Ferdinand Hysi: Regjisorët shqiptarë nuk kanë lexuar një dramë shqipe

“Në Kosovë e duan dramën shqipe më shumë sesa në Shqipëri”,- thotë dramaturgu Ferdinand Hysi, i cili është kthyer nga Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Podujevë me tri çmime. Drama e tij “Tri mendje në ankand” është vlerësuar si “Shfaqja më e mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Dramaturgjia më e mirë”.
“Në Kosovë e duan dramën shqipe më shumë sesa në Shqipëri”,- thotë dramaturgu Ferdinand Hysi, i cili është kthyer nga Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Podujevë me tri çmime. Drama e tij “Tri mendje në ankand” është vlerësuar si “Shfaqja më e mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Dramaturgjia më e mirë”. Këto çmime për dramaturgun Hysi janë një vlerësim për punën e tij, atë të dramaturgut, që për të është profesioni më i vështirë. “Fatkeqësia është se regjisorët shqiptarë nuk e lexojnë dramën shqipe, jo më t’i qasen asaj për ta vënë në skenë”,- thotë në intervistën e tij dramaturgu Hysi.

Ferdinand Hysi
Zoti Hysi, drama juaj “Tri mendje në ankand” pak kohë më parë u vlerësua me tri çmime në Festivalin e Teatrit në Podujevë. Është çmimi i radhës për ju në Kosovë, ku duket se dramat tuaja mirëpriten nga publiku…
Festivali i Podujevës organizoi edicionin e pestë këtë vit dhe organizatorët i bënë një ftesë trupës së “Metropolit”, që u përfaqësua në këtë festival me dramën time. Publiku e priti shumë mirë dhe juria e vlerësoi me tri çmimet e festivalit. Në tetor shpresojmë të përfaqësohemi edhe në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Është një festival shumë i rëndësishëm në Kosovë dhe që ka një traditë prej 43 vitesh.
Kosova është më e hapur ndaj dramës shqipe, apo ky është një perceptim i gabuar?
Jo, është perceptim shumë i drejtë. Në Kosovë e duan dhe e nxisin dramën shqipe. Atje organizohen shumë festivale teatrosh, konkurse të dramës shqipe, një traditë që në Shqipëri ka humbur. Për 100-vjetorin e Pavarësisë u organizua një konkurs i dramës shqipe, ndërkohë që festivali i fundit teatror këtu tek ne është zhvilluar më 1995.
Janë drejtuesit e teatrove në kontakt me dramën shqipe?
Ata duhet të jenë në kontakt me dramat që shkruhen, por në fakt nuk janë. Këtu nuk flas vetëm për mua si dramaturg që kam vite që shkruaj, por edhe për të rinjtë. Drejtori i teatrit duhet të jetë në kontakt me dramaturgët që shkruajnë. Duhet të ketë grupin e vet të dramaturgëve të cilët shkruajnë për skenën e tyre. Zakonisht ndodh që vetë dramaturgët trokasin në dyer e teatrove që t’u vihet drama e tyre në skenë. Gjë që duhet të jetë e kundërta. Teatri duhet të gjejë autorët dhe jo autori teatrin. Duhet të gjendet një mënyrë për të nxitur edhe dramaturgët e rinj. Unë jam dramaturgu më i ri në treg dhe jam me thinja në kokë. Ku janë të rinjtë? Unë dramën e parë timen e kam shkruar 25 vjeç. Kur isha në Kosovë në konkursin “Katarina Josipi”, çmimin e parë e mori një dramaturge e re 25-vjeçare dhe të tretin, një 27-vjeçar. Ja, këto janë mënyrat se si mund t’i nxisim të rinjtë drejt dramës. Drama e Jonila Godoles “Njeriu i rërës”, që u shpall dhe fituese e një konkursi në vitin 2009, i cili u zhvillua nga Ministria e Jashtme austriake në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar, ende nuk është ngjitur në skenën e teatrit. Kështu nuk i nxisim të rinjtë, përkundrazi. Është e dhimbshme të thuhet nga një dramaturg, por unë nuk shoh asnjë perspektivë të dramës shqipe.
Po si mund të dilet nga ky batak sipas jush?
Dikur bëheshin festivale kombëtare një herë në dy vjet. I fundit është bërë në vitin 1995 dhe që atëherë, përjashto konkursin e Dramës shqipe për 100-vjetor, nuk është bërë asnjë festival. Mendoj se duhet të rikthehet kjo traditë e festivaleve teatrore, siç vazhdojnë të bëhen në Kosovë. Gjithë bota i kushton rëndësi organizimit të festivaleve teatrore. Gjithashtu, ministria duhet të organizojë konkurs letrar të dramës shqipe dhe dy herë në vit Festivalin e Teatrove.

Po ju vetë si dramaturg jeni të organizuar në një shoqatë, në mënyrë që të loboni për nisma të kësaj natyre?
Jo, fatkeqësisht nuk jemi të organizuar. Bashkim Hoxha e kishte një ide të tillë, të ngrinte Forumin e Dramaturgëve të Dramës Shqipe. Të gjithë ramë dakord, ai e filloi këtë iniciativë, por nuk e di se përse nuk u konkretizua.
Duket sikur dhe ju vetë preferoni të ktheheni disi në dramaturgët e qytetit. Kam parasysh faktin që Pëllumb Kulla i vë përgjithësisht dramat e tij në skenën e Fierit, Bashkim Hoxha në Durrës, ju në Vlorë, Stefan Çapaliku në Shkodër…
Mendoj se në këtë rast këta dramaturgë gjejnë dyert e hapura në këto qytete dhe prandaj preferojnë t’i vënë në këto skena. Dhe them shyqyr që Pëllumb Kulla ka gjetur mbështetje në Fier për të vënë pjesët e tij; Bashkim Hoxha në Durrës dhe Stefan Çapaliku në Shkodër. Them shyqyr që dhe Vlora ka qenë gjithmonë derëhapur për mua. Teatri i Metropolit gjithashtu duhet përgëzuar për mbështetjen që i jep dramës shqipe. Nëse nuk do të ishin këto teatro, nuk do të kishim fare dramë shqipe. Unë vetë do të kisha dëshirë të vija pjesë në skenën e Teatrit Kombëtar ose në Teatrin e Korçës, por është e vështirë. Sigurisht që mund të ketë një marrëveshje mes teatrove që të organizojnë turne që dramat që vihen në skenën e Fierit të vihen dhe në Vlorë, dhe anasjelltas. Por nuk di të ketë të tilla marrëveshje bashkëpunimi. Vetë regjisorët i janë larguar dramës shqipe.
Ka një konflikt në këtë mes. Vetë regjisorët shprehen se drama shqipe nuk është në nivelet që kërkojnë ata…
Ata nuk e lexojnë dramën shqipe. Nuk kanë asnjë kontakt me të. Në konkursin e të rinjve që zhvillon Teatri Kombëtar, nga kontakti me regjisorët e rinj mësova se ata nuk kishin lexuar asnjë dramë shqipe. Në diskutimet me ta, ia vinin fajin edhe shkollës. Profesorët e tyre u japin të lexojnë dramaturgë të njohur të huaj dhe asnjëherë nuk i orientojnë te dramaturgët shqiptarë. Gjithë problemi është se regjisorët shqiptarë thonë se drama shqipe nuk ka nivel, ndërkohë që nuk kanë lexuar një dramë shqipe. Prandaj dhe dramaturgët detyrohen t’i vënë vetë në skenë veprat e tyre. Stefan Çapaliku i vë vetë në skenë dramat e tij, po kështu dhe Mihal Luarasi. Për shembull mua më ka ndodhur që kur regjisorët e kanë lexuar dramën time, e kanë pëlqyer dhe më kanë kërkuar t’ua jap për ta vënë në skenë. Sikur këta regjisorë të lexonin dhe të ishin në kontakt me dramën shqipe, sigurisht që do t’i qaseshin më shumë asaj. Unë jam dakord që të lexojmë drama të njohura, por nga ana tjetër ata duhet të lexojnë dhe dramën shqipe dhe të jenë në kontakt me të.
(Mapo.al)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk