Njëri ndan, tjetri ndalon çmimin “Bekim Fehmiu”


Nik Xhelilaj, aktori nga Shqipëria i cili në vitin 2010 ishte shpërblyer në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar “PriFilmFest”, me çmimin “Bekim Fehmiu”, për rolin më të mirë të mashkullit që e kishte realizuar në filmin “Shqiptari”, duhet ta ruajë me xhelozi këtë çmim, pasi që ishte aktori i parë dhe i fundit që është nderuar me çmimin me emër të aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, pasi që, vendimi i Lutfi Hazirit, për dhënien e këtij çmimi, nuk u zbatua më në vitet e tjera.
“PriFilmFest”, edhe vitin e fundit kishte ndarë çmimin për aktorin më të mirë, mirëpo pa emërtimin Bekim Fehmiu, pasi që, për këtë çështje nuk e kanë pasur më bekimin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, pasi që edhe si çmim ka dalë nga ky institucion.
Ndërkohë, përderisa po afrohemi drejt edicionit të radhës së këtij festivali, organizatorët nuk kanë marrë ndonjë shenjë se në këtë vit mund ta ndajnë apo jo këtë çmim.
“Ne na kishin bërë nder nëse Ministria për Kulturë vendos që çmimi ‘Bekim Fehmiu’ të ndahet nëpërmjet festivalit tonë, ashtu sikur edhe ka ndodhur në vitin 2010. Mirëpo, kjo nuk varet prej neve po prej Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte”, ka thënë Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit “PriFilmFest”, e cila kishte pasur nder që për një herë të vetme të ketë në mesin e çmimeve edhe çmimin me emrin e Bekim Fehmiut.
Sipas saj, duke pasur parasysh se festivali që organizohet nga ajo ka karakter ndërkombëtar dhe nëse do të dekorohej ndonjë artist i huaj me çmimin e Bekim Fehmiut, atëherë emri i aktorit të madh shqiptar do të vazhdojë të jetojë edhe më tutje në shtetet e huaja, pasi që emri i tij do të kujtohej çdo vit nëpërmjet këtij çmimi.
Mirëpo, pse është ndërprerë një çmim i tillë, kur kishte dalë me vendim të ish-ministrit të Kulturës, Lutfi Haziri, atëherë ministër, edhe vetë Haziri shpreh keqardhje.
“Çmimi ‘Bekim Fehmiu’ është themeluar në shenjë respekti për jetën dhe veprën e aktorit dhe njeriut të madh, Bekim Fehmiu. Arti, kultura, loja filmike, përfaqësimi dhe arritjet e tij, janë disa nga vlerat që la prapa për ne të gjallët. Shqiptarët kudo që jetuan i përfaqësoi me emër e mbiemër. Kosova ia kishte borxh respektin”, ka thënë Haziri, të cilit nuk iu vazhdua vendimi nga pasardhësi i tij, Memli Krasniqi.
Haziri edhe më tutje mendon se nëse do të ndahej ky çmim do të inkurajonte artistët e rinj. Sipas tij, mosndarja e çmimit në emër të Bekim Fehmiut është shkelje mbi emrin Bekim Fehmiu. Por, sipas tij, pos që këtë obligim e ka Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, një obligim të tillë e ka edhe Presidenca e Kosovës, që sipas Hazirit, i ka mbetur borxh emrit të Bekim Fehmiut.
“Sa isha minister në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte për pak muaj, kuptova që Bekimit edhe për së gjalli i kanë hyrë në hak e nuk është e drejtë që edhe pas vdekjes të vazhdohet që t’i hyhet në hak”, ka thënë Haziri, duke përfunduar se këtë mision duhet ta përmbyllin edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Memli Krasniqi, sikurse edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Ndërkohë, për këtë zvarritje të mosdhënies së çmimit nga ana e presidencës, gazeta nuk ka arritur të mësojë, pasi që ka qenë e pamundur kontakti me zyrën e presidentes. Ndërkohë, ata të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte kanë pasur përgjigjen për këtë punë.

Sipas Shasivar Haxhijat, këshilltar në MKRS, dhënia e atij çmimi ka qenë pa vendim dhe është dhënë ad-hoc. “Në MKRS nuk ka pasur asnjëherë asnjë vendim të nënshkruar për themelimin e Çmimit “Bekim Fehmiu”. Dhënia ad-hoc e një çmimi në Festivalin “PriFilmFest”, nuk ka pasur formën e ndarjes institucionale të një çmimi. Aq më pak, kur s’ka asnjë dokument që e rregullon procedurën e nominimit, vlerësimit dhe ndarjes së një çmimi të tillë. Kështu që ai rast ka qenë një rast i improvizuar dhe asgjë më shumë”, është arsyetuar Shasivar Haxhijaj.
Mirëpo, që nga viti 2010 kanë kaluar dy vjet, dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte nuk i ka mjaftuar sa duhet kjo kohë për të rregulluar këtë çmim edhe me dokumente.
Sipas Haxhijajt, vendimi për themelimin e çmimit tashmë është gati dhe po ashtu është në finalizim e sipër edhe draft-rregullorja për ndarjen e çmimeve ne fushën e kinematografisë.
Dhe sipas vendimit të Ministrisë, duket që “PriFilmFest” nuk do të ndajë më këtë çmim, pasi që, sipas Haxhijat, mënyra e ndarjes se çmimeve në fushën e kinematografisë do të jetë e ngjashme me mënyrën e ndarjes së çmimeve në fushën e letërsisë apo teatrit.
“Rregullorja përkatëse do të rregullojë procedurat dhe mënyrën e ndarjes së çmimeve”, ka përfunduar Haxhijaj.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk