Ragnarök
Horge Luis Borhes
Imazhet në ëndrra, shkruante Coleridge, figurohen që nga
impresionet që intelekti ynë do t’i quante shkaqe; ne nuk e ndiejmë tmerrin
sepse na është fanitur një sfinks, ne ëndërrojmë një sfinks me qëllim që të
shpjegojmë tmerrin që ne ndiejmë. Nëse kjo gjë është e vërtetë, si mundej një
kronikë e thjeshtë e formave të saj të transmetojë shtangien, triumfin,
panikun, tmerrin dhe gëzimin që ndërthuren së bashku në ëndrrën e natës? Unë do
të orvatem të plotësoj atë kronikë, megjithatë; ndoshta fakti që ëndrra
përbëhet veçse nga një skenë e vetme mund të fshijë ose zbutë vështirësinë
thelbësore.
Vendi ishte Kolegji i Filozofisë dhe i Letrave; ora,
ndajnatë. Çdo gjë (siç ndodh shpesh në ëndrra) ishte paksa e ndryshme; një
zmadhim i lehtë i shndërronte gjërat. Ne zgjodhëm autoritetet; unë do të flisja
me Pedro Henríquez Ureña, i cili në jetën e zgjimit kishte vdekur para shumë
vitesh. Papritur, ne ishim të shtangur nga një zhurmë e fuqishme e
demonstruesve ose e muzikantëve të rrugës. Që nga Nënbota ne dëgjuam thirrjet e
njerëzve dhe kafshëve. Një zë klithi: Ja ku po vijnë! dhe më pas: Zotat! Zotat!
Katër a pesë persona u shfaqën që prej turmës dhe zaptuan podiumin e auditorit.
Çdonjëri duartrokiste, duke qarë; ishin zotat, duke u kthyer pas një
syrgjynosjeje prej shumë shekujsh. Duke u përvijuar më të mëdhenj sesa jeta
ndërsa qëndruan mbi podium, kokat e tyre të hedhura nga pas dhe gjokset e
shtyra përpara, ata me arrogancë e morën homazhin tonë. Një prej tyre mbante
një degë (e cila i përkiste, pa dyshim, botanikës së thjeshtë të ëndrrave); një
tjetër, me një gjest gjithëpërfshirës, zgjaste një dorë e cila ishte një putër
kafshe; një nga fytyrat e Janusit shihte mosbesues nga sqepi i përkulur i
Thoth-it. Ndoshta të emocionuar nga duartrokitja jonë, një prej tyre, nuk mund
ta kujtoj se cili, shpërtheu në një kakarisje triumfuese, çuditërisht të hidhët
që ishte gjysma gagaritje e gjysma fërshëllimë. Nga ajo pikë, gjërat ndryshuan.
E gjitha filloi me dyshimin (mbase të tepruar) që zotat
ishin të paaftë për të folur. Shekujt e një jete të egër fluturimi e kishin
atrofizuar atë pjesë të tyre që ishte humane; hëna e Islamit dhe kryqi i Romës
kishin qenë të papajtueshëm me këta ikanakë. Vetullat enxjerra, dhëmbët e zverdhur,
mjekra e rrallë e një mulati ose e një kinezi dhe lafshët kafshërore ishin
testamentet për degjenerimin e linjave Olimpiane. Veshjet që ata kishin nuk
ishin prej atyre të një varfërie të hijshme dhe të ndershme, por më së shumti
të një luksi kriminal të një strofulle kumari të Nënbotës dhe të shtëpive me
reputacion të sëmurë. Një gjak ngjyrë karafili rrodhi nga vrima e një kopse;
nën një xhaketë të shtrënguar dikush mundi të dallonte konturet e një thike.
Menjëherë, ne e ndjemë që ata po luanin trompën e tyre të fundit, që ata ishin
dhelparakë, injorantë dhe mizorë, si grabitqarë të rritur, dhe nëse ne do të
lejonim veten të dridheshim nga frika ose keqardhja, ata do të mbaronin duke na
shkatërruar ne.
Ne nxorëm revolverët tanë të rëndë (papritur në ëndërr na u
shfaqën revolverët) dhe me ngazëllim i vramë zotat.
Përktheu:Neli Naço
Comments
Post a Comment