Aleksandi i Madh, ai qe doli nga legjenda dhe hyri ne perjetesi
ALEKSANDRI I MADH
ALEKSANDRI i Maqedonisë, Greq.: Ἀλέξανδρος ὁ
Μέγας ose Μέγας Ἀλέξανδρος
(356-323 p.e.r), strateg ushtarak dhë burrë shteti i shquar i lashtësisë, mbret
i Maqedonisë. Aleksandri konsiderohet nga brezat pasardhës si pushtuesi
legjendar i Perandorisë së Vjetër Perse (që përfshinte në atë kohë edhe
Egjiptin), i cili përparoi, i shtyrë nga vrulli i tij i furishëm, deri në
brigjete Indisë. Ai donte të shkonte deri në kufijtë e Tokës, e cila
imagjinohej e sheshtë dhe e rrethuar nga lumi Oqean. Megjithëse vdiq shumë i
ri, vetëm 33 vjeç, ai krijoi perandorinë më të madhe që ka njohur bota
ndonjëherë.
Në vitin 334 para erës sonë, Aleksandri kaloi Helespontin
(emri i vjetër i Dardaneleve) e Europës, shkoi drejt Azisë dhe bota ndryshoi
përgjithmonë. Polisin (qytetin) grek e pasoi kozmopolisi: qytete sipas modelit
grek u krijuan në të gjithë Orientin, madje, edhe vetë Greqia u bë kozmopolite.
Një art i ri "helenist" (më humanist) zëvendësoi stilin klasik (më
idealist).
Shumë legjenda janë thurur rreth këtij pushtuesi të ri dhe
tërheqës. Thuhej se nëna e tij, Olimpia, kishte gjetur në djepin e foshnjës një
gjarpër, shenjë e qartë e madhështisë së tij të ardhshme. Të dy, nënë e bir,
janë përzier në vrasjen e babait të Aleksandrit, Filipit II, në prag të një
martese që kërcënonte pozitën dhe pushtetin e tyre. Bysefali, kali i
Aleksandrit, thotë Herodoti, iu dhurua kur ai ishte adoleshent, sepse hazdisur.
Martesae Aleksandrit me Roksanën na është paraqitur si pasion dashurie, por ka
shumë të ngjarë që ajo të ishte një aleancë politike. Pretendohet se ai e
kishte formuar karakterin e tij sipas modelit të Akilit.
Jo vetëm në legjendë, por edhe realisht Aleksandri mbetet
një nga udhëheqësit ushtarakë më të mëdhenj të historisë. Ai mposhti armikun më
të vjetër të grekëve, Perandorinë Perse, dhe mbeti i pamundur në 10 vjet
luftime, edhe pse ushtria e tij ishte gjithmonë më e vogël në numër se ajo e
mbretit pers, Darit III. Strategjia e guximshme që vuri në jetë Aleksandri
qëndronte në mbajtjen e ushtrisë me ushqimet që ajo mund të siguronte gjatë
rrugës dhe jo duke u furnizuar nga prapavija; kjo i lejoi Aleksandrit të
përparonte shumë shpejt. Mbreti i Madh i persëve nuk pati asnjëherë mundësi të
mblidhte të gjitha forcat që dispononte dhe humbja e tij në betejën e Isysit i
dha mundësi Aleksandrit të përfshinte edhe Persinë në perandorinë e vet.
Sipas persëve, Aleksandri është fajtor për djegien e
Pallatit të Persepolit. Diodori i Sicilisë lë të kuptohet se ky veprim qe
rezultati i një nate dehjeje dhe se nuk bëhej fjalë për një akt të paramenduar.
Ndërsa Arrieni është i mendimit se djegia e Persepolit ishte një veprim i
menduar mirë, si hakmarrje për shkatërrimin e Athinës nga persët në shekullin e
5-të.
Gjetjet arkeologjike tregojnë se djegia e Persepolit ishte
një akt i paramenduar, sepse të gjitha sendet e lara në ar i patën hequr nga
qyteti pak kohë përpara se ti vihej flaka qytetit. Shkatërrimi i këtij qyteti,
që simbolizonte unitetin e mbretërisë perse, bënte pjesë në strategjinë e
pushtimit të grekëve. Përsa kohë që qyteti ekzistoi, ai shërbeu si qendër ku
mblidheshin kundërshtarë të regjimit të ri.
Aristoteli, mësuesi i shquar i Aleksandrit, i kishte mësuar
atij se grekët qëndrojnë më lart se të gjithë popujt e tjerë, të cilët ai i
quante "barbaroi" (barbarë). Ndërsa pushtuesi i ri kërkoi të
impononte vizionin e tij të një bote të bashkuar. Në vend që ti trajtonte
grekët si miq dhe jo-grekët si armiq, ai i zgjidhte njerëzit sipas meritës dhe
kishte arritur deri aty sa të linte në postet e tyre edhe administratorë persë
të Perandorisë Perse, tashmë të pushtuar prej tij. Mund të shtrohet pyetja nëse
kjo politikë është një provë që tregon humanizmin dhe kulturën e Aleksandrit
apo mungesën e interesit për administrimin praktik. Në fakt, maqedonasit nuk i
vlerësonin përpjekjet për të krijuar një ushtri të përbërë nga batalione
kozmopolite dhe, për më tepër, kur Aleksandri u përpoq ti detyronte ushtarët e
tij të martoheshin me gra të vendeve të tjera, ai ndeshi në ngurrimin e tyre.
Vizioni kozmopolit i Aleksandrit dhe adoptimi prej tij i
veshjeve dhe i zakoneve orientale bënë që disa grekë ta akuzonin se ai po
çmendej dhe se e konsideronte veten perëndi. Mbretërit e hyjnizuar nuk ishin të
rrallë në kulturat e tjera, por kjo ide ishte mjaft lënduese dhe tronditëse për
grekët. Ndonëse ishte prijës, Aleksandri hidhej i pari në betejë, duke e vënë
veten në rrezik shumë të madh, por asgjë nuk na lejon të dalin në përfundimin
se ai ishte i çmendur. Aleksandri përpiqej të krijonte rreth personit të tij
një legjendë. Ai kishte si model heronjtë e Homerit. Kur kërkoi të dënonte
guvernatorin e Gazës, e tërhoqi atë pas karrocës së tij, siç kishte bërë Akili
me Hektorin, pas fitores. Ndonjëherë i ndodhte të vepronte pa u menduar, nën
pushtetin e pasionit. Në një çast zemërimi të shkaktuar nga pija, ai vrau mikun
e tij Kleitos, por më vonë u pendua për këtë akt me po të njëjtin zemërim ndaj
vetes.
Vdekja e parakohshme e Aleksandrit e bën të vështirë
vlerësimin e rolit të tij si burrë shteti. Ai ishte ende duke zgjeruar
perandorinë e tij, kur vdiq nga malarja. Asgjë nuk provon se ai kishte një plan
të qartë për të qeverisur territoret e gjera që kishte pushtuar. Pas vdekjes së
tij, perandoria u nda në tri provinca të mëdha, që administroheshin në mënyrë
të veçantë. Kjo nuk do të thotë që ndikimi i Aleksandrit qe jetëshkurtër. Nga
përzierja e kulturave greke dhe orientale lindi qytetërimi helenistik.
Arkitektura u bë më e përpunuar dhe arti më humanist, duke paraqitur njerëz më
pak të përkryer dhe duke shprehur shpesh dhimbjen. Në disa biblioteka, si,
përshembull, në atë të Aleksandrisë, u mblodh dhe u klasifikua letërsia,që më
vonë do të ndikonte te romakët.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E ALAKSANDRIT TË MADH
* Aleksandri ishte ende fëmijë kur i thanë se babai i tij,
Filipi i Maqedonisë, kishte fituar një betejë. Fëmija plot ambicie thirri:
- Po qe se baba i fiton të gjitha betejat, çfarë do të më
mbetet mua për të bërë?
* Babai i Aleksandrit, Filipi i Maqedonisë, po ankohej për
një plagë që kishte marrë në luftë. Ngaqë kishte dhimbje të madhe, ecte duke
çaluar. Aleksandri atëherë i tha:
- Baba, nuk duhet të dëshpërohesh nga kjo plagë që në çdo
hap të kujton lavdinë dhe trimërinë tënde.
* Përpara se të nisej për në Azi, Aristoteli i tha
Aleksandrit të Madh që të priste për këtë ekspeditë sa të arrinte një moshë të
rritur. Ashtu ai do të luftonte më me pjekuri.
- Kjo është e vërtetë, - iu përgjigj Aleksandri, - por nuk
duhet harruar se në të njëjtën kohë do të humbisja vrullin rinor.
Comments
Post a Comment