“Klepsidra” i Moikom Zeqos, misteri i parabolave
Përpjekja për ta gjetur një pikë kryesore në librin “Klepsidra” të Moikom Zeqos, me sa duket, gjithnjë na shpie drejt një epiqendre të caktuar. Dhe kjo patjetër bëhet e vetëmjaftueshme për të qëndruar si një rrafsh metaforik ku ndërlidhen të gjitha fijet me të cilat ndërthuret vepra në fjalë. S’do mend, i tillë është edhe vetë titulli që përmban ky libër, pra Klepsidra, e që njëherazi mund të shihet se është edhe titulli i një proze të përfshirë aty. Kjo nënkupton faktin se nëpërmjet tregimit për klepsidrën, veglës antike për matjen e kohës, autori arrin në mënyrë programatike ta ndërtojë kontekstin e përgjithshëm, parabolën arketipore dhe shllimin paradigmatik të tij, gjithmonë duke e bashkuar kohën astronomike me atë artistike. Si rrjedhojë del se kjo është një tendencë relativizuese për ta vendosur dhe zhvendosur çdo gjë brenda një kozmogonie të caktuar. Sido që të vrojtohet ecuria e këtillë, na bëhet e qartë se zbulimi i një klepsidre në një varr të nekropolit të Durrësit, shndërrohet në temë qendrore… Me anë të saj i shpall luftë kategorisë së kohës si ekskluzivitet astronomik, në radhë të parë duke krijuar sfidën e tij të pashmangshme për ta zhvilluar një lojë të pafund; në njërën anë duke e fiksuar atë si një parametër historik, si ndodhi konkrete në rrethana të njohura, që gjithsesi kundrohet brenda suazave të kapshme dhe, nga ana tjetër, duke e përplasur çdo gjë në shtjellën e përfytyrimit artistik, në sferën e manifestimit shpirtëror, aty ku ndodh shtegtimi universal, i cili është i paarritshëm dhe i pakufishëm….Autori, të gjitha tregimet dhe esetë e tij i quan parabola misteri, me qëllimin e vetëm që ato t’i trajtojë në mënyrë sa reale aq edhe hipotetike, duke i lëvizur në rrafshin e dritëhijes. Vetë termi parabolë këtu merr kuptim të plotë letrar e zhanror, bëhet rrëfim i përsosur alegorik, sigurisht si një rrokme për ta riformësuar atë në aspektin e një kompozimi modern. Madje, qoftë edhe si një term gjeometrik, këndej vetvetiu del se parabola është një vijë e lakuar dhe e hapur, ndarëse dhe bashkuese njëkohësisht, është pjesë dhe tërësi, formë dhe përmbajtje, sepse në fund, prapë së prapë, mbetet vetëm misteri si element mbizotërues që shtrihet brenda kufijve të qartësisë apo edhe të enigmës që paraqitet. Duke e ndjekur vijën horizontale të librit “Klepsidra” të Moikom Zeqos, pra renditjen e ngjarjeve që janë gërshetuar sipas një logjike pak a shumë jetëshkruese, në përgjithësi mund të themi se kemi të bëjmë me një sublimim empirik të dijes dhe të fantazisë së autorit…Kështu edhe personazhet dhe ngjarjet e shumta bredhin fare lirshëm nga njëra kohë në tjetrën, pikëtakohen në aspektin ontologjik dhe gnoseologjik me forma të ndryshme, por me përmbajtje të njëjta…Bie fjala, në prozën “Gra mistike” e shohim asketen Maria egjiptiane tek udhëton nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, herë duke u zhdukur e herë duke u shfaqur, për të na lënë vazhdimisht një përshtypje të njëjtë; te “Princi Hirtigr” po ashtu realiteti dhe imagjinata bashkohen duke i thyer të gjithë kufijtë e mundshëm; edhe muzikanti Karion nga Dyrrahu që shfaqet nga gojëdhënat, ndjek të njëjtat lëvizje në vështrimin krijues të autorit; edhe fantazma e shqiptarit Jusuf nga Leskoviku zgjohet nga mbishkrimi i një shpate për të ardhur deri në ditët tona etj…Ajo që mbetet si nyja më intriguese e këtij libri, pa dyshim është elementi i misterit qoftë si temë, qoftë edhe si vizion… Misteri i M. Zeqos është variacion shumë relativ, i plotësueshëm dhe i ndryshueshëm; ai jeton brenda gjithëkohësisë për ta mbajtur gjallë njeriun në kuptimin shpirtëror dhe për ta tërhequr atë si me magji që të identifikohet në situata të nduarnduarshme.
Ahmet Selmani
Comments
Post a Comment