Elementi irracional në poezi – Wallace Stevens


I
Të fillojmë me frazën: elementi irracional në poezi është tepër i përgjithshëm që të mund të përdoret. Sapo dikush mendon një grimë për të, ai menjëherë shpërhapet. Pastaj në këtë moment ne jemi aq shumë të mbytur nga zhurma që bëjnë surrealistët dhe aq të zënë me leximet për ta, sa mund të ngatërrohemi nga këta shkollarë romantikë dhe t’i mendojmë si shembujt e vetëm të irracionales sot. Sigurisht që ata janë shembull i njerit aspekt. Sidoqoftë ajo ç’kam unë në mendje kur flas për elementin irracional në poezi vjen nga ndërthurja mes realitetit dhe ndjeshmërisë së poetit prej nga lind dhe poezia.

II

Unë nuk jam i aftë të diskutoj për realitetin si filozof. Të gjithë e kuptojmë çdo të thotë shndërrim i një realiteti objektiv në një realitet subjektiv. Ndërthurja mes realitetit dhe ndjeshmërisë së poetit është pikërisht ky. Një a dy ditë para Ditës së Falenderimit ne Hartford ra një borë e lehtë. Ajo u shkri pakëz gjatë ditës, pastaj natën ngriu sërish duke krijuar mbi bar një shtresë të hollë, të ndritshme. Edhe hëna qe thuajse e plotë. U zgjova njëherë disa orë para se të zbardhte dhe siç isha shtrirë në shtrat dëgjova çapat e një maceje që vraponte mbi borë ndën dritaren time, thuajse pa zhurmë. Tingulli i vagët dhe i çuditshëm la tek unë ato mbresa që shpesh bëhen shkas për poezi. Mendoj se në një rast të tillë, njeriu shpreh thjesht ndjeshmërinë e tij dhe arsyeja pse kjo shprehje merr formën e poezisë është se mund të marrë çfarëdolloj forme që gjithkush është i zoti t’i japë. Poeti është i zoti t’i japë formën e poezisë sepse poezia është elementi i ndjeshmërisë së tij vetjake. Kjo nuk është e njëjta gjë si të thuash – ‘Poeti shkruan poezi sepse shkruan poezi’,- ndonëse tingëllon thuajse njëlloj. Poeti shkruan poezi sepse ai është poet dhe nuk është poet sepse quhet poet, por për shkak të ndjeshmërisë së tij vetjake. Kush ia jep njeriut ndjeshmërinë vetjake unë nuk e di dhe nuk ka rëndësi, sepse asnjë s’e di. Poetët vazhdojnë të lindin, nuk bëhen të tillë dhe kam frikë se as nuk mund të paracaktohen. Pasi në qoftë se do mund të paracaktoheshin ata do kishin spikatur kohë më parë dhe nga ana tjetër do mund ta kishin ndryshuar jetën nga ajo që është sot, në një prej atyre transformimeve që do u pëlqente atyre dhe mundet të kishin parë atje vetvetet e shumëfishuara madhërisht.

III

Sigurisht që ka një histori të elementit irracional në poezi, i cili tek e fundit është thjesht një kapitull i historisë së irracionales tek artet në përgjithësi. Ne nuk jemi të shqetësuar për kuptimin patologjik të fjalës irracional. Fuseli e kish bërë zakon të hante çdo natë para se të flinte mish kau të gjallë me qëllim që ëndrrat e tij të fitonin atë lloj dhune që atij i mungonte. Ne nuk shqetësohemi as nga kjo lloj gjëje, as nga irracionaliteti i nxitur nga lutja, uiski, kreshma, opiumi, apo dëshira për t’u bërë i famshëm. Romanet gotike në Anglinë e shekullit të tetëmbëdhjetë nuk janë më irracionale, janë thjesht të mërzitshme. Ajo çka na intereson është një proces i veçantë në mendjen tonë racionale që ne e perceptojmë si irracionale, sepse ai zë vend në mënyrë të pashpjegueshme. Ose më mirë mund të thoja se ajo çka na intereson nuk është dhe aq procesi Hegelian sesa ajo që rrjedh prej tij. Ne duhet të jemi shumë më të interesuar mendërisht nëse wshtw zhvilluar nga historia e irracionales ndonjë traditë. Është e lehtë të lësh mënjanë irracionalen me përcaktimin se ne jemi qenie racionale aristoteliane dhe jo pa arsye. Por po bëhet çdo ditë e më e lehtë të thuash se jemi qenie irracionale. Gjithë irracionaliteti nuk përbëhet vetëm nga një pjesë dhe e vetmja arsye pse akoma s’ka një traditë është se tradita e saj është në zhvillim. Kur isha këtu në Harvard kohë më parë ishte e zakonshme të thuhej se e gjithë poezia është e shkruar dhe e gjithë piktura e pikturuar. Duhet të jetë diçka e këtij lloji që në fillim më tërhoqi për kah irracionalja. Një nga figurat më të mëdha në botë që atëherë ka qenë Frojdi. Ndonëse ai ka bërë shumë pak për poezinë, krahasuar për shembull me rezultatet që pati diku tjetër, ai i dha irracionales legjitimitetin që s’e kishte më parë. Ndikim shumë më të habitshëm kanë pasur Mallarmé dhe Rembo.

IV

Mbase subjekti im i shprehur kaq këndshëm është shfaqje irracionale e elementit irracional në poezi; nëse elementi irracional është thjesht energji poetike, duhet të gjendet kudo ku gjendet poezia. Një shfaqje e tillë është zbulimi i individualitetit të poetit. Vështirë që ky zbulim të jetë aq i dukshëm e i qartë tek çdo njeri sa ç’është tek vetë poeti. Në poezinë e parë që do t’ju lexoj, subjekti që kam unë në mend, në një a dy momente ishte pasojë e depresionit nga interesi për artin. Unë doja një përballje të botës si është përfytyruar në art e si është në të vërtetë. Kur hyra në një galeri zbulova se nuk pata asnjë interes për atë që pashë. Ajri ishte i ngarkuar me ankth e tension. Të shihja pikturat ishte si të luaja piano këtë mbasdite në Madrid. Unë isha aq i zoti për të bërë vërejtje e për të shkruar trup e shkurt për to si çdokush tjetër: dhe po të qe kjo gjëja që do kisha dëshiruar të bëja, do ta kisha bërë. Unë doja të përballesha tamam me një subjekt të tillë dhe e zgjodha atë si një copëz realiteti, aktualiteti, kontemporanen. Por unë doja që përfundimi të qe poezi deri aty sa isha në gjendje të shkruaja poezi. Që të jem i qartë, unë doja të përdorja ndjeshmërinë time për diçka tërësisht reale. Përfundimi do ishte zbulimi i ndjeshmërisë apo individualitetit tim, siç e quajta pak më parë, sigurisht për veten. Poezia titullohet “Gruaja e moshuar dhe statuja”. Gruaja e vjetër është simboli i atyre që vuajtën gjatë periudhës së depresionit dhe statuja është simboli i artit ndonëse në disa poezi nga të cilat përbëhet Owl’s Clover, libër nga i cili po ju lexoj, statuja është një simbol i ndryshueshëm. Ndonëse automatikja përjashtohet në poezi, prapëseprapë ka një aspekt automatik në kuptimin që është ajo çka unë doja të ishte pa e ditur që para se ta shkruaja çfarë doja unë të ishte megjithëse e dija që para se të shkruhej çfarë doja të bëja. Nëse gjithkush nga ne është një mekanizëm biologjik, çdo poet është një mekanizëm poetik. Deri në atë pikë sa ajo çka prodhon ai është mekanike. E vlen të thuhet se ajo është irracionale përtej fuqisë së tij për ndryshim. Mbase unë nuk nënkuptoj plotësisht përtej fuqisë së tij për ndryshim, mbase ai mundet ta ndryshojë atë me një përpjekje të vullnetit. Me atë në mendje unë nënkuptoj përtej mundësisë për ndryshim për aq kohë sa ai është vetvetja. Kjo ndodh tek çdo poet.

V

Gjithashtu mendoj se zgjidhja e subjektit është plotësisht irracionale. Mjaft që poeti t’i japë vetes çdo liri në zgjedhje. Po qe se jeni imazhinist ju bëni një zgjedhje subjektesh tërësisht të kufizuar. E njëjta gjë është edhe kur ju ushtroni çdo lloj tjetër profesioni edhe kur jeni shumë i ngurtë në atë që bëni. Por nëse zgjidhni të jeni i lirë e të shkoni qark botës e të fitoni përvojë nga çdo gjë që ju ndodh, siç bën shumica e njerëzve, edhe kur këmbëngulin të kundërtën, edhe kur zgjedhja e subjekteve është rastësore apo lloji i rrethanave në të cilat është bërë zgjedhja është i paperceptueshëm. Poetët lirikë janë mërzitur nga pranvera dhe ata romantikë nga vjeshta. Kur dikush familjarizohet me poezinë e tij, ajo vjetërohet si për të ashtu dhe për çdo njeri tjetër. Nga kjo del se një nga motivet e të shkruarit është ripërtëritja. Kjo padyshim ndikon në zgjedhjen e subjekteve ashtu siç ndikon në zgjedhjen e ritmit, diksionit dhe mënyrës. Fakti që ne i ndryshojmë ritmet në mënyrë instiktive është shenjë prej fillestari. Kujtojmë se përmirësojmë diksionin. Ne thjesht lodhemi më tepër. Mënyra është diçka që akoma nuk është e lirë aq sa duhet. Kjo s’do të thotë stil; nënkupton qëndrimin e shkrimtarit. Sjelljen më tepër se pikëpamjen e tij. Sjelljen drejt Çfarë? e jo kundrejt diçkaje të veçantë. Thjesht, qëndrimit të tij. Ai dëgjon macen mbi borë. Rendja vendos ritmin. Aty s’ka asnjë subjekt tjetër veç maces që vrapon mbi borë nën dritën e hënës. Atë e dërrmon kjo gjë, do një subjekt, mendim, ndjenjë, tërë mënyra e tij ndryshon. Gjithë këto gjëra hyjnë në zgjedhjen e subjektit. Ai që është edukuar në një shkollë artificiale bëhet real në ekstrem. Mallarmeisti bëhet romancier proletar. E gjithë kjo është irracionale. Nëse zgjedhja e subjektit do qe e parashikueshme atëherë do të qe irracionale. Pra, ashtu si zgjedhja e subjektit fillimisht është e paparashikuar, ashtu dhe zhvillimi i saj pasi është bërë zgjedhja është i paparashikueshëm. Kushdo që shkruan poezi shkruan gjithmonë rreth dy gjërave në të njëjtën kohë dhe është pikërisht kjo që shkakton tensionin karakteristik të poezisë. Njeri është subjekti i vërtetë dhe tjetri është poezia e subjektit. Vështirësia për të depërtuar në subjektin e vërtetë kur primare në mendje është poezia e subjektit, nevojitet vetëm të përmendet që të kuptohet. Tek një poet i cili e vë në vend të parë subjektin e vërtetë e që thjesht e zbukuron atë, subjekti është konstant dhe zhvillimi i rregullt. Nëse poezia e subjektit është mbizotëruese, subjekti i vërtetë nuk është konstant dhe as zhvillimi i tij i rregullt. Kjo është e vërtetë në prozën moderne p.sh. tek Proust dhe Joyce.

VI

Pse njeriu shkruan poezi? Unë kam renditur një varg arsyesh ndër të cilat këto: sepse shtyhet nga ndjeshmëria vetjake e gjithashtu lodhet nga monotonia e përfytyrimit të tij e prandaj shpërthen për të gjetur shumëllojshmëri. Në një diskutim të vetin në Akademi para më shumë se dhjetë vjetësh. M. Brémond shpjegoi një motiv mistik dhe qartësoi se në bazë të opinionit të tij njeriu shkruan poezi për të gjetur Perëndinë. Mua do të më pëlqente ta konsideroja këtë së bashku me atë çka mund të konsiderohet më mirë veças, dhe kjo është çështja mbi kuptimin në poezi. M. Brémond propozoi identitetin e poezisë dhe lutjes dhe u mbështet tek Bergson në analizën e fundit mbi besimin. M. Brémond eliminoi arsyen si elementi kryesor në poezi. Poezia në të cilën mbizotëronte elementi irracional, ishte poezi e pastër. M. Brémond nuk lejon asnjë pasaktësi në shprehjen poezi e pastër, në të cilën veçon një pjesë fare të vogël të poezisë, – siç duhet të bënte nëse linjat me të cilat e njihte ishin aq të çmuara për shpirtin e tij, aq sa ç’dukeshin të ishin. Pavarësisht nga M. Brémond, poezi e pastër është një term që është zhvilluar për të përshkruar poezi ku nuk mbizotëron subjekti i vërtetë, por poezia e subjektit. Të gjithë mistikët i afrohen Zotit përmjet irracionales. Poezia e pastër është dhe mistike dhe irracionale. Nëse zbresim pak nga kjo lartësi dhe aplikojmë përkufizimin e gjerë e të lirë mbi poezinë e pastër, është e mundur të thuhet se ndonëse mund të gjendet në temperamentin e shumë pak prej atyre që shkruajnë poezi me qëllim të gjejnë Perëndinë është ndoshta qëllim i secilit nga ne që duke shkruar poezi të gjejë të mirën e cila sipas kuptimit platonik është sinonimi i Perëndisë.

Gjithikush shkruan poezi në mënyrë që të mund t’i afrohet të mirës që përmban harmoniken dhe rregullin. Ose fare thjesht njeriu shkruan poezi për kënaqësi të harmonisë dhe rregullit. Nëse është e vërtetë që piktorët më abstraktë pikturojnë harenga dhe mollë, nuk është më pak e vërtetë që poetët që kërkojnë në mënyrë të ethshme tek bota sanksionimin e jetës, për atë që e bën këtë jetë kaq të vyer për ta jetuar, mundet ta gjejnë zgjidhjen e tyre tek një rosë në pellg apo tek era e një mate dimri. Dhe afërmendësh që një poet të mund të vijë nga një hapësirë e tillë sa të përdorë absragimin i cili nga ana e vet i detyrohet shumë muzikës.

Ndërkohë ne duhet të jetojmë me letërsinë që kemi apo që jemi në gjendje të prodhojmë. Unë them të jetojmë me letërsinë sepse letërsia është pjesa më e mirë e jetës, nëse mbështetet te vetë jeta. Nga ky këndvështrim kuptimi i poezisë na përfshin thellësisht. Ajo nuk ndjek atë lloj poezie që është irracionale që në origjinë, nuk është poezi e komunikueshme. Poezia e pastër e M. Brémond është irracionale që në origjinë. Sidoqoftë ajo përcjell aq shumë sa M. Brémond e quan supreme (çmon si tepër të lartë). Për shkak se shumë nga ne nuk janë të zotë të ndajnë përvojat e M. Brémond, duhet të kënaqemi me më pak. Kur ne gjejmë tek poezia atë që na çon një çast ekzistence në një plan të mahnitshëm a është e nevojshme të pyesim mbi kuptimin e poezisë? Nëse poezia kishte një kuptim dhe shpjegimi i saj e shkatërroi iluzionin, ne humbëm apo fituam? Të marrim për shembull një poezi të Rembosë -  nga “Iluminacione” – titulluar “i”. Po citoj përkthimin e Znj. Rootham:

 Më të djathtë agu i verës zgjon gjethet, mjegullimën dhe zhurrmat në këtë qoshk të parkut. Pjerrinat në të majtë lëshojnë ato hijetinat e veta të kuqërrema mbi një pafundësi vragash të thella të xhadesë së topitur. Prej vendit të përrallave po afron një proçesion. Janë qerre mbuluar ding me kafshë prej druri të praruar, me shtiza e pëlhura ngjyer në mijëra ngjyra, tërhequr nga njëzetë kalushë cirku më nga një blanë të bardhë ballit; dhe fëmijë e të rritur hipur mbi kafshë nga më të çuditshmet; janë njëzetë mjete ngjeshur e zbukuruar me flamuj e lule si karrot e ditëve të shkuara, si karro të dala prej  përrallave; të gjitha mbushur me fëmijë të veshur për një piknik ndër rrethinat fusharake. Madje ka edhe qivure ndën tendat e tyre të natës dhe puplave të zeza, tërhequr prej pelave vrapuese, të kaltra e të zeza.

Unë nuk e di se ç’imazhe ka krijuar poezia. Z. Delahaye thotë se shtysë për poezinë ishte ardhja e një cirku në Charleville, ku Rimbaud jetonte kur ishte fëmijë, më 1868 apo 1869. Kush është pasoja e këtij shpjegimi? Dua t’i përgjigjem kësaj. Znj. Sitwell shkroi hyrjen e përmbledhjes me përkthime të poezive të Rimbaud nga Znj. Rootham. Diçka që ka thënë ajo në parathënie pasqyron  rrugën në të cilën subjekti i vërtetë zëvendëson atë formal. Ajo tha:

Sa e ndryshme ishte kjo jetë e varfër nga jeta komode e më tepër mbytëse e të dielave të përhershme që kishte kaluar kur ishte fëmijë në Charleville, dhe në ato ditë periodike robash të ngushta e lutjesh, kur Zonja Rimbaud shoqëronte atë, vëllain dhe dy motrat në meshën e orës njëmbëdhjetë, përgjatë rrugëve me pluhur, të mbushura me dritë, nën pemët ku gjethet e mëdha plot shkëlqim dhe lulet gjigande që ngjanin si transformime qiellore të grave të shoqërisë, dukej se shkundeshin nga të qeshurat në atë procesion të heshtur.           .

Zonja Sitwell nuk mund të na thotë nëse qe mesha e orës njëmbëdhjetë që i sugjeroi lulet plot shkëlqim apo nëse shoqëria e zonjave i erdhi në mendje tok me gjethet e mëdha plot shkëlqim e ishin stolisur  thjesht aty me lulet gjigande rozë, apo nëse erdhën me lulet gjigande rozë. Kjo varet nga ajo në ishin gratë e shoqërisë në mendjen e zonjës Sitwell nga njera anë plot dritë e shkëlqim dhe nga ana tjetër, gjigande rozë. Këtu subjekti i vërtetë ishte shkëlqimi dhe ngjyra e një mbrese.

VII

Presioni i bashkëkohores që nga fillimi i Luftës Botërore e deri sot ka qenë konstant dhe i tejskajshëm. Asnjë s’mund të ketë jetuar i mënjanuar në një harresë të lumtur. Për një kohë të gjatë para luftës asgjë s’ishte më e zakonshme se kjo. Në ato kohëra deti ishte plot me jahte dhe jahtet plot me milionerë. Ishte koha kur vetëm manjakët  të besdisnin me ato që thoshnin. U hoq vetëm me mbarimin e luftës, edhe atëherë u deshën dhjetë vjet përpjekje me pasojat e paqes që të bëhej i mundur realizimi  këtij fakti.

Njerëzit thonin se nëse do të vazhdonte lufta qytetërimi do zhdukej, ashtu siç thonë tani që një tjetër luftë e tillë do ta zhdukte qytetërimin. Ka këtu diçka për t’u thënë mbi zhdukjen e qytetërimit dhe diçka për t’u ndjerë që kjo gjë nuk është thjesht e mundur, por mundësia është e konsiderueshme. Nëse nuk jeni komunist a e quani qytetërimin të zhdukur në Rusi? Nëse nuk jeni nazist a nuk është zhdukur ai edhe në Gjermani? Themi se këtu s’ka për të ndodhur kurrë, dhe  ne e pohojmë  se e themi këtë pa asnjë iluzion.  Ne jemi të shqetësuar për ngjarjet edhe kur nuk i ndjekim nga afër. Ne kemi një ndjenjë trazimi. Ndjehemi të kërcënuar. Ne shohim nga një e tashme e pasigurt drejt një të ardhme akoma dhe më të pasigurt. Dikush ka dëshirë t’i kundërvëjë  gjithë kësaj veten e vet të përmbledhur në poezi apo në politikë. Nëse politika është më afër nesh për arsye të presionit bashkëkohor edhe poezia nga ana e vet nuk mbetet prapa për të njëjtën arsye. A mendon ndonjeri se masa e madhe e njerëzve në këtë vend shkuan në zgjedhjet e fundit për arsye racionale?

Problemi është se sa më i madh presioni bashkëkohor aq më e madhe rezistenca. Rezistenca është e kundërta e arratisë. Poeti që dëshiron të sodisë të mirën mes rrëmujës është si mistiku që dëshiron të sodisë Perëndinë mes të keqes. Aty s’ka mendime për arrati. Të dy si poeti dhe mistiku mund ta vendosin veten mes harengave e mollëve. Piktori mund ta vendosë veten mes një kitareje, një kopjeje të Figaros e një pjate me pjepra. Këto janë përforcime, ndonëse irracionale. E vetmja mundësi për rezistencë ndaj presionit bashkëkohor është çështje harengash e mollësh, apo të jem më i qartë vetë bashkëkohorja.

Rezistenca ndaj presionit të rrethanave shkatërruese e kërcënuese konsiston në të kundërtën, për aq sa është e mundur, me një rrethanë të ndryshme,  bindëse e të shpjegueshme.

VIII

 Z. Charles Mauron thotë se njeriu mund të karakterizohet nga ankthet e veta. Ne jemi të pushtuar nga irracionalja. Kjo sepse ne presim të na çlirojë irracionalja nga racionalja. Në një shënim mbi Pikason me titull “Fakt social e vizion kozmik” Christian Zervos thotë:

Shpërthimi i shpirtit të tij shkatërroi barrierat që arti  i vulosi mbi përfytyrim. Poezia ka ecur përpara me gjithë mprehtësinë dhe enigmatiken, mënyrën e çuditshme që sheh tek jeta jo vetëm një imazh realiteti por që e koncepton jetën si një mister që na mbështjell ngado.

Të marrim Pikason ashtu siç ndodh ta mendojë njeriu modern, mund të thuhet se shpirti i tij është shpirti i kujtdo artisti që kërkon të jetë i lirë. Ankthi më i madh i shpirtrave të tillë është ankthi i lirisë. Megjithatë nuk duhet kërkuar më falje për kapërcimet si në pikturë ashtu dhe në poezi ju mund të bëni si t’ju pëlqejë. Ju mund të krijoni poezi në çfarëdolloj forme t’ju pëlqejë. Nëse ju duket se fillimi i vargjeve me shkronjë të madhe është një zakon i shekullit të shtatëmbëdhjetë, ju mund të vazhdoni me ndryshime të pastra drejt një thjeshtësie më të madhe; e kështu me rradhë. Nuk është se asnjeri s’kujdeset. Është thellësisht e rëndësishme. Tingulli më mospërfillës ka rëndësi. Ritmi më kalimtar ka rëndësi. Ju mund të bëni si t’ju pëlqejë, e sërish ka rëndësi. Ju jeni i lirë, por liria juaj duhet të jetë në harmoni me lirinë e të tjerëve. Të mbetemi për pak tek tingulli. Ne nuk na pëlqejnë më kumbimet e Poe-së. Ju jeni të lirë të kuboni nëse dëshironi. Por njëkohësisht të tjerët janë po aq të lirë të mbyllin veshët. Mbase jeta nuk është mister kozmik që na mbështjell ngado. Ju duhet të njihni tigullin që është tingulli i saktë; dhe në të vërtetë ju e njihni pa e ditur si. Njohja juaj është irracionale. Në këtë kuptim jeta është misterioze dhe nëse është e gjitha misterioze, unë mendoj se është një mister kozmik. Unë shpresoj se ne biem dakord që së paku është misterioze. Çka është e vërtetë për tingujt është e vërtetë për gjithçka: p.sh. ndjenja për fjalët pa marrë parasysh tingullin e tyre. Ka, me pak fjalë, një retorikë të pashkruar që ndryshon vazhdimisht e tek e cila duhet të kthehet gjithmonë poeti. Është libri në të cilin ai mëson se dëshira për letërsi, është dëshira për jetën. Dëshira e pashuar për liri në letërsi apo në çdo art tjetër është dëshira për liri në jetë. Dëshira është irracionale. Përfundimi është irracionalja në kërkim të irracionales, një gjendje e dukshme ngazëllimi, nëse je i prirur.

Ata që janë të prirur pa ngurrim thonë: e fundmja gjë e bezdisshme gjatë kërkimit të irracinales është të mohosh si me përçmim. Njerëzit racionalë janë fundërrina. Në vend që të shohim ne duhet të bëjmë gërmime në sy, në vend që të dëgjojmë ne duhet të pranëvemë tingujt me një bambe bumb emocionale.

Kjo duket si liri për hir të lirisë. Kur ne themi se e dëshirojmë lirinë, kur ne jemi të lirë, duket qartë se kemi në mendje një liri të paeksperimetuar më parë. A nuk është ky një qëndrim ndaj jetës i ngjashëm me qëndrimin e poetit ndaj realitetit?  Pavarësisht nga cinizmi me të cilin përballemi kur dëgjojmë gjëra të tilla, një liri e pa jetuar më parë, një poezi e pa krijuar më parë, mund të na përballë me brendësinë e papritur të metamorfozës poetike. Për poetët kjo mundësi është obsesioni i fundit. Ata shfajësojnë vetveten para realitetit, ndërsa për ato çka ata mendojnë të jenë ushtrime shenjtërimi

Juve mund t’ju kujtohet letra e shkruar nga Rimbaud për Delahaye, në të cilën thotë:

Duket e nevojshme të jesh profet, ta bësh veten profet. Poeti bëhet profet mbas një sërë ndijimesh të thella, të zgjatura, dhe pështjelluara në mënyra të arsyeshme… Ai arrin të panjohurën.

IX

Më lini të them diçka të fundit për irracionalen si pjesë e dinamikës së poezisë. Irracionalja ka të njëjtën marrëdhënie me racionalen ashtu si e panjohura me të njohurën. Në një epokë sa vulgare aq dhe inteligjente, frazat mbi të panjohurën braktise menjëherë. Për momentin unë nuk nënkuptoj ndjekjen e retorikës mistike, sepse nga ana ime nuk kam durim të merrem me atë lloj gjëje. E panjohura, si burim i dijes, si objekt i mendimi, është pjesë e dinamikës së njohjes, nuk e lejon refuzimin. Është e panjohura që ndez zjarrmin e shkollarëve, që vetëm me njohjen do të shuhej në mërzi. Ne e pranojmë të panjohurën edhe kur jemi tepër skeptikë. Ne mund të mos e durojmë dot interesimin për të, përjashto atë të mendjeve më të ndritura; por sapo fillon interesimi ajo ka joshje shumë më të fuqishme e të thella se ato të njohjes.

Pikërisht kështu, janë ata që duke mos qenë kurrë të bindur që racionalja na ka bërë thuajse hyjnorë, janë gati të pranojnë efektin e irracionales. Mendja racionale në marrëdhënie me të njohurën pret ta gjejë atë të ndrijë në një atmosferë familjare. Ajo çka gjen në të vërtetë është e panjohura gjithmonë pas e përtej të njohurës, duke i dhënë pamjen më të mirë të chiaroscuro-s. Sigurisht që ka sharlatanë të irracionales. Megjithatë kjo nuk na bën që ne të njëjtësojmë irracionalen me sharlatanët. Unë nuk dua që të keqkuptohem sikur në mendjen time të ishin poetët e surrealizmit. Ata e përqendrojnë aftësinë e tyre në një teknikë e cila ngjan çuditërisht e kufizuar, por që kështu shfaq ndikimin dinamik të irracionales. Ata janë tmerrësisht të gjallë e na mundësojnë ne të lexojmë poezi që duket e mbushur plot gaz e rini, pikërisht atëherë kur ne po humbnim çdo shpresë është thellësisht drejt së mirës. Një nga provat e tyre mbi cilësinë e dinamikes e gjithashtu mbi pasojat e saj është se ato bëjnë që format e tjera të duken të vjetëruara. Ato në kohë do të asimilohen, me përfundimin që ajo çka është tani aq e përqendruar dhe e parëndësishme nën kufizimin e teknikës, aq provinciale, do japë e do marrë e do bëhet pjesë e procesit të të dhënit e të marrit ku konsiston edhe zhvillimi i poezisë.

Ata që kërkojnë freskinë dhe  e poezisë në vende të freskëta dhe të çuditshme e bëjnë të shtyrë nga nevoja e madhe. Nevoja e poetit për poezi është një shkak dinamik i poezisë që ai shkruan. Me ndihmën e irracionales ai gjen tek irracionalja gëzimin. Kur flasim për luhatje të shijes, ne flasim për treguesit e operacionit të irracionales. Ndryshime të tilla janë irracionale. Ato pasqyrojnë efektet e energjisë poetike. Aty ku nuk ka luhatje, mungon energjia poetike. Jo më kot unë përdor fjalën irracionale pak a shumë në mënyrë indiferente si midis kuptimesh të ndryshme të saj. Do ketë kohë boll të përvetësohet një përdorim më sistematik, kur të shkruhen kritika mbi irracionalen nga kushdo që në fund  do marrë përsipër këtë subjekt kaq potencial

Në të ardhmen ne duhet të pranojmë një veprimtari të parreshtur të irracionales dhe në fushën e irracionales. Në këtë mënyrë përparimet do të ishin shumë të mëdha nëse karakteri i poetit nuk do ishte kaq i shkujdesur e i herëpashershëm.

Poeti nuk mund të predikojë mbi irracionalen ashtu si prifti predikon të panjohurën. Roli i poetit është më i gjerë sepse ai mund të pushtohet, me çdo gjë tjetër, nga toka dhe njerëzit me ndërlikimet e tyre tokësore. Për poetin irracionalia është thelbësore; por as poezia e as jeta nuk janë përgjithësisht në më të lartën dinamikë. Ne e njohim si është Sweeney dhe në pjesën më të madhe na pëlqen ashtu pa shumë shkëlqim dhe pa dyshim që kështu do të jetë gjithmonë.
Përktheu nga origjinali Viola Adhami

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk