Pse është e veçantë puna regjisoriale e Elma Doresit?
Barazimi i vizionit dhe i një shprehje regjisoriale
Ka shumë vite që, këtu tek ne, në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, zhvillohet një debat për të cilin nuk e dimë as ku e ka fillimin e as kur do ta ketë fundin – mbi ekzistimin apo mosekzistimin e dramës shqiptare, mbi vlerat e saja, e kështu me radhë. Bile, me saktësi askush nuk e di as atë se përse u iniciua ky debat i cili rëndom udhëhiqet nga njerëz që nuk marrin shumë erë nga drama dhe teatri. Nejse, kështu është në shoqërinë tonë të gjithëdijshmëve injorant.
Por se, këto debate shterpë dhe pa fije kuptimi, në fakt sikur bien në ujë nga një krijuese e re dhe jashtëzakonisht e talentuar, nga një krijuese e cila, madje edhe nga tekstet që, ndonjëherë nuk ofertojnë shumë bënë shfaqje që janë emblemë në teatrin bashkëkohor të Shqipërisë – pra, Elma Doresi. Mirëpo kjo nuk do të thotë se gjithçka që ka inskenuar, që është duke inskenuar apo edhe që do ta inskenoj kjo regjisore e cila, sipas meje, i kalon konventat kombëtare të regjisores, të dijes dhe qasjes ndaj teatri,t ka të bëjë me drama të nxjerra nga “naftalina”, siç ishte rasti në dy shfaqjet e saja bravuroze: “Karnavalet e Korçës” nga Spiro Çomora, apo edhe “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” nga Çajupi ku shprehja teatrore e Elma Doresit, barazohet me vizionin dhe shprehjen e saj regjisoriale, ngase, kjo regjisore shumë e talentuar, ka inskenuar edhe vepra të mirëfillta të autorëve të njohur siç është, bie fjala, drame “Tri mendje në ankand”, e Ferdinand Hysit, një vepër që shpalos një vizion shumë modern edhe dramaturgjik, por mbi të gjitha skenik të autorëve të saj. Pra, një regjisore që thyen paragjykimet dhe tabutë për dramaturgjinë shqiptare dhe vlerat e saj.
Pamje nga shfaqja “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” në regji të Elma Doresit
Por, pse vallë na qenka e veçantë puna regjisoriale e Elma Doresit?
Dihet se në artet dramatike ekzistojë edhe dukuri që ndonjëherë mund të kufizojnë. Shpesh madje. Bëhet fjalë, sidomos për ato shfaqje ku kryqëzohen dy strukturat: ajo e tekstit dhe ajo e regjisë. Por, është pikërisht ky fakt, siç mund ta kuptojmë nga shfaqjet e Elma Doresit, që, ndonjëherë, kësaj regjisoreje, i ka imponuar të ketë, pikërisht, qasje, madje, multidisciplinare në krijimin e shfaqjeve të saja, por edhe të të shqyrtuarit, përmes tyre, të dukurive të ndryshme me të cilat preokupohet shoqëria jonë fund e krye. A nuk e ka thënë edhe Ronald Harvudi se teatri është një prej kompromiseve më gjenioze që ka bërë njeriu me veten e tij – duke e vënë veten në skenë, me të gjitha të mirat e të këqijat që i ka!? E këtë, bëhet se Elma Doresi e ka kuptuar shumë, shumë mirë dhe shumë qartë.
Fundja, shfaqjet e saja e tregojnë qartë se regjia teatrore, përveçse art, është edhe një lloj aktiviteti. Kjo, jo nga fakti se shfaqet në kufijtë e dy formave artistike (të dramës dhe të teatrit), por edhe për shkak të strukturës së vetë, diçka që shumë regjisor nuk e kuptojnë asnjëherë. Ndërsa Doresi e ka kuptuar këtë që në fillet e saja artistike. Ngase, është evidente se, në veçanti, tek tre inskenimet e saja kulte do të thosha: “Karnavalet e Korçës”, “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” dhe “Tri mendje në ankand”, e që regjisorialisht, konceptualisht dhe stilistikisht mund të kundrohen edhe si një trilogji e kësaj artisteje, diskursivja dhe imagjinativja dalin të jenë komponentët më relative të punës së kësaj artisteje.
Elma Doresi ka treguar shkathtësi në këtë gjë, por sidomos edhe në faktin se, ndonjëherë, motive letrare dhe dramatike të cilat është besuar e madje shkruar dhe thënë se nuk ofrojnë shumë mundësi (sa patetike kjo), ia ka dalë që, me plot dije, vullnet, angazhim, sharmë dhe invencion, t’i kthejë në një metaforë të përshtatshme skenike e cila ka kapacitete të jashtëzakonshme të komunikimit me publikut. E kjo te shfaqjet e Doresit ka ardhur edhe si përkushtim, edhe si talent, por edhe si vizion, të cilin e ka shpërfaqur tashmë Doresi përmes një gërshetimi të jashtëzakonshëm që i bënë traditës dramatike dhe vizionit kontemporan skenik, që janë prezente kudo në botë.
Elma Doresi, regjisore
Duke u thelluar në analizën e shfaqjeve që kemi parë, të kësaj regjisoreje, lirisht mund ta zbërthejmë edhe nga shikimi i saj interesant dhe unik mbi teatrin, e në veçanti mbi regjisurën teatrore që, ndoshta vazhdon të jetë thembra e Akilit e teatrit shqiptar. Vetë mënyra se si i ka ndërtuar këto tri shfaqje Doresi, na bënë ta kuptojmë se, sipas saj, akti teatror, pra shfaqja, në një mënyrë apo tjetrën, konceptohet edhe si qenie fizike dhe jo vetëm. Por, nëse do të ndalonim dhe tek aspektet që kanë të bëjnë me meta-sferën e shfaqjeve të Doresit, atëherë, pjesë të veçantë në këtë proces krijimi artistik, s’do mend zë marrëdhënia dhe fenomeni i dy krijimtarive që gërshetohen në shfaqjet e kësaj artisteje: të regjisë dhe aktrimit. Është më se e qartë se një regjisor inventiv dhe i angazhuar, kreativ dhe i guximshëm artistikisht siç është pra, Elma Doresi, me vizurën e saj për vendosjen skenike të teksteve të caktuara dramatike, në korrelacion me një kastë të jashtëzakonshme të aktorëve (të gjithë të brezit të ri), dëshmon përkushtim dhe gjetje të atilla artistike për teatrin aq sa, me të drejtë mund ta quajmë edhe si një poete të re të shfaqjes teatrore.Sepse, edhe në analizën që mund t’i bëjmë këtyre veprave që janë ngjitur në skenë nga kjo, disi edhe mund të gjykohet se, marrëdhënia e cila e karakterizon këtë krijimtari, në esencat e saja më të ndjeshme nxjerr mbi sipërfaqe marrëdhënien e akteve specifike "të vetëdijes së artistit” në teatër; ndërsa bashkëveprimi në relacionet regjisor-tekst, nga njëra dhe regjisor-aktor nga ana tjetër, del të jetë determinantë kruciale e suksesit të Elma Doresit.
Teatri - gjë të cilën Doresi e bënë saktë
Nga ajo që kemi vjelë nga mësimet për dramën dhe për teatrin, dimë se, një prej obligimeve më kryesore të një regjisori është ai që ka të bëjë me punën e tij me aktorët gjë të cilën, krijohet përshtypja e lirë se është detyrë të cilën, Doresi e ka zgjedhur mirë dhe, gati, gati plotësisht. Kjo, në shfaqjet e saja, i ka të qarta detyrat, në veçanti atë që si regjisore ka në përzgjedhjen e tekstit dhe përgatitjen e tij për skenë, si dhe në marrëdhënie me aktorët e saj, e që ka të bëjë me orientimin e procesit krijues drejt mbisundimit të të gjitha dallueshmërive që ka regjisori me autorin e dramës si dhe me aktorët në një proces krijimi ku shfaqja del si akti më kulmor në artet dramatike.
Kjo është akoma më e rëndësishme nëse e themi se teatri i Elma Doresit është i veçantë. (E themi i veçantë sepse, përveç se është modern është edhe shumë i dallueshëm nën vulën e saj artistike dhe stilistike dhe e ka një semiologji që e gjejmë vetëm këtu.) Është një teatër i angazhuar. Një teatër që, nuk ka asnjë dyshim, kërkon shumë punë dhe mund për të arritur cakun, dhe, mbi të gjitha, pashmangshëm imponon në bashkërenditje në punë të të gjithëve – nga teksti, përkrye regjisorit dhe deri tek aktori i fundit, nëse ekziston ndonjë i tillë në teatër.
Në veçanti, shfaqjet e E. Doresit dëshmojnë se këtë rrugë të mundimshme e kalojnë regjisori me aktorët. Ngase, në esencën e këtij angazhimi qëndron një qëllim, apo edhe një tentativë për të konkretizuar një vepër, gjë të cilën Doresi e bënë saktë. Duke iu referuar punës dhe kreativitetit që ka kjo regjisore, në veçanti në tre veprat e përmendura dramatike që i kemi shikuar një apo edhe më shumë herë, mund të themi se në punën e saj është e dallueshme dhe e veçantë edhe ajo se, intencat regjisoriale nuk shterpohen dhe nuk realizohen në planin kontemplativ. Përkundrazi, është mëse evidente se kjo regjisore edhe vetë, “fizikisht”, merr pjesë në “procesin gjenetik” të këtyre krijimtarive, dhe jo vetëm si një dashamirëse dhe vështruese, gjë që është karakteristikë e shumë regjisorëve shqiptar. Ngase, shfaqjet siç janë këto që përmendëm të Elma Doresit, janë shfaqje me shumë kërkesa që ndikojnë të arrihet eventi teatror i një niveli të këtillë.
Gjithashtu, në këto shfaqje të Doresit, vihet re, saktë, dora e regjisorit edhe në procesin e krijimtarisë aktoreske, ngase, edhe sikundër u tha më larë, kemi të bëjmë, në të tria këto shfaqje, me të njëjtin stil të lojës; me të njëjtën plastikë autoriale; me të njejtën gjuhë shprehëse; me të njëjtin ngjyrim të amplitudave emocionale të karaktereve - paçka se, kasta e aktorëve të rinj por tepër të talentuar, (siç janë: Devis Muka, Klodian Hoxha, Eliona Hyseni, Ina Gjonci, Marsela Lena, Lorenc Kaja, Klodiana Keco, Jonida Cunga, Oriana Came, Alban Musa, etj.) - me të cilët punon Elma Doresi, dëshmojnë prirje të fuqishme teatrore, talent, mundësi, e mbi të gjitha dëshirë që të ndryshojnë diçka në stereortipet që ka krijuar teatri i Shqipërisë për afro gjashtë dekada rresht.
METROPOLI i metropolit
Në fund, mbase, duke e shqyrtuar rastin e krijimtarisë teatrore të Elma Doresit, të reflektojmë, me shkas, e të themi edhe diçka mbi atë që thuhet aty këtu: të ndarjes të shpirtit nga trupi, në skenën tonë teatrore. Kjo, ngase tek ne ekziston një bindje e habitshme se një dramë apo tjetra, nëse brenda vetvetes ka, qoftë edhe një grimë të vlerave intelektuale, duhet të jetë e ngathë dhe monotone. Bile, mund të thuhet se në skenat shqiptare, të thuash, intelekti asnjëherë nuk ka shkrepur në shkëlqimin e vetë: përkundrazi, ai ishte mjet me të cilin është pretenduar të vritet akëcili shkëlqim dhe cilado lëvizje. Për këtë arsye, “mysafiri i rrallë” në teatrin tonë, pra intelekti nuk ishte në funksion të duhur, por më shumë si një lloj antiintelektualizmi, apo edhe mendim që mungon. Dhe, duke e pasur parasysh këtë Elma Doresi, ajo, ndër të tjerat, përmes kësaj “trilogjie” veprash dramatike, ka dashur të përçojë edhe një leksion se teatri mund të jetë në funksion të përditshmërisë sonë dhe se, si i tillë mund të jetë i argëtueshëm, por edhe kritikues ndaj vetë neve, ndaj vetë jetës, e në saje të kësaj edhe ndaj cilitdo pushtet. E këtë, Elma Doresi arrin ta bëjë, por, gjithsesi edhe falë mbështetjes së menaxhmentit të Teatrit METROPOL të Tiranës dhe drejtoreshës së tij, aktores së njohur, Suela Konjari, e cila, në një metropol siç është Tirana, shfaqjet nga repertori (dominohet nga realizimet e Elma Doresi) i ka shndërruar në destinacion për tiranasit, por edhe për neve. Sepse, këto dy artiste, bashkë, secila në mënyrën e vetë, e kanë shndërruar Teatrin METROPOL në shtëpinë kryesore dhe më relevante teatrore jo vetëm në Shqipërinë.
Suela Konjari, aktore dhe Elma Doresi, regjisore
Me një fjalë, mund të thuhet se Elma Doresi është sot, një prej emrave më premtues të teatrit shqiptar, jo vetëm në Shqipëri. Një regjisore që imponon talent të rrallë, ndaj dhe s’do të jetë i tepërt as rekomandimi që do ta bëjmë në fund, pra: mbajeni mend këtë emër!!! /KultPlus.com
Comments
Post a Comment