Isa Bajçinca: Gjuha e kosovarëve, gjuhë çervishi
Isa Bajçinca
Edhe pse nuk e ka përcjellë për së afërmi Seminarin e fundit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, një ndër njohësit më të mirë të gjuhës shqipe në Kosovë, profesor Isa Bajçinca, ka vërejtje për programin e këtij seminari. Sipas tij, nuk duhet të përfshihen gjithë ato çështje në referime, sipas të cilit, janë pengesë për shtjellim më të hollësishëm të temave, duke e krahasuar këtë seminar me një panair ku parakalojnë shumë autorë. Ndërkaq, duke iu referuar debateve në Tv të ndryshme, duke përfshirë gazetarët, politikanët, analistët, këngëtarët, ... gjuhën e tyre ai e quan me një gjuhë çervish. Dhe, sipas tij, shteti duhet të nxjerr ligjin për gjuhën
Ardianë PajazitiKultPlus: E fillojmë me Seminarin e Gjuhës, si i vlerësoni punimet e tij?
Isa Bajçinca: Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare është një institucion i rëndësishëm dhe, s’ka dyshim, ka luajtur një rol të paçmueshëm për krijimin e mundësive të shumicës së studiuesve të albanologjisë, po dhe të rinjve që kanë shprehur interesimin për mësimin e shqipes dhe për t’u njohur me historinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare, po dhe me arritjet në shkencat e albanologjisë... Në qoftë se në fillet e tij përbënte një veprimtari atraktive, sepse ishte mundësia e vetme që studiuesit dhe të interesuarit e tjerë të kontaktonin me shqiptarët dhe me dijet albanologjike drejtpërdrejt, po dhe Kosova vetë zgjonte kërshërinë për ta njohur, kurse në vitet ’80 e më vonë edhe për t’u njohur me gjendjen e shtypjes së rëndë nga pushteti serb, - vitet e fundit, nuk përbën ndonjë atraksion dhe nuk është aq joshës ... Kjo dhe për shkak se, me hapjen e Shqipërisë, të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë e të marrin pjesë në veprimtari albanologjike e të nxënë shqipen në fakultete filologjie e seminare në qendra të ndryshme të Shqipërisë. Megjithëkëtë, numri i madh i pjesëmarrësve në çdo sesion të tij, është një dëshmi se ky seminar vlerësohet ende nga albanologë e studiues të tjerë, prandaj shumë prej tyre vijnë me dëshirën për ta nxënë shqipen, po dhe me kontribute për çështje të veçanta të shkencave albanologjike gjithandej... Nuk i kam ndjekur punimet e sivjetme, por nga programi, për mendimin tim, duhet të bëhen disa vërejtje:
E para, kurset e gjuhës shqipe, sidomos të nivelit të parë dhe të dytë, duhet t’i mbajnë mësues/e të shqipes që kanë zotëruar në një masë të mirë edhe drejtshqiptimin, sepse ky është një parakusht për ta nxënë shqipen standarde, jo të ngatërruar me shqiptime me elemente dialektore;
E dyta, në programin e referimeve (shkencore?!) duhen trajtuar më pak çështje (duhet të ketë më pak referues) dhe ato të shtjellohen hollësisht e për to të zhvillohen diskutime e debate, që do të zgjonin interesimin jo vetëm për pjesëmarrësit e seminarit, po dhe për studiues të tjerë, sidomos të rinj
E treta, sesioni shkencor nuk duhet t’i ngjajë një panairi për parakalimin e autorëve të kumtesave (disa dhjetëra brenda një seance) dhe, ndonëse thuhet që ka pasur një kriter “të ashpër” në përzgjedhjen e temave dhe të autorëve, kjo nuk duket të ketë ndodhur vërtet. (Ka pasur dhe reagime në “portale” për cilësinë e autorëve të veçantë, të cilat nuk do të thotë të jenë të argumentuara, po vetë fakti që ngrihet kjo çështje e ky shqetësim, nuk është për të mos “reflektuar” drejtuesit e seminarit.) Këto vërejtje nuk duhen kuptuar si lëshime të mëdha, po ndoshta duhen mbajtur parasysh në të ardhmen;
E katërta, në qoftë se seminari bashkorganizohet nga Fakulteti i Filologjisë i Prishtinës dhe Fakulteti i Histori Filologjisë i Universitetit të Tiranës, së paku dy-tri nga kuadrot që do të mbajnë kurset e mësimit të shqipes duhet të vijnë pikërisht nga Tirana(!).
KultPlus: Flasim për kulturën gjuhësore në Kosovë. Në çfarë stadi ka arritur zotërimi i standardit?
Isa Bajçinca: Kultura e gjuhës është një nocion shumë i gjerë dhe mund të vështrohet në shumë aspekte e në shumë segmente e shtresa intelektualësh, patjetër mbi bazë të detyrimit që kanë komunitete të veçanta (mësues të shqipes e të tjerë, nxënës e studentë, punonjës të kulturës: aktorë, gazetarë e redaktorë, shkrimtarë, punonjës të administratës e njerëz publikë: pushtetarë, deputetë...). Hiq shkallën e zotërimit dhe të përdorimit të shqipes standarde nga intelektualë që shfaqen vazhdimisht në ekrane, në gazeta e në diskutime dhe debate publike (studiues, politikanë, analistë gjithfarë, drejtues fakultetesh, shkollash e institucionesh të tjera), që edhe mund ta njohim pak a shumë (e me të cilën nuk mund të jemi të kënaqur, sigurisht) dhe të studiuesve e të të rinjve të tjerë publikë: këngëtarë, shkrimtarë, anëtarë organizatash nga më të ndryshmet etj. (shumica e të cilëve përdorin madje një shqipe “çervish”, me shumë trajta fjalësh dialektore, po dhe sosh “neveritëse”: “Unë kom me jap”; “Nuk muna me thanen”; “Mos m’u dokt qishtu”.... etj.) –shkalla e njohjes së shqipes nga nxënës e studentë (testet me “po” e “jo” dhe me “plus” nuk e tregojnë këtë) e mësues e profesorë, le të jenë edhe të gjuhës shqipe e të letërsisë (?!) nuk dihet dhe aq... Sa do të ishte interesante të organizohej një “testim” për të gjithë... P.sh. të shkruanin një ese çfarëdo deri 10-12 rreshta... Vallë, cili do të ishte rezultati?
KultPlus:Ku janë pengesat, sipas jush, sa i përket zotërimit të shqipes standarde?
Isa Bajçinca: Pothuaj gjithçka, duke nisur që nga statusi i shqipes (askund nuk kërkohet “njohja e gjuhës shqipe – standarde”!). Njohja e shqipes nuk të krijon asnjë favor; për zotërimin e saj sikur nuk ka ndonjë motiv e të mos flasim fare për dashurinë për gjuhën... Të gjithë vrapojnë pas gjuhëve të huaja, sidomos anglishtes – në kurse, në orë plotësuese, në aktivitete kulturore .. Deri dhe në ditëlindje këndojnë anglisht?! Sikur nuk jemi të vetëdijshëm që shqipja standarde duhet mësuar! Si mund të zotërohet shqipja standarde pa e mësuar gramatikën, pa lexuar vepra letrare, pa lexuar vepra filozofie, psikologjie e të tjera?
Shqipja standarde (dhe asnjë gjuhë tjetër standarde) - nuk është gjuhë e nënës. Gjuhë amtare – po!
KultPlus: Kush duhet të kontribuojë që shqipja në Kosovë të flitet e të shkruhet pa gabime?
Isa Bajçinca: Sigurisht, e para punë është që shqipja duhet të mësohet në shkollë. Shkolla (mësuesi) mban përgjegjësinë kryesore për mësimin e gjuhës amtare. Po, ku t’i marrim ata mësues (jo vetëm të gjuhës shqipe), të cilët të jenë shembull, model për ta folur shqipen si duhet? Ku të formohen ata vetë? Në rrethanat e tashme, nuk e besoj të mund të bëhet kjo, sepse as që bëhet ndonjë përzgjedhje, një veprim ky i domosdoshëm që nga kandidatët për studime në fakultete të edukimit e të filologjisë... Kurse, sa për seminare e forma të tjera të ngritjes së mësuesve (sidomos të shqipes), as që bëhet fjalë në kohën e sotme...
Krahas mësuesit, janë aktorë, folës dhe debatues për probleme të kulturës, të letërsisë e të gjuhës, profesorë e studiues të tjerë në debate publike dhe intelektualë – që (duhet të) ushtrojnë një ndikim për zotërimin e drejtshqiptimit, kurse për shkrimin e shqipes pa gabime (sikur e thoni ju) kërkohet një angazhim i mirëfilltë i nxënësve (e studentëve). Patjetër duhet të zotërohet gramatika e shqipes dhe të mësohet drejtshkrimi... Leximi (veçanërisht i veprave letrare) është një burim i pazëvendësueshëm për ngritjen e shkallës së njohjes së gjuhës shqipe e të kulturës së gjuhës...
KultPlus: Fare shkurt, a mund të na i përmendni disa nga gabimet më të shpeshta?
Isa Bajçinca: Gabimet janë shumë. Janë aq shumë, saqë nuk mund të them asgjë me pesë-gjashtë fjali, sa kërkon intervista... Kam shkruar dhjetëra artikuj gjithandej për gabimet në shkrime publike, në ligjërimin e studentëve, në librat universitarë, në shtypin, në radiotelevizion, madje edhe në shkrimet për gjuhën shqipe (të disa autorëve!)...
KultPlus: Si e gjykoni nismën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, për punësimin e redaktorëve gjuhësorë në institucionet shtetërore?
Isa Bajçinca: Kjo është një kërkesë e kamotshme e shtruar në shumë debate për shqipen dhe për kulturën e gjuhës, në sesione shkencore e në konferenca. Tash së voni (dhjetor 2012), në konferencën “Dyzet vjet të shqipes standarde – arritje dhe probleme aktuale”, organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Shoqata e Gjuhës Shqipe e Kosovës, pikërisht kjo çështje u shtrua në një Përkujtesë (promemorie) në përfundimet e punimeve të saj. Një nismë që duhet përshëndetur, por ...
Na del një POR e madhe: Si do të bëhet kjo? Cilët do të jenë ata redaktorë dhe ku do të marrin arsimin (edukimin!) e duhur? Në këto fakultete e degë studimesh që kemi? Nuk e besoj...Duhen kërkuar forma të tjera për përgatitjen e kuadrove të tilla dhe nga ekspertë (Cilët?)...
KultPlus:A duhet ta marrin shembull këtë hap të Edi Ramës edhe institucionet e Kosovës, edhe pse, disa nga institucionet kanë lektorë?
Isa Bajçinca: Mësimi i shqipes (mendoj për shqipen standarde, patjetër) duhet të konsiderohet si një detyrim kombëtar, prandaj edhe shtetet tona (pavarësisht nga shefat dhe kryeministrat) duhet t’i kushtojnë kujdes të vazhdueshëm kësaj çështjeje. Nuk është kjo hera e parë të kërkohen redaktorë gjuhësorë (a lektorë, sikur thoni ju dhe sikur njihen këta në mjedisin tonë). Edhe institutcionet shtetërore e shkencore (për botime e të tjera) duhet të kenë gjithsesi redaktorë gjuhësorë. Për librat shkollorë dhe botime të tjera, ka një traditë, më shumë në Kosovë, të ketë “lektorë”, ndonëse jo gjithmonë të zotët për një punë që është vërtet shumë e ndërlikuar.
Më tutje, redaktorë gjuhësorë janë të domosdoshëm për mediet, për gazetat dhe radiotelevizionet. Televizioni publik duhet të ketë detyrimisht redaktorë gjuhësorë (jo sa për të qenë), madje njohës të vërtetë të shqipes, sepse ... aq shpesh zhgënjehemi kur dëgjojmë lajme e ndjekim emisione të tjera (kulture, shkollore etj.) në RTK (p.sh.), në përkthime filmash e të tjera...
KultPlus: A mund të mbrohet me ligj standardi gjuhësor?
Isa Bajçinca: Standardi nuk mund të mbrohet me ligj kurrsesi! Pse, cili ligj respektohet në shoqërinë tonë? Më në fund, cilët do të ishin “inspektorët gjuhësorë”? Cilat do të ishin ndëshkimet dhe kush do të merrte vendim për ndëshkimet?
Mos do të ndëshkoheshin pushtetarët, politikanët, gazetarët?...
Shteti duhet të nxjerrë Ligjin për gjuhën. Në ligj duhet të gjejnë vend të gjitha çështjet dhe detyrimet për gjuhën (standardin)! Kjo po!
KultPlus: A duhet që vetëm gjuhëtarët, respektivisht lektorët nëpër institucione, të jenë mbrojtës të standardit gjuhësor?
Isa Bajçinca: Këta do të duhej të ishin patjetër njohës të mirë të standardit... Kudo në botë ndodh kjo, kurse tek ne? Po gjuha (standarde) është e të gjithë atyre që duan të marrin pjesë (në çfarëdo forme) në një komunikim të kulturuar, intelektual dhe të ushtrojnë detyra e profesione që kërkojnë një shkallë të lartë zotërimi (dhe zbatimi) të shqipes standarde. Megjithëkëtë, gjuhëtarët, krijuesit letrarë dhe redaktorët (e gazetarët) duhet të përmbushin përgjegjësinë e tyre karshi Gjuhës.
KultPlus: Kushtetuta e Kosovës ka plot gabime. Pse janë evidente ato kur dihet se ju ishit të angazhuar për ta lekturuar draftin. A qëndron fakti se institucionet nuk e pranuan draftin tuaj të korrigjuar ?
Isa Bajçinca: Në Kushtetutën e Kosovës mund të ketë disa gabime (më shumë teknike) gjuhësore, po jo “plot gabime”. Nuk e di se ç’është ky “drafti”... Është e vërtetë që e kam lexuar me vëmendje tekstin e Kushtetutës dhe kam bërë një redaktim... Gjithashtu kemi zhvilluar një diskutim (edhe me ekspertë juridikë), po jo gjithmonë jemi pajtuar (sidomos për disa nocione që kanë krijuar një traditë ndër ne) ... Sidoqoftë, Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Shqipërisë (për sa i përket gjuhës) duhet të jenë identike ose maksimalisht të ngjashme...
KultPlus: Flasim pak për gjuhën në media, ku qëndrojnë në këtë aspekt televizionet?
Isa Bajçinca: Për problemet e zbatimit të shqipes standarde (dhe për gabimet e shumta) në shtypin dhe në televizionet tona është bërë fjalë shumë herë në shtypin tonë dhe në debate (sesione e tryeza shkencore). Edhe unë vetë kam shkruar disa herë dhe nuk e shoh të arsyeshme të diskutoj këtë çështje .
KultPlus: Po gjuha e portaleve?
Isa Bajçinca: Nuk i lexoj shumë portalet, po nga shkrimet që lexoj në televizionet tona (dhe të Shqipërisë) – ide, propozime, urime, përshëndetje, nuk ke si të mos shqetësohesh vërtet... (Dua të shkruaj këtu një mendim të profesorit dhe poetit, akademikut të ndjerë – Enver Gjerqeku: Sikur t’i mësonim studentët tanë për të shkruar mbrapsht shqipen – nuk do të arrinim t’i mësonim aq – sa të shkruajnë me kaq shumë gabime!)
KultPlus: Muaj më parë Këshilli Ndërakademik nxori disa propozime për ndryshime në standardin e 72-shit. Si i vlerësoni propozimet?
Isa Bajçinca: Edhe vetë jam anëtar i këtij këshilli dhe jo gjithmonë pajtohem me vendimet e tij. Është e vërtetë që ka shumë çështje që duhen diskutuar për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, po, të paktën kështu mendoj unë – nuk duhet të merremi me çështje që tashmë kanë krijuar traditë në përdorim, sikur është po e zëmë, shkrimi i emrave (sot) mashkullorë: burrë, djalë, ujë, kalë, djathë etj. pa Ë: burr, djal, uj, kal, djath?!...
Sidoqoftë, ka shumë probleme që janë diskutuar, ka dhe disa propozimndryshime, të cilat mund të bëhen objekt diskutimi më të gjerë dhe pastaj të merret ndonjë qëndrim (a vendim) nga ndonjë institucion përkatës!
KultPlus: A mund të plotësohet boshllëku në standard, me disa ndryshime të vogla?
Isa Bajçinca: Unë nuk e di cili na qenka ky “boshllëk” në standard dhe çfarë “ndryshimesh të vogla” u dashkan bërë për të plotësuar këtë boshllëk?! Në standard nuk mund të ketë “boshllëqe”, po çështje të veçanta mund të diskutohen edhe për t’u shkruar ndryshe, natyrisht me argumente dhe për të pakësuar numrin e fjalëve me dy forma shkrimi e shqiptimi (kafeja/kafja) ose fjalë të shqiptuara njësoj, po të shkruara ndryshe (bombol -bombola, po kamerë - kamera), të dyja me burim të huaj! Kjo nuk do të thotë të mos ketë variante, po në raste shumë të rralla dhe më shumë si përjashtime.
KultPlus: A duhen krijuar standarde të tjera paralele?
Isa Bajçinca: Standarde paralele? Dy-tri standarde? Kush është çmendur ta kërkojë këtë? Forma shkrimi dhe mund të ketë (në letërsi, në shkrime të veçanta dhe në gojën e personazheve e të tjera, po në përdorimin zyrtar të gjuhës standarde (në administratë, libra shkollorë e universitarë, në botime shkencore, në emisione televizive – sidomos të medieve publike, në shkollë, në parlament...) nuk duhen përdorur variante, ose më mirë: standardi duhet zbatuar detyrimisht! Kështu veprojnë popujt e qytetëruar... Foma e shkruar nuk duron variante, kurse në ligjërimin e folur (për shkaqe të ndryshme) mund të shfaqen dallime, po synimi duhet të jetë një drejtshqiptim ...
Comments
Post a Comment