Peter Morgan: Ismail Kadare nën komunizëm, mes privilegjeve, haraçit e kërcënimeve


Ismail Kadare nuk na lejon të harrojmë lehtësisht. Veprat e tij ruajnë kujtimet e jetës së zymtë në Shqipërinë e vogël stalinistë. Një dekadë më parë zbulova romanin e Kadaresë, “Pallati i Ëndrrave”. Kjo vepër më rikujtoi se stalinizmi ka mbijetuar në Europë deri para pak kohësh. Unë pashë tek Kadareja një shkrimtar të madh, i cili ashtu si edhe shkrimtarë të tjerë nga kombe të vegjël dhe gjuhë pak të njohura, duket se nuk kishte arritur njohjen që meritonte. Një projekt kërkimi shkencor që vijoi më pas, më 2003-in, më dha mundësi të njihem me veprat e tjera të Kadaresë dhe më çoi drejt një udhëtimi në Shqipëri si edhe tek vetë shkrimtari në Paris e Tiranë.
Gjatë shkrimit të këtij libri e kam njohur Kadarenë si një njeri, eksperienca e të cilit në shkrime, politikë dhe etnicitet ishte e jashtëzakonshme edhe për Europën socialistë të shekullit të njëzetë. Konteksti i diktaturës shqiptare, arsimimi i shkrimtarit në Moskë, njohja e hershme e kompleksitetit të veprave të shkruara në shoqëritë e reja komunistë të pasluftës, si edhe refuzimi i tij gjatë viteve 1970-të dhe 1980-të për t’u larguar nga atdheu apo për të bërë kompromis me shkrimet e tij, e bëjnë Kadarenë një shkrimtar unikal në ambientin socialist. Kadareja është po ashtu kronikani më i madh i jetës nën stalinizmin. Megjithëse romanet e tij diktohen nga historia e diktaturës, ato tejkalojnë historinë aktuale të lindjes së tyre, për të komunikuar me një auditor më të gjerë. Për herë të parë e kam takuar Ismail Kadarenë në nëntor të vitit 2005-së. Gjeta një njeri të preokupuar për Shqipërinë, për historinë e saj të kohëve të fundit dhe për rolin e tij, natyrisht skeptik, rreth aftësisë së një të huaji për të hyrë në të fshehtat e saj. E fillova këtë studim me qëllim që të zbuloja dhe të gjeja përgjigje rreth kontradiktave të jetës dhe veprës së Kadaresë. Kam paraqitur udhëtimin jetësor të Kadaresë, qysh prej viteve të rinisë, kur ai gëzonte frytet e modernizimit komunist, deri tek shkrimtari i regjur, sfidues dhe me dyshime mbi veten, në momentet e fundit të diktaturës.
Analiza historike dhe letrare nxjerr në pah, se veprat e Kadaresë janë sfidë e njëmendshme dhe koherente ndaj diktaturës, qysh prej veprës “Qyteti pa Reklama” më 1959-ën e deri tek “Hija” dhe “Piramida” në fund të viteve 1980-të. Gjatë katër viteve të fundit kam zbuluar se e vërteta mbi ekzistencën e Kadaresë qëndron në kontradiksionet e tij. Ai është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtar i identitetit të lashtë. Ai është një alter ego e diktatorit dhe i ndëshkuar prej tij. Ky dyzim është kyçi i jetës, reputacionit dhe veprave të tij.

Kontradiktat
Ismail Kadareja ka përjetuar një jetë kontradiktore. Ai, njëkohësisht, është lëvduar si shkrimtar dhe dënuar si lake i diktaturës shqiptare, në vendin e tij dhe nëpër botë. Konteksti është gjithçka për të kuptuar veprën e Kadaresë… Krahasimi me disidentët e Europës Lindore, si Havel apo Solzhenitsyn, është i pa bazë. Opozita e brendshme dhe disidenca ishin të pamundura në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Do të ishte gabim të paraqitej Kadareja si një figurë e heshtur gjatë diktaturës. Në një vend ku shkrimtarët vazhdimisht persekutoheshin, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin, Kadareja shkroi disa nga veprat më të shkëlqyera dhe subversive që kanë dalë nga Evropa Lindore socialiste.
Veprat e tij janë botuar pas shumë seleksionimeve dhe ai ishte anëtar i mirënjohur i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe i partisë. Ai po ashtu u zgjodh edhe deputet i Kuvendit Popullor dhe mund të udhëtonte jashtë vendit. Kadareja ia doli ti shpëtonte burgimit, kampeve të punës së detyruar apo formave të tjera të dënimeve që jepeshin për ata që devijonin nga linja partiake. Kishte edhe privilegje, por duhet kuptuar se Kadareja nuk ishte në gjendje të refuzonte udhëtimet jashtë apo pjesëmarrjen në institucionet shtetërore. Për privilegjet që gëzonte, ai duhet të paguante haraçin.
Ashtu si edhe çdo aspekt tjetër i jetës në Shqipëri, veprat e tij duhet ti nënshtroheshin kontrollit nga lart. Kadareja po ashtu vuajti tmerrësisht nga stresi, kërcënimet dhe tmerri, që shfaqeshin si rezultat i veprimeve të paparashikuara të diktatorit. Hoxha kishte ruajtur njëfarë respekti për Francën dhe ishte aq i zgjuar sa ta ruante Kadarenë si një figurë të vlefshme, për ta paraqitur në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, Kadareja nuk i dha ndihmë regjimit në rolin e tij si ambasador³. Përkundrazi, sa herë që binte rasti, ai e përdorte atë për të përhapur veprat letrare që flisnin me elokuencë për hallet e vendit të tij. Veprat e tij letrare janë të përsosura. Për të mbijetuar, ai duhej të aprovonte në heshtje regjimin dhe të përdorte privilegjet për të vazhduar shkrimet…. Ndërsa kujtimet rreth diktaturave të Evropës Lindore zbehen, ne duhet të përpiqemi të rikrijojmë në mendjen tonë, rrethanat specifike ku vepronin këta zëra disidentë. Kadareja e shfaqi kundërshtimin e tij përmes letërsisë dhe jo në fushën e doktrinës apo ideologjisë.
Ai e shprehu sfidën e tij përmes paraqitjes së zymtësisë në jetën e përditshme në socializëm dhe përmes evokimit të fuqishëm të Shqipërisë së lashtë, më të qëndrueshme se ajo e Enver Hoxhës. Ai kundërshtoi me vendosmëri heqjen dorë nga gjuha, identiteti i tij dhe nga syrgjynimi, por pagoi një haraç të rëndë për këtë. Si shkrimtar që punonte në një ambient stalinist, Kadareja përfaqëson pikën fundore të historisë së literaturës socialiste evropiane….

Kritika
Një nga kritikat që i bëhet Kadaresë është se ai shkroi në përshtatje me zhvillimet politike të regjimit komunist. Ky studim synon të provojë se kjo kritikë nuk qëndron. Shkrimet e Kadaresë, gjatë më shumë se dyzet e pesë vjetëve nën diktaturë, kanë qenë koherentë për sa i përket tematikës dhe fokusit mbi aspektet e jetës shqiptare. Në studim theksohen zhvillimet e tematikës së veprave të Kadaresë gjatë periudhës së diktaturës, me qëllim që të provohen deklaratat e tij, se “i ka thënë të vërtetën pushtetit” vazhdimisht gjatë dekadave të punës së tij letrare. Fokusi qëndron mbi periudhën nga viti 1959-të deri më 1985-ën, vitet e pushtetit të ndëshkuesit të Kadaresë, diktatorit Enver Hoxha. Përqendrimi mbi shkrimtarin dhe diktaturën ka diktuar edhe zgjedhjen e veprave të analizuara… Veprave të tilla si “Qyteti pa Reklama” ose “Përbindëshi” u është kushtuar vëmendje e veçantë sepse ato trajtojnë tema, të cilat zhvillohen gjatë tre dekadave që vijojnë….

“Pashallarët e kuq”
Polemika mbi poemën “Pashallarët e Kuq” nxjerr në pah se ç`mund të ndodhte me tekstet e librave, në një ambient të dominuar nga fshehtësia dhe konfiskimet. Kadareja nuk mund të mbante gjithmonë kopje të shkrimeve të tij sepse në Shqipëri fotokopjimi dhe format e tjera të rishtypjes së teksteve ishin të ruajtura me fanatizëm. Ai pretendonte se dorëshkrimi i “Pashallarëve të Kuq” është zhdukur. Disa të tjerë e vunë në dyshim nëse kishte ekzistuar ndonjëherë. Ky dorëshkrim u gjet në kasafortat e Arkivës Qendrore të Shqipërisë nga (ish) drejtori Shaban Sinani, më 2002-in. Vepra të tjera, si “Hija”, janë nxjerrë fshehtas jashtë vendit për të qenë të sigurta. Për më tepër, Kadareja ka ruajtur të drejtën për të rishikuar e ndryshuar tekstet, duke refuzuar ta lerë këtë në dorë të turmës së politikanëve.
Disa nga veprat e tij janë ndryshuar para botimit në periudhën pas komunizmit, në përputhje me dëshirën e autorit për të kryer vetë kontrollin artistik. Një pjesë e tyre janë kthyer në formën origjinale tashmë që censura shtetërore nuk ekziston. Si pasojë e natyrës së regjimit dhe procesit të ndërlikuar të vlerësimit të veprave letrare, rruga drejt botimit ishte e gjatë, me muaj apo me vite të tërë dhe mund të përfshinte rishikime të gjera. Kadareja jep një kronologji të detajuar, koherente dhe bindëse për shkrimet e tij, në intervistat dhe në veprat “Ftesë në Studio” dhe “Pesha e Kryqit”. Megjithatë, herë-herë është e vështirë të përcaktosh me saktësi kohën kur ai ka qenë duke shkruar një dorëshkrim të caktuar, sidomos gjatë periudhës prej mesit të 1960-ës deri në fundin e viteve 1970-të./GAZETA SHQIPTARE/

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk