali i një shitësi dhe i një tregtareje, Anton Çehovi
studio mjekësi për pesë vjet. I lindur në Taganrog, në Rusi, në një familje që
vuajti gjatë nga problemet ekonomike, i ri ëndërronte vetëm t’i ikte skamjes në
të cilën ndodhej familja e tij, ndërkohë që kishte vuajtur abuzimet e
vazhdueshme të një babai të sertë me nënën e tij. Një vizitë në Moskë e bën që
ai të dashurohet pas këtij qyteti. Bën gjithçka për të shkuar atje, duke marrë
një bursë studimi në mjekësi. Por ndonëse në profesion ishte mjek, ai u bë një
ndër shkrimtarët dhe dramaturgët kryesorë rusë. Lidia ishte e martuar dhe
kishte fëmijë, por kjo nuk e pengonte të ishte e pranishme në takime sekrete.
Nga ana e tij, Çehovi tregon besim ndaj saj. Në 3 mars të vitit 1892 i shkruan:
“Personazhet e tu janë shumë të nxituar dhe abuzon me fjalë si “i përkryer”,
“vrull”, etj. Këtyre vërejtjeve i shton edhe një shprehje, që e thënë në
rusisht “Nu ikh!, mund të përkthehet “le të shkojnë në ferr”, por ndoshta edhe
më rëndë se kaq. Pastaj kërkon falje. E krahason veten me një “gjeneral
ushtrie” për impulsivitetin që e rrëmben. Mes të dyve ka më shumë bashkëpunim
se sa një besim të fortë, një ndjenjë që di të transformohet në rrethana të
caktuara e të kthehet në një pasion praktik. Nga ana tjetër, nuk është e
ekzagjeruar nëse kujtojmë se Çehovi priste divorcin e Lidias që të martohej me
të. Por ajo, edhe pse në fjalë e në letra e adhuronte Antonin, nuk e ndërmori
kurrë këtë hap. Qëndroi me bashkëshortin dhe familjen e saj. Burri i saj është
i krahasueshëm me atë të Ana Kareninës: një burokrat i moneklaturës cariste, i
gatshëm të bënte gjithçka për të shmangur skandalet. Meskin, mediokër, acarues,
i denjë për personazh romanësh. Mes Lidias dhe Çehovit nuk pati asnjëherë një
shkëputje të vërtetë, edhe pse në vitin 1901 shkrimtari u martua me aktoren
Olga Knipper. Viktor Gajduk, profesor në Moskë dhe autor i një libri në të
cilin janë ndërtuar jo pak detaje sekrete të jetës së Çehovit, shprehet: I
fshihte dashuritë e tij, duke treguar përreth histori të çuditshme, që me
siguri i shpikte. E bënte këtë jo për t’u mburrur, por për të pështjelluar më
shumë miqtë dhe të njohurit e tij”. Në të njëjtën kohë, kjo që bënte ishte një
mënyrë mbrojtjeje edhe nga armiqtë e tij, të cilët, me siguri, prisnin të dilnin
në shesh çështje të seksit, për ta goditur. Nga sa dihet, mund të thuhet se
pati dy dashuri të vërteta, bashkëshorten dhe Lidian. kjo e fundit, pas vdekjes
së shkrimtarit në vitin 1904, hyri në pjesën e dashnoreve, e ve, ashtu siç
shkruan Tatiana Zonova, docente në Moskë, “nuk arrinte më të kuptonte deri në
ç’pikë i kishte sajuar ngjarjet e dashurisë së saj e deri në çfarë pike i
kishte jetuar me të vërtetë”. Lidia Avilova vdiq mbi varrin e Çehovit, më 27
shtator 1943, në të njëjtën ditë kur Pravda publikoi dekretin e dorëzimit të
“Çmimit Stalin”, gruas së tij Olga Knipper.
Shqip
Comments
Post a Comment