Ernest Heminguej, shkroi 47 herë fundin e romanit “Lamtumirë armë”
Ndoshta njerëzit nuk mund ta besojnë, por Ernest Heminguej
ishte i mbushur me dyshime. Ndoshta nuk kishte dyshime mi gratë, mbi madhësinë
e peshqve që peshkonte apo mbi kuptimin e heroizmit. Por ama ishte i mbushur
plot dyshime sesi do ta mbyllte kryeveprën e tij “Lamtumirë armë”.
Një roman i tërë kushtuar Luftës së Dytë Botërore, i njohur
gjerësisht edhe nga lexuesit shqiptarë. E rishkroi 39 herë pa gjeti karar. E ka
rrëfyer vetë këtë fakt në një intervistë të dhënë në vitin 1958. Por nuk e
mbylli me kaq, sepse janë plot 47 variante që vetë Heminguej mendoi t’i jepte
si finale këtij romani. Shumë e kanë cilësuar simbolikisht si “ofiçina” e
“Lamtumirë armë”. Të gjitha variantet do të bëhen të njohura nga lexuesi përmes
një botimi që është parashikuar për Amerikën nga shtëpia botuese e autorit
“Simon & Schuster”, në një variant të ribotuar të romanit. Hap pas hapi ky
variant i ri do t’u shkojë lexuesve në të gjithë botën. “Lamtumirë armë”, në
variantin e tij të botuar në vitin 1929, mbyllet ftohtësisht, menjëherë pas
vdekjes së Katerinës: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në
hotel”. Por kjo nuk ishte finalja më e trishtë dhe më pesimiste që Heminguej
kishte menduar për romanin e tij. “New York Times” para disa ditësh publikoi
disa nga 47 mbylljet që shkrimtari kishte hedhur në letër për këtë libër. Në
disa raste bëhet fjalë vetëm për një rresht, në disa të tjera për paragrafë të
tërë. Nga një dyshim te tjetri, në të shumtën e rasteve shkrimtari ka shkuar në
përfundime përmes të cilave donte të jepte një mesazh universal, në mënyrë të
shkurtër e të thatë, siç ishte në stilin e tij. Më në fund, zgjodhi skenën e
protagonistit që ikën nën shi, zhveshur nga komentet e shumta. Në finalen që e
ka cilësuar si numër 1, titulluar “Nada”, Heminguej ka menduar ta mbyllë
kështu: “Kjo është gjithçka nga kjo histori. Katerina vdiq, ju do të vdisni dhe
unë do të vdes. Kjo është gjithçka që mund t’ju premtoj”. Mbyllja e titulluar
“Live-Baby”, që mban edhe numrin rendor 7, është tepër përjashtuese: “Nuk ka fund
përveçse vdekjes dhe lindja është vetëm fillimi”. Më e artikuluar është finalja
“Fitzgerald”, që shkrimtarit iu sugjerua nga miku i tij Francis Scott
Fitzgerald.
Këtu shkrimtari shkruan se: “Bota shkatërron gjithçka, ata
që nuk i shkatërron i vret. […] Vret të mirët, mitet, guximtarët pa bërë asnjë
dallim. Edhe nëse nuk je mes tyre, të jesh i sigurt se do të vrasë edhe ty,
vetëm se nuk do të ketë asnjë nxitim ta bëjë këtë”. Në intervistën e vitit 1958
në “Paris Review”, Heminguej tregon se i shkroi dhe i rishkroi rreshtat e
fundit me qëllimin e vetëm “për të gjetur fjalët e duhura. Mund të ketë qenë
edhe kështu, por një fjalë e zgjedhur në vend të një tjetre në mbylljen e një
romani për dashurinë e luftën, vendosin korniza të ndryshme rreth më shumë se
300 faqeve. Botimi i ri bazohet në materiale të nxjerra nga “Koleksioni Ernest
Heminguej” të ruajtura në librarinë dhe muzeun presidencial John F. Kennedy në
Boston. Një stërnip i shkrimtarit, Shon Heminguej i ka studiuar gjatë këto
materiale dhe në fund gjeti 47 variante, në të cilat janë të dallueshme qartë
korrigjimet, ndreqjet, shënimet. Të botuara në formën e dorëshkrimeve, këto
variante do t’i japin mundësinë lexuesit të kuptojë se si punonte një shkrimtar
i asaj kohe, i cili nuk qëndronte para kompjuterit e t’i jepte “cancel” çdo
gjëje që nuk i shkon për shtat romanit.
Kjo mënyrë e re, konsideruar komode, fshin çdo gjurmë të
laboratorit krijues të një shkrimtari. Patrik Heminguej, i vetmi djalë ende i
gjallë i Heminguejit, ka theksuar se ka dhënë të drejtën e botimit të këtyre
materialeve në dorëshkrim, sepse “jep mundësinë e një vështrimi nga afër në
mendimet e tim eti. Por është edhe e vërtetë se sado që ta studiosh një klasik
(të letërsisë), nuk mund të kuptohet asnjëherë se nga çfarë lind talenti”. /zhurnal/
Comments
Post a Comment