Spinoza: Qëllimi i shtetit nuk është të sundojë as t'i mbajë njerëzit të frikësuar, por, përkundrazi, t'i çlirojë individët nga frika
BENEDIKT SPINOZA
Baruh Spinoza, (Baruch Spinoza, Hebrej: ברוך שפינוזה Baruch Shpinoza, Portug.: Bento de
Espinosa, Latin: Benedictus de Spinoza) filozof holandez (1632-1677). Me
origjinë nga një familje çifute e cila ka ardhur nga Portugalia. Spinoza qysh
si i ri i përkushtohet studimit të Biblës, të Talmudit dhe të filozofisë
skolastike. Mirëpo së shpejti për shkak të qëndrimit të tij kritik racional
ndaj këtyre teksteve shkakton zemrimin e kryeparëve fetarë dhe të qarqeve
teologjike në përgjithësi, kurse në vitin 1656, pas sugjerimeve të pasuksesshme
që t'i kthehet fesë së etërve, u mallkua me anatemën më të rëndë dhe u
përjashtua nga komuna çifute: «Le të jetë i mallkuar ditën dhe le të jetë i
mallkuar natën. Le të jetë i mallkuar kur shtrihet dhe le të jetë i mallkuar
kur ngrihet. Le të jetë i mallkuar kur niset dhe le të jetë i mallkuar kur
kthehet... Ju urdhërojmë që askush me të të mos komunikojë as me gojë as me
shkrim askush të mos qëndrojë me të nën një kulm ose katër bërryla afër tij,
askush të mos lexojë veprën të cilën e ka hartuar ai».
I përsekutuar dhe i përulur si «princ ateist» (Atheorum
Princeps), «rebel» dhe «mishërim i satanes», veprat e të cilit «meritojnë të
hidhen në errësirën e ferrit», i njollosur, i mashtruar, i tërhequr në vete, Spinoza
refuzon në vitin 1673 të braktisë qëndrimin teorik të tij dhe nuk pranon ftesën
për profesor në katederën e filozofisë në Hajdelberg, duke siguruar ekzistencën
me punë të mundimshme të grihjes së xhamave optikë dhe kështu i siguroi
vetvetes pavarësinë intelektuale dhe morale. Motrës Rebekës i la tërë
trashëgimin e babait dhe për vete ndal vetëm një shtrat dhe një tavolinë.Vdiq
në moshën 45 vjeçare nga tuberkulozi në kohën kur iu botuan vetëm dy vepra:
Parimet e filozofisë së Rene Dekartit, në të cilën paraqet në një mënyrë
specifike dhe të pavarur mësimin e Dekartit, dhe Traktatin teologjiko-politik,
të cilin për shkak të kritikës së ashpër dhe të tezave liberale e shtypi
anonimisht.
Në veprën e tij kapitale dhe të shtypur pas vdekjes Etika e
paraqitur me rendin gjeometrik (që përmban 5 pjesë: Mbi Perëndinë; Mbi natyrën
dhe origjinën e shpirtit; Mbi origjinën dhe natyrën e afekteve; Mbi jolirinë e
njeriut ose mbi fuqinë e afekteve; Mbi fuqinë gnoseologjike ose mbi lirinë e
njeriut) Spinza përpiqet rigorozisht dhe në mënyrë racionaliste dhe
«gjeometrike» të nxjerrë tërë filozofinë e tij nga numri i caktuar i
përkufizimeve, i aksiomave, i propozicioneve dhe i vërtetimeve. Ideja themelore
e filozoflsë së tij, e shprehur në pjesën e parë të Etikës, është pohimi se
ekziston, përkundër dualizmit të Dekartit, vetëm një substancë e pafund.
Ekzistenca e kësaj substance rrjedh nga vetë nocioni i saj dhe është shkak i
vetvetes (causa sui). Si një nga nocionet qëndrore të filozofisë së Spinozes,
causa sui përmban në vete refuzimin e secilit shkak të jashtëm (ashtu edhe të
perëndisë si transcendencë të natyrës vetëmjaftueshmërinë dhe autonominë e
natyrës, si dhe të unitetit të botës, dhe me këtë në thelb është përcaktuar
tërë determinizmi monistik i Spinozes, përkatësisht nocioni i domosdoshmërisë
së lirisë. Perëndia ose natyra (Deus sive natura) nuk është jashtë ose mbi
gjërat, por është në të, dhe së këtejmi ajo dhe natyra që krijon (natura
naturans) lidhur me të gjitha moduset e atributeve të perëndisë, domethënë në
natyrën e krijuar (natura naturata). Spinoza quan atribut atë «që arsyeja
përcepton në substancë, thua se përbën esencën e saj (përkufizimi IV), kurse
nga atributet e shumta të pafund të substancës së pafundme arsyeja jonë njeh
vetëm dy: shtrirjen dhe të menduarit. Moduset e këtyre atributeve, ndërkaq,
janë si gjëra të fundme, gjendjet e ndryshueshme dhe tranzitore të substancës
ose forma fenomenale të esencës të saj të amshueshme dhe në vetvete të
ndryshueshme. Modifikimet më të rëndësishme të të menduarit janë arsyeja dhe
vullneti, kurse modifikimet më të rëndësishme të shtrirjes janë qetësia dhe
lëvizja. Tërë të ndodhurit në botën materiale dhe shpirtërore është rigorozisht
i determinuar, të gjitha fenomenet kauzalisht janë të lidhura dhe çdo modus i të
menduarit është i caktuar nga modusi tjetër i të menduarit, kurse modusi i
shtrirjes nga modusi tjetër i shtrirjes. Meqë, ndërkaq, ekziston vetëm një
substancë, të dy vargjet kauzale (materiale dhe shpirtërore) në realitet, janë
një proces i vështruar nga dy aspekte të ndryshme. Kështu paralelizmi
psikofizik i Spinozës i shprehur me qëndrimin se rendi dhe lidhja e ideve janë
të njëjtë sikurse rendi dhe lidhja e sendeve (ordo et connexio idearum idem est
ac ordo et counexio rerum). Meqë fryma njerëzore është modus rigorozisht i
determinuar i të menduarit, atëherë nuk ekziston as liria e vullnetit (madje as
perëndia kurrgjë «nuk bën nga vullneti i lirë»), ndërsa edhe vetë ideja e
vullnetit të lirë bazohet në mosnjohjen e të gjitha shkaqeve. «Sikur guri që bie
të kishte vetëdije, do të konsideronte se rënia e tij është rezultat i
vullnetit të lirë të tij». Gjendjet afektive (të cilat Spinoza i nxjerr «me
rendin gjeometrik» nga tri afekte themelore: gëzimi, pikëllimi dhe nga epshi)
janë formë e parë e njohjes dhe i veprimtarisë së vetëdijshme, çka, ndërkaq,
ofrojnë «njohje joadekuate». Spinoza, i cili konsideron se «urrejta kurrë nuk
mund të jetë e mirë» (XLV) dhe i cili mendon se virtyti nuk është gjë tjetër
veçse «të veprosh sipas ligjeve të natyrës vetjake», jep një analizë të
jashtëzakonshme të afekteve njerëzore - të cilat i barazon me gjendjen e
skllavërisë njerëzore. Njeriu i varur nga afektet nuk është zot i vetvetes, por
i nënshtrohet fatit, në pushtetin e të cilit gjendet ashtu sa që shpesh është i
«detyruar të shkoj pas asaj që është më e keqe, ndonëse sheh atë që është më e
mirë». Por prapëseprapë, afekti mund të frenohet ose të eliminohet vetëm «me
afektin e kundërt dhe më të fortë nga afekti që duhet frenuar». Njëkohësisht,
ndërkaq, porsa të kemi idenë e qartë dhe të kthjellët mbi afektin e caktuar, ai
pushon të jetë gjendje e pësimit, dhe kështu kjo është më tepër në pushtetin
tonë, dhe shpirti përsos aq më pak nga ai sa më të njohur ta kemi. Arsyeja, e
cila tejkalon afektet e vërteton vetveten dhe gjen në vete kriterin e
vërtetësisë, është shkalla e dytë më e lartë e njohjes. Shkalla e tretë, e cila
është manifestimi më i lartë i frymës njerëzore, me anën e të cilit ai arrin
deri te vet thelbi i çështjes, deri te njohja e perëndisë ose e natyrës, është
njohje intuitive, përkatësisht vëzhgim i sendeve sub specie aeternitatis. Në
këtë shkallë lartësohemi deri te dashuria intelektuale ndaj perëndisë (amor Dei
intelectualis) ose, që për Spinozën është e njëjtë, deri te njohja e vërtet e
natyrës, në të cilën gjendet qetësia absolute dhe pastërtia e shpirtit. Asnjë
dashuri përveç kësaj nuk është e amshueshme, kurse «në natyrë nuk ekziston
asgjë që është në kundërshtim me këtë dashuri intelektuale ose që do të mund ta
zhdukte». Njëkohësisht, sa më shumë gjëra «njeh njohja me llojin e dytë dhe të
tretë të njohjes aq më pak pëson nga afektet, të cilat janë të këqija, dhe më
pak frikësohet nga vdekja». Lumturia e fituar kështu nuk është shpërblim për
virtytin, «por është vetë virtyti, dhe ne nuk i gëzohemi për shkak se frenojmë
epshet, por, përkundrazi, për shkak se i gëzohemi, se mund t'i frenojmë
epshet». Në Traktatin teologjiko-politik dhe në Traktatin politik të
vet, Spinoza dha jo vetëm kritikën brilante të lëvizjeve të përgjithshme ideore
dhe shoqërore të kohës së tij, por me mendjen e tij të lirë dhe depërtuse
përshkroi disa fenomene sociale në një mënyrë që edhe sot në shumë aspekte
është aktuale. Pasojat e të gjitha formave të bestytnive janë fatale për
njerëzimin si në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve brenda një shteti, ashtu edhe
në marrëdhëniet ndërmjet popujve. Paragjykimet nacionale dhe fetare mbajnë
njerëzit të mashtruar, i përulin ngase u rrëmbejnë përdorimin e lirë të së
mirës më të lartë të tyre - arsyes, krijojnë armiqësi reciproke dhe urrejtje, shkaktojnë
luftëra dhe gjakderdhje. «Qeverisja monarkiste» ka dobi nga përkrahjet e
produkteve fantastike të bestytnive, duke i sygjeruar popullit që nën formën e
religjionit të nderojë mbretërit e vet si perënditë. Për Spinozën «të gjithë
popujt janë të barabartë lidhur me arsyen dhe virtytet e vërteta», kurse
barazia, pa të cilën medoemos rrënohet liria e përgjithshme, nuk mund të mbahet
ashtu që «ndonjë njeriu, të famshëm për shkak të virtytit të tij, me ligj t'i
bëhen nderime të jashtëzakonshme». «Sa u përket monumenteve, triumfit dhe
nxitjeve të tjera të virtytit, këto janë më tepër shenja të skllavërisë sesa të
lirisë. Sepse shpërblimet për nderë u jepen skllavërve dhe jo njerëzve të
lirë».
E hazuar në mënyrë panteiste dhe racionaliste, filozofia e
Spinozës kërkoi zgjidhje për çështjet më të vështira filozofike dhe njerëzore
në kuadrin e botës ekzistuese reale, dhe ky «përfaqësues i shkëlqyeshëm i
dialektikës» nuk kënaqi, sikurse paraardhësit e tij skolastikë (madje edhe vetë
Dekarti) me pseudozgjidhjet gnoseo-logjike, të cilat u mundësuan me pohimin mbi
ekzistimin edhe të gjithëfuqisë të ndonjë qenieje transcendente. Spinoza
megjithatë «thelbin ndijor antiteologjik të natyrës e kuptoi si thelb
metafizik, teologjik, përkatësisht nga natyra bëri hyjni» (Plehanovi). Pa
dyshim, i penguar dhe i kufizuar nga koha dhe rrethanat e tij, si dhe nga
trashëgimi filozofik i shekullit të mesëm (që vërehet, para së gjithash, në
terminologjinë e tij), duke mos kuptuar sa duhet përcaktimet themelore të
thelbit shoqëror të njeriut (duke e reduktuar shpesh vetëm në pjesë të
natyrës), duke u zhytur diku-diku në gnoseologji racionaliste të njëanshme, si
dhe në determinizmin mekanik, Spinoza, megjithëkëtë, nga aspekti i mundësive
dhe i perspektivave historike të kohës në të cilën jetoi, është një nga
përfaqësuesit më të rëndësishëm dhe më konsekuentë të filozofisë racionaliste
dhe moniste në përgjithësi. Ndikimi i mendimit të tij është jashtëzakonisht i
rëndësishëm dhe është i qartë në një seri veprash letrare dhe filozofike deri
në ditët tona. Lesingu vërtetoi se «filozofia e Spinozës të cilin kompatriotët
tanë e trajtojnë si një qen të ngordhur» - është edhe filozofia e tij; për të
folën me entuziazëm edhe Herderi, Gëteja, Fihteja, Shelingu, Hegeli,
Shlajermaheri dhe shumë të tjerë. Entuziazmin e pakufishëm për filozofinë e tij
e shprehi Hajne me këto fjalë: «Duke lexuar Spinozën, na kaplon ndjenja thuajse
vëzhgojmë natyrën në tërë jetësimin e qetësisë së saj. Ky është pyll i
mendimeve, të larta dëri në qiell, majat e luleve të të cilave lëkunden
valë-valë, ndërsa trungjet e pathyeshme shtrojnë rrënjët e tyre në tokën e
amshueshme.Veprat e Spinozës rrezatojnë një frymë që nuk mund të shpjegohet. Ai
na prek lehtë si puhia e kohëve të ardhshme. Ndoshta fryma e profetëve çifutë
është qetësuar mbi paraardhësit e tyre të vonuar».
Veprat kryesore: Renati Descartes Principiorum philosophia
pars I et II (1663); Tractatus theologicopoliticus (1670); Opera posthumana
(1677, përmbajnë: Tractatus politicus, Tractatus de intellectus emendatione;
Episto-lae; Compendium grammaticum linguae hebraeae; Ethica ordine geometrico
demonstrata).
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E BENEDIKT SPINOZËS
* Spinoza ishte i sjellshëm dhe i qetë. Ai nuk e lëshonte
kurrë veten dhe nuk rrëmbehej nga zemërimi. Gjithë kohën pothuaj rrinte i
mbyllur në dhomën e tij dhe për t'u qetësuar nga studimi kërkonte merimanga në
mur dhe t'i vinte të luftonin njëra me tjetrën.
* Kur princi i Kondës pushtoi Holandën, takoi Spinozën dhe i
dha mundësinë të vendosej në Francë, ku do t'i jepte një pension të mirë, por
me kusht që veprat e tij të ardhshme t'ia kushtonte mbretit. Atëherë Spinoza
tha:
- Unë nuk kam asnjë dëshirë që t'ia kushtoj veprat e mia
mbretit të Francës.
* Spinoza konsideron se ligjet do të ishin të panevojshme sikur
të gjithë njerëzit të ishin të mençëm. Zatën, edhe shteti i përsosur do ta
kufizonte fuqinë e qytetarëve të saj nëse kjo fuqi do të mund t'u sillte dëm
marrëdhënieve të tyre reciproke; ai kështu në të vërtetë as nuk do ta merrte as
nuk do ta shtonte lirinë.
* «Qëllimi i shtetit nuk është të sundojë as t'i mbajë
njerëzit të frikësuar, por, përkundrazi, t'i çlirojë individët nga frika...».
* Spinoza tërheq vërejtjen për faktin se «një qeveri sa më
shumë ua rrëmben lirinë e të folurit, njerëzit do të ngrihen gjithnjë e më
shumë kundër këtij rrëmbimi». Sepse, «njerëzit sipas natyrës janë të tillë sa
asgjë tjetër nuk e përjetojnë më rëndë sesa kur mendimet, të cilat këta i
konsiderojnë të vërteta, u mveshen si mëkat kundër ligjit». Në të vërtetë, në
rrethanat e tilla nuk konsiderojnë se është diçka e keqe, por «është e drejtë
kur bëjnë kryengritje dhe nuk ngurrojnë nga asnjë akt kundër pushtetit». Pra,
sa më pak shteti mbikëqyr shpirtrat, aq më mirë është për qytetarët dhe për
shtetin. Njëkohësisht, të gjitha punët shtetërore duhet të jenë publike dhe nuk
ekziston asnjë arsyetim për çfarëdo fshehtësie.
* «Vetëm ata që synojnë posedimin e fuqisë absolute, nuk
dinë asgjë pos të përsëritin përherë sesi interesi shtetëror kërkon kryerje
sekrete të punëve shtetërore. Sa më shumë argumentet e tilla maskohen me
pretekstin e dobisë së përgjithshme, si pasojë vjen skllavëria gjithnjë më e
keqe. Më mirë është që qëllimet e drejta t'i njohin kundërshtarët sesa të
heshten sekretet e këqija të tiranëve nga qytetarët».
Comments
Post a Comment