Nikollë Berishaj: Botuesit po kthehen në tregtarë librash

Për punën 30-vjeçare si përkthyes, Nikollë Berishaj është vlerësuar me titullin e nderit “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”. Sipas tij, tradita e përkthimit në Shqipëri, Kosovë e treva tjera shqiptare, ka me çka të mburret, mirëpo asnjëherë nuk është bërë diçka në mënyrë të organizuar.
Nikollë Berishaj, shkrimtar, poet dhe përkthyes është vlerësuar së fundmi me Çmimin “Pretnar” (dr. Tone Pretnar 1945–1992 studiues, përkthyes, verzolog dhe profesor i Universitetit të Lublanës dhe Katovices / Poloni, ), me titullin e nderit “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”. Ky vlerësim është çmimi më i lartë që jep Sllovenia në lëmin përkthimit të letërsisë sllovene në gjuhët tjera dhe anasjelltas, si dhe vendosjes së marrëdhënieve dhe urave kulturore ndërmjet popullit slloven dhe popujve tjerë. Është hera e dhjetë e ndarjes së këtij çmimi. “Nëse kësaj ia shtoj një statistikë evropiane se sllovenët zënë vendin më të lartë në Evropë si lexues, dhe me numrin e librave të huazuar nga bibliotekat publike, kjo ia shton edhe më shumë vlerën çmimit” thotë Berishaj në një intervistë për gazetën “Shekulli”.
Nikollë Berishaj ( 1958) prej vitit 1980 është anëtar i Shoqatës së Përkthyesve Shkencorë e Teknikë të Sllovenisë. Gjithashtu është anëtar i Shoqatës së përkthyesve të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Zoti Berishaj, para pak kohësh ju jeni vlerësuar në Slloveni me Çmimin “Pretnar”, si “Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe i kulturave sllave”, çfarë do të thotë ky për ju çmim?
Motivacioni i çmimit dorëzohet me shënimin: “Është ky falënderim ndërkombëtar për ata ndërmjetësues kulturorë, që jashtë Republikës së Sllovenisë, ndër kombet e tjera nëpër botë, e përhapin vetëdijen dhe njohurinë e gjallë mbi letërsinë dhe gjuhën sllovene, gjegjësisht që vendosin një dialog të qëndrueshëm ndërkombëtar kulturor”. Mund të them se e ndjej veten tejet të nderuar dhe krenar si laureati i parë nga Ballkani dhe kuptohet laureati i parë shqiptar.
Cili është procesi i punës suaj me një libër që duhet të përktheni?
Përkthimi i mirëfilltë nënkupton përkthimin e drejtpërdrejtë, pra nga gjuha e origjinalit. Vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të bëj përkthime nga gjuha e tretë, por assesi përkthime letrare. Letërsia, sipas mendimit tim, nuk e duron një gjë të tillë, ndonëse jo rrallë na ndodh që të hasim në përkthime të tilla. Kontaktet letrare ndërmjet kombeve dhe gjuhëve (numerikisht) të vogla shpesh kanë rrugëtim të tillë. Edhe sllovenishtja dhe shqipja bëjnë pjesë në kultura (e përsëris) numerikisht të vogla, që për fat të keq nuk njihen aq sa duhet ndërmjet vetes. Por, që të dy letërsitë kanë ç’ti ofrojnë si njëra tjetrës, ashtu edhe thesarit letrar botëror. Për deri tani, lexuesit e njërit komb e kanë njoftuar letërsinë e tjetrit në mënyrë indirekte, kështu “Gjenerali...” i Kadaresë ka ardhur në sllovenishte nëpërmes frëngjishtes, ndërsa autorët sllovenë (veçanërisht në ish Jugosllavi) kanë ardhur në shqip përmes serbo-kroatishtes... Kuptohet se ardhja e “Prillit të thyer” nga shqipja ka qenë shumë më i mirëpritur nga opinioni kulturor slloven.
Sipas jush, a është e mjaftueshme vetëm të qenët njohës i një gjuhe të huaj, për të përkthyer një libër?
Kusht i domosdoshëm për përkthimin e një vepre letrare është njohja e shkëlqyeshme e të dy gjuhëve, si asaj të origjinalit, ashtu edhe asaj të përkthimit, por ky nuk është kusht i mjaftueshëm. Përkthyesi letrar duhet ta njohë fort mirë edhe kulturën shpirtërore të të dy kombeve. Unë shpesh e përsëris një rast nga përvoja ime e përkthyesit për ta argumentuar këtë. Ndërsa e përktheja “Legjendën e misrit” të Migjenit” në sllovenisht para mëse dy dekadash, problemi mu paraqit me vet titullin. Por, problemi nuk ishte i (mos)njohjes së gjuhëve. Semantikisht ishte shumë lehtë të përkthehej, por... në kulturën sllovene misri përdoret kryesisht si ushqim kafshësh. A mund ta paramendoni mesazhin mbi përkuljen e kurrizit të atij malësori për disa kokrra misër. Çfarë fotografie do t’i ofrohej lexuesit slloven me një përkthim të fjalëpërfjalshëm (që askush s’do të mund ta kritikonte si përkthim të keq). Zgjidhja e problemit u bë me përkthimin që në shqip do të ishte “Legjenda e drithit” – në atë mënyrë edhe u ruajt origjinaliteti, por edhe u përcjell intensiteti i mesazhit migjenian në sllovenisht.
Një fondacion evropian që mbështet përkthimet letrare ndërmjet gjuhëve të ndryshme më angazhon shpesh si recensent për përkthime nga fusha e interesimit tim si përkthyes (pra në relacionet sllovenisht, serbisht, kroatisht, boshnjakisht, malazezisht, shqip). Më ndodh jo rrallë ta refuzoj përkthimin, gjegjësisht ta vlerësoj negativisht atë. Janë disa kritere që duhet t’i plotësojë përkthimi për t’u vlerësuar si i mirë: - Ekuivalenca në përkthim (semantika), - Kriteri i mosnjohshmërisë (Përkthimi i mirë askurrë nuk le bindje përkthimi),- Ekonomizimi i përkthimit (sa më pak përkthime përshkruese), -Kuptueshmëria e përkthimit (veçanërisht ajo sekundare), -Konvencionalizmi (zgjidhjet e pranuara përkthyese në gjuhë) dhe –Letërsia. Nuk mjafton që të plotësohet kriteri i mosnjohshmërisë (pra të tingëllojë materiali bukur në gjuhën e përkthimit, gjë që ndodh shpesh me përkthime në gjuhën tonë), e të anashkalohet ekuivalenca në përkthim.
Sot botuesit punojnë me emra të panjohur të kësaj fushe, si e shikoni këtë fenomen dhe cili është libri më i keq përkthyer që deri më sot ju ka rënë në dorë?
Kjo nuk është karakteristikë vetëm e Shqipërisë. Botuesit, kohëve të fundit po bëhen tregtarë librash që dëshirojnë profit sa më të shpejtë dhe sa më të madh. Ky, sipas tyre sigurohet me angazhimin e përkthyesve të “panjohur”. Por, kjo është vetëm në afate të shkurtra. Në afate të gjata, si gjithkund, përfitohet më shumë me përkthyes të mirë. Mirëpo, jo gjithmonë emrat e njohur i kanë edhe prodhimet (përkthimet) e shkëlqyeshme. Duhet t’u besohet edhe emrave të rinj, që nuk e bëjnë përkthimin rutinë, por që i përkushtohen atij. Për fat të mirë kemi edhe botues që e çmojnë lart vlerën e mirëfilltë të përkthimit. Nuk mund të mos i përmend shtëpitë botuese, me të cilat bashkëpunoj, por edhe tjera, si Toena, Uegen, Buzuku, Onufri...Tradita e përkthimit ndër shqiptarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e treva tjera shqiptare, ka me çka të mburret. Mirëpo, më duket se asnjëherë nuk është tentuar të bëhet diçka në mënyrë të organizuar. Universitetet e ndryshme kanë fakultete të tradukologjisë (shkencës së përkthimit) ku përgatiten përkthyes të shkolluar. Ne as literaturë të mirëfilltë nuk kemi për përkthimin. Edmond Tupja ka bërë një libër të mirë për përkthyesit e rinj, ndonëse në disa raste nuk do të pajtohesha plotësisht me qëndrime të tij. Në internet kam gjetur një skript mbi përkthimin të bërë nga përkthyesi e poeti ynë Agron Tufa. Të dy këto vepra do t’ua preferoja me gjithë dëshirë kolegëve të rinj. E sa për librin më keq të përkthyer: për fat të mirë të autorëve të origjinalit, disa nga këto përkthime i kam ndaluar së botuari me recension negativ. Një përkthim i dobët në sllovenishte është ai i romanit të Rexhep Qosjes, Vdekja më vjen prej syve të tillë (nuk më kujtohet përkthyesi, por e di se është përkthyer nga serbishtja).
Cili ka qenë përkthimi më i vështirë që keni bërë gjatë gjithë punës suaj ?
Përkthim të lehtë nuk ka. Unë si përkthyes gjithmonë, edhe sot pas një përvoje 30-vjeçare (libri i parë i përkthimit letrar më është botuar në “Rilindje” para 30 vjetësh) ballafaqohem me një frikë nga origjinali. Frika a do të mund ta përcjellë në gjuhën tjetër frymën (në daç edhe shpirtin...) e veprës që ia ka dhënë autori në origjinal. Dhe kjo frikë nuk përfundon me ditën e dorëzimit të dorëshkrimit. Më duket se atëbotë intensifikohet më shumë. Me rastin e marrjes së çmimit Pretnar përjetova një gjë, për mua të paçmueshme. Mu drejtua njëri nga shkrimtarët e njohur sllovenë me fjalët: “Faleminderit për pasurimin që ia ke bërë kulturës sime me prurjen e Kadaresë në mesin tonë. Do të jetoja pa e njohur njërën nga vlerat më të çmuara të krijimtarisë njerëzore”. Ai është falënderimi më i madh për përkthyesin. Më duket se frika ndaj origjinalit që e ndjeja unë edhe 6 vjet pas botimit të “Prillit të thyer” në atë moment u zhduk. Por, i lehtë nuk ishte as përkthimi i “Poemës së mjerimit” në sllovenisht, as poezisë “Gjuha shqipe” e Fishtës në serbisht, as Frederik Reshpjes në sllovenisht, as poetët sllovenë të përfshirë në Antologjinë e poezisë sllovene në shqip... nuk e di cili është përkthimi më i vështirë. E di, se gjatë tërë këtyre përkthimeve, përpos frikës së përshkruar më sipër, kam ndjerë një dashuri dhe kënaqësi të jashtëzakonshme.
Kriza globale ka prekur dhe librin, si ndikon kjo tek përkthimet?
Jo, përkthyesi askurrë dhe askund nuk është vlerësuar sa duhet. E të provojmë për momentin të mendojmë se ç’do të ishim ne pa punën e palodhshme të tyre. Çka do të ishte bota pa përkthyes. Sa do të ishte niveli i dijes sonë. E njëjta vlen edhe për përkthyesit letrarë. Unë e kam pasur fatin e mirë që përkthimet e mia të botohen në Slloveni, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Serbi, Bosnje... Më së shumti kam qenë i lidhur me Slloveninë. Ata kujdesen shumë për depërtimin e krijimtarisë së vet në kultura tjera duke mbështetur edhe materialisht përkthimet e veprave të letërsisë sllovene.
Ç’duhet bërë që librit ti kushtohet vëmendja e duhur?
Libri te ne duhet të kthehet në përkujdesjen e institucioneve. Shteti duhet ta mbështesë, por mos të ndërhyjë në kulturë. Ndoshta do të duhej ta mbrojmë më shumë autorin. Nuk kemi nevojë “ta zbulojmë ujin e nxehtë”. Në Evropë, me të cilën betohemi aq, ka shumë modele, aplikimi i të cilave do ta përmirësonte gjendjen në fushën e librit. Në fakt, këto janë preferenca evropiane që na presin në rrugën e integrimit, por nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve, vetë autorët, përkthyesit, botuesit... duhet të angazhohen maksimalisht për vendin e vet nën diell. Duhet të luftojmë edhe për lexuesit. Shpesh thuhet se edhe leximi është në krizë. Edhe këtu ka modele interesante, me gjithë dëshirë do ta preferoja modelin slloven të Dekoratës së leximit, model ky unik në botë, me traditë më se 55 vjeçare.
Dhe së fundmi, sa e vështirë është që ti qëndrosh besnik frymës së origjinalit, mendoni se një përkthyes në vetvete duhet herë pas here të jetë dhe “shkrimtar”?

Më sipër i shënova në mënyrë taksative kriteret për përkthimin e mirë. I pari prej tyre është ekuivalenca, pra besnikëria ndaj frymës së origjinalit. Në teorinë e përkthimit përflitet shpesh anekdota se përkthimi është si femra: nëse është i bukur nuk është besnik... Gjithsesi një baraspeshë në mes besnikërisë dhe bukurisë duhet të tentojmë ta gjejmë. Sa më afër të jemi, aq më i mirë do të jetë përkthimi. Në veçanti është vështirë ta ruash frymën e origjinalit në përkthimin e poezisë, si në rastin e Poemës së mjerimit, ku duhet ruajtur jo vetëm semantika, por edhe rima, ritmi, muzikaliteti... Është vështirë të ruhet kjo frymë, por jo edhe e pamundshme. Definitivisht përkthyesi duhet të jetë dhe shkrimtar, por jo aq sa ta marrë rolin e autorit./Shekulli

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk