Mbi dashurinë, misteret e rrëfimit dhe të tjera – Ridvan Dibra


Mbi dashurinë, misteret e rrëfimit dhe të tjera
Heroi Ynë, profesor dhe shkrimtar i lakuar, vuan mungesën e një FABULE për romanin e tij të ardhshëm! Fjala është për një fabul joshëse e përplot INTRIGË, me një SUBJEKT ku të integrohen sa më natyrshëm dy-tri LINJA RRËFIMORE me kahje vetiake e sociale dhe ku NARRATORI, sipas rastit e sipas një plani të hartuar me kujdes që më parë, mund të futet nën lëkurën e ngrohtë të personazhit kryesor, ose mund të marrë pozicionin aspak komod të rrëfimtarit të painteresuar; çka, me siguri, kishte për të zgjuar interesin jo vetëm të publikut të gjërë, por edhe të kritikës elitare, duke ia krijuar mundësinë asaj që ta kundrojë tekstin në këndvështrime të specializuara e të larmishme të natyrës simboliste e semiotike, minimaliste e fenomenologjike, psikanalitike e formaliste, pozitiviste e strukturaliste, dekonstruktiviste e feministo – maskiliste etj. etj.
Nga përvojat, por edhe nga leximet, Heroi Ynë e di se rrugët kryesore për ta kërkuar fabulën janë tri:
1. Tek të tjerët.
2. Tek librat.
3. Tek vetja.
Ndër të tria rrugët, Heroi Ynë zgjedh të tretën, i bindur se një zgjedhje e tillë, nisur edhe nga rastet jo të pakët të pararendësve të tij, e ka thuajse të garantuar suksesin.
Dhe rri e pret.  Me ditë e me muaj.
Derisa Zoti ia ndriçon mendjen dhe e porosit: të dashurohet me ndonjëren prej studenteve të tija.  Eureka! thërret Heroi Ynë dhe shtrëngon fort grushtin e majtë, thua se fabula është një zog i sertë e që mund ta marrë arratinë krejt papritur.
(Shënim sqarues: Me ta gjetur fabulën, Heroit Tonë i erdhën në kujtesë romanet e shtatë romancierëve të njohur, tre prej të cilëve nobelistë, që bënin fjalë pikërisht për dashuritë mes studenteve dhe profesorëve të tyre.  Porse e qetësoi veten me arsyetimin e atypëratyshëm se në këtë botë ndodh të gjënden dy njerëz njëlloj, por jo dy histori dashurie).
Me ta gjetur fabulën pra, Heroi Ynë përcakton edhe tri linjat bazë në thurjen e subjektit:
1. Linja e dashurisë mes profesorit dhe studentes së tij (narratori është një me personazhin kryesor, domethënë me profesorin, dhe rrëfimi organizohet në vetën e parë).
2. Linja e konfliktit mes profesorit dhe bashkëshortes së tij (narratori bëhet një me personazhin antagonist, domethënë me gruan, dhe rrëfimi organizohet në vetën e dytë).
3. Linja e konfliktit mes profesorit dhe komunitetit universitar e qytetar (narratori është te teksti si Zoti te krijesa, i padukshëm e i plotfuqishëm, dhe rrëfimi organizohet në vetën e tretë).
Me ta përcaktuar skemën e subjektit, Heroit tonë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përzgjedhë vajzën e duhur dhe ta fillojë historinë e dashurisë.
Dhe rri e vëzhgon.  (Teksa jep e merr dije).  Me orë e me ditë.
Derisa arrin në përfundimin e papritur se të gjitha studentet e tija, me të cilat ka marëdhënie mësimi dhe të cilat shfaqin shenja interesimi ndaj tij, mund të grupohen vetëm në dy grupe të mëdha (makrogrupe), të cilët i emërton pa u menduar fort gjatë:
1. Grupi i neorealisteve, në të cilin bëjnë pjesë studente që janë të gatshme t’i jepen menjëherë, thjesht për të siguruar marrjen e një provimi, apo ndonjë notë shtesë (në këtë rast Heroi Ynë ka përsipër mantelin e profesorit të lakuar).
2. Grupi i postromantikeve, në të cilin bëjnë pjesë studente që nuk janë të gatshme t’i jepen asnjëherë, thjesht për të siguruar praninë e tyre si personazhe në ndonjërin prej librave të ardhshëm (në këtë rast Heroi Ynë ka përsipër mantelin e shkrimtarit të lakuar).
Me ta realizuar ndarjen në dy grupime të mëdha, Heroit Tonë i bëhet e qartë si drita e diellit pamundësia e një përzgjedhjeje premtuese në secilin prej grupeve.  Kështu, nëse përzgjedhja realizohej në grupin e parë, do të kishim për pasojë një fabul të thatë, skeletike, me fare pak linja subjekti e alternativa rrëfimore dhe ku narratori do të ndihej si peshku pa ujë.  Nëse përzgjedhja realizohej në grupin e dytë, do të kishim për pasojë një histori të shtirur e të stërzgjatur dashurie, e cila do t’i kishte fare të pakta gjasat që të kthehej në posthistori, domethënë në fabul për romanin e ardhshëm.                                                                                                                                 
Ndaj dhe ndarja e pakmësipërme, e kushtëzuar prej vetë dualitetit që ndryn personaliteti i tij, nuk e kënaq aspak Heroin Tonë, i cili do ta kishte dëshiruar edhe një grup të tretë, të ndërmjetëm (i emërtuar grupi i normaleve, për shembull), të tillë që të kishte në përbërjen e tij elementë edhe nga grupi i parë, edhe nga grupi i dytë.
Pikërisht në këtë grup ideal do ta kishte synuar vajzën e duhur!
Porse ai grup, hë për hë, mungon dhe Heroi Ynë vazhdon ta vuajë mungesën e një fabule për romanin e tij të ardhshëm.
*  *  *
Kështu dështoi.
Kurse përvoja e papritur që përjetoi me nënën e njëres prej studenteve të tija (përfaqësuese e grupit të parë), përvojë plot pasion e përkushtim nga të dyja palët, e gjeti Heroin Tonë krejt të papërgatitur dhe të pandërgjegjshëm që t’i përjetonte njëkohësisht edhe historinë e dashurisë, edhe fabulën e romanit të ardhshëm.
ATMAN
Ati po vdes. Pikë. Eja sa më shpejt.  Pikë. Kaq thotë mesazhi. Asnjë fjalë më shumë. GJINI (ose çfarëdo emër tjetër malësori) përthyen përtueshëm njëren prej faqeve të fundit të librit me titull “Joga e filozofisë”, mbulon me batanije shpinën e zhveshur të IRENËS (ose çfarëdo emër tjetër vajze moderne), me të cilën bashkëjeton tash tre vjet (po aq vite ka pa vajtur në fshatin e tij të lindjes) dhe ngrihet nga shtrati.
 “Si mund ta helmosh trurin me përralla të tilla?”, e kishte pyetur njëherë Irena, duke treguar me gisht Leksionet e Jogës.
“Njëlloj si ti trupin me drogë”, ishte përgjigjur atëherë ai.
Ashtu në këmbë dhe lakuriq, Gjini mëdyshet për disa çaste, derisa ndjen joshjen e dritares së vetme përballë.  Vendimet e rëndësishme të jetës së tij (prej të cilëve më i rëndësishmi kishte qenë braktisja e Fshatit të Lindjes) përherë aty i ka marrë: pranë dritares, kinse duke kundruar realitetin e zhurmshëm përjashta; çka, çuditërisht, ia lehtësonte deshifrimin e realiteteve kinse të heshtur përbrenda.
Jam i përjetshëm. Jam i kudondodhshëm. Ku mund të shkoj? Nuk ka vend ku unë nuk jam tashmë. Pse duhet të shkoj? Unë jam Aty! Ai është Unë. Unë jam Ai. Ai po vdes. Domethënë po vdes Unë. E pse duhet të shkoj në vdekjen time? A ka kuptim të nisem për Aty ku unë jam tashmë?
E megjithatë, vendos të niset. Që me natë. Pa njoftuar njeri. As Irenën jo.  Yjëzit ndrijnë turbullt përsipër, si ndoca shpirtra të vrarë e të truar (varg i një poeti irlandez të tetëqindës), kurse makina troshitet keqas drejt Veriut. Sheh përsëri qiellin përsipër. I njëjtë me atë të Qytetit. Vetëm Peisazhet janë ndryshe. Porse nuk ua hedh sytë. U druhet kujtimeve.
“Mbete rob i përjetimeve të vockla”, kishte për t’i thënë Irena.
 “Aty është thelbi i ekzistencës”, kishte për t’u përgjigjur ai.
Ndez një cigare – i bindur se në këtë makinë dhe në këto rrugë lejohet gjithçka. Rrugët për te Nordi sjellin lavdi ose ndëshkim. I kujtohet papritur kjo shprehje. E ndryshkur nga përdorimi – si karkasa e automjetit. E thënë prej kushedikujt. Teksa Qyteti i Madh ka mbetur pas dhe rruga përdridhet si lak në Qafën e Malit. Tamam aty merr përsipër rrezikun dhe fshin me dorë avujt e dritares.
Edhe malet më të larta grimcohen nga akulli e shiu. Bëhen rërë e shtresohen në dete e oqeane. Ajo rërë aty ngjeshet e forcohet. Kthehet në shkëmbinj e male të lartë. Malet plaken e bëhen prapë pluhur e rërë. Kështu përsëritet pafundësisht procesi.!!! Nëse njeh një grimcë rëre, ke njohur sekretin e gjithësisë.
Një lepur i bardhë borë shfaqet papritur para makinës. Shtang për pak çaste – i zënë rob në kurthin e dritave – mandej i trembur tretet në terr. Si një thikë e ndritshme në gjoksin e një negri (similitudë e marrë prej surrealistëve). Kaq duhet që Gjinin ta sulmojnë kujtimet. Lloj-lloj. Gjithandej. Si thneglat. Të vockla e të bezdisshme. Ec e vraji të gjitha, po munde! Rrno për me i harrue, po munde!
 “Një artist i përdor kujtimet e veta”, kishte për t’i thënë Irena.
 “Po njeriu?”, kishte për ta pyetur ai.
Gjini kujton leqet që ngrinte Ati dikur. Mjeshtërisht. Si askush tjetër në katund. Nuk mbante mend të kishin gjetur një lak të shkrehur dhe pa kafshë brenda. Kurse ai vetë, me mendjen gjithmonë te Qyteti, nuk kishte mësuar asnjëherë të ngrinte leqe. Edhe pse Ati këmbëngulte se një mësim vlen kurdo dhe kudo. Leqe në Metropol? kishte pyetur i çmeritur Gjini. Aty më shumë se gjithkund! ishte përgjigjur Ati.
Jam një me Njësinë. Qënien e Pafundme të Gjithësisë. Grimcë e saj. Si mund t’i ngre kurthe dikujt tjetër? Njëlloj si t’i ngrija vetes! Si mund ta fyej, plagos e vras dikë tjetër? Njëlloj si të fyeja, plagosja e vrisja veten time! Nga kush duhet të ruhem? Nga vetja ime? Absurde!
Makina ndalet me zhurmë. Kujtimet tremben dhe marrin arratinë. Gjini ndihet trung në terr: pa rrënjë, degë, gjethe e zogj. Shtëpia duhet të jetë krejt pranë, kurse ai ka arritur vonë: vajet e grave mbërrijnë deri aty. Ooo të mjerat na për ty!  Gjini ecën si mbi mjergulla, teksa vajet dëgjohen gjithnjë e më pranë. Ke pas ken ma i miri! Gjini ndihet terr e trung bashkë. Më në fund edhe pragu!
 “Është rasti të dëshmohesh burrë”, kishte për ta porositur e urdhëruar Irena.
 “Tashti që më vdiq Ati?”, kishte për të pyetur e për t’u përgjigjur ai.
Gjini futet brenda në dhomë. Aty ku buron vaji. Gratë, veshur me të zeza, vajtojnë e çjerrin fytyrat. Burrat kuvendojnë njëri me tjetrin e tymosin pa pushim.  Gjithandej mjegull tymi. Gjini shquan Atin, shtrirë në mes të dhomës, dhe çapitet ngadalë drejt tij. Ulet në gjunjë dhe e puth në ballë. Balli është i zbehtë dhe ende i nxehtë. Gjini ka ndjesinë se në dhomë ndodhen vetëm ata të dy. Ai dhe Ati.
Më dëgjoni, o njerëz: Ati nuk ka vdekur! Më besoni. Si mund të ketë vdekje, kur nuk ka lindje? A më kuptoni? Askush nuk vdes. Askund. Kurrë. Sepse nuk ka lindur.  Askund. Kurrë. Ka vetëm një UN’ të përjetshëm. SHPIRTI, po ju them.  Që nuk vdes.  Ky UN’ i përjetshëm jeni ju. Jam unë. Është Ati im. Gjithësia është. Që nuk njeh vdekjen.
Gjini kthjellohet në çast: ka folur me zë! Gjithçka aty nguroset. Si e shituar prej zanave. Ndal vaji i grave. Kuvendet e burrave ndalin. Ngrin mjegulla e tymtë përreth. Nguroset edhe vetë Gjini. Njëri prej vëllezërve, i madhi, e kap dhunshëm prej krahu dhe e nxjerr jashtë, në terr. E afron pranë vetes dhe e godet me shpullë.  Turp! Na korite! Gjini ulet te pragu. Nuk ndjen dhimbje. As poshtërim. Asgjë.
 “Ik menjëherë! Eja te unë!”, kishte për të urdhëruar Irena.
Ai nuk nuk do të thoshte asnjë fjalë.
Zbardh më në fund. Një ditë parajse: e paqtë dhe me diell. Vajet e grave kanë reshtur. Edhe burrat kanë ikur. Gjini nuk ka lëvizur nga pragu. Gjithë natën e lume! Ka tymosur pa pushim cigare të dredhura. Dikush, pa u ndier, ia ka hedhur mbi prehër. Dikush tjetër, edhe ai (ajo?) pa u ndier, i ka lënë pranë një gotë tamël. E vë në buzë dhe mbyll sytë. Kurrë s’i ka shijuar kaq shumë diçka.
Pse duhet të kthehem?Unë nuk jam nisur.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk