Drejtësia bazohet, ashtu si dëshira për pasuri, mbi një nevojë natyrore kundër sulmeve të kryera ndaj tërësisë fizike apo pronësisë
ADAM SMITHI
Adam Smithi u pagëzua më 5 qershor 1723 në qytetin e vogël
tregtar skocez të Kirkaldisë; dita e lindjes së tij nuk dihet. Babai i tij,
avokat, që mbante shumë detyra të larta zyrtare, vdiq para se ta shihte të
birin dhe Smithi do të mbante për tërë jetën një lidhje të ngushtë me nënën. Në
moshën katërmbëdhjetëvjeçare, hyri në Universitetin e Glasgout për të studiuar
aty filologjinë klasike, filozofinë morale, matematikën dhe fizikën. Prej saj
doli tre vjet më vonë me titullin master of arts. Profesori i filozofisë,
Frensis Hatçisoni, ushtroi atëherë një ndikim vendimtar në formimin e tij dhe e
futi në filozofinë e Devid Hjumit - me të cilin Smithi do të lidhte më vonë një
miqësi të ngushtë.
Më 1740, Smithi u nis për të studiuar në Oksford, ku qëndroi
gjashtë vjet. Kur u kthye në Skoci, duke filluar nga viti 1748, dha në Edinburg
konferenca mbi retorikën dhe letërsinë angleze, që patën një sukses të madh. Më
1750, mori në ngarkim katedrën e logjikës në Universitetin e Glasgout; pak kohë
më vonë, u bë profesor i filozofisë morale, vend që do ta mbante për
dymbëdhjetë vjet. Konferencat e tij ishin për teologjinë, etikën,
jurisprudencën dhe ekonominë. Më 1759 doli vepra e tij e parë Theory of Moral
Sentiment (Teoria e ndjenjave morale), me të cilën fitoi me shpejtësi respektin
e mbarë Anglisë. Më 1763, duka i Buccleuchit i propozoi të shoqëronte dhëndrin
e tij në Francë, si mësues privat, për një udhëtim studimi për dy vjet. Smithi
pranoi dhe dha dorëheqje nga detyrat akademike. Pas një qëndrimi të shkurtër në
Paris, mësuesi dhe nxënësi shkuan në Tuluzë, ku qëndruan tetëmbëdhjetë muaj.
Prej andej, bënë udhëtime të shkurtra në jug të Francës. Gjatë kësaj kohe,
Smithi iu fut veprës së tij më të madhe, An Inqimy into the Nature and Causes
of the Wealth of Nation ( Kërkime mbi natyrën dhe shkaqet e pasurisë së
kombeve), që do të përforconte famën e tij prej konceptuesi të ekonomisë
politike. Kur u kthye në Kirkadi më 1766, Smithi do t'i kushtonte edhe dhjetë
vjet kësaj vepre, që doli më 1776 në Londër, duke e çuar autorin e saj në
kulmin e lavdisë.
Përkthimet në frëngjisht, gjermanisht dhe në danisht u
botuan menjëherë, të ndjekura nga botime në shumë gjuhë të tjera. Më 1778,
Smithi u emërua komisar në doganat e Skocisë, në Edinburg; më 1787, u bë rektor
i Universitetit të Glasgout. Vdiq më 17 korrik 1790 në Edinburg.
Habitesh menjëherë që Karl Marksi - krahas Fridrih Hegelit -
u mbështet mbi teoritë e Adam Smithit, që kishte parasysh vetëm përparësitë e
zhvillimit kapitalist. Në fakt, analizat e kapitalizmit nga Smithi janë në
barasvlerë me teorinë hegeliane të historisë, që e ka gjithashtu burimin te
Smithi.
Që nga Antikiteti, doktrina që ka të bëjë me shoqërinë dhe
shtetin ka qenë gjithmonë pjesë e etikës, domethënë e një morali të një jete të
drejtë. Adam Smithi, që për vite të tëra zuri katedrën e Filozofisë morale në
Universitetin e Glasgout, e mbante veten për moralist. Ai u bë i famshëm
sidomos me Kërkime mbi natyrën dhe shkaqet e pasurisë së kombeve (1776), vepër
që la gjurmë në mënyrë vendimtare në teorinë moderne të ekonomisë politike.
Marrëdhënia midis moralit dhe ekonomisë politike është shprehur më qartë tek
Teoria e ndjenjave morale (1759). Smithi eksploron aty jo vetëm kushtet në të
cilat njerëzit mbajnë lidhje ekonomike, por edhe si dhe mbi bazë të ç'aftësive
ata bëhen më përgjithësisht qenie shoqërore.
Sipas mendimit filozofik të iluministëve, të shënjuar nga
empirizmi dhe sensualizmi psikologjik që rrjedh prej tyre, ekzistojnë në mënyrë
të natyrshme "ndjenja morale", të cilat bëjnë që njeriu të jetë një
qenie shoqërore. Meqenëse kjo zanafillë natyrore e ndjenjave fisnike nuk ishte
as bindëse dhe as kategorike, Frensis Haçson (1694-1746), profesori i
filozofisë i Smithit në Glasgou, u përpoq t'u shtonte pesë shqisave
tradicionale një "shqisë morale" të veçantë. Dhe D. Hjumi, mik dhe
nxitës i Adam Smithit, kishte ndjekur një rrugë tjetër: ai u jepte njerëzve një
"simpati" natyrore ndaj miqve të ngushtë dhe ndaj të afërmve të tyre
dhe vlerësonte se zhvillimi i kësaj simpatie drejt një "dashamirësie"
ose një "mirëbërësie" të aftë për t'u shtrirë tek të gjithë njerëzit,
rridhte nga një proces i qytetërimit historik.
Smithi e mori stafetën pikërisht në këtë fazë. Për të, termi
sympathy duhej parë sipas kuptimit të tij të dyfishtë, sa "prirje e vetvetishme",
aq edhe "pjesëmarrje dashurie ndaj tjetrit", duke e bërë këtë
themelin e sjelljes shoqërore të njerëzve. Kur unë kam simpati për dikë,
arsyeton Smithi, mund ta shoh veten ashtu si më sheh ai dhe të krahasohem me
mënyrën me të cilën do të shihem.
Pra unë nuk jam thjesht vetvetja me dëshirat dhe interesat e
mia vetjake, por në të njëjtën kohë jam gjithashtu vëzhgues i paanshëm
(impartial spectator), i marrëdhënies midis meje dhe të njëgjinishmëve të mi.
Kjo është arsyeja përse sillem sa të jetë e mundur në mënyrën me të cilën do të
dija të shihesha nga të tjerët. Pra jam një qenie shoqërore ose, më mirë, bëhem
i tillë: unë jam "shoqërizuar" (në zhargonin e sotëm), në atë masë si
pasqyrohem vazhdimisht tek të tjerët. Unë mësoj të kënaq, me ndihmën e tjetrit,
nevojat e mia themelore fizike, por edhe dëshirën time për simpati dhe respekt.
Përveç kësaj unë mund të prirem nga tjetri për të bërë gjëra që nuk janë aty
për aty të dobishme, si të grumbulloj pasuri dhe luks përtej asaj që jam me të
vërtetë në gjendje të shpenzoj. Kjo mund të më çojë, pa dijeninë time, në gjëra
që nuk i kisha parashikuar aspak: dëshira ime për luks nxit ndarjen shoqërore
të punës, që më lejon të zotëroj gjëra që një individ i veçuar nuk do t'i
prodhonte. Një "dorë e padukshme" përgjon që veprimi im në shoqëri të
japë efekte që, nga ana e tyre, do ta ndryshojnë vetë shoqërinë dhe në analizë
të fundit edhe vetë mua. Futja e impartial spectator i lejon Smithit të
shndërrojë në etikë teorinë e sjelljes së drejtë të individit në një kërkim
empirik të marrëdhëmeve dinamike që krijojnë individët mes tyre. Në këtë mënyrë
etika bëhet sociologji, histori shoqërore dhe ekonomi politike. Virtytet
tradicionale, me të cilat është lidhur filozofia morale, marrin kështu një
domethënie dhe një rëndësi të re. Zbatimi i "zgjuarsisë" (maturisë)
është një mënyrë e përligjur në kërkim të kënaqësisë dhe të pasurisë, sepse,
falë punës së "dorës së padukshme", shoqëria në tërësinë e vet e sheh
veten të pasuruar. Drejtësia bazohet, ashtu si dëshira për pasuri, mbi një
nevojë natyrore kundër sulmeve të kryera ndaj tërësisë fizike apo pronësisë.
Mbi këtë bazë ngrihet, në dobi të një procesi të të mësuarit shoqëror, shteti
që do të mbrojë individët dhe pasuritë, pa kufizuar në mënyrë të kotë dëshirat
e tyre për lumturi.
Ajo që Smithi mendon për dëshirën për pasuri dhe për
shtetin, që nuk duhet ta pengojë këtë dëshirë, në shekullin XIX mori miratimin
e "kapitalizmit të Mançesterit", që e bëri filozofin heroin e
saj.Megjithatë lihej jashtë virtyti i tretë klasik, që është dashamirësia apo
mirëbërësia: pasuria nuk është e mira më e lartë mbi tokë, ajo vetëm krijon
kushte për veprim mirëbërës. Dashamirësia mund të kërkojë një ndërhyrje të
vetëdijshme në automatizmin e tregut, për shembull për të luftuar unilaterizmin
e ndërtimit të mënyrës së jetës, që është ana e prapme e medaljes e përparësive
të shumëfishta të ndarjes shoqërore të punës. Arsyeja morale ndërhyn në ecjen e
vetvetishme të historisë, me qëllim që të arrihet te "lumturia më e madhe
e mundur e një numri sa më të madh të mundur", sipas formulës së
Hatçisonit. Njeriu mirëbërës që vihet në shërbim të kësaj arsyeje e jeton këtë
shërbim si një lumturi, sepse ata, të cilëve ai u ka bërë të mira, ia kthejnë
me simpatinë e tyre. Kështu mirëbërësia bëhet natyrshëm e vetvetishme; e
arsyeshmja kthehet në pjesë përbërëse të natyrës njerëzore.
Në kohën e konceptimit të Teorisësë ndjenjave momle, ideja e
"pajtimit" - sipas një shprehjeje të Fridrih Hegelit (1770-1831) - të
arsyes dhe natyrës në procesin e historisë është në të njëjtën kohë e pranishme
në shkrimet e Zhan-Zhak Rusoit. Ajo gjen gjithashtu shprehjen e vet në parqet
"ala angleze", që zëvendësuan atëherë pak nga pak, në mbarë Europën e
iluministëve, kopshtet gjeometrike "ala franceze". Në fund, ajo u vu
në zbatim nga pronarët progresistë të tokave, që investuan para për
përmirësimin e ekonomisë bujqësore, të rrugëve të komunikimit dhe të shkollave,
me qëilim që të ngrinin nivelin e jetesës së fshatarëve "të tyre" (që
për këtë punonin më mirë për zotërit aq shumë të mirë). Sociologjia historike e
"shkollës skoceze" u përhap në Europë falë veprave të Smithit, por
edhe falë atyre të nxënësit të tij, Xhon Milit (1735-1801) dhe të
"kopjuesit" të tij (sipas Smithit), Adam Fergusonit (1723-1816). Në
Britaninë e Madhe, "utilitaristët" morën anët praktike dhe ekonomike
të filozofisë së Smithit. Në Gjermani, ideja "spekulative" e pajtimit
midis arsyes dhe natyrës, në kuadrin e një historie të nxitur nga puna
njerëzore, u rimor nga idealistët, në radhë të parë nga Hegeli.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E ADAM SMITHIT
* Për shumë historianë të filozofisë, "filozofia
morale" e Adam Smithit dhe e "shkollës skoceze" meriton vetëm
një notë në fund të faqes. Megjithatë, filozofia historike dhe shoqërore e
Smithit - që shqyrton për herë të parë shoqërinë nga pikëpamja ekonomike e
marrëdhënieve të punës - përbën pikën e bashkimit midis traditës së madhe të
empirizmit britanik dhe mendimit historik dhe shoqëror të idealizmit gjerman,
në veçanti të atij të Fridrih Hegelit.
* Në kryeveprën e tij etike Teoria e ndjenjave morale (The
Theory ot Moral Sentiments,1756) Smithi përshkruan fenomenin e moralit, duke u
përpjekur të ngelë në kuadrin e «fakteve reale». Refuzon teoritë egoiste duke
konsideruar se mëshira, të cilën e ndiejmë te fatkeqësitë e njerëzve të tjerë,
na përfshin aq shumë saqë fatëkeqësinë e përjetojmë sikur të na kishte ndodhur
neve. Vlera e një ndjenje mund të caktohet vetëm në bazë të veprimit që del nga
kjo, kurse qëllimi themelor i tërë krijimtarisë pozitive është lumturia e
njerëzimit. Në këtë vështrim Smithi konsideron se duhet vënë në harmoni
pikëpamjet e të ashtuquajturës përshtatshmëri (domethënë të pajtimit me
gjendjen faktike të përvojës morale) dhe dobi, sikurse edhe mendjen dhe
ndjenjën. Por Smithit i duket e pamundshme se miratimi moral mund të jetë
ndjenjë e të njëjtit lloj si ajo me të cilën vëzhgojmë godinën e ndërtuar mirë
ose makinën e cila punon mirë. Gjykimin tonë moral pra nuk mund ta udhëheqë
dobia ose dëmi, suksesi ose mossuksesi, por pajtueshmëria ose mospajtueshmëria
e ndjenjave tona me ndjenjat e atij që vepron ose vuan në mënyrë të caktuar.
Simpatia njëmend është rrënjosur në natyrën njerëzore, por përveç kësaj edhe
hakmarrja, si veprim kundër krimit të bërë, është gjithashtu një nga bazat më të
rëndësishme psikike të jetës morale.
Comments
Post a Comment