Agron Tufa: Të rinj e zdapa, mediokër e pensionerë dalin direkt e me libra


 “Në tregun mediatik mungojnë revistat e përmuajshme me profil të qartë letrar dhe/ose artistik. Në mënyrë të çrregullt vazhdojnë të dalin revistat ‘Përpjekja’ (e cila është më shumë një revistë e mendimit kritik), ‘Aleph’ dhe ‘Mehr Licht’ (ndërsa këto dy të fundit me profil të qartë letrar e kulturor), ekzistenca e të cilave është gati-gati një heroizëm, duke qenë se e kanë të pamundur të mbajturit prej shitjeve ose prej publikimit të reklamave, ndaj dhe botuesit e tyre, njerëz të letrave, janë të shtrënguar të trokasin në dyert, shpesh të shurdhëta, të sponsorëve të ndryshëm. Mund të themi se deri më sot nuk ka një politikë nga ana e qeverisë për të marrë në mbrojtje këtë specie në zhdukje e sipër. E vërteta është se një organ kulturor e letrar i mirëfilltë, duke mos qenë në gjendje të konkurrojë në kushtet e tregut, e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, ekzistencën pa mbështetje financiare të institucioneve ose, të themi kështu, të mecenatëve të ndryshëm…” – ky do të ishte një nga konkluzionet e kritikut letrar Virgjil Muçi pas një vështrimi analitik që u kishte bërë faqeve letrare kulturore të shtypit të përditshëm. Ndërkohë që Agron Tufa kujton një moment shumë domethënës. “Në vitin 2003 kam pasë botuar një shkrim me titullin ‘Revista letrare ‘Aleph’ dhe 60 biznesmenë në një’. Thelbi ishte ky: një ndër revistat më cilësore në Shqipëri lëshon thirrjen SOS dhe rrezikon të mbyllet për arsye financiare. Në këto kushte, kryeredaktori i saj, poeti Gentian Çoçoli, me ndihmën dhe mbështetjen e Ismail Kadaresë u bën një ftesë 60 biznesmenëve shqiptarë në një takim në hotel ‘Sheraton’. Përfundimi: prej të gjashtëdhjetëve u grumbulluan… 60 euro! Në thelb parallinjtë tanë, që harxhojnë 2 milionë euro për të sjellë, fjala vjen ‘Realin’apo ‘Milanin’ në Shqipëri, për një natë, nuk denjojnë të japin as 2000 për një numër reviste.”- kujton Tufa. Po përse tregut mediatik i mungojnë të përmuajshmet letrare? Cili është misioni i një reviste letrare? Përse ato pak revista që janë sot nuk arrijnë t’i mbijetojnë tregut ose i mbijetojnë me vështirësi?…Këtyre pyetjeve u përgjigjen tre botues dhe ish-botues të tri revistave letrare: Agron Tufa, Gentian Çoçoli dhe Arjan Leka, të cilët na sjellin dhe një pasqyrë të realitetit shqiptar.
Intervistoi: Aida Tuci
Mund të na tregoni përvojën tuaj me revistën “Fjala”. Si lindi ideja? Për sa kohë i rezistoi tregut dhe arsyet e mbylljes?
Revista “Fjala”, nëse mund të flasim për krijesa jetëshkurtra (ajo doli vetëm 2 numra të vitit 2007), ka pasur një parahistori. Madje  e vetmja histori e kësaj reviste ka qenë parahistoria e saj si gazetë e përjavshme kulturologjiko-letrare. Nga gushti i vitit 2001 deri në mars të vitit 2006 “Fjala” doli  çdo të diel, si gazetë letrare, në fillim si suplement 16 fletësh brenda gazetës “Tema”, mandej, nga janari 2004-mars 2006, “Fjala” doli si gazetë më vete. Në vitin 2001, sapo isha kthyer nga studimet, unë paraqita pranë drejtorive të gazetave të ndryshme projektin për një gazetë letrare. Sigurisht gazetat me tirazh të madh e pranuan në fillim idenë, por ata këmbëngulnin që ta bëja sipas shijes së tyre, d.m.th. me faqe rozë, skandale, thashetheme, dosierë, horoskopë, vipa e tek-tuk ndonjë krijim letrar, diç të ngjashme me “Intervista” apo “Paloma”. Asokohe sapo kishte nisur moda e suplementeve apo shtojcave dhe me anë të tyre marketingu i gazetës synonte të rriste për fundjavë tirazhin. Kur dëgjuan konceptin tim dhe ambicien për një gazetë serioze letrare, thuajse të gjithë kryeredaktorët jo vetëm që u zhgënjyen por s’di pse dhe u acaruan. Megjithatë, u gjet njëri që e vlerësoi dhe e pranoi projektin, madje mori riskun të investojë e të sigurojë vazhdimësinë e saj çdo të diel për pesë vjet. Ky është gazetari i mirënjohur Mero Baze. Nëse e pranojmë se çdocili prej nesh do të dalë një ditë para Gjyqit të Fundit, për z.Baze do të dëshmohet: “Po, ky zotëri ka bërë të mundur financiarisht të botohet për pesë vjet rresht një gazetë serioze letrare, e përjavshmja “Fjala”. Gazeta në mbi 200 numrat e saj përfshinte rubrika të caktuara e të strukturuara: editoriali i kulturës, që përfshinte një çështje të nxehtë problematike, një studim të shkurtër, një ese, një intervistë, një cikël të gjerë me poezi shqipe dhe të huaja, një tregim shqiptar dhe një të huaj, muzikologji, filozofi e teologji, një kritikë recensionale, një material të përzgjedhur teorik mbi artet vizuale-pikturë, arkitekturë, kinema si dhe foto e ilustrime të ndryshme. Gazeta shumë shpejt provokoi një atmosferë letrare-artistike jo vetëm në kryeqytet, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë ku shpërndahej gazeta. Secili qytet kishte formuar blerësin e vet dhe bashkëpunonin shpesh me “Fjalën”. Në vitin 2004, kur “Fjala”doli si gazetë më vete, ajo kishte një bashkëpunim intensiv me Kosovën, Maqedoninë dhe rrethet letrare të qyteteve tona. 50% e materialeve të botuara ishte nga autorë të Kosovës e Maqedonisë. Për fat të keq gazeta nuk kishte sistem honorari për bashkëpunëtorët dhe krijimet e botuara nuk shpërbleheshin, ndonëse kjo nuk e zbehu aspak idealizmin për të patur në vazhdim një tribunë letrare. Gjatë viteve 2001-2005 janë botuar me qindra shkrime problematike për kulturën dhe letërsinë, qindra intervista shkrimtarësh shqiptarë e të huaj; janë prezantuar autorë të “harruar” të panjohur, të traditës, të rinj e shumë të rinj nëpërmjet poezive, eseve, tregimeve e përkthimeve të tyre. Në faqet e “Fjalës” janë promovuar gjatë këtyre viteve emra të rinj, si Petrit Nika, Granit Zela, Alisa Velaj, Linditë Ahmeti, Salajdin Salihu, Flurans Ilia, Ermir Nika, e dhjetëra të tjerë që përbëjnë penat e viteve 2000.
Rënia e fuqisë financiare qe e vetmja arsye pse u ndal gazeta. Në vitin 2007, një vit pas mbylljes së gazetës, kam aplikuar në MTKRS për ta rivazhduar “Fjalën”, tashmë në trajtë reviste 400 faqesh. Përvoja si revistë mund ta kompaktësonte sërish lexuesin e saj, madje me mundësi më të mëdha. Por revista “Fjala” fill pas 2 numrave të suksesshëm u ndal papritur në pikun e entuziazmit të saj. Ministria, si duket, sapo e kuptoi që ne ia dilnim mbanë për bukuri për nga aftësitë, zgjodhi rrugën më të shkurtër: e ndërpreu financimin. Dhe tok më të, edhe rrugëtimin e mëtejshëm të revistës.



Sot nuk kemi një gazetë mirëfilli letrare-artistike. Por tregu ka boshllëqe edhe i mungojnë edhe revistat të cilat dalin në mënyrë krejt të çrregullt, si “Aleph” apo “Mehr Licht”, pa përmendur këtu revistat që janë zhdukur nga qarkullimi. Cilat janë arsyet e këtij kaosi, sipas jush?
Për fat të keq gazeta letrare nuk kemi, ndërsa dy revista edhe sikur të dilnin pandërprerje, prapë janë të pamjaftueshme për të mbushur zbrazëtinë e komunikimit letrar. Gazetat letrare janë të domosdoshme për të rrokur dinamikën letrare javore të një kulture dhe prapë nuk mjaftojnë një e dy, por duhet të jenë disa, sa më shumë. Revistat letrare kapin një dinamikë më të ngadaltë letrare, të për tre apo të për katër mujore. Gazetat dhe revistat letrare, letraro-kritike, filologjike apo filozofike janë të vetmet tregues të saktë të një klime shëndetshme kulturore në të gjitha kulturat nacionale. Kështu ka qenë gjithmonë. Grupimet, elitat, novatorët, ata që realizojnë njohjen dhe çelin shtigje të reja në artet letrare, janë pikërisht gazetat dhe revistat. Sepse në të tilla revista përthyhen idetë, stilet, kahjet e tendencat letraro-artistike, që më vonë do të bëhen sunduese apo përcaktuese me ndikimin e tyre. Neve na mungon pikërisht kjo pasqyrë sizmike, që realizon një njohje të reliefit artistik, por edhe paralajmëron konturet e një letërsie në të ardhmen, pa llogaritur përthyerjen nëpërmjet këtij shtypi të përvojave të letërsive botërore. Kulturat tona artistike e letrare kanë nevojë për një klimë dhe atmosferë krijuese tonën, familjare, qoftë edhe kur përplasen. Në mungesë të tyre situatën e marrin në dorë faqet kulturore të gazetave të përditshmeve, që pikë lidhje me artet letrare nuk kanë. Vetë shteti ynë duhej të kishte përpunuar dhe zbatuar me kohë strategjitë e politikave kulturore me prioritet e saj. Dhe më së pari të nxiste një klimë të medias letraro-artistike, e cila nuk do kushedi çfarë shpenzimesh. Është gjithë kjo kohë e humbur, që është mbushur simulakrizëm dhe servilizëm mediatik.
Pasojë e kësaj mefshtësie dhe pandjeshmërie ndaj këtij aspekti të rëndësishëm infrastrukturor të medias letrare është situata e sotme: e topitur, e amullt, e dystë dhe … krejt e manipulueshme. Përveç mungesës së politikave mbështetëse shtetërore, ne jemi ndoshta kultura e vetme kombëtare që nuk njeh mecenatë të saj (sponsorë privatë). Të gjitha organet letrare që kanë pasur një fill e janë ndërprerë, kanë vetëm arsye financiare. Ky lloj shtypi, duke iu drejtuar një elite të caktuar, dihet që nuk e mban veten. Në asnjë vend të botës, asnjëherë, asnjë gazetë apo revistë letrare nuk ka dalë me fitim. Situatën e sotme e quaj të neveritshme, tepër të turpshme, saqë të mos krahasohemi dot me pasurinë dhe larminë e shtypit kulturor (gazeta e revista) të viteve ’30.
E vetmja revistë e vëllimshme që ka vazhduar të dalë deri më sot, që nga themelimi i saj, pa ndërprerje, është “Mehr Licht”-i. Por dihet që revistat kanë të ngulitur karakterin e tyre seleksionues, frymën grupore dhe jo kooperativiste (dhe lavdi Zotit!). Ndërkaq ka patur përpjekje të viteve të fundit për t’u rikthyer revista letrare “Aleph”, e po kështu kemi vitet e fundit revistën e specializuar për artin e poezisë “Poeteka”.
Një organ mirëfilli kulturor e letrar pse nuk është në gjendje të konkurrojë kushtet e tregut?
Padashje arsyet i thashë më lart. Tregu i shtypit ndihet ngushtë nga tirazhi i vogël i gazetave të përditshme apo revistave me lustër. Vetëm shtypi komercial, masovik, si “Paloma” etj., mund të krijojë premisë mbijetese. Auditori i shtypit të specifikuar letrar është shumë i ngushtë; atë e përbëjnë lexuesit e rafinuar gjysmëkrijues, studentë të letërsisë, filologë, studiues dhe vetë poetët e shkrimtarët. Lexuesi i rëndomtë nuk e prek me dorë një shtyp të tillë.
Po shtëpitë botuese, që janë shtuar kaq shumë në numër, por që asnjëra prej tyre nuk ka marrë iniciativën për të mbështetur botime periodike letrare, çfarë përgjegjësie kanë?
E njoh këtë kategori. Nuk kanë asnjë tipar apo gjest idealist, megjithë respektin që kam për 2-3 prej tyre. Ndoshta edhe mund të provohej një formulë. Por në përgjithësi, vula e zanateve nga vijnë, s’të lë të shpresosh për shumë. Ata sepse më duken më fakirë se fukarenjtë, jo më të mbështesin me para revista jo reklamuese për botimet e tyre!
Në morinë e gjithë këtyre botimeve (të librave), ku vlera dhe antivlera qëndrojnë njësoj në raftet e librarive, çfarë roli do të luante një revistë letrare?
Rolin e edukimit të shijeve të reja, të modeleve të reja dhe, përgjithësisht, të letërsisë së re që përmbys me praninë e saj të gjallë kanonet e vjetra. Revista është guri i provës për një shkrimtar të ri që ka ambicie profesionale. Tani të rinj e zdapa, mediokër e pensionerë dalin direkt e me libra reklamë shumë dhe nuk di si të orientohesh.
A ka një zgjidhje për gjithçka diskutuam?
Jo, sepse mungon të kuptuarit. Jo, sepse shteti nuk kupton, edhe kur i ka të shkruara në platforma. Jo, sepse njeriu paralli shqiptar asht një “derr i knaqun”, i zhytur në përmasën e kënaqësisë materialiste dhe se si politikanët tanë, ashtu dhe biznesmenët, duket ashiqare që nuk kanë lexuar kur kanë qenë fëmijë.



Arjan Leka: Përballë njëra-tjetrës revistat letrare janë plotësuese
Po përvoja juaj me revistën “ Poeteka”. Si lindi ideja? Dhe si arrin t’i rezistojë tregut të periodikëve?
Ideja fillestare për themelimin e revistës “Poeteka”, një revistë kushtuar në mënyrë të posaçme poezisë dhe kulturës poetike, fillimisht erdhi si përmbushje e një tipari që mungonte në jetën krijuese dhe mendimin kritik mbi artin e të shkruarit. Që në krye, në vitin 2005, pra, “Poeteka” mëtoi të kryente funksionin metaforik të urës, të luante rol ndërmjetësues, duke u ndërhyrë si mes krijuesve dhe lexuesit ashtu edhe mes letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj.
Kemi shpresuar përherë atë që shpresojnë të gjithë ata që marrin në sy të botojnë periodikë letrarë: të ndikojmë me sa mundemi si faktor orientues për lexuesin dhe si zbutës ndaj klimës së acaruar që ekziston qoftë mes vetë krijuesve, qoftë mes klanizimit të vetë revistave letrare.
Por ajo që është më e rëndësishmja ka qenë dhënia e shenjave paralajmëruese ndaj lexuesit në lidhje me shkrimtarët që vijnë apo veprat e pritshme letrare, të cilat në revista botohen me cikle apo fragmente.
Sot nuk kemi një gazetë mirëfilli letrare-artistike. Por tregu ka boshllëqe dhe i mungojnë edhe revistat, ndërkohë që kemi shumë pak në treg, si “Aleph”, “Poeteka” apo “Mehr Licht”, pa përmendur këtu revistat që janë zhdukur nga qarkullimi. Cilat janë arsyet e këtij kaosi, sipas jush?
Nuk mendoj se hapësira mediatike e gazetave, faqeve dhe suplementeve javorë adresuar letërsisë është krejtësisht e zbrazët. Do e përkufizoja më shumë të shkretë sesa të zbrazët, pasi energji harxhohet shumë dhe produkti është mjaft i pakët. Në këto iniciativa ka pasur dhe vazhdon të ketë më shumë vullnet sesa dëshira të mira, më shumë ngut sesa ngulm. Mungesa e qëllimit për t’u shndërruar në një referencë kulturore, ku lexuesi gjen arsyet pse kjo gazetë po revistë duhet lexuar apo përkrahur, ka rënduar gjendjen. Nga ana tjetër edhe keqpërdorimi, mbyllja dhe cenimi i besueshmërisë në rastet e pafundme ku, falë shumëfishimit dhe fabrikimit të emrave në faqe gazetash, në të cilat “gjithkush” shndërrohet në “dikush”, shkrimtar, kritik a përkthyes, mendoj se ka ndikuar jo pak në uljen e besueshmërisë apo në atë që ju e përkufizuat si “kaos”. Por jo pak në mosinteresimin e lexuesit ka ndikuar edhe kornizimi i disa prej revistave thjesht në mbrojtës të “art pure”. Kjo optikë i ka vendosur ato në periferi të diskurseve të sotëm, mbi të cilët shkrimtarët shprehen përmes eseve dhe kritikë letrare, ndërkaq që tekstet tona mbajnë ende aromë romantizmi apo erë formalizëm.
Një organ mirëfilli kulturor e letrar është në gjendje të konkurrojë kushtet e tregut?
Kjo nuk varet vetëm nga ata që e botojnë dhe nga ata që bashkëpunojnë me një revistë letrare. Mund të lëshosh sinjalin më të përkryer, por duhet të ekzistojë edhe antena për ta kapur këtë sinjal.  Revistat letrare nuk konkurrojnë për treg, ato thjesht shfaqen para lexuesit, duke sjellë art, këndvështrime dhe prirje të ndryshme letrare. Kjo mungesë “konkurrence në treg” vjen pasi “produkti” i tyre letrar është unik. Mjafton të sqarohet fakti se revistat letrare botojnë “të pabotuarat”, tekste enkas. Në to gjithçka është e dedikuar “ekskluzive”, gjë që nuk i vë ato në gjendje konkurrence me njëra-tjetrën për çështje tregu. Përballë njëra-tjetrës revistat letrare janë plotësuese. Të gjitha ruajnë diçka nga improvizimi i krijimit, nga joshja e shoshitjes së rërës së lumenjve, ku kërkohet grimca ari. Për historinë e letërsisë revistat letrare janë format e një katalogu kronologjik letrar, ku fiksohet rrjedha artistike, tendencat e autorëve, sidomos për ata që janë ende me vepër të hapur dhe në proces krijimi. Është si të thuash një lloj degustimi paraprak i shijeve letrare, një sprovë për të vendosur hierarki vlerash në gjendjen e tyre të lëvizshme.
Mendoni se është e nevojshme një mbështetje financiare nga ana e institucioneve, duke mos harruar edhe privatët? Apo duhet që shteti  të tregojë më shumë vëmendje në mbështetjen e revistave letrare për të siguruar vijimësinë e tyre?
Përpjekja, për t’i siguruar prani dhe jetë revistës letrare që drejton, edhe pas 20 numrave të botuar, për mua do të thotë se revista dhe ata që botojnë në të e kanë kapërcyer sprovën e qëndresës. Në provë tanimë janë të tjerë: së pari lexuesi, i interesuari më i drejtpërdrejtë mbi ecurinë e një reviste letrare. Më pas edhe institucionet që e kanë detyrim ligjor mbështetjen e kulturës së shkruar dhe pas tyre edhe mecenatët e letërsisë, thuajse inekzistentë në Shqipëri, mes të cilëve do përmendja edhe universitetet. Institucionet e kulturës, të cilave, si eufemizëm dhe reminishencë u themi “shteti”, i kanë jo të pamundura rrugët e përkrahjes së një revistë letrare për çdo vit. Një mënyrë mund të jetë përzgjedhja mbi bazën e kontributit vjetor dhe përmes konkurrimit për çmimin e vitit mes revistave letrare, ku njëra nga revistat veçohet për t’u ndihmuar, qoftë financiarisht, qoftë edhe me mjete logjistike, aq të munguara për redaksitë thuajse “portabile” të revistave letrare. Ndihmesë tjetër mund të jetë edhe përfshirja në listën e leximeve të këshilluara shkollore për nxënësit dhe bibliotekat, gjë që do u siguronte revistave letrare zgjerim komunikimit.
Po shtëpitë botuese, që janë shtuar kaq shumë në numër, por që asnjëra prej tyre nuk ka marrë iniciativën për të mbështetur botime periodike letrare, çfarë përgjegjësie kanë?
Shtëpitë botuese i shoh gjithashtu të përfshira në dy aspekte: së pari, në dobi të tyre, pasi në faqet e revistave letrare mund të pikasin dhe të zgjojnë vëmendjen mbi vepra dhe autorë shqiptarë dhe të huaj, të cilët përbëjnë “materia prima” të punës së tyre. Së dyti, në dobi të revistave këtë radhë, shtëpitë botuese mund të kontribuojnë duke publikuar në faqet e revistave letrare njoftimet e tyre. Kjo gjë gjer tani nuk ka ndodhur, thuajse kurrë, por nuk përjashtohet të fillojë të ndodhë, siç ndodh rëndom në të gjithë marrëdhënien shtëpi botuese – revistë letrare. Nëse do të përfilleshin, siç shpesh përfliten, si pasuri letrare, revistat do përkraheshin, pikërisht për të qenë të pranishme, jetëgjata dhe jo të kërcënuara nga mosvëmendja.
Gentian Çoçoli: Sot është vetëvrasje letrare të botosh një revistë letrare
Cili është misioni  i një reviste letrare? Nga përvoja juaj me “Aleph”-in, si lindi ideja për një revistë të tillë?


Revistat letrare tregojnë dinamikën ose mungesën e dinamikës në letërsi. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të hetuar atë që ndodh në dinamikën mujore, stinore apo vjetore të një letërsie, por edhe prirjet që ajo ka dhe që duhet të marrë. Një letërsi ka nevojë për ritmin e vet të shkrimit, por edhe të botimit, pasqyrimit dhe ballafaqimit; dhe këtë vetëm revistat mund ta bëjnë. Në këtë kuptim revista lind si domosdoshmëri. Revista “Aleph” besoj se ka përfaqësuar dhe përfaqëson këndvështrimin e duhur ndaj zhvillimeve letrare këtu dhe jashtë vendit. Them këndvështrim, pasi asnjë revistë letrare, sado e mirë qoftë, nuk mund të pretendojë të përfaqësojë vështrimin total të një letërsie. Misioni që ka një grup themeltar i përkushtuar pa interes ndaj letërsisë – e theksoj, pa interes – bëhet vetë misioni i letërsisë dhe kulturës ku kjo revistë projektohet. Në këtë pikëpamje, revistat letrare janë pasuri për kulturën e një vendi. Historia e letërsisë botërore të shek. XX e në vazhdim është në thelb historia e revistave letrare.
Revista “Aleph” që në themelimin e saj ka përfaqësuar ëndrrën e cilitdo shkrimtar dhe poet të vërtetë, mallin për kulturën botërore, (po perifrazoj Mandelshtamin). Ky është edhe ‘sekreti’ përse revista “Aleph” vazhdon botohet, kur për shumë mendje duhej të qe mbyllur me kohë. Ky mall i pashuar për kulturën do vazhdojë ta ushqejë këtë revistë edhe për dekada.
Cilat janë arsyet e vështirësive që has mbijetesa e një reviste letrare, sipas jush? Pse nuk i rezistojnë dot tregut? Nuk ka lexues?
Asnjë revistë letrare në botë nuk i mbijeton dot tregut, nëse kjo revistë nuk ka një ndihmë nga institucione shtetërore apo filantropë kulture. Sot është vetëvrasje letrare të mendosh të botosh një revistë letrare (apo ta vazhdosh atë), por kjo është një histori e vjetër e imja dhe e shumë kolegëve të mi këtu apo në botë, që ende besojnë te revistat “e vogla”. Kapitalizmi shqiptar është ende në hapat e parë, të themi në fazën e “materializmit vulgar” dhe kjo pengon shfaqjen e filantropëve të kulturës të cilët janë vendimtarë. Në të vërtetë revista letrare nuk janë dhe nuk mund të jenë mall tregu; ato në të vërtetë janë (duhet të jenë) pjesë e ushqimit letrar të shkrimtarëve, përkthyesve, kritikëve, studentëve, botuesve, ëndërrimtarëve, të vetmuarve, atyre që u pëlqen piktura dhe muzika klasike apo Jazz-i etj. Për këta njerëz del një revistë letrare dhe prej kësaj audience dhe ushqehet, merr fuqinë. Ndaj e them që në Shqipëri, si kudo në botë, ka një shtresë lexuesish besnikë, falë së cilës jeton dhe trashëgohet kultura, letërsia, lindin poetët, shkrimtarët, lindin lexuesit me “L”- kapitale
Revista, thoni ju, është një shkollë për poetët dhe shkrimtarët e rinj. Shtëpitë botuese, sipas jush, a duhet të kryenin një rol më bashkëpunues me këto revista, sepse në fund të fundit është dhe interesi i tyre për t’i mbështetur?
Siç e përmenda më lart, revista duhet të jetë edhe në tavolinën e punës së një botuesi, aq më tepër të botuesit, pasi ai së bashku me revistat letrare bëhen përzgjedhësit dhe orientuesit e një letërsie. Por në Shqipëri, meqë ende nuk ka lindur botuesi me B kapitale, besoj se e shumta e botuesve nuk kanë pikën e interesit ndaj revistave letrare, dhe besoj ndofta nuk e dinë që ekzistojnë. Në përvojën botërore botuesit kanë qenë përherë mbështetës moralë dhe financiarë revistash letrare, sikundër në Shqipërinë e viteve ’30 dhe ‘40. Sot më kjo histori dhënie-marrjeje revistë-botues as nuk shpihet në mend.

Po a mendoni se ka një zgjidhje për çfarë diskutuam apo revista letrare do të vazhdojë të mbijetojë vetëm falë pasionit të individëve?
Fakti që revista “Aleph” prej vitit 1996 e deri më sot nuk ka marrë kurrë asnjë financim nga institucionet shtetërore, ndonëse në fjalët e Kadaresë është quajtur revista absolutisht më e mirë në dekada e dekada të letërsisë shqipe, pra fakti që kjo revistë vazhdon botohet, tregon shumë. Tregon nga njëra anë se ende nuk ka një ndërgjegjësim nga institucionet për rëndësinë e jashtëzakonshme të revistave letrare dhe kjo nuk është fare frymëzuese për brezin më të ri të shkrimtarëve dhe poetëve; dhe nga ana tjetër tregon që në Shqipëri do të duhen ende vite për të patur një klimë të vërtetë kulturore, sepse në thelb është klima kulturore e një vendi që ngjizet pastaj në revista letrare, në shtëpi botuese të vërteta, në një rrjet çmimesh letrare, në rrjet kolonish me krijues edhe të arteve të tjera, në klube artistësh, poetësh, kritikësh. Pra, është kjo klimë që do të ushqejë gjithmonë atë mall të lashtë kulture.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk