Artistët në depresion krijuan vepra të mëdha
Në Muzeun Orsay të Parisit gjendet një tablo në të cilën
Muza me krahët e një engjëlli përqafon Hesiodin dhe i dhuron spektrin e poetit,
duke i vendosur një kurorë në kokë. Është një skenë të cilën vetë poeti e ka
përshkruar në poemën mitologjike “Teogonia”, por përveç mundësisë për t’u
kënduar perëndive, poetët morën edhe një tjetër dhuratë. E padukshme, e errët
dhe e frikshme, që i ka shoqëruar poetët që prej shekujve. Hipokrati i gjeti
një emërtim: melankoli, atë që babai i mjekësisë e quante dhimbje të shkaktuar
nga një gjendje e trishtueshme, “humor vjeshtor”.
“Nëse frika ose trishtimi zgjasin për një kohë të gjatë,
atëherë ky është një fenomen melankolik”, thoshte Hipokrati. Kishte parashikuar
edhe pasojat: mungesë oreksi, apati, pagjumësi, irritim. Pa qenë nevoja të
ishte mjek, katër shekuj më vonë, Seneka përshkruan në “Qetësia e shpirtit”
dhimbjen e atij që gjendet “pa forca për të përballuar kundërshtitë, i paaftë
për të toleruar dhimbjen për të shijuar gjërat”. Nga koha kur në përdorim u vu
literatura, një nga predikuesit më të famshëm amerikan, David Wolpe, lider i
hebraizmit konservator, u fokusua pikërisht në përshkrimet e shumta të
depresionit në Bibël. Shkrimtarët dhe në përgjithësi artistët duket se kanë
vuajtur në mënyrë më masive se pjesa tjetër e popullsisë. Këtë e kishte kthyer
në teori Robert Burton, autor i cili në vitin 1621 -njëzet vjet pas Hamletit
dhe vetëm pesë vjet pas vdekjes së Shekspirit- në një “Anatomi” monumentale të
zbuluar pas shekujsh në hije, shkruan se “janë Muzat vetë që vuajnë nga
melankolia”, duke bashkuar që në rrënjë krijimin artistik me depresionin. Një
nga ata që e vuajtën këtë sëmundje ishte kompozitori Xhakomo Rosini. Rosini u
tërhoq në moshën 37-vjeçare pas kompozimit të “Vilhelm Tel”, që do të shënonte
operën e fundit për të.
Tema kryesore e letrave që Van Gog ia dërgonte të vëllait
Teo ishte vetmia e piktorit dhe krizat e tij të përsëritura të melankolisë. E
dëshmon një nga letrat e tij: “Ndjeva një ndjenjë të papërmbajtshme melankolie
brenda meje, kaq e vrullshme sa as nuk arrij ta shpjegoj. E di që mendova, siç
më ndodh shpesh, për fjalët e At Millet: Më është dukur gjithnjë se vetëvrasja
është akt i njerëzve të pandershëm”. Ndjenja e boshllëkut, trishtimi i
pashpjegueshëm brenda meje më bën të mendoja që mund t’i kuptoja personat që
zgjedhin të mbyten”. Psikiatri Arnold Ludvig studioi biografitë dhe letrat e
qindra artistëve dhe arriti në përfundimin që 77 për qind e poetëve, 54 për
qind e prozatorëve, 50 për qind e piktorëve/skulptorëve dhe 46 për qind e
kompozitorëve kanë vuajtur në jetën e tyre të paktën nga një krizë depresive.
Kjo është në kontrast me 16 për qind të sportistëve, 5 për qind të ushtarakëve
dhe në 0 për qind të eksploratorëve. Psikoterapisti Anthony Storr ia dedikoi
karrierën zbulimit të lidhjes mes kreativitetit dhe depresionit. Sipas Stor,
përshtatja ndaj rrethanave të ambientit social e fizik, ndryshimi i vazhdueshëm
i jetës njerëzore dhe nga “mosmarrëveshjet” mes realitetit dhe perceptimit,
lindin kreativiteti.
Kjo vjen edhe me pasojën që më kreativët janë ata që
psikologjikisht ndihen shumë të shkëputur nga bota që i rrethon me të gjitha
pasojat (një botë që, siç shkruan David FosterWallace në tregimin e parë, me
raste mund të ngjajë me dikë që është i detyruar të jetojë në një planet
tjetër). Miku i ngushtë i tij, Jonathan Franzen, tregoi se refuzonte të merrte
antidepresivë, sepse nuk besonte se mund të shkruante në të njëjtën mënyrë nën
efektin e ilaçeve. Në “Guermantes”, Prusti vendos në gojën e doktor Bulbon
fjalë mbrojtëse për neurotikët: …gjërat më të bukura janë arritur nga
depresivët. Vetëm ata kanë krijuar religjione dhe vepra të mëdha arti”. Për ta
mbyllur, duke folur me gjyshen e rrëfimtarit ai pohon: “Ne mund ta admirojmë
muzikën e bukur, pikturat e shkëlqyera dhe mijëra gjëra të tjera të realizuara
pa e ditur se sa kanë kushtuar në kuptimin e pagjumësisë, lotëve, të qeshura të
shfrenuara, spazma, epilepsi, një frikë vdekjeje më e keqe se çdo gjë tjetër”.
Indro Montaneli, shkrimtar dhe gazetar i njohur e po ashtu depresiv i njohur,
kujtonte se ishte viktimë e një krize të thellë në fillim të vitit 1620 së
bashku me mikun e tij Xhuzepe Berto. Me ironinë që e karakterizonte shkruante
se ajo dhimbje bëri të paktën që Berto të shkruante “Dhimbja e errët”. Ndërsa
Montanelit në fund iu desh të kthehej nga Cortina në Milano për të shkuar në
punë./zhurnal/
Comments
Post a Comment